Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI


Foto:
FADIL HOXHA ËSHTË AGJENT I ENVER HOXHËS


1984, dosja e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav

()Botuar në gazetën “Shqipëtarja.com” në 7 tetor 2015)

Pjesa e parë

Kur në dhjetor 1984 Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe konkretisht Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme i Republikës Socialiste të Serbisë përfundoi dosjen e fshehtë për Fadil Hoxhën, e cila do të qe edhe njëra prej lëndëve mbështetëse për ndëshkimin e tij politik me përjashtimin prej Lidhjes së Komunistëve dhe mosnjohjen e çdo vlerësimi të mëparshëm, mes akuzave më të rëndësishme njëra qe më kryesorja, e shtrirë që nga fillimi gjer në fund: ai kishte bashkëpunuar sistematikisht me Enver Hoxhën për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë.
Sa i vërtetë dhe real qe ky harmonizim i tyre do të përpiqemi të shohim me çfarë do të shkruajmë më pas.

Spiunazh ndaj Hoxhës së dytë

Sipas materialit sekret të mësipërm të titulluar “Inspiratorët dhe bartësit e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar” Fadil Hoxha më së pari “Është marrë vesh me Enverin për organizimin e konferencës së Bujanit”.
Shkruhet në këtë superdosje: “...Meqënëse Fadil Hoxha ka ardhur në Kosmet më 1941, pas okupimit të vendit, “si nëpunës-mësues okupator, por ka qenë edhe komunist i Shqipërisë, anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, ai edhe i ka zbatuar ato qëndrime në Kosmet. E gjithë puna e tij gjatë luftës dhe pas saj është zhvilluar në linjën e PK të Shqipërisë. Ai është iniciator i formimit të Komitetit Krahinor për Kosmet në shtator 1943 dhe i ndarjes së Kosmetit në dy pjesë “në Kosovë dhe në Dukagjin”. Edhe pse KQ i PKJ-së nuk ishte pajtuar me këtë riorganizim dhe këtë organizim e kishte kritikuar, ai vazhdoi të njëjtin drejtim dhe në nëntor 1943 organizoi të ashtuquajturën Mbledhje të Malësisë, ku u miratua Deklarata e Malësisë (“Rezolucioni i Bujanit”-shënim i botuesit të librit “Fadil Hoxha në vetën e parë), nënshkrues i parë i së cilës ishte ai. Ai i ka pasur që qarta dallimet në qëndrimet ndërmjet PKJ-së dhe PKSH-së lidhur me çështjen e Kosmetit, mirëpo ai, gjatë tërë luftës, qëndroi në linjën e PKSH-së.”
Për Konferencën e Bujanit, para se të mbahej, çifti organizator i saj Pavle Joviçeviç-Fadil Hoxha nuk e kishin vënë në dijeni zyrtarisht Partinë Komuniste të Jugosllavisë si edhe privatisht asnjë eksponent apo funksionar të saj. Kjo mund të thotë se vetëdijshëm nuk qenë përpjekur të kërkonin një mendim, direktivë apo edhe të merrnin leje, siç rregulli më elementar e kërkonte.
Druheshin se mos pengoheshin?
Në kujtimet e tij Fadil Hoxha nuk e zë në gojë këtë çështje, por ndërkohë nuk lë të nënkuptojë se në raport me PKJ-në kishte ndonjë prapamendim.
Kështu mbetet të pranohet se gjithçka u krye në kushte lufte, ndjenje autonomie, me nismën, por edhe nën përgjegjësinë e tyre.
E njëjta sjellje e organizatorëve u krye edhe me PKSH-në, ndaj të cilës nuk kishin ndonjë lidhje varësie organizative, por ruanin një nivel bashkëpunimi dhe partneriteti të ngushtë, duke filluar që prej përgatitjeve për krijimin e saj. Siç e vumë në dukje në ciklin e parë të shkrimeve tona, jo vetëm Fadil Hoxha që ndihmoi në kontaktet e para, por edhe Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha qenë eksponentë të rëndësishëm degës së Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën. Në Tiranë erdhën prej andej.
Gjithsesi Hoxha-Joviçeviç me PKSH-në patën kryer një tentativë kontakti, e cila mund të konsiderohet edhe një vënie e tërthortë në dijeni. Drejt Partisë Komuniste Shqiptare në 22 nëntor 1943, pra diçka më tepër se një muaj më parë se të mbahej konferenca e Bujanit, Pavle Joviçeviç nisi një letër të shkurtër në të cilën, në emër të Komitetit Krahinor të Kosovës, i kërkonte Komitetit Qendror të PKSH-së që “Brenda datës 30 të këtij muaji ju lutem të dërgoni nji ose dy delegatë të K.N.Ç, të Shqipnis, të cilët do të marrin pjesë në konferencën e përgjithshme të Kosovës e Rafshit të Dukagjinit (Metohijes) për me formue Këshillin e Përgjithshëm të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit”.

Një Hoxha i tretë

Por nga Shqipëria, thuhet, mbërriti vetëm një person: Mehmet Hoxha, të cilin historiografia e Tiranës, e para vitit 1990, por edhe ajo më pas, nuk e kanë njohur asnjëherë si të dërguar të PKSH-së për mbledhjen e Bujanit.
Qenë rrethana të tjera që këtë gjakovar e risollën në vendlindjen e tij dhe po ashtu në këtë ngjarje. Raportimet e zbuluesve britanikë në territorin shqiptar e kishin identifikuar Hoxhën e mësipërm të gjendej në 8 dhjetor 1943 në shtëpinë e Sali Manit, e cila do të ishte në Bujan selia e ardhshme e konferencës që do të programonte pas lufte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Mehmet Hoxha, i cili qe, bashkë me Fadil Hoxhën, figurë kryesore e shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të Rafshit të Dukagjinit, në përfundim të mbledhjes së Bujanit, mes 42 anëtarëve të Këshillit Nacionalçlirimtar të krahinës, do të zgjidhej figura numër një, kryetari i tij.
Aq jo i lidhur me cilësinë e delegatit të PKSH-së për konferencën e Bujanit mbetet emri i Mehmet Hoxhës, sa që historiania Ana Lalaj, krijuesja deri tani e punimit studimor më të plotë për këtë ngjarje (“Emblema e Bujanit”, libri “Dosjet e luftës”, Tiranë 2014), nuk e citon asnjëherë me këtë status.
Ndërkohë konkretisht për Konferencën e Bujanit, siç e pohon në kujtimet e tij “Fadil Hoxha në vetën e parë”, ky e vuri në dijeni tërthorazi Partinë Komuniste Shqiptare me anën e një letre drejtuar Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë në 21 janar 1944. Paralelisht kjo ndodhi edhe me Shtabin e Përgjithshëm të armatës partizane jugosllave.

Çfarë shkruan Hoxha i parë, Enveri

Në librin “Titistët”, sipas parathënies së tij “i shkruar kryesisht në vitet 1981-1982” dhe ku përfshihen “shënime historike, kujtime e analiza të hollësishme të autorit për historinë e marrëdhënieve midis PKSH e PKJ dhe midis shtetit shqiptar dhe atij jugosllav”, të botuar rrufeshëm sapo përfundoi, në 1982, gjendet edhe ky shpjegim: “Konferenca u zhvillua nën drejtimin e Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovën dhe, me kërkesë të tij, për organizimin e konferencës një ndihmë të madhe dhanë organizata e PKSH për Tropojën dhe komanda me organizatën e Partisë të batalionit partizan “Perlat Rexhepi” të Shkodrës që vepronte në Malësinë e Gjakovës”.
Një paragraf më pas: “Në rezolucionin e konferencës, midis të tjerave, shpallej e drejta e vetëvendosjes së popullit kosovar deri në shkëputje...”
Pak më poshtë: “Lajmi për këtë konferencë dhe vendimet e rëndësishme të saj na erdhën shpejt edhe këtu dhe, kuptohet, ky për ne ishte një gëzim i madh...Menduam se më në fund KQ i PKJ e kishte parë drejt problemin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare...”.
Në paragrafin e mëpasshëm Enver Hoxha ka përfshirë edhe këtë fragment: “Në shkurt të vitit 1944, në një buletin të “Zërit të popullit” botuam një artikull të posaçëm për këtë ngjarje të rëndësishme. Përmes tij i shprehëm urimet më të zjarrta konferencës së Bujanit, u bëmë përsëri thirrje vëllezërve kosovarë për t’u ngritur më me furi në luftë dhe, jo pa qëllim, nënvizuam e përshëndetëm vendimet kryesore të konferencës”. Shënojmë se kur citon diçka nga vendimet e saj, në rreshtat e librit të tij E.H. vendos edhe fjalinë se shqiptarët e Kosovës “do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje”.
Me sa tek “Titistët” ka shkruar, sipas tij, Konferenca e Bujanit jo vetëm kryhej me dijeni të PKSH, por edhe në bashkautorësi të plotë të saj. Megjithatë Hoxha i Tiranës, duke bërë kujdes t’i dallohen sa më vështirësisht shenjat e riqepjes së ngjarjes në favor personal të tij, nuk shkruan vetë kurrë një opinion të drejtpërdrejtë mbështetës për frazën thelbësore të vendimit të saj se Kosova “si gjithmonë dhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin”.
Këtë tekst-kyç, për të cilin edhe ka hyrë në histori Konferenca e Bujanit, ia bashkëngjit kujtimeve të tij, vetëm si shënim në fund të faqes, botuesi: Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH.
Në parim duket sikur po të vepronte ndryshe, pra po ta përfshinte në citimet e veta, bashkë me qëndrimin e përkrahjes në parim, fraza e fortë e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare do të shkaktonte, më e pakta, një incident të rëndë diplomatik me Federatën Jugosllave.
Veç më i afërt ndaj reales na duket një interpretim tjetër, edhe pse ky nuk është i tëri shpjegim: Enver Hoxhën e ndjek nga pas, si ndëshkim, kompleksi i Mukjes, shembulli kur në rrethana pothuaj të njëjta Partia Komuniste Shqiptare dhe ai vepruan vendosmërisht në të kundërt.
Aq afër besueshmërisë është kjo pamje sa ai, për të përhumbur gjurmët e fajit kombëtar të fillim gushtit 1943, të njëjtën sjellje të tij dhe të PKSH ia ngjit nga pas Partisë Komuniste Jugosllave dhe Josip Broz Titos: “Sa për qëndrimin e KQ të PKJ ndaj kësaj ngjarjeje s’po dëgjonim asnjë fjalë. Vonë do të mësonim të vërtetën, e cila si gjithçka tjetër, ishte tepër e hidhur. KQ i PKJ, sa kishte marrë vesh për vendimet e konferencës së Bujanit, kishte reaguar me egërsi e kishte kërkuar të mos publikohej në asnjë mënyrë shpallja e saj mbi të drejtën e popullit kosovar për vetëvendosje deri në shkëputje. Afirmimi i vetë përfaqësuesve të popullit të mbledhur në konferencë se “populli i Kosovës e i Rrafshit të Dukagjinit “si gjithmonë dhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin”, me urdhër të KQ të PKJ duhej fshirë nga rezolucioni e të mos publikohej”.
Por ndërkohë në librin e tij memoralistik “Fadil Hoxha në vetën e parë” ky pohon se në reagim ndaj konferencës së tyre të mbajtur në Bujan u erdhi nga KQ i Partisë Komuniste Jugosllave vetëm një letër qortuese. Kur në qershor 1944, pothuaj gjashtë muaj më pas nga ngjarja, u mblodhën për ta diskutuar, e pranuan thjesht si kritikë dhe asgjë tjetër nuk ndodhi. Asnjë kokë nuk u pre.
Shkruan saktësisht Fadil Hoxha: “Megjithatë, kurrkund në atë letër nuk thuhet se Rezoluta e Bujanit është komplot, separatizëm, nuk thuhet se është mosbesim ndaj nesh, por thuhet se duhet të bëjmë një autokritikë”.
Në sajë të librit “Dosjet e luftës” të historianes Ana Lalaj vitin e shkuar, 2014, kjo letër më në fund është bërë publike. Ajo ka për autor, në emër të KQ të PKJ, një nga eksponentët, Milovan Gjilas. Ai e shkroi atë në 28 mars 1944, tre muaj pas përfundimit të konferencës dhe qe përgjigjia zyrtare e letrës që më 31 janar u pati dërguar Pavle Joviçeviç. Mes shumë problemeve që trajton, si edhe vërejtjeve, fraza më kategorike dhe më e ashpër, për çfarë pati ngjarë në Bujan, qe: “Sot, shokë, nuk bëhet fjalë për caktimin e kufijve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë - të dyja të pushtuara nga gjermanët - por për atë që të dyja këto të çlirohen prej tyre me anën e luftës së tyre të armatosur. Prandaj çdo shtrim i çështjes së kufijve, ndihmon në të vërtetë gjermanët për të ndërsyer njërin popull kundër tjetrit”.
Kjo kishte qenë edhe gjuha e Titos në një letër të tij drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare në 2 dhjetor 1943, pothuaj një muaj para se të niste Konferenca e Bujanit, për të cilin projekt ai nuk kishte asnjë dijeni. Josip Broz kishte ndërhyrë në përgjigje që për çështjen e të ardhmes së Kosovës i pati shkruar Miladin Popoviç: “Të shtrosh çështjen e bashkimit, kjo në të vërtetë do të thotë të çosh ujë në mullirin e reaksionarëve të ndryshëm dhe të vetë okupatorit, të cilët duan të pengojnë luftën e armatosur të popullit, duke nxitur një çështje që për ta është e parrezikshme dhe jo aktuale”.

(Vijon)


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com