|
Foto: .jpg | SHTATOR 1945, ENVER HOXHA-FADIL HOXHA, BISEDA KOKË MË KOKË QË U SPIUNUA
Telegrami i fshehtë i Koçi Xoxes për Aleksandër Rankoviçin
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 10 tetor 2015)
Pjesa e katërt
Duke treguar takimin e 8 shkurtit 1945, bërë në hotelin “Madera”, ku ndodhej atë kohë në Beograd selia e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, Fadil Hoxha shkruan se aty iu caktuan detyrat për të bindur, për vendimin e bashkimit të Kosovës me Serbinë, fillimisht kuadrot shqiptare dhe vetëm më pas të shkohej në popull.
I ndodhur ende nën trysninë psikologjike të asaj që ndodhi papritur në katin e tretë të Hotel “Madera”, shkruan më tej: “Sa i përket statusit për Kosovën republikë nuk kemi pasur mendim jo vetëm ne, por as ata. Tash për tash kështu e më vonë Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë. Shumë kohë kemi menduar dhe kemi pasur iluzione. Kemi menduar për federatën ballkanike dhe se në kuadër të saj do të zgjidhej edhe çështja e Kosovës”.
Pohon po ashtu: “...nuk kemi besuar se mund të ketë kufij të fortë ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Në fillim kufij nuk kemi pasur. Kalonim kufirin pa dokumente, por më vonë kufiri u forcua”.
Pastaj Fadil Hoxha tregon se kur mbaroi mbledhja në katin e tretë të Hotel “Madera”, atë dhe Miladinin krerët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave e kanë ndalur dhe u kanë thënë se do t’u jepnin disa dekorata shokëve të Kosovës. Ndërkohë u vunë edhe një kusht: ata dy nuk duhej vetë të mbushnin biografitë e tyre. Të rikthyer në Prizren, sapo i shkruan jetëshkrimet e të tjerëve dhe ua dërguan, nga Beogradi erdhi edhe tufa e “Dekorata e çlirimit popullor”. Kishte dy edhe për ta.
Në qershor eprorët e Beogradit i propozuan Fadil Hoxhës që të ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ky institucion i ri i kreu punimet themeltare në datat 8-18 korrik 1945. U mbajt në Prizren, sepse ende Prishtina nuk qe caktuar kryeqyteti i krahinës.
Shkruan tek libri i tij i kujtimeve: “Në mbledhje kam folur. Ajo që ka qenë karakteristike ka qenë se të gjitha gjërat janë pranuar njëzëri. Është interesante se të gjithë delegatëve që kanë qenë në Konferencë, ua kemi dërguar edhe materialet e Bujanit dhe materialet-raportin se çfarë është punuar prej Bujanit deri në Konferencë, çfarë ka punuar Këshilli Nacionalçlirimtar dhe konkluzionet që të aprovohet puna e deriatëhershme. Diskutimi është zhvilluar dhe është miratuar raporti i Pavlit. Pavli (Joviçeviç-shënimi ynë) është zgjedhur sekretar i Këshillit. Japim në diskutim deklaratën se do t’i bashkohemi Republikës së Serbisë. Njëzëri pranohen të gjitha dokumentet”.
Menjëherë pas kësaj: “Të gjithë anëtarët e Bujanit kanë qenë aty e të gjithë janë pajtuar”.
Shpjegimi i tij për këtë: “Kjo domethënë se nuk kemi qenë të ngarkuar me çështjen e kufijve, as në Bujan dhe as në Prizren. Kemi menduar pa rezervë për çështjen nacionale dhe ndërshtetërore. Kemi pasur bindje të thellë se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë kurrë nuk do të prishen, por, përkundrazi.
Në Prizren, në Konferencë, jemi shumica shqiptarë”.
Pohimi tjetër i Fadil Hoxhës: “As Shqipëria nuk bën ndonjë reagim”.
Dosja e fshehtë e Beogradit dhe takimi gjoja sekret në Tiranë
Do të duhej të ridhnin jo më tepër se ditët e dy muajve që ky qëndrim i Shqipërisë së pasçlirimit t’i bëhej fare i qartë, ta shihte me sytë e tij.
Dosja sekrete e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe e Sekretariatit për Punët e Brendshme të Republikës Socialiste të Serbisë me titullin “Inspiratorët dhe bartësit e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”, duke e akuzuar se ishte njeriu i Enver Hoxhës, ngul këmbë që Fadili “I ka shkruar, por pas luftës edhe gojarisht e ka informuar se shqiptarët po vuajnë nën pushtetin e ri më keq se në kohën e Jugosllavisë së vjetër...le të vijë kushdo qoftë, vetëm të na hiqet nga qafa Jugosllavia...etj”.
Po ashtu raporti i spiunazhit serb përsërit se “Në këtë periudhë të lëvizjeve të ndërlikuara politike në Jugosllavi (Rezolutës së Byrosë Informative, presionet mbi Jugosllavinë, Kriza e Triestes, ndërprerja e marrëdhënieve me Shqipërinë etj.) për shkak të informimit të pautorizuar të Enver Hoxhës mbi “vuajtjet” e shqiptarëve në Jugosllavi, Fadil Hoxha sërish u ndodh para kritikave të Partisë. Në mënyrë të pakontestueshme është konstatuar se Fadil Hoxha, sipas marrëveshjes me Enverin, në mënyrë të vazhdueshme “nga kthimi nga Shqipëria” e ka informuar atë për të gjitha ngjarjet e rëndësishme në Kosmet”.
Ajo “provë” që e bën raportin i shërbimit të fshehtë jugosllav të mburret se i vjen prej burimesh të sigurta ka të bëjë me takimin e Fadilit me Enverin në shtator 1945.
E konsideron atë të mirëfilltë si një kontakt agjenturor.
Si e tregon këtë ngjarje vetë Fadil Hoxha?
Në librin e tij të kujtimeve ai dëshmon se pas zgjedhjes së kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, pra në korrik 1945, nisi rindërtimi i krahinës. Shkruan se për rregullimin e rrugëve dhe të urave të saj u dha ndihmë të madhe Republika e Serbisë e sidomos ushtria dhe rinia e saj. Ndërkohë ishte problem i mprehtë kuadri arsimor dhe tekstet mësimore, të cilat duhej të qenë në gjuhën shqipe.
“Vendosëm të dërgonim një delegacion në Tiranë, shkruan, dhe atje të kërkonim që të na jepnin libra, mësues e shkronja për shtypshkronjën “Rilindja”, sepse në vendin tonë asesi nuk mund t’i gjenim shkronjat e nevojshme shqipe. Në Komitetin Krahinor dhe në Këshillin Ekzekutiv Krahinor u morëm vesh që në delegacionin për në Tiranë të shkonim unë dhe Zeqeria Rexha, i besuari i Arsimit dhe i Kulturës në Këshillin Ekzekutiv Krahinor”.
Vijon dëshminë e tij Fadil Hoxha: “Për në Tiranë u nisëm nga fundi i shtatorit 1945, data e saktë nuk më kujtohet. Më parë shkuam në ambasadën jugosllave. Të ngarkuarin me punë Velimir Stojniq dhe sekretarin Nijazi Dizdareviq e informuam për qëllimin e vizitës sonë dhe iu lutëm të na ndihmonin të vinim në kontakt me kompetentët për të. Shokët nga ambasada na organizuan takime me përfaqësuesit e pushtetit dhe të Partisë. Atëherë marrëdhëniet mes vendit dhe Shqipërisë ishin të shkëlqyeshme. Na pritën, pos ministrit të Arsimit, edhe shokë më përgjegjës nga pushteti e Partia dhe vetë Enver Hoxha. Ishin dashamirës”.
Pastaj Fadili saktëson: “Ndërkaq, Zeqiriai dhe Enveri e njihnin njëri-tjetrin, sepse bashkë kishin mësuar në Liceun e Korçës. Me mua u takua atëherë për herë të parë, mirëpo nëpërmet bashkëpunimit të PKJ-së me PKSH-në në luftën e përbashkët NÇ mjaft e njihnim njëri-tjetrin”.
Pasi të dërguarit e lartë nga Kosova e kishin informuar për nevojat për tekste dhe urgjencën për të paktën dyqind mësues, Enver Hoxha u qe përgjigjur se edhe atyre u mungonin mësues, po gjithsesi do t’i ndihmonin. Zeqiria pati shpjeguar se cilat lloje tekstesh u mungonin në Kosovë dhe i kujtoi se në depon e Ministrisë së Arsimit që në kohën e Italisë, kur ky pati punuar aty, ndodhej edhe një shtypshkronjë jashtë përdorimit, e vjetër, por që kompletin e shkronjave të plumbta e kishte të patrazuar.
Enver Hoxha, shkruan Fadil Hoxha, “U ngrit, mori telefonin dhe bisedoi me ministrin e Arsimit, duke i thënë tërë ato që duhet të na ndihmonte. Pas bisedës u kthye nga ne dhe dhe na tha se çdo gjë do të jetë në rregull...”.
Dy orë pa pushim, por çfarë i thanë njëri-tjetrit?
Kur u duk sikur takimi përfundoi dhe dy bashkëkombësit e lartë nga Kosova do të largoheshin, Enveri shqiptoi fjalët “Por ti Fadil ulu dhe pak të bisedojmë”.
“Porositi edhe nga një kafe, shkruan ky, dhe filloi të pyeste për shendetin e Salo Muratit (pseudonimin e Dushan Mugoshës)), Palokës (nofkë e Pavle Joviçeviçit), Stapit (i Ismet Shaqirit), u zhvillua biseda për luftën dhe ndihmën e madhe të cilën u kishin ofruar Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha gjatë LNÇ-së, për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë të udhëheqjes shqiptare me KQ të PKJ-së, posaçërisht theksoi rolin e shokut Tito. Për të foli me fjalë të zgjedhura, si për një komunist të madh, për komandant të famshëm luftarak dhe për një burrë shteti të kalibrit botëror”.
Sipas rrëfimit të Fadil Hoxhës ky e ka dëgjuar me vëmendje Enverin dhe, kur ai fliste, e ka ndërhyrë tepër rrallë. Kur i është dashur të komunikojë qëndrimin e tij për Josip Broz Titon është shprehur po kaq mirë. Madje e përcaktoi fat të madh jo vetëm për popujt e Jugosllavisë, por edhe të Ballkanit.
EH, pasi qe pajtuar me konstatimin e Fadilit, tha “se për ta ishte shumë e rëndë të mbaheshin për shkak të presioneve të brendshme të reaksionit, posaçërisht për shkak të presionit të Anglisë dhe Amerikës, pa përkrahjen e sinqertë, të cilën u ka ofruar udhëheqja jugosllave. Foli edhe për situatën në Shqipëri, për atë çka bëjnë ata për t’i shëruar plagët, të cilat u ka shkaktuar lufta, për vështirësitë të cilat kishin me ushqimin e popullatës. Foli gjatë edhe për rezistencën e organizuar që po bënin ballistët dhe armiqtë e tjerë, si edhe kleri katolik, i cili ishte lidhur me bajraktarët reaksionarë dhe me krerët e fiseve të tjera në Malësinë e Shkodrës dhe në Mirditë si edhe në disa vise të tjera të izoluara, ku PKSH nuk kishte arritur ende të depërtonte”.
Pasi i pati rrëfyer Fadil Hoxhës edhe pamje të tjera të gjendjes në Shqipëri Enveri e kishte pyetur: “Si po shkojnë punët tek ju, si po zhvillohet lufta juaj?”
Kjo që pasoi, përgjigja e Fadilit, është edhe pjesa më e akuzuar nga shërbimi i fshehtë jugosllav. Për ta këtu ndodhet i shtrirë sa gjerë-gjatë edhe krimi kundër Federatës, prova e sigurt se Hoxha i Kosovës në mënyrë të ndërgjegjshme punonte për qëllimin e PKSH dhe të shefit të saj që të dy trojet të bashkoheshin.
Pasi pati folur shumë mirë për Jugosllavinë e re dhe atmosferën pozitive të bashkim-vëllazërimit, për raportet mjaft pozitive me Serbinë, Fadil Hoxha, gjithnjë sipas asaj që shkruan në librin e vet të kujtimeve, u shpreh se “tek ne armik janë edhe nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar, por janë mjaft aktivë edhe nacionalizmi dhe shovinizmi malazias e serb. I thashë se te shqiptarët e Kosovës është i pranishëm irredentizmi”.
Gjatë bisedës të dy Hoxhat pranuan se në luftën me kundërshtarët janë bërë edhe gabime, madje qenë pushkatuar edhe të pafajshëm.
“Kështu edhe u mbyll biseda, e cila ka zgjatur afro dy orë”, shkruan Fadil Hoxha.
Duke u ndarë, Enveri përsëriti edhe njëherë se për tekstet shkollorë dhe mësuesit çdo gjë do ishte në rregull, pastaj u dërgoi të fala disa drejtuesve të Kosovës, mes tyre që në fillim Dushan Mugoshës si, edhe mes të tjerëve, edhe Bije Vokshit.
Në vijim Fadili pohon se Enver Hoxha “Edhe njëherë shfaqi simpati të madhe për Jugosllavinë, për KQ të PKJ-së dhe posaçërisht për shokun Tito”.
Pastaj ai jep këtë gjykim për çfarë i ndodhi në bisedën kokë më kokë me Enverin: “Pritja e këtillë e përzemërt dhe biseda e hapur ishin normale, sepse ajo ishte koha e marrëdhënieve shumë miqësore ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë”.
Më tej (ndiqeni me vëmendje) thuhet: “Gjithashtu përzemërsisht më pritën të gjithë udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë nga Koçi Xoxe e Mehmet Shehu e deri tek shokët e mi të paraluftës...
Kjo ishte hera e parë që jam takuar dhe kam biseduar me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Më erdhi mirë që Enveri aq gjatë bisedoi me mua dhe që Koçi Xoxe më shtroi drekë”.
Pasi pohon se në Tiranë, pas bisedës me Enver Hoxhën, qëndruan edhe dy apo tri ditë, i ngarkuan tekstet mësimore dhe arkat me shkronja në kamionë dhe u kthyen në Prizren. Këtu e njohën Këshillin Ekzekutiv Krahinor dhe Byronë e Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovë e Metohi për çfarë patën kryer në Shqipëri.
E papritura ndodhi shumë shpejt, ndërsa ndërkohë nga Tirana dhe qytetet e tjera filluan të vinin në grupe të vogla mësuesit vullnetarë që i patën kërkuar Enver Hoxhës.
Shkruan Fadili: “Pas disa ditësh, diku nga fillimi i tetorit 1945, Gjoka Pajkoviqi, Sekretar i Komitetit Krahinor, më informoi me telefon dhe më tha që nëse kisha kohë të shkoja tek ai që të bisedonim diçka”.
(Vijon)
Ylli Polovina.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|