Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SHQIPËRI, BËJU ATDHE!


(Botuar në gazetën “Shqip” në 13 shtator 2015)

Këto ditë edhe njëherë tjetër në kushedi sa përsëritje të tjera të tij, tërhoqi vëmendjen lajmi se sa shumë kryeministra shqiptarë kanë emigruar dhe vdekur jashtë vendit, sa prej tyre janë pushkatuar, sa burgosur apo internuar.
Por kjo e qeveritarëve të keqtrajtuar është vetëm pika e ujit në një det të madh. Shqipëria nuk është ndonjë vend mjaft i dëshiruar për t’u banuar për të gjithë ne. Cili dëshiron të ketë fat më të mirë ikën. Ata që rrinë nuk kanë ku të shkojnë tjetër.
Shkalla e lartë e vështirësisë së të jetuarit këtu nuk vjen përherë dhe patjetër për shkak të pozicionit gjeostrategjik të Shqipërisë, i cili jo rrallë, në të vërtetë, na ka favorizuar. As sepse këto troje kanë një klimë apo reliev mundues. Është krejt e kundërta. Vend me det përgjatë tërë shtatit, me ujra të brendshme të bollshme dhe toka të pjellshme, male të mbushur me kullota, bëjnë që këtu të mos mungojë asnjë lloj ushqimi fizik dhe shpirtëror.
Sepse na ndjek nga pas kjo kundërshti, kushte të mira jetese dhe njëkohësisht pamundësi për t’i gëzuar, Fan Nolit i mbeten të pavdekshme vargjet se jemi “pranë sofrës, i pangrënë”, “pranë dijes, i panxënë”, “anës detit, i palarë” dhe “pranë dritës, i paparë”. Ka shumë hiperbolë në to, por gjithsesi ndodhen të tëra brenda të vërtetës.
Në Shqipëri jeta është më e rënduar edhe për një shkak që nuk e ka çdo popull: në viset tona janë shqiptarët që ua vështirësojnë jetën vetë shqiptarëve.
Është një punë që nuk e bëjnë qëllimshëm. E kryejnë pothuaj për instikt. Rrini përballë një nëpunësi shërbimi të drejtpërdrejtë, në një zyrë plot dritë apo në ndonjë kthinë gjysmë të errët si zgavër cubash: bashkëkombësi tënd është hijerëndë, nuk vë buzën në gaz, problemet që dalin i paraqet të zorshme për t’u zgjidhur, nuk të shpjegon asgjë, vetë flet dhe vetë vendos. Tipik “shef”, siç është edhe fjala më e përhapur për ta, gjë që shkon me të kundërtën e statusit si shërbëtorë të popullit.
Mund që lexuesit t’i duket e habitshme, por në një urë mbi Lanë, në mes të kryeqytetit, në një prej pjesëve më njohura të tij, tek sheshi “Çajupi”, një vrimë e hapur mbi të, ku binin e thyenin këmbën kalimtarët, ndenji pa u mbyllur për plot dy vite. U deshën ata që erdhën tani në bashki që brenda pak ditëve të tëra këto ura të lyheshin me të gjelbër, të riparoheshin dhe më në fund kjo vrimë jetëkanosëse të mbyllej. Me masat që po merr administrata e re e Tiranës, përfshi edhe rregullimtrafikun për fëmijët e shkollave, kryebashkiaku Veliaj nuk po bën gjë tjetër veç “kopimit” (pozitiv) të jetës së një qyteti normal në perëndim apo në lindje, ku jo nëpunësi i shtetit nëpër zyra, por edhe bashkëkombësi që nget një veturë, sapo ti shkel vijat e bardha të kalimit, për të të hapur rrugë, e frenon si gozhdë makinën.
Po ku hapet rruga tek ne! Ajo veç mbyllet. Rrugëhapja bëhet vetëm me përplasje.
Po ashtu ku lavdërohesh dot tek ne! Bëhet me zell vetëm e kundërta: thirresh për t’u qortuar, më së shpeshti për t’u hequr nga puna. Ky ves i fundit i vështirësimit së brendshmi të jetës së shqiptarëve po përhapet çdo vit e më tepër, tamam si një kolerë.
Nuk është, për shëmbull, hera e parë që mbledhja e taksave kryhet vrullshëm, me ngut, me stil urdhëruas nga lart dhe ton kërcënues, me logjikë policore dhe frikësim burgu. Në fillim të viteve nëntëdhjetë u përdor edhe SHIK-u. Kjo punë e dobishme dhe alfa e një shoqërie të hapur me ekonomi tregu, në të cilën edhe pagat më të vogla taksohen, detyrimin e vet duhet të dorëzojë në shtet, por me një përpjestim të arsyetuar dhe human, edhe ai që shet një tufë me banane.
Realisht dyqanet që u vetëmbyllën, sepse nuk kishin leje apo nuk derdhnin taksat, ua kishin vështirësuar jetën të tjerëve që të tilla rregulla i patën respektuar. Nuk ka asnjë “revolucion demokratik” në gjoja protestën e tyre. Nuk mund të jetë model qeverisjeje të ardhshme asnjë formë mbështetje e tyre.
Ja pse Shqipëria jonë, për shkakun e sjelljes tonë por edhe për mjaft arsye të tjera, më shumë është vendlindje detyruar se një atdhe i vërtetë.
Përditë shprehim merak të madh rreth çështjes nëse një ditë ky vend do të bëhet. Nënkuptojmë me këtë një shtet të fortë. Mirëpo para se kjo të ngjajë, Shqipëria duhet të bëhet mëmëdhe, babë dhe nënë. Ajo duhet të të dojë që edhe ti ta duash. Atdhe do të thotë të kenë dashuri të madhe shteti dhe shqiptari. Të plotësojnë e përfaqësojnë njëri-tjetrin, siç ka ndodhur, vite të shkuara, me koleksionistin që nuk jeton më, Nikolla Xharon. Pas rënies së diktaturës ai gjeti të hedhura nga Presidenca e atëhershme fletët shoqëruese të dekorimit të disa dhjetra partizanëve italianë të divizionit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare Shqiptare “Antonio Gramshi”. Qeveria komuniste e kishte kryer këtë akt në vitin 1985, por vlerësimet qenë nisur dhe mbërritur në destinacion pjesërisht. Çertifikatat e flakura ishin pa medaljet përkatëse dhe bashkëkombësi i shumënjohur i plotësoi me të koleksionit të vet. I kishte blerë në treg. Familjeve të luftëtarëve italianë, tashmë shumica jetëndrruar, ua dhuroi një për një. Kur e pyetën për çmimin tha se nuk kushtonin asnjë qindarkë, qe shteti shqiptar që ua kishte dhënë dhe se ai vetë që ndërmjetësoi ishte bir i një partizani.
Që ka shumë vendlindje dhe pak atdhe e dallon sidomos tani kur diaspora e shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, pas vitit nëntëdhjetë numerikisht jo më pak se gjysma e krejt vendit (dhe po ashtu kombit), kanë një atdhe tjetër. Për këtë dukuri ka një libër shumëbukur të shprehur dhe të argumentuar nga Faruk Myrtaj, shkrimtar në Kanada. Atje kupton fare qartë se shtetet ku bashkëkombësit kanë emigruar, janë ende mëmëdhe i dytë, por për fëmijët e tyre Shqipëria përfundimisht nuk është më atdhe i parë.
Kjo do të thotë se ata përherë e më shumë largohen nga përkatësia, trashëgimia dhe kujtesa jonë, kur përse të mos bëjmë që të ndodhë e dyta: afrimi edhe më i madh. Jo për të bartur këtu prej tyre patjetër më shumë para të kursyera apo për t’i nxitur të kryejnë investime patriotike, siç rëndom u kërkohet, por për të sjellë vetveten, shpirtin. Kjo është energji e madhe, e pambarueshme, që nuk ndërpritet kurrë, që kalon lirshëm nga njëra gjeneratë tek tjetra. Duke u bërë një “perpetum mobile” i atdhetarizmit të qëndrueshëm.
Por Tirana zyrtare është e ftohtë, e ka zemrën gur. Është vetëm fjalamane, retorike, Ndonjëherë të lë pa gojë sepse është edhe mendjemadhe. Ka siptoma gjigandomanie. I duket vetja sikur ka një mbipopullim qindramilionësh, thua ka aq shumë shqiptarë sa ka për të marë dhe për të lënë.
Kohë më parë zyrat politike të Tiranës flitnin deri edhe për ngritjen e ministrive, të komiteteve apo të drejtorive për të mbajtur të gjallëruara urat e komunikimit me diasporën, kurse tani as që i përmendin. Nuk ka takime të shpeshta me ta, gjeste nderimesh shtetërore, konferenca apo inkurajime botimesh, tema filmash apo ngritje bustesh, distinktive apo emra sheshesh a rrugësh, mungon qoftë edhe një tekst mirseardhjeje në krye të aeroporteve apo porteve detare. Nuk jepet një çmim. Qendrat arbëreshe në Itali apo ato arvanitase në Greqi ose në Kroaci kanë mbetur më shumë çështje e studiuesve.
Më i zhurrmshmi reagim që vjen prej godinës së shtetit shqiptar të Tiranës është se gjysmës sonë që jeton në atdhe tjetër do t’i jepet mundësia për të votuar këta të vendlindjes. E deklarojnë me kaq shumë gëzim këtë “kulm” të vëmendjes dhe të dashurisë për bashkëkombësit e ikur thua sikur diaspora jonë që ka parë botë dhe sheh si funksionon një shtet i shëndetshëm demokratik, ka si të parë këtë hall: të mbështesë hipje-zbritjet në pushtet të partive dhe të politikanëve.

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 shtator 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com