Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
SHQIPTARËT ME DY HOXHA (Pjesa e katërt)


Kundër Mukjes ishte Vukmanoviç Tempo, Miladin Popoviç është më i kujdesshëm



(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 16 gusht 2015)

Shkruan Enver Hoxha tek libri “Kur lindi Partia”: “Të nesërmen Koçoja, unë dhe Mustafai shkuam dhe u takuam për herë të parë me Miladinin. U përqafuam dhe u puthëm me të si të ishim njohur prej kohësh”.
Gjatë kësaj bisede, e cila si kohë zhvillimi duhet të ketë pasur ditët e para të pas 20 tetorit 1941, Popoviçi ka bërë të ditur se “Unë do të gëzohem, në qoftë se do të ketë mundësi të vihem në korrent për gjendjen në Shqipëri, pastaj, prapë me ndihmën tuaj, të kaloj në Kosmet për të vazhduar luftën”. Ndërkaq, sipas Enverit, ishte ky që i paska thënë menjëherë: “Jemi të bindur, se në mos sot, nesër, Partia Komuniste e Shqipërisë do të formohet, por ne jemi edhe internacionalistë dhe kërkojmë që ju, shoku Miladin, të na ndihmoni në këtë drejtim”. Miladini i gëzuar qenka përgjigjur: “Shoku Enver, ju faleminderit shumë për besimin që tregoni ndaj meje. Unë po ju them se nuk kam ndonjë eksperiencë të madhe, por, si komunist, si internacionalist, çdo gjë timen do ta vë në shërbim të komunizmit. Né qoftë se pranohem edhe nga grupet e tjera, siç propozoni ju, atëherë do të vë të gjitha forcat e mia né shërbim të komunizmit né Shqipëri, do të luftoj dhe do të vritem tok me ju, po ta lypë nevoja, për popullin shqiptar, sikur të jetë populli im, jugosllav”.
Dhe ndërkohë ka vazhduar: “...por unë do të shkruaj një letër për shokët e Kosmetit, që ata të njoftojnë udhëheqjen e PKJ për propozimin tuaj dhe do t\'u kërkoj lejë për të qëndruar këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Pastaj shtoi: “Kisha edhe një kërkesë: në qoftë se ju nuk keni kundërshtim, do të kërkoj të vijë këtu edhe Dushan Mugosha që të më ndihmojë, se ai di dhe shqip.
-Dakord, - i thamë...”
Më pas Hoxha i Shqipërisë shkruan se “Ndërkaq erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili solli aprovimin e udhëheqjes së PKJ që Miladin Popoviçi dhe ai të qëndronin për një periudhë kohe né Shqipëri, sipas propozimit tonë”.
Kështu duket si të përjetojë një “fund të lumtur” vendimi që u mor në mbledhjen dyditore të Vitomiricës, ku i dërguari për të ndërmjetësuar bashkimin e grupeve komuniste shqiptare në një parti unike do të qe vetëm Dushani.
Ritheksojmë: Partia Komuniste Jugosllave e pa dyshim Josip Broz Tito miratuan për të ndikuar në misionin e PKSH-së shefin e tyre për Kosovën. Qe dëshirë e Tiranës më së pari, por u shkonte mbarë edhe atyre.
Këtë kohë Tito nuk e dinte që ekzistonte një Hoxhë tjetër, Fadili, sepse nuk do të ngurronte ta propozonte. Për Fadilin nuk i kaloi nëpër mend asgjë e tillë as Enver Hoxhës. Vështirë të besohet se ai nuk e kishte dëgjuar asnjëherë këtë emër e sidomos mbiemër.

Të dy Hoxhat bëhen komandantët më të mëdhenj

Në jetët paralele të dy Hoxhave, Enverit dhe Fadilit, përveç kryengjarjes së themelimit të PKSH-së në 8 nëntor 1941, ndodhen edhe dy episode të tjera, të rëndësishme për ta, por më shumë edhe për historinë.
Në 28 tetor 1941, përvjetor fashist i “Marshimit mbi Romë”, Enver Hoxha mori pjesë në vijë të parë të një demonstrate të organizuar prej komunistëve. Guximi i tij këtë herë është i dukshëm dhe real. Me siguri këtë gjest ai e kreu për të ndikuar në favorizimin e zënies së një pozicioni të mirë në strukturat e partisë që do të themelohej pak ditë më pas, sepse qe unanime dëshira që në komitetin e përkohshëm qendror të mos përfaqësoheshin udhëheqësit e vjetër të grupeve.
Tek “Jeta ime me Enverin”, pjesa e parë, Nexhmije Hoxha shkruan “...në sheshin Skënderbeg u bashkova me demonstruesit, ku kishte filluar përleshja. Aty pashë një burrë trupmadh, që dallonte një kokë mbi të rinjtë që e rrethonin, të shkëpuste me forcë një të ri nga duart e një milici. Cili qe vallë? Pranë meje u ndodh Meli Dishnica, motra e Esat Dishnicës, e cila nuk linte demonstratë pa marrë pjesë, e pyeta: “Kush është ai?” Më tha se ishte një profesor nga Korça, që e kanë pushuar nga puna dhe tani ka ardhur në Tiranë, shet cigare në një lokal, këtu afër. “Si e quajnë?”, pyeta. “E quajnë Enver Hoxha”, më tha”.
Vetë Hoxha tek “Kur lindi Partia” nuk i jep dukshmëri këtij rasti, për të cilin Ramiz Alia, i pranishëm në këtë demonstratë, tek libri “Jeta ime”, thotë se Enveri jo vetëm e kapi prej fyti milicin, por edhe e goditi me grusht. “Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme, ashtu siç e kishim parashikuar. U përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë dhe me milicinë fashiste. Demonstrata pati një jehonë jashtëzakonisht të madhe”. Këto janë frazat e vetme të Enver Hoxhës.
Të nesërmen, më 29 tetor 1941, ai kaloi në ilegalitet.
Fadil Hoxha në këtë gjendje kaloi dy muaj më pas, në fund të vitit, ndërsa qe hedhur tërësisht në veprimtari antifashiste dhe në organizim të strukturave komuniste. Goditjen e parë prej pushtuesve e mori në 28 nëntor, pasi qe pjesëmarrës në demonstratën me rastin e përvjetorit të ditës së pavarësimit kombëtar. Ndryshe nga Enveri që shkruan se në 29 tetor i erdhën në dyqanin “Flora”, ku shiste duhan dhe pije, një grup karabinierësh dhe kërkoi ta arrestonte, por ai u hoq si një person tjetër dhe nëpërmjet një dere të fshehtë u largua, një muaj më pas italianët e kapën Fadilin dhe e burgosën. “Nuk më kanë bërë ndonjë torturë të madhe, shkruan ai në kujtimet e tij, vetëm më kanë marrë në pyetje...Unë mbeta tetë ditë në burg e pastaj më liruan. Kushti kryesor për lirimin tim ishte të shkoja të punoja si mësues në Hogosht. Unë u pajtova të shkoja në Hogosht, vetëm e vetëm që të më lironin”.
Tërë viti 1942 e sidomos pasardhësi, 1943, qenë mote të stuhishëm për të dy udhëheqësit komunistë me mbiemrin e njëjtë Hoxha. Mbrënda janarit ky i fundit ishte mes protagonistëve kryesorë të ngritjes së njësitit partizan \"Emin Duraku\", ku do të bëhet komandant. Po ashtu është nxitës i krijimit të Çetës së Kardakut. Në prill u formua Shtabi Kryesor i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare për Kosovë-Metohinë dhe me këtë rast Shtabi i Lartë i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë si edhe Partia Komuniste Jugosllave e emëruan Fadil Hoxhën komandant të saj.
Enver Hoxha ndërkohë jo vetëm qe zgjedhur në krye të PKSH-së, por që nga 5 korriku 1943 ishte bërë edhe komisar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë.

Kundër Mukjes ishte jo Miladini, por Vukmanoviç Tempo

Në 8 shtator 1943 Italia fashiste kapitulloi dhe kjo shkaktoi një dinamikë tjetër të rrjedhës së ngjarjeve në Ballkan, për rrjedhojë edhe të gjendjes në Shqipëri, në Kosovë si edhe në shtetin shumetnik të sllavëve të jugut. U gjendën në rrethana të reja edhe dy Hoxhat.
Në territorin ku vepronte Enveri në fundkorrik dhe në fillim të gushtit pati ndodhur një ngjarje, e cila qe aq thelbësore dhe kyçe sa, po të shkonte mbarë, jo vetëm mund të ndryshonte krejtësisht fatet e shqiptarëve në vendin e tyre të lejuar nga fuqitë e mëdha në 1913, por edhe më tej, në trojet e bashkëkombësve të mbetur në shtetin fqinj. “Mbledhja e Mukjes” është emërtuar ajo.
Në këtë kuvend të kundërtit ideologjikë, komunistët dhe nacionalistët, nëpërmjet dërgatave të tyre, ranë dakord të bashkoheshin në luftën kundër pushtuesve si edhe të krijonin një paraqeveri të përbashkët. Kjo u formua dhe quajt me emrin “Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë”.
Porse pas disa ditësh PKSH e hodhi poshtë këtë marrëveshje dhe urdhëroi të gjitha strukturat e saj ta grisnin menjëherë një trakt në të cilin ky pakt bëhej i ditur. Shkaku kryesor për prishjen e kësaj marrëveshjeje u bë çështja e Kosovës. Në proklamatën e dalë prej kësaj mbledhjeje, nënshkruar nga Komiteti, në pikën 2 të programit thuhej “Luftë për një Shqipëri të pavarur, luftë për zbatimin e parimit të njohur e të garantuar nga Karta e Atlantikut për Vetëvendosjen e Popujve, për një Shqipëri Etnike”.
(Në të vërtetë Karta e Atlantikut që përcaktonte themelet e rendit të ardhshëm botëror të pasluftës, miratuar në 14 gusht 1941 mes presidentit amerikan Ruzvelt dhe kryeministrit britanik Çërçill, me të cilën në 24 shtator u bashkua edhe Stalini, në nenin 3 bënte fjalë për vetvendosje popujsh në trojet e tyre amtare, por aspak këtë parim nuk e plekste me termin dhe konceptin e “shtetit etnik”).
Prishës i marrëveshjes së Mukjes dhe i çdo përpjekjeje tjetër më pas të nacionalistëve për një pakt të ri më të pranueshëm për PKSH-në, nëpër dokumentet e kohës e veçanërisht në një letërkëmbim të Enver Hoxhës me kolegun e tij Ymer Dishnica, provohet se është tërësisht shkaktuar nga vetë Hoxha. Përflitet që presion mbi këtë të fundit pati ushtruar Miladin Popoviçi apo edhe Dushan Mugosha, mbase edhe të dy bashkë. Duhet thënë se kjo ide në opinionin publik dalëngadalë është shndërruar në bindje të pakthyeshme.
(Tek libri i saj “Dosjet e luftës” historiania Ana Lalaj, duke iu referuar studiueses britanike Elisabeth Barker, thotë se jugosllavi që bëri trysni për prishjen e marrëveshjes së Mukjes qe Vukmanoviç Tempo, në korrik 1943 tranzit i pranishëm në Shqipëri).
Që Miladin Popoviçi ka një qëndrim disi ndryshe për çështjen shqiptare, temë që, nisur nga vrasja e tij prej kombëtaristit kosovar Haki Taha në 13 mars 1945, do ta rrahim në një cikël të ardhshëm, provohet pjesërisht edhe me një fakt. Në 29 korrik 1943, pra para se të realizohej dhe të prishej marrëveshja e Mukjes, ai i ka dërguar një letër malazezit Ivan Milutinoviçit, i cili, me gradë të lartë ushtarake dhe cilësinë e anëtarit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, qe ndërmjetësi kryesor i shkëmbimit të informacionit për gjendjen në PKSH me Josip Broz Titon.
Në atë letër Popoviç shkruante: “Që kur ishte Dushani tek Tito shtrova një sërë çështjesh, midis tyre edhe çështjen e Kosovës dhe qysh atëherë kërkova si duhet të zgjidhen”. Për të kuptuar se, në mos për bashkim me Shqipërinë e pasluftës, të paktën mendon për një status mjaft të favorizuar të Kosovës, nga letra e Miladinit po shkëputim këtë fragment: “...këtu duhet të shikojmë edhe problemin e krijuar me ardhjen e fashizmit dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo ka pasur në Kosovë e Metohi një ndikim të madh të Shqipërisë dhe ka forcuar lidhjet dhe ndjenjën nacionale. Ky perceptim (që shqiptarët kanë) për çështjen kombëtare na i ka vështirësuar mbajtjen e qëndrimit të prerë, dhe vazhdimisht e kemi lënë për nesër çështjen e vetëvendosjes. Në këtë mënyrë nuk ka qenë e mundur të mobilizohej popullsia shqiptare në luftën kundër okupatorëve “çlirimtarë”.
Tërheqim vëmendjen e lexuesit në një këndvështrim: letra e Miladin Popoviçit për grupin udhëheqës të PKJ-së është shkruar dy ditë pasi kryetari i delegacionit të PKSH-së në fazën e parë të bisedimeve me nacionalistët, të kryera në fshatin Tapizë të Krujës, Ymer Dishnica, i ka dërguar raport Enver Hoxhës. Kjo ndodhi më 27 korrik 1943, sepse më 26 të dy dërgatat ndërmarrëveshëse patën hartuar një procesverbal, në të cilin shpallnin se kishin vendosur për krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe atë që pak ditë më vonë, në paktin përfundimtar me Ballin Kombëtar në Mukje, realizimin e Shqipërisë Etnike, e patën formuluar në mënyrë më të zhdërvjellët. Ata njoftuan opinionin publik se kërkonin “Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-tës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtyt të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut”.
Doemos që Miladin Popoviçi letrën e tij të 29 korrikut për Ivan Milutinoviçin e ka bërë ndërsa zhvilloheshin bisedimet e komunistëve me nacionalistët dhe kishte lexuar raportin e Ymer Dishnicës. Të qe i prerë në gjykimin e tij për ta refuzuar çështjen e bashkimit, ai nuk do të kërkonte këshillë dhe vendimarrje nga udhëheqja e tij politike.
Po ashtu ish-kryetari i PKJ për Kosovën të ishte për një qëndrim të ashpër dhe jo favorizues nuk do të ndodhte që personalisht Josip Broz Tito në 2 dhjetor 1943 t’i dërgonte një mesazh të gjatë Komitetit Qendror të PKSH-së dhe Enver Hoxhës, në të cilën do të shprehte mosrënien dakort, për çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, me letrën e Miladin Popoviçit të 29 korrikut (“Të shtrosh sot çështjen e bashkimit, kjo në të vërtetë do të thotë të çosh ujë në mullirin e reaksionarëve të ndryshëm dhe të vetë okupatorit...”. Më pas: “.Shoku Milo nuk ka të drejtë kur thotë se partia jonë (dhe shqiptare) do të duhej të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj çështjes së Kosovës dhe Metohisë...”).
Shënojmë se krejt ndryshe nga Miladin Popoviçi është Vukmanoviç Tempo, i cili në dy letra (2 tetor dhe 25 nëntor 1943), e kritikon Komitetin Krahinor të Kosovës dhe grupin e tij udhëheqës, përfshi edhe Fadil Hoxhën, se në veprimtarinë e tyre kishin rënë preh e ndjenjës shqiptaromadhe.

Enver Hoxha çjerr edhe konferencën e Bujanit

Kur në Tapizë dhe në Mukje të Shqipërisë realizohej një marrëveshje që u prish prej komunistëve të Enver Hoxhës, krejt ndryshe ndodhte në territorin ku vepronte politikisht dhe ushtarakisht Fadil Hoxha.
Është një pikë kulmore të raportin e jetëve të tyre paralele, një moment që duhet shpëtuar nga indiferenca dhe harrimi. Ne, shqiptarët, jemi mësuar të theksojmë Mukjen, ta mburrim apo ta shajmë, ta ngremë lart apo ta ulim pafundësisht, ndërsa po kaq të rëndësishme në historinë tonë kemi edhe një tjetër: Konferencën e Bujanit. Mukja dhe Bujani nuk mund të kuptohen pa njëri-tjetrin. Janë dy shpirtra në të njëjtin trup.
Nga 31 dhjetori 1943 deri në 2 janar 1944 në Bujan të Rrafshit të Dukagjinit, fshat brenda kufirit të shtetit shqiptar, por vetëm pak kilometra larg kufirit me Kosovën, u mbajt një kuvend. Në kujtimet e tij Fadil Hoxha shkruan: “Më 31.XII.1943 në mbramje, sapo përfundoi darka, delegatët zunë vendet e tyre në dhomën e miqve. Delegati nga Prizreni, Xhevdet Doda, e hapi Konferencën dhe propozoi kryesinë e nderit, në të cilën hynë, krahas J. B. Titos dhe E. Hoxhës, Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli”.
Pas një minute zie për të rënët fjalën e parë përshëndetëse e mbajti Fadil Hoxha, i cili ishte komandanti i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe të Aradhave Partizane të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Pas tij foli shefi i Partisë Komuniste Jugosllave për këtë territor Pavle Joviçeviç.
Prej punimeve të kësaj konference, më 2 janar 1944, doli Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit, çfarë do të thoshte se qe një qeveri në kushte lufte. Në përfundim, në rezolutë, mes të tjerash thuhet: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit, asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipnin”.
(Më pas ky tekst do të vijonte me fjalët “Prandaj e ndjejmë për detyrë me i tregue rrugën e drejtë që duhet të ndjekë populli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme pra që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin ashtë lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksor e rrogtarëve të tij, sepse kjo ashtë e vetmja rrugë për me fitue lirinë në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin e tij me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Garancija për këtë është Ushtrija Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë dhe Ushtrija Nacionalçlirimtare e Shqipnisë, me të cilën ngushtësisht është e lidhun. Përveç këtyne për këtë garantojnë Aleatët tanë të mëdhenj Bashkimi Sovjetik, Anglija, Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit)”.
Në 2 janar 1944, sapo u mbyll konferenca, Fadil Hoxha ja dërgoi rezolutën e saj njëherësh Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë. Pra Titos dhe Enver Hoxhës. Në 28 mars 1944 KQ i PKJ-së, firmosur nga Milovan Gjilas, në një udhëzim shumëfaqësh, i hodhi poshtë vendimet e Bujanit. Me pak fjalë e grisi rezolutën e konferencës.
Çuditërisht katër ditë më herët, në 24 mars, siç bën të ditur në një kumtesë të saj historiania Ana Lalaj (“Emblema e Bujanit-Një analizë e rivlerësuar”), Enver Hoxha i ka bërë një letër Fadil Hoxhës, ku e uronte për krijimn e Këshillit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, por nuk shkruante “Asnjë fjalë për vetëvendosjen në pajtim me aspiratën kombëtare të popullit të Kosovës! Tito ja kishte arritur që në Kosovë të heshtej për Bujanin, kurse në Shqipëri të heshtej për Kosovën”.
Kështu brenda disa muajve në trojet e shqiptarëve u morën dy vendime të kundërta, çfarë nuk bëjnë të dallueshëm vetëm dy mjediset e njësisë kombëtare, Kosovën dhe Shqipërinë, të ardhmen e tyre sidomos, por edhe vetë dy Hoxhat, Enverin e Fadilin.
Si shkuan më tej këto raporte do të përpiqemi në një pjesë të dytë të këtij cikli, mbase pas një muaji.

Ylli Polovina

Tiranë, më 10 gusht 2015


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com