|
MASKA E ENVER HOXHËS
(Botuar në gazetën “Shqip” në 19 shtator 2015)
Pamja, në një allçi maske të bërë pak çaste pas vdekjes, e bashkëkombësit që me dorë si prej guri drejtoi fatin e Shqipërisë për afro një gjysmë shekulli, është ekspozuar në qendër të Tiranës, atje ku bëhen edhe paraqitjet më të rëndësishme kulturore të vendit e të kombit, ku edhe në 100-vjetor patëm fatin të shihnim armët e Skënderbeut.
Kjo maskë, siç të bërë menjëherë lajm e shkruajnë gazetat dhe e rrëfejnë televizionet, ka zgjuar kërshëri dhe ka joshur vizitorë. Ka nxitur edhe komentatorë, shpjegues të sensasioneve gjithashtu.
Duke pasur parasysh se jo në lëndë allçie, por në foto të mëdha dhe me banderola ai u rishfaq edhe mes turmës së festuesve të përvjetorit të radhës të Konferencës së Pezës, kupton edhe njëherë tjetër se me Enver Hoxhën nuk bëhet shaka.
Ose me pak fjalë: nuk ja del dot ta sfidosh me propagandë. Madje as me retorikë politike, sepse me inat ideologjik dhe ethe protagonizmi sa për sy e faqe jo e jo. Kanë dështuar ndaj kujtimit të tij edhe ata që më shumë se qëndrim për interesa të larta, i kanë shfryrë ndonjë mëri personale.
Mbetet një problem jo i thjeshtë përse një çerek shekulli pas shembjes së sistemit që ai ngriti, nuk ka humbur asnjë milimeter nga përmasa e ridimensonuara në pluralizëm, të cilat doemos nuk janë në kuotën e tij më të ulët, çastit kur ia rrëzuan përmendoren dhe e hoqën zvarrë deri në sheshin qendror të qytetit Studenti.
Enver Hoxha që nga mesi i viteve nëntëdhjetë e këtej ka bymyer. Duke mos e ditur kurrë sa real e kishte atë përqindje adhurimi gjatë qeverimit të tij, po duke besuar se kurrë nuk ka qenë aq i lartë sa dukej e shfaqej, humbjet e imazhit të diktatorit nuk janë kaq fort katastrofike. Të paktën përderisa ende gjysmëshekullit kur veproi do t’i thuhet herë pas here “koha e Enverit” apo “në kohën e Xhaxhit”.
Që ai ende peshon të mos harrojmë se disa vite më parë ndodhi edhe një çudi e pa shkuar ndërmend: blutë e politikës shqiptare, atje ku janë grumbulluar edhe të djathtët, si edhe pjesa më e madhe e të persekutuarve prej Enver Hoxhës, në fushatën zgjedhore për kryetarin e bashkisë së Tiranës bënë një aleancë nga jashtë me partinë më trashëgimtare të tij, atë të prirë atë kohë nga poeti Hysni Milloshi.
Ky proces ridimensionimi me mos humbje totale të prestigjit ndodh për shumë arsye, asnjëra në thelb për t’u shndërruar në shqetësim se ajo kohë do të rikthehet. Kohët i rikthejnë rrethanat dhe jo personat. Janë krejt të tjera situatat ndërkombëtare të sotme, janë pa “Jaltë”, dhe dukuria me ringjalljen e partive marksiste me forcë parlamentare e madje deri edhe hipjeje në pushtet, si në Greqi apo sëfundi në Partinë Laburiste në Angli, gjenden ende larg ajrit ku aktualisht merr frymë Tirana apo edhe Prishtina, shqiptarët në përgjithësi.
Ajo që po ndodh me Enver Hoxhën me shfaqje të tij këmbëngulëse nëpër banderola manifestimesh, përfshi edhe në përvjetorin rutinë të Konferencës së Pezës, ka të bëjë me historinë. Ai ka hyrë në histori dhe që prej këtij çasti çdo përpjekje për ta larguar atë prej saj, me çdo mjet të bëhet, nuk është veç sipërmarrje e kotë, shpesh edhe një spektakël donkishotesk.
Në fund të fundit Hoxha ka tërë të drejtën të ketë foton e tij kur bëhet fjala për këtë konferencë të mbajtur në Pezë. Edhe pse dihet që këtë ngjarje e organizoi një për një, përfshi edhe tekstin e fjalimit të Enverit dhe po ashtu rezolucionin, Miladin Popoviçi, diktatori i mëpasshëm shqiptar ka luajtur atje rol real.
Pyetja e vetme që mund të bëhet me këtë rast është çfarë duan rozët që prej pothuaj dy dekadash janë bërë promovues të ekzaltuar të kësaj ngjarjeje? I veshin madje edhe kostume liberale, e stolisin me “netë të bardha” apo e fryjnë me tollombace “argëtimesh rinore”?!
Konferenca e Pezës është një ngjarje relativisht pozitive në historinë tonë të luftës antifashiste, edhe pse shumë e diskutueshme për qëllimin e bashkimit që kishte në prapaskenë PKSH. Gjithsesi ajo ka vendin e saj të domosdoshëm historik, të cilën e ka fituar vetë, por partia përkujtuese e saj duhet të largohet prej mënyrës për ta shndërruar atë në një nga shtyllat e kujtesës politike të saj.
E ritheksojmë: në Pezë Enver Hoxha është në vendin e merituar, kurse nëpër podiume ai i prijësve të dy partive të trëndafilta aspak. Ata do të hyjnë në histori me çfarë kanë bërë vetë pas rënies së diktaturës.
Mirëpo pikërisht këtu, tek ideja e hyrjes së Enver Hoxhës në histori, mund edhe të keqkuptohesh. Siç do të shkaktojë kundërveprim përbuzës ajo që autori i këtyre radhëve e gjykon të nevojshme ta thotë: prej politikanëve shqiptarë të çerek shekullit të fundit, në histori ka hyrë përfundimisht vetëm Sali Berisha.
(Nga bashkëkombësit në Kosovë Ibrahim Rugova).
Keqkuptimi për këtë status më së pari vjen sepse shumica jonë e konsiderojnë këtë koncept si mënyrë vlerësimi pozitiv. Domethënë si tabelë nderi. Sipas kësaj mendësie po hyre në histori je burrë i mirë. Të këqinjtë mbesin automatikisht jashtë saj.
Ndërsa Historia apo me fjalë të tjera sinonimike Kujtesa Kombëtare nuk i zgjedh bujtësit e saj sipas ndonjë rregulloreje, me pak fjalë sipas pëlqimit të vet. Janë ata që i janë imponuar asaj, ja kanë dalë të hyjnë brenda pa i marrë leje.
Kanë hyrë sepse kanë arritur të lënë gjurmë në të, të mira apo të këqija, të gëzueshme apo të kobshme, të admirueshme apo të neveritshme.
Hyrjen në histori e lakmojnë shumë individë, por në fund gjatë një shekulli ja dalin fare pak, në një vend si Shqipëria as sa gishtat e dorës. Mjaft nga këta pretendues arrijnë të regjistrohen të paktën nëpër kronika, ndërsa pjesa më e madhe përfundojnë të harruar.
Përveç rrethanave shoqërore të brenda vendit apo ato gjeostrategjike që vijnë nga jashtë, për të depërtuar dhe mbetur në histori kërkohet edhe zotësi e shumtë personale. Enver Hoxha këto i kishte, na pëlqen apo jo ta vëmë në dukje këtë gjë.
Duke e përshkruar vetëm si kriminel, si politikan mediokër, si delirant, madje si hajn dhe agjent të huaj, deri edhe si pederast, dhe pas kësaj të gëzohemi se i kemi larë duart me të, përveç se nuk themi tërë të vërtetën, kemi nxitur jo mpakjen, por fryrjen artificiale të tij.
Enver Hoxha do të mbesë në përmasën reale vetëm nëse i bëjmë analizë. Ftohtësisht. Paanshmërisht. Vetëm kështu, duke qenë se nuk kemi këllqe ta zbojmë nga historia, rastin e tij mund ta shndërrojmë në një mënyrë për t’u kufizuar politikanëve të sotëm dhe të nesërm zellin dhe zotësinë që kanë për të hyrë atje me çdo kusht, pra edhe me punë të këqija, kur më së pari e mbi të gjitha duhet me vepra të vyera.
Ylli Polovina
Tiranë, më 18 shtator 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|