Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

DOKTRINA E AS TË MAJTIT E AS TË DJATHTIT RAMA


(Botuar në gazetën “Shqip” në 1 tetor 2015)

Me Ramën kryeministër ndoshta është e para përpjekje pas pluralizmit për të krijuar në mënyrë të qëllimshme një doktrinë qeverisjeje, e cila në të ardhmen mund të shndërrohet në njërin nga modelet shqiptare të administrimit të punëve publike.
Dihet që gjer tani është ai zogollian dhe ai i Enver Hoxhës. Tek ky i fundit ka pasur si mbishtresë edhe një doktrinë të rëndë ideologjike.
Gjatë çerek shekullit të pasdiktaturës doktrina dhe modele qeverisjeje, për aq sa ja kanë dalë, kemi përjetuar të paktën dy shumë të veçanta: të Sali Berishës dhe të Fatos Nanos.
Shumëve kjo nuk u ka rënë në sy, sepse edhe dy politikanët e mësipërm nuk kanë bërë asnjë kujdes ta formulojnë atë në mënyrë të dukshme dhe të qartë, ta përditësojnë në kushtet e ndryshuara dhe ta përtërijnë për të pasur të ardhme.
Ta shpallin sidomos e të na e kujtojnë se ajo ekziston.
Tek Berisha mënyra e qeverisjes ishte thellësisht autoritare, por vit pas viti me prirje manovrimin, zbutjen. Mendërisht tepër i ngarkuar me stil politizues dhe po aq zell propagandistik, partiak fund e krye, ai sidoqoftë e ka shndërruar atë në një model për mjaft nga ndjekësit e tij. Për të ardhmen diçka e mirë prej saj, ka mbetur, por më e shumta është kohëshkuar. E konsumuar. E vjetëruar. E parikthyeshme.
Sëbashku me autorin.
Përvoja Nano nuk u stabilizua kurrë, jo vetëm se rozët janë një parti ku intriga e brendshme është shndërruar në vepër arti bizantin, por edhe ai vetë nuk kishte ndonjë zell për ta lënë pas, si model. Gjithsesi doktrina e tij në thelb qe mjaft bashkëkohëse, madje edhe konkuruese me vendet e tjera eurolindorë që kishin dalë nga realkomunizmi.
Përkatësia partiake nuk ia kompromentoi kurrë. Stilin propagandistik Fatos Nano nuk e përdori asnjëherë. Nuk e pëlqente, ia njihte mediokritetin.
Nano ishte më shumë demagog sallonesh se agjitator lagjeje.
Ilir Meta, mendojmë, nuk ka lënë pas ndonjë doktrinë qeverisjeje, edhe pse qe një administrator mjaft operativ, i vetëorientuar drejt dhe me sens partik relativisht të përmbajtur. Meta, siç po duket kthjellët, nuk po lë pas as edhe ndonjë doktrinë politike. Me një shkathtësi të lindur jo vetëm për të mbijetuar mes shtypjes nga të dy krahët prej bipolarizmit përplasës shqiptar, por edhe për t’u bymyer, gjithsesi po formon një stil të vetin: të tretin prej të cilit varen dy të parët.
Sulmi i përqendruar mbi të, i cili s’po rresht në asnjë stinë të vitit dhe i ngjan një bombardimi, nuk ka qëllim ta shpëtojë shoqërinë shqiptare prej konsumizmit material të përfituar nga të qenit anëtar i LSI-së, por sepse Meta nuk duhet të lerë në historinë politike të vendit gjurmën e mësipërme. Qoftë edhe atë të forcës ekuilibruese.
Çfarë nuk është pak vlerë, përkundrazi. Në një farë mënyre edhe kjo është doktrinë.
Ndërkohë është Edi Rama që përbën sumumin e të gjithave doktrinave dhe stileve politike të deritanishme. Si të jetë një magnet i ka mbledhur rreth vetes, thua nuk ka asnjë të vetin.
Por në të vërtetë kjo karakteristikë është personalja e tij, aftësia për të kuptuar se gjendemi në momentin kulmor kur shoqëria shqiptare kërkon ta bëjë hopin e kapërcyellit, atë që thirret si shkëputja nga periudha e tranzicionit.
Kjo gjendje që zgjaste mundimshëm prej disa vitesh shkaktonte një ndjesi anormale dhe gjithçka që po bëhet nën doktrinën e tij qeverisëse të të bërit shtet për jo pak nga ne akoma ngjan, madje më shumë se më parë, me një çnormalizim. Ky nuk është gjë tjetër veç fati i normales në mes të një kaosi.
Guximi për të kryer veprën historike të reformimit të vendit dhe të shqiptarëve në shtetin e tyre prej mbi njëqind vitesh, shpesh herë duke harruar se edhe qeverisësit e mëparshëm një gur ndryshimi nëpër këto themele e kanë vënë, ngjan si dy pika uji me çfarë i bëri Tiranës kur qe kryebashkiak i saj: e leu me bojë dhe e mbushi me silueta vizatimesh çdo pallat që ishte buzë rrugëve.
Tirana u bë kryepiktura dhe kryetrilli i tij, modeli i tij i njëshit imponues. Pas kësaj shenje të fortë se Edi Ramës i mjafton vetëm vetja për të përmbysur botën (përsërit ngulshëm fjalët “akoma nuk keni parë gjë” si të thotë “nuk e dini çfarë kanë për t’ju parë sytë”), me të marë në dorë qeverisjen, po bën të njëjtën gjë, tashmë me një gjë tepër serioze.
Tiranës me gjurmëlënien e tij personale mbi çdo fasadë ndërtese, në fund të fundit bëri një punë të mirë: shfarrosi grinë e trishtuar e të zymtë të gjysmëshekullit të shkuar. Do të mundet këtë ta bëjë godinën e shtetit?
Rama nuk ka asnjë doktrinë politike. Nuk është as i majtë dhe as i djathtë. Nën këtë “cen” të tij ne mes të një partie në bazë me shumë lëndë të majtë, ai as që merakoset të lërë pas një të tillë. Nuk do ta bënte dot edhe po të dëshironte. I përshtatshëm për këtë ishte Fatos Nano, i cili më shumë se e nxorrën, vetëdoli nga kjo mundësi.
Duke mos mundur të lerë pas një doktrinë politike, Edi Rama e ka gjetur këndin për gjurmëlënie historike: doktrinën e qeverisjes. Ajo do të jetë vetëm e tij, vetëm me firmën e tij. Për këtë ai është shumë xheloz dhe kokëfortë.
Nesër, kur do të kemi mundësi distancimi të nevojshëm nga ngjarjet dhe do t’i kundrojmë ato pa pasionet e ditës, do të duket mjaft e qartë që këtë mandat katërvjeçar që sprova e parë u bë dhe nuk do të jetë hap bosh.
Me besimin përherë të verbër se qendra dhe gjithë pushteti është ai, një karakteristikë problematike e doktrinës së tij, e cila shkakton mosdurim (pse jo edhe ndjenjë proteste), në dy vite janë bërë ndryshime të spikatshme në funksionimin e shtetit, njërit prej defekteve më serioze të mendësisë shqiptare, refuzuese kryeneçe e tij.
Me stil imponues dhe pa asnjë përpjekje për të ndryshuar paralelisht edhe mendësinë e përgjithshme të bashkëqytetarëve, pa shpjeguar asgjë, por vetëm duke urdhëruar, pa kryer profilaksi të masave shtrënguese, por përherë duke i bërë korigjimet pasi “buldozeri” i tij bashkë me gërmadhimet e të vjetrës ka shtypur edhe fate njerëzish, doktrina e tij gjithsesi çan përpara.
Ka akoma kohë të jetë më i vëmendshëm nga rreziqet që e kanë rrethuar dhe të shkarkohet psikologjikisht prej ndjenjës së vetëbesimit të tepruar që ka. Intriga në luftën e ndërsjellë politike për të ardhur sa më shpejt në qeverisje në Shqipëri është përsosur. Ajo i ka gjenitë e saj e këta nuk janë vetëm një. Tashmë është bërë klasë sociale.
Mirëpo Shqipërisë i duhet ndryshimi. O sot o kurrë!

Ylli Polovina

Tiranë, më 29 shtator 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com