|
NJË NGJARJE SI KUJTESË PARA NDESHJES SË FUTBOLLIT
(Botuar në gazetën “Shqip” më 6 tetor 2015)
Historia e marrëdhënieve serbo-shqiptare ndoshta është më pak e ndërlikuar se ajo me Greqinë, por gjithsesi fsheh më tepër të pathëna. Sidomos prej atyre që dëshmojnë se i kemi dhënë njëri-tjetrit më shumë miqësi nga sa e censurojmë për të treguar muskujt e nacionalizmit.
Një nga këto ka të bëjë me çfarë ka ndodhur gjatë dy muajve të një dimri shumë të ftohtë: fundnëntor 1915-fundjanar 1916.
Historiografia serbe e quan “Golgota shqiptare”.
Ndryshe nga Beteja e Kosovës e vitit 1389, ndeshje mes armatës së bashkuar ballkanike kundërosmane, me në krye princin serb Llazar, kundër ushtrisë turke të prirë prej sulltanit Murat I, ngjarje që është devijuar rëndë për t’i shërbyer tezës së njohur se Kosova ka qenë djepi i shtetformimit të tyre, ajo që ndodhi në dy muajt e mësipërm nuk e ka pësuar këtë dhunim.
Është mjaftuar me ndërhyrje të vogla dhe sidomos me titullimin e saj, çfarë nënkupton “vuajtje jashtëzakonisht e madhe në Shqipëri”. Për shumë që historisë nuk i hyjnë deri në hollësi formulimi “Golgota shqiptare” ndryn mesazhin e doktrinuar se mundimi serbëve në ato dy muaj të fundnëtorit 1915 deri në fundjanar 1916 u është shkaktuar prej shqiptarëve.
Në të vërtetë, me ca ndjenjë realizmi dhe frymë miqësie, doemos edhe dashamirësi, emri i ngjarjes prej historishkrimit të shtetit me të cilin Kosova dhe ne jetojmë në bashkëfqinjësi, mund fare mirë të qe “Rrugëshpëtimi shqiptar” ose diçka e përafërt me këtë logjikë.
Po e tregojmë shkurtimisht lëndën e Goltotasë serbe, të cilët falë asaj si në të vërtetë ngjarja ndodhi, qe edhe shpëtimi i vetëm i shtetit të Serbisë gjatë Luftës së Parë Botërore, e cila pati nisur jo sepse ndonjë “allbanac” pati qëlluar për vdekje me Arqidukën perandorak të Austrohungarisë dhe gruan e tij, por ai qe një ekstremist serb.
Pasi i bënë qendresë heroike forcave të rreshtuara kundër, kryesisht vende gjermanikë, për një vit të tërë serbët thyen tre sulme të tyre. Rezistuan pa u thyer edhe kur në fillim të vitit 1915 u goditën rëndë nga një epidemi tifoje. Me pak fjalë pasi prej luftimeve në front patën 170.000 ushtarë të vrarë, të plagosur, të shumësëmurë e të zhdukur dhe prej sëmundjes ngjitëse tmerruese 150.000 jetë të ikura, mes rrugëzgjidhjes që të bëhej qendresë gjer në fund (madje edhe të organizohej një kundërsulm) apo të kryhej tërheqja për në zonat e thella në jug të vendit dhe të shkohej më tej, largimi i përkohshëm nga territori i shtetit, fitoi kjo alternativë e fundit.
Si drejtim ikjeje u zgjodh Maqedonia, prej të cilës do të shkohej në Selanik, për t’u strehuar, riorganizuar dhe kthim në kundërofensivë ndaj austrohungarezëve dhe aleatëve të tyre me objektiv rimarrjen e teritorit të shtetit.
Porse në 14 tetor 1915 sulmuan qëllimisht bullgarët dhe ua prenë këtë shteg. Kështu e vetmja rrugë shpëtimi mbeti kalimi nëpër tokën e shqiptarëve.
Në këtë tërheqje të madhe dhe të padëgjuar jo vetëm në Ballkan, por edhe në kontinent, nuk ishte një kabinet qeveritar dhe trupa ndihmëse të sigurisë së saj, siç edhe në më të shumtën e rasteve të ngjashme ndodh. Ne, për shembull, kemi në këtë fushë modelin e ikjes Zog.
Në largim qe vetë shteti serb, gjithë struktura dhe aparati i tij. Ishte oborri mbretëror dhe tërë familja e monarkut, qeveria me në rresht të parë kryeministrin, parlamentarë, pothuaj tërë trupi diplomatik i akredituar në Beograd, shumë profesorë e eksponentë të botës akademike, gjithë ushtria që kishte mbetur, madje edhe popull i thjeshtë: afro 220 mijë ushtarë dhe 200 mijë civilë.
Qe një masë bilblike.
Tërheqja nëpër Shqipëri u krye nga drejtimi i Malit të Zi dhe prej atij të Kosovës. Kalohej më së shumti në Shkodër e dilej në Shëngjin dhe në Durrës, po ashtu nëpër Peshkopi dhe Elbasan, duke iu afruar portit të Vlorës. Këtu shtetet aleatë, mes tyre edhe Italia, do t’i ndihmonin ta kapërcenin detin.
Toka shqiptare konsiderohej armiqësore dhe arsyet nuk kishte përse zhyteshin shumë në dhjetëvjeçarët apo shekujt e shkuar. Sapo kishte ndodhur 1913-ta, viti që u kishte marrë, me një vendim të padrejtë në Londër, pothuaj gjysmën e trojeve. Por nuk qe vetëm kjo. Tronditëse kishte qenë edhe e quajtura “fushata serbe në Shqipëri, 1912-1913”, kur patën pushtuar pjesën më të madhe të hapësirës mbi Shkumbin dhe u shfaqën tek portat e Tiranës dhe të kryeqytetit, Durrësit, një apo dy ditë më parë se të shpallej pavarësimi në Vlorë. Ismail Qemali sapo kishte ardhur, me misionin e tij fisnik. Ata donin ta ndalonin këtë akt jetik kombëtar.
Ishte kaq kërcënonjëse kjo armatë serbë sa gjithçka mund të kuptohet edhe vetëm prej një fragmenti nga libri “Historia e Durrësit” (me autorë Hava e Sali Hidri). Pasi në 26 nëntor populli durrsak pati ngritur flamurin kombëtar “Gëzimi...u pre menjëherë nga marshimi dhe futja e ushtrisë serbe. Dalja përpara e delegacionit të këtij qyteti ushtrisë serbe, që i bënte të ditur komandantit serb se Durrësi e kishte shpallur pavarësinë, nuk u përfill nga ai. Në krye të batalionit ai shkonte me fodullëk përpara ndërtesës qeveritare, i shoqëruar nga konsulli malazez Vuka Gjurashkoviç dhe një grup fanatikësh, duke bërë gjestin teatral spektakolar të uljes së flamurit tonë kombëtar, duke e ringritur dhe hequr njëkohësisht flamurin turk dhe së fundi e mbyllte këtë gjest, domethënë sipas tij, duke ngritur flamurin serb”.
E megjithë këtë trashëgimi të rëndë, ndërsa tërë shteti serb kaloi nëpër malet shqiptare, sipas historiografisë perëndimore vdekjet e mëdha që u ndodhën ikësve nëpër teritorin tonë (si edhe gjatë kalimit nëpër Malin e Zi) u shkaktuan më së pari “prej urisë, sëmundjeve, etjes, të ftohtit të madh (ngrirje trupi) dhe nga sulmet e forcave armike si edhe të bandave shqiptare”. Studiuesit perëndimorë shtojnë se malet e larta shqiptare i mbrojtën serbët nga sulmet ndjekëse të ushtrisë austrohungareze.
Vërtet këtë kohë në Durrës ishte në krye të një qeverie paralele Esat Pashë Toptani, i cili për interesa të pushtetit personal e ndihmoi këtë ikje, por njëkohësisht prej askujt politikani tjetër, intelektuali apo gazete, qyteti ose fshati, bashkësie fetare apo krahine, nuk u bë thirrje të kryhej shpagimi. Respektuan fatkeqësinë kombëtare të popullit në fqinjësi.
Ishte dhimbje e madhe ajo që shqiptarëve po u shihnin sytë. Pamjen e saj e jep një mjek i Kryqit të Kuq, hollandezi Tienhoven, i vendosur këto kohë në Durrës: “Akoma më e tmerrshme është kur ndeshim rrugës me ushtarë që po vdesin apo që të vdekur janë lënë nëpër fushë të pavarrosur. Shpeshherë zbresim nga kuajt për t’u dhënë diçka atyre fatkëqijve, që të marrin fuqi, por ata janë aq të dobët, saqë nuk arrijnë as të gëlltiten dhe vera që u japim u rrjedh nga goja. Ushtarët vërtiten ngado, kuturu, veshur me lecka. Rrobat e tyre janë të grisura dhe këmbët e tyre, shpesh të ngrira apo gjithë plagë, i kanë mbështjellë me copa thasësh”.
Midis 12 dhjetorit 1915 deri në 29 shkurt 1916 Flota Mbretërore Italiane, e ndihmuar nga njësi franceze dhe britanike, e mori nga portet shqiptare masën e madhe njerëzore të serbëve. Ishin 110.000 ushtarë dhe 2.350 oficerë. Mes tyre qenë edhe mbreti Pjetër I Karagjeorgjeviç princi trashëgimtar Aleksandër, kryeministri Nikolla Pashiç. Këta fillimisht u bartën në Brindisi, pastaj u shvendosën në Korfuz. Gjithë të tjerët në disa ishuj grekë. Në njërin prej tyre, Vidos, nga vdekjet e shumta prej sëmundjeve u varrosën nën ujë, me kufoma të lidhura pas shkembinjve (që trupat të mos notonin mbi ujë), afro 5000 serbë.
Ylli Polovina
Tiranë, më 5 tetor 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|