Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
MILADIN POPOVIÇI NË 8 SHKURT 1945: KOSOVA T’I BASHKOHET SERBISË


Beograd, takimi fatal në Hotel “Madera”

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 9 tetor 2015)

Pjesa e tretë

Në pjesën e parë të librit të saj “Jeta ime me Enverin”, në kapitullin “Qëndrimi i Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës”, Nexhmije Hoxha e vazhdon rrëfimin e takimit të të shoqit me funksionarin e lartë të Jugosllavisë dhe të Kosovës, Rexhep Durakun, me këto fjalë: “Tani nuk jam në gjendje të riprodhoj gjithçka dhe si u bisedua...Esenca e përgjigjes së tij qe kjo: “Nuk e di sa e arsyeshme dhe e dobishme do të ishte që të kishte dy republika shqiptare, një këtej kufirit dhe një andej. Nëse këtë do ta pranonte udhëheqja jugosllave, cili do të ishte, sipas mendimit të shokëve kosovarë, arsyeja e këtij pranimi? Unë mendoj - i tha Enveri – se është e vështirë që udhëheqja jugosllave, veçanërisht serbomëdhenjtë, ta pranojnë një gjë të tillë pa paramendim. Pastaj, edhe ata e dinë se nuk mund të sillen më me Shqipërinë si në vitet 1945, ‘46 e ‘47, prandaj, unë mendoj, se nga kjo kërkesë nuk del gjë, të paktën tani për tani. U thuaj, pra, vëllezërve tanë, ata ta pleqërojnë mirë dhe të vendosin vetë”.
Sipas Nexhmije Hoxhës kjo pikëpamje e Enverit “nuk e di si u prit në Kosovë, si u diskutua, por në atë kohë kjo çështje u mbyll me kaq, për t’u ngritur përsëri vite më vonë”.
Kur në 29 nëntor 1980, në festimin nga përfaqësia diplomatike shqiptare në Beograd e përvjetorëve të pavarësimit dhe atij të çlirimit prej pushtuesve fashistë, Fadil Hoxha u takua me ambasadorin Sokrat Plaka, në bisedën e tyre mjaft të hollësishme nuk rezulton asnjë shenjë se dy Hoxhat qenë në ndonjë bashkëveprim më të madh se një dekadë më parë. Jo vetëm të drejtpërdrejtë, por edhe me “rënie në të njëjtën valë”, siç i thuhet rasteve kur dy individë larg njëri-tjetrit dhe pa asnjë mundësi kontakti, për një çështje kryejnë veprime të njëjta.
Fraza që lënë të nënkuptosh se, për të përgatitur posaçërisht dhe realizuar bashkimin e dy pjesëve të truallit nacional, nën të, megjithatë, diçka lëviz, janë pohimi i Fadilit para ambasadorit shqiptar Nase: “Detyra jonë kryesore këtu është ta formojmë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe në këtë proces kemi nevojë të madhe për përkrahjen e Shqipërisë, për përkrahjen e saj morale e të gjithanshme”. Po ashtu edhe fraza “Procesi i reafirmimit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi, edhe tani pas Titos, do të vazhdojë, kjo tashmë nuk mund të kthehet mbrapsht”.
Që Fadil Hoxha, pas vdekjes së Josip Brozit (e cila pati ndodhur në 5 maj të atij viti, në fundnëntorin e të cilit ai bisedon me Sokrat Plakën), nuk do të shkonte më tej se nga vetëm se nga strategjia e përgatitjes për një bashkim të ardhshëm, aspak edhe shumë të afërt, dëshmohet edhe nga ky deklarim i tij: “Në kushtet e Jugosllavisë, ne shqiptarët mundëm të bëjmë kaq sa bëmë, le të gjykojë koha. Unë do t’i heq kapelën me kënaqësi kujtdo qoftë që do ta bënte detyrën tonë këtu më mirë se sa kam bërë unë dhe shokët e mijë, dhe do t`ia lija me gjithë qejf pozitën time”.

Loja e Titos dhe e Enverit me dy republika shqiptare

Shumë faqe më pas tek libri i saj “Jeta ime me Enverin”, vëllimi i parë, Nexhmije Hoxha pohon një zhvillim taktiko-strategjik tek i shoqi. Ajo shkruan se “...me demonstratat e fuqishme të rinisë kosovare në prillin e 1981, ai, që atë natë, u shpreh pa ekuivok: “Përderisa rinia, e mbështetur nga populli, u përgjak në këtë shkallë për “Kosovën-Republikë”, ne do ta mbështesim atë”.
Kështu Enver Hoxha, në një farë mënyre, theu skemën e tij të mëparshme, por edhe tabunë personale, që në hartën e botës të kishte jo një por dy republika shqiptare.
Atëherë Fadili ishte një eksponent i dorës së parë dhe, me punë në udhëheqjen e lartë të federatës, nëpërmjet një lëvizjeje të shkathët nga grupi i pastitistëve të cilët kishte të ngjarë ta nxitnin, për nevojë të ekuilibrave të brendshëm, një republikë të Kosovës, mund të shndërrohej lehtësisht në shefin tjetër Hoxha të një shteti paralel shqiptar.
Kjo do të shkaktonte një joshje të fortë kërshërie politike në Ballkan, madje në krejt kontinentin.
Një ecuri e tillë, ai i dy republikave me dy Hoxha në krye, përderisa nuk u mundësua dot pas Luftës së Dytë Botërore përfshirja e Shqipërisë në Federatën Jugosllave ose tërthorazi futja e saj atje nëpërmjet marifetit të ngritjes së një Federate Ballkanike, për ta realizuar, sipas modelit fashist, Shqipërinë e plotësuar, i jepte më shumë tërheqje lojës propagandistike me dy republika nga i njëjti popull. Njëra do të qe me Fadil Hoxhën dhe me banorë që jetonin me “kërra” (vetura personale) dhe udhëtonin pa pengesë jashtë kufijve, tjetra me Enver Hoxhën, ku gjithçka ishte e mbyllur dhe e ndaluar.
Në këtë rast Kosova do të ishte sfiduesja e shtetit amë, rivalja dhe pse jo edhe kundërshtarja e saj.
Truku i dy republikave paralele, njëra e tipit enverist dhe tjetra e llojit titist, do të bënte që Perëndimi, pse jo edhe Bashkimi Sovjetik me shtetet satelite të tij, për ta ulur përherë e më poshtë Enver Hoxhën, të inkurajonin gjithkund Fadilin.
Por ngjarjet u zhvilluan në një kahe tjetër, të vrazhdë dhe aspak dinake. Kosova Republikë u pengua prej vetë Beogradit, sidomos nga lobi pushtetar kundërtitist i Serbisë, ai që nuk e donte kurrë këtë gjë. Për ta Kosova ishte Serbia e Vjetër. Për ta mbyllur përfundimisht këtë mundësi ikjeje të Kosovës drejt Shqipërisë, ndërsa qe gjallë Fadil Hoxha dhe shumë drejtues bashkëkombës të ngjashëm me platformën e tij, u përgatit prej tyre ardhja e ngutshme e Sllobodan Millosheviçit.
Shfaqja e këtij deri sa më në fund Kosova u çlirua prej bijve të vet dhe forcave të NATO-s, në 1999, mjaftoi për t’i dhënë Fadilit të drejtë se në rrethanat që iu imponuan nuk kishte gabuar që pati qenë titist.
Por jo enverist.
Mirëpo Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme i Republikës Socialiste të Serbisë, të paktën deri në 1984, vetëm një vit para se Enver Hoxha të ndërronte jetë, mendon se Fadili ka bashkëpunuar me të jo vetëm për shkëputjen e Kosovës, por edhe për shpërthyer multinacionalizmin jugosllav dhe shkatërruar federatën.



Beograd, takimi i mbrapsht në Hotel “Madera”

Do të përfundonte beteja çlirimtare në të dy vendet dhe komunistët do të fitonin tërë pushtetin. E para gjë që u kuptua menjëherë ishte se pas shuarjes së krismave të fundit të luftës perdja e ndarjes së trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës nuk do të ngrihej, por do të binte sërish.
Ai që do të ringrihej ishte vetëm muri i mosbashkimit.
Kjo e vërtetë e hidhur për të gjithë ata që shpresuan se Lufta e Dytë Botërore me fitimtarë sovjetikët, por mbi të gjitha anglo-amerikanët, e kishte të gjithë të drejtën dhe autoritetin t’i vinte disa gjëra në vend, mes tyre edhe Shqipërinë e plotësuar, do të bëhej e qartë në 8 shkurt 1945.
Ishte çliruar Jugosllavia, shumica e eurokontinentit po ashtu, por Hitleri qe gjallë dhe shteti i tij i nazist do të mundej vetëm tre muaj më vonë, në 4 maj. Në Beograd nguteshin të mos e zinte fitorja përfundimtare e aleancës antifashiste çështjen e Kosovës si një mundësi shkëputjeje nga Jugosllavia. Mosikja e saj duhej bërë fakt.
Sipas librit me kujtime “Fadil Hoxha në vetën e parë” në 8 shkurt atë dhe Miladin Popoviçin (ato kohë sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit) e thirrën të vinin në kryeqytetin e Federatës. Selia e Komitetit Qendror të PKJ në Beograd ndodhej në hotelin “Madera”.
Fadili dhe Miladini u ngjitën në katin e tretë dhe në fillim qenë Aleksandër Rankoviçi që u doli përpara dhe i priti. Pastaj u bashkuan me ta edhe Milovan Gjilas, Zvetozar Vukmanoviç Tempo si edhe dy funksionarë të tjerë të lartë. Kur dikush nga pjesëmarrësit pyeti çfarë po prisnin përderisa ende nuk kishin filluar bisedimet, u tha se pritej të vinte Eduard Kardeli.
Ky pati shkuar tek Tito për t’u marrë vesh për çështjen që do të diskutohej në atë takim. Sipas rëfimit të vetë Fadil Hoxhës deri sa erdhi Kardeli, Gjilasi shqiptoi plot ironi fjalët “Jemi takuar këtu që të mashtrojmë dikë për Kosovën, siç ka bërë pushteti i vjetër jugosllav”.
“Të gjithë filluam të qeshnim, shkruan Fadili, kurse unë e ndjeva veten të fyer rëndë”.
Më pas vijon: “Erdhi Kardeli dhe tha: “Kam biseduar me Titon. Duhet ta përcaktojmë statusin e Kosovës. Kosova ka qenë e lidhur me KQ të PKJ-së. Kemi marrë vendim që Komiteti Krahinor të lidhet me Komitetin Qendror të Serbisë. Thotë: “Kosova e Metohi ka qenë e ndarë në tre banovina: Banovina e Moravës, Banovina e Zetës dhe Banovina e Vardarit. Tash Kos-Met. Nuk mund të mbetet kështu, ose t’i bashkohet ndonjërës prej republikave ose të ndahet në tri pjesë si në Jugosllavinë e vjetër. Në fakt kjo nuk është zgjidhje për Kosovën. Kosova është e banuar me shqiptarë, është gjë normale që t’i bashkohet Shqipërisë, por në këtë situatë që jemi, forcat reaksionare në Qeverinë e Londrës, me çetnikë të shumtë në Serbi e Bosnjë një veprim i tillë do t’i mobilizonte serbët kundër Jugosllavisë, prandaj tash për tash është e pamundur të bëhet kjo pa e rrezikuar vetë ekzistencën e Jugosllavisë. Duhet të shikojmë si është më së miri ta zgjidhim këtë”.
Sipas rrëfimit në vetë të parë të Fadil Hoxhës, Kardeli paska thënë, në vazhdim të direktivës që mori tek zyra e Josip Broz Titos se “shumë po më interesojnë çfarë mendojnë shokët e Kosovës për këtë çështje”. E kishte marrë fjalën dhe ky në reagimin e tij Miladini ishte shprehur se Kosova më parë administrativisht qe lidhur me Malin e Zi e me Sanxhakun. Por kishte shtuar: “Lidhjet me Malin e Zi kanë qenë të dobta, prandaj edhe komiteti ynë krahinor u lidh me KQ të PKJ”. Popoviç më pas pati argumentuar që Kosova të mos i bashkohej as Malit të Zi dhe as Maqedonisë, sepse këto dy teritore republikane kishin shqiptarë. Konkretisht ai u shpreh: “Në Kosovë, përveç shqiptarëve, më së shumti ka serbë. Nga ana tjetër, për nga tradita e së kaluarës, kishat me mitin e Kosovës. Serbia është vendi më i zhvilluar i Jugosllavisë. Ndoshta është më mirë të lidhet me të”.
Pas kësaj Eduard Kardeli i qe drejtuar Fadil Hoxhës, i cili heshtëte: “Çfarë po mendon ti?”.
Fadili, gjithnjë sipas pohimit të tij të shkruar në librin e kujtimeve, qenka përgjigjur me fjalët “Në qoftë se ka vendosur KQ i PKJ-së që të lidhemi me njërën nga komittet e këtyre republikave, dakord. Por ne gjatë luftës e kemi shtruar, edhe tani shtrohet çështja se çfarë do të bëhet me Kosovën. Kemi thënë se Kosova është e banuar me shumicën shqiptare, duhet t’i bashkohet Shqipërisë. Edhe gjatë luftës, edhe tani, nuk i kemi dhënë rëndësi kufijve. Në qoftë se fitojnë forcat revolucionare në Shqipëri, në bazë të parimit të vetëvendosjes Kosova t’i bashkohet Shqipërisë. Në qoftë se fitojnë forcat reaksionare, atëhere jemi aty ku kanë fituar forcat revolucionare”.
Reagimi i Kardelit ishte ky: “As nuk dihet se si do të bëhet puna e Shqipërisë. Edhe anglezët po kqyrin të zbarkojnë në Shqipëri. Duhet të jemi mjaft të kujdesshëm. Pastaj, në qoftë se është puna e copëtimit, do të krijojmë një pakënaqësi të madhe te shqiptarët, por edhe te serbët. Edhe malazestë nuk besoj se dëshirojnë t’i bashkohen Maqedonisë, duke e pasur Serbinë. Në anën tjetër, me qenë se shumica e popullsisë në Kosovë, pas shqiptarëve, janë serbë, jam dakord me Miladinin që tash për tash, ndonëse zgjidhje e përkohshme, të jemi të lidhur me Serbinë”.
Kështu fitoi në Beograd teza e Miladin Popoviçit. Ajo pati triumfuar në Shqipëri për tri vite rresht, deri në prag të çlirimit. Me të ishte dhe mbeti mik i ngushtë i deklaruar deri në fund të jetës së tij, Enver Hoxha.
Atëherë përse na qenka Fadil Hoxha bashkëpunëtori i Enverit dhe dhe jo, më parë se të pohohet kjo gjë, ishte Hoxha i Tiranës krahu i djathtë i Miladinit?
Mirëpo në superdosjen e shërbimit të fshehtë jugosllav të vitit 1984 ngulet këmbë se Enver Hoxha pati bashkëpunuar me Fadil Hoxhën për vrasjen e Popoviçit në 13 mars 1945 në Prishtinë, as më shumë se një muaj më vonë nga takimi në selinë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Hotelin “Madera”!?

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com