Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ERION VELIAJ, KY AMBICIOZ


(Botuar në gazetën “Shqip” më 14 gusht 2015)

Pikërisht kur rozët ndodhen në mes të mandatit të parë të pas tetëvjetëve të bluve dhe në fatin e tyre po ridëshmohet e zakonshmja e vërtetuar deri tani në dinamikën e çdo force politike në qeverisje, shenjat e rënies të energjisë së fillimit, njëri prej protagonistëve të tyre, ministër që bënte dhe shpërndante vazhdimisht foto me fëmijë, pensionistë dhe romë, e fitoi shumë bindshëm të drejtën për të administruar qytetin më të madh të të gjithë shqiptarëve.
Ky krye qytet është një grumbull prej më shumë se treçerek milioni banorësh jo aq lehtë i administrueshëm, i cili ka edhe defekte të tjera, por kurrsesi nuk është përgjegjës për jetesën e tij të ngushtuar mes pallatbetoneve që i presin diellin njëri-tjetrit, klubeve që zënë e rizënë trotuaret dhe trafikut turfullues, buriçjerrës e pisbërës të makinave.
Siç edhe bëri të ditur vetë bashkia, arka e saj është pothuaj bosh. Ky nuk është lajm i mirë dhe inkurajues për një shpresë të votuar aq masivisht. Një rrethanë e tillë mund ta shtyjë edhe më shumë kryebashkiakun e ri në një huq të tij: të duket e riduket në media, të mbiprodhojë lajme nga shumë pak gjë ose prej hiçit. Këtu vërtet është mjeshtër (Zuri kolona gazetash lajmi se tek një cep i Tiranës, i quajtur Bërryli, ishte ndaluar shitja e rrobave të përdorura dhe kishte nisur menjëherë puna për të ngritur një kend të gjelbër).
Shqipëria këto vitet e fundit, e gjetur edhe ajo mes krizës globale që gërryen shtete të mëdhenj e të fuqishëm, pasi në gjashtë vitet e para të pluralizmit ia vodhën qytetarëve të gjitha kursimet dhe brenda gjashtë viteve të dyta iu tkurr deri në rrjedhje me pikë-pikë dallga e mëparshme e parave që sillte emigracioni, ka një dekadë që nuk të jep më asnjë fat për të të admiruar dhe duartrokitur. Mitet e pluralizmit kanë rënë, janë shëmbur.
Prandaj edhe dukshmëria politike më e përmbajtur rezulton më e frytshme, po ashtu edhe frenimi i prodhimit të lajmeve për vetëveten. Sepse, për shëmbull, pasi hipe në autobuzin urban ditën e parë të punës së re, çfarë e përsërite edhe ditën e dytë, nuk ndodhi për më mirë asnjë gjë. Historia e politikanëve këtej nga ne dhe matanë kufirit është e mbushur me gjeste të tilla të përsëritura deri në mërzi.
Erion Veliaj, sigurisht, e ka zgjedhur politikën për të realizuar një ambicie të fortë personale, të lindur e të rritur bashkë me vitet e tij të njoma. Nuk e ka trill, as hoby, e ka qëllim jete.
Në pamje të pare duket sikur kështu, “ngulur si gozhdë”, siç thoshte ndjesë pastë Gramoz Pashko, është më keq për një shoqëri, por përse nuk është më mirë. Zanati për zanatçinjtë. Nuk ka më keq se kur merren me politikë ata që nuk e kanë atë si pasion profesional, por mënyrë për t’u ngrefosur dhe bërë “të parin” apo mënyrë për të vjedhur me sa më pak telash e mbuluar sa më lehtë cubërinë e tyre.
Ambiciozin Erion Veliaj të paktën nuk e shtyn të ecë, çfarë është një lodhje e madhe për një shoqëri, për tërë një kryeqytet. Vetëm të duhet ta frenosh nga pak, çfarë është gjë shumë më e lehtë se puna e parë. Janë shtuar sot politikanët ambiciozë që e duan rezultatin mes një përtacie të pashembullt, duke shkruar ndonjë artikull apo libër. Apo duke vetëm pritur e pritur të kujtohen për ta.
Erion Veliaj kryeambicien e tij e ka zgjedhur për të ushtruar pushtet politik. Për pasojë ai nuk i ka hyrë kësaj rruge për të mbetur në mes. Nuk duket se i pëlqen të rrijë pezull, i mbajtur nga sqetullat prej këtij apo atij.
Ai dëshiron të shkojë përpara, deri tek i pari i vendit.
Kujt mund t’i jetë mbushur mendja se i ka të gjitha marifetet për ta ndalur këtë imazh që ngjan ca me Ramiz Alinë, ka gjasë të gabohet. Megjithatë le të investohet, punë e tij! Deri tani shumë politikushtrues i kanë goditur aq shpesh rivalët sa në të vërtetë u kanë rritur famën dhe zgjatur licensën për të qëndruar më të fortë. Vërtet mund të jetë nismë e pavarur e prokurorisë ajo e hetimit të një duzine lejesh ndërtimi të ish-kryebashkiakut Basha (çudi, pse kjo ndodhi kur ai iku dhe nuk u bë kur qe!), por të habit pse tregon zell zoti Veliaj e bën lajm ca dosje që vartësit e tij po përgatisin kundër pararendësit?
Fiasko të plotë, një për një, pësuan të gjitha ato superdosje akuzash që qeveria Rama i mbushi me fletë kundër pothuaj tërë qeverisë që shumica e popullit e mundi me vota dhe e hoqi përkohësisht nga e drejta për të qeverisur.
Në thelb, pa mjete financiare të mjaftueshme, Tirana nuk mund të rishquhet si në vitet e mëparshëm, sidomos kur kryebashkiak qe kryeministri i tanishëm dhe në qeveri kryetari i partisë aleate. Atëherë ishte edhe rrjedha e historisë që i ndihmonte. Tani kjo na ka kthyer kurrizin.
Ajo që në këto çaste harrimi mund të çlirojë energji dhe ta rikthejë kryeqytetin në një pikë pozitive orientimi të të gjithë shqiptarëve, në të tëra trojet e tyre, është reformimi kulturor i realitetit të saj. Në të vërtetë këtë sekret, shquarjen politike nëpërmjet reformës, e ka dalluar kryeministri, i cili ndodhet në një përpjekje interesante, edhe pse tashmë në proces ngadalësimi e nesër ndoshta në rrezik kompromentimi, për të riformatuar modelin e shtetit tonë tepër të palëmueshëm (Po t’ja dalë sadopak kësaj do të jetë një “Napoleon” apo “Pjetër i Madh”).
Për Erion Veliajn, duke synuar një kryeqytet më të pastër e më të gjelbëruar, realisht asgjë të keqe nuk ka, por edhe asgjë origjinale dhe thelbësore po ashtu. Asnjë shtysë nuk i jep për ecje përpara në ambicien e tij. Në fund të fundit përse këtë detyrim administrativ, mbajtjen pastër të qytetit, na e premtojnë si të jetë një shpikje shkencore? Pastaj shumë e vështirë të bësh emër me një Tiranë të pastër, sepse të “mund” menjëherë Korça, Shkodra apo Berati.
Tirana më shumë se çdo qytet tjetër ka një epërsi ekskluzive: është simbol i Shqipërisë bashkëkohore. Ritmi i jetës dhe i transformimit të saj ka tërhequr vëmendjen e Ballkanit (të paktën).
Kështu Tirana mund të paraqesë edhe kullat e xhamta, të luajë edhe ca me ëndrrën e panevojshme të një trami, por bashkëkohësia e saj dhe po aq epërsia, e veçanta, e dobishmja, e nevojshmja, e dallueshmja, e eksportueshmja, lajmbërësja, shtrati raketor i lëshimit para për karrierë pozitive të çdo kryebashkiaku, është kultura.
Deri tani “delja e zezë” e të gjitha mënyrave të qeverisjes së shqiptarëve. Po ashtu edhe një shkak i mirë për disa bashkëkombës që, tek e mbyllin leximin e këtij shkrimi, do të ndihen mirë të qesëndisin: Kultura!? Ia paska ngenë! Kemi halle të tjera.


Ylli Polovina

Tiranë, më 13 gusht 2015



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com