Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
SHQIPTARËT ME DY HOXHA (Pjesa e dytë)


Jeta paralele e dy bolshevikëve shqiptarë. Si Fadil Hoxha ndihmoi për krijimin e PKSH.

(Botuar në gzeten “Shqiptarja.com” më 14 gusht 2015)

Disa muaj fundorë të vitit 1934 si edhe disa të tjerë në 1935, duke u bërë gjithsej dhjetë, Enver Hoxha shkruan se e kaloi në Paris. “Partia Komuniste Franceze, thotë ai në librin e vet me kujtime të rinisë, në lagjet e punëtorëve kishte disa qendra leximi, ku unë shkoja për të lexuar shtypin, për të lexuar “Anti-Dyringun” e Engelsit, pjesë dhe komente të “Kapitalit”, dëgjoja leksione për Leninin dhe për Stalinin... Asistoja në mitingjet e hapëta që organizonte në sheshe e në stadiume Partia Komuniste Franceze dhe atje shihja forcën e proletarëve, forcën e ideve të pavdekshme të Marksit”.
Megjithë këtë vetëformim intensiv marksist, që nuk i paska rënë në sy legatës shqiptare në Paris, nga një punonjës i kësaj iu ofrua në Bruksel posti i sekretarit të konsullatës së nderit, e cila pritej të hapej shumë shpejt. Ditën që mori miratimin për ta kryer këtë funksion, Enver Hoxha shkruan një episod që prej ndonjë burimi tjetër nuk është vërtetuar: “Shkova në qendrën e leximit të Partisë Komuniste Franceze dhe i kërkova përgjegjësit nëse mund të më organizonte një takim me shokun Pol Vajan Kuturié, se kisha diçka për t’i thënë”.
Ia mundësojnë menjëherë këtë kontakt, gjithnjë siç thotë vetëm ai, dhe të nesërmen të dy u gjendën përballë njëri-tjetrit jo në ndonjë kafe, por drejtpërsëdrejti në zyrat e gazetës së PKF “L’Humanité”.
Enveri i paska thënë Kuturies: “Tash së fundi m’u paraqit rasti të punoj në Bruksel si sekretar privat në konsullatën shqiptare që do të çelet, me konsull një të huaj. Atje do të merrem edhe me shtypin. Do t’ju lutem për një gjë. Unë jam komunist me gjithë shpirt, partia, shtypi juaj më kanë bërë komunist. Nganjëherë, nga lajmet që mund të marr nga Shqipëria, a mund të dërgoj në “L’Humanité” nga ndonjë artikull të vogël për të demaskuar regjimin feudal të Zogut”. Vajani jo vetëm në parim e kishte pranuar këtë bashkëpunim, por e pati mbajtur edhe ca të porsaardhurin për të mësuar “për gjendjen shoqërore, për klasën punëtore, për fshatarësin” shqiptare. Në fund të bisedës Kuturié i paska theksuar “Ta duash dhe të luftosh për komunizmin!”
Enveri 26 vjeçar i qe përgjigjur: “Deri në vdekje do të luftoj”.
Kryengritja e Fierit Hoxhën e Shqipërisë e gjeti në Bruksel dhe thotë se, kur e thirrën dy herë në Ministrinë e Jashtme të Belgjikës për të marrë ndonjë informacion mbi çfarë kishte ndodhur në vendin e tij, ai pati folur kundër Ahmet Zogut.
U pushua nga puna e sekretarit në pranverë të vitit 1936 sepse (gjithnjë sipas tij) konsulli, që vinte rrallë, e gjeti papritur në zyrë me “gazetat e Partisë Komuniste Franceze e të Belgjikës, librat e Marksit, Engelsit e Leninit, që i kisha me shumicë”.

Komunisti i Paris-Brukselit

Pas një viti e gjysmë qëndrimi në Bruksel, të cilat, siç shkruan ai, “më dhanë mundësinë që të lexoja e të studioja më me zell se kudo një varg të tërë veprash të Marksit, Engelsit, Leninit, etj., pa folur për shtypin komunist që e merrja të tërin”, “aty nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë, në vendin tim, në mes të popullit dhe të njerëzve të mi”.
Me këtë rast Enver Hoxha në librin e vet për vitet e rinisë shkruan “Gjatë kohës së qëndrova jashtë isha përpjekur të mos bija në sy te njerëz të dyshimtë për dashurinë që kisha për komunizmin, për Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, për shtypin e Partisë Komuniste Franceze, broshurat e gazetat e tyre komuniste që lexoja etj. Por kjo veprimtari nuk mbetej e fshehtë. Në Bari emigrantët më quanin “Kuqalash”.
Në atë verë 1936 Fadil Hoxha qe njëzetë vjeç dhe Qemal Stafa tashmë e kishte anëtarësuar atë, Emin Durakun dhe Hajdar Dushin, të tre shqiptarë nga Kosova, në një parti, të cilën nuk e pati quajtur Antifashiste. Bëhet fjalë për Grupin Komunist të Shkodrës.
Me vetëvendim Fadili mori pjesë në aksionin për rrahjen e drejtorit të gjimnazit. Të shtatë pjesëmarrësit u përjashtuan nga shkolla. Në Tiranë ministri Mirash Ivanaj i dha bursë për në Shkollën Normale në Elbasan. “Ndërkaq në 1936, shkruan Hoxha i Kosovës, u zbulua Grupi i Shkodrës dhe ra në burg. Edhe ne pritnim mos vinin të na burgosnin”. Kjo nuk ndodhi.
Ndërkohë në Elbasan komunistët shtoheshin dhe u bënë 23 vetë të organizuar në treshe që nuk e njihnin njëra-tjetrën.
Në pushimet verore të vitit 1937 Fadil Hoxha u kthye në Gjakovë dhe u takua “me Milija Koviçeviçin, sekretarin e organizatës komuniste, dhe me Kërsta Mihailoviçin”. Nuk kishte asnjë shqiptarë në këtë degë të Partisë Komuniste Jugosllave, pohon Fadili dhe informon se Kërsta qe serb i vendosur aty gjatë muajve qershor, korrik e gusht 1937.
Shkruan: “Takimet me komunistët serbë në Kosovë më kanë bërë përshtypje të madhe kur jam thyer. Pavle Joviçeviçi dhe Bora Vukmiroviçi m’i kanë dhënë disa materiale. Para se të kthehesha në Shqipëri, kam shkuar edhe njëherë në Pejë, për t’i marrë materialet. Ato i kam vendosur në fund të valixhes dhe i kam marrë me vete në Shkodër, ku i kam dorëzuar...e pastaj kam vazhduar për në Elbasan”.
Në kujtimet e tij Fadil Hoxha vë në dukje se pas rikthimit në Elbasan e pati thirrur në zyrë drejtori i Normales, Aleksandër Xhuvani. Këtij nga prefekti i kishte mbërritur një telegram, i cili thoshte se “Agjentët tanë na lajmëruan prej Jugosllavisë se Fadil Hoxha, nxënësi juaj, është komunist. Kini kujdes!”
Në 1938 “siamezi” i Enver Hoxhës bashkë me disa shokë të tij i prishën, me përplasje këmbësh, mbajtjen e një ligjerate në shkollë ministrit Kolë Bibë Mirakaj. Pas kësaj Fadilin bashkë me tre shokë të tij i mbajtën në burg dy ditë.
Ndërkaq, i kthyer në Shqipëri, në fund të vitit 1936 Enver Hoxha, sipas asaj që vetëm ai shkruan, takon dhe bisedon në Gjirokastër me Ali Kelmendin, njeriun e Kominternit, tashmë në gjendje internimi nga Ahmet Zogu. Tregon se mori pjesë në varrimin e eshtrave të Bajo Topullit, ku mbajti edhe një fjalim, çfarë është e vërtetuar. Pas disa ditësh me një grup bashkëqytetësish shkoi në Shkodër për të marrë e sjellë në Gjirokastër eshtrat e Çerçiz Topullit dhe të Muço Qullit. Enver Hoxha foli edhe në ceremoninë e përcjelljes prej popullit shkodran.
Më në fund ai gjeti punë me orë si mësues në gjimnazin e Tiranës, gjendje që zgjati, sipas tij, 4-5 muaj. Në kujtimet e veta të rinisë shkruan se në kryeqytet u përpoq të hynte në kontakt me komunistë, por “s’po e kapja dot fillin, nëse ekzistonte ndonjë fill i tillë i lëvizjes së organizuar komuniste në Tiranë”.
Më tej Hoxha i Shqipërisë rrëfen se “Më në fund, aty nga marsi i vitit 1937 më njoftuan se isha emëruar me punë në Liceun e Korçës. Këtu pak ditë pas mbërritjes Enver Hoxha pohon se qe takuar me mikun e tij të vjetër, Koçi Bakon. Në vijim kishte hyrë në kontakt me drejtuesit e grupit komunist të qytetit, i cili quhej “Puna”. “Si “sektor”, shkruan, mua më caktuan të punoja për përhapjen e ideve komuniste e për të çuar detyrat e grupit në Lice, në radhët e intelektualëve përparimtarë e të rinisë jashtëshkollore korçare”

Prova e vitit 1939

7 prilli Enver Hoxhën e gjeti në Lice dhe sipas tij qe në vijë të parë të protestës kundër qeverisë zogiste, e cila pengoi armatosjen e grupeve popullore që po kërkonin mbrojtjen e vendit. Në 28 nëntor, tashmë për herë të parë e dokumentuar prej një burimi tjetër (Mbretnija Shqiptare, Ministrija e Arsimit, shkresa nr. 6621/47), bashkë me kolegët e tij mësues, për shkak të pjesëmarrjes në manifestimin e 28 nëntorit 1939, pushohet nga puna.
Fadil Hoxha këtë periudhë e përshkruan kështu: “Kur në 1939 u futën në Shqipëri italianët, kur udhëheqësit e grupeve ikën nga burgjet, atëherë edhe filloi puna dhe aktiviteti. Vasili e Qemajli u vendosën në Tiranë. Grupi i Shkodrës tashti ishte në Tiranë. Njëkohësisht ishte formuar një komunë prej anëtarëve të grupit. Jetonin, nja 10-15 veta, në një shtëpi që quhej e Bretkosave. Kur në verën e vitit 1939 unë u kam treguar shokëve se do të shkoja gjatë pushimeve në Gjakovë, një nga shokët më zëvendësoi. Nga udhëheqja e grupit komunist të Shkodrës morëm detyrë që unë dhe Emini të provonim të lidheshim me komunistët në Jugosllavi”.
Që të dy e kryen këtë takim me Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovën. Atë e drejtonte Miladin Popoviçi.
U bisedua që grupet komuniste në Shqipëri duhej tashmë patjetër të bashkoheshin e të krijonin partinë e njësuar. Popoviçi i njoftoi se për të realizuar dëshirën e grupit komunist të Shkodrës që të bashkëpunohej me Partinë Komuniste Jugosllave. Kjo ishte njoftuar dhe e pati mirëpritur propozimin.
Sipas kujtimeve të tij Fadil Hoxha shkoi edhe një herë tjetër në Kosovë. Ishte janar 1940. Nga Miladin Popoviçi dhe Boro Vukmiroviçi mori letërsi marksiste. Nëpër të ftohtë dhe një borë që binte pa pushim, u kthye në Tiranë, dorëzoi literaturën (“Historia e PKBS”, “Anti-Dyring”, “Fillet e Leninizmit”) dhe shkoi në Elbasan, në shkollën “Normale”, atje ku vijonte studimet dhe ilegalisht jetën politike.
Një ditë, shkruan Fadil Hoxha, “u takuam Vasili, Anastas Lulo, Qemali dhe unë”. Dhe pastaj vazhdon: “Bisedonim se çfarë të bënim që të lidheshim me ndonjë parti. Mbledhja zgjati pothuaj gjithë natën. E bëmë një analizë për situatën politike. Ishte koha e fundit që të lidheshim me ndonjë parti komuniste. Qemajli tha se kishte lidhje me një anëtar të KQ të PK të Italisë, ndërkaq Vasili tha se Fadili dhe Emini kanë pasur kontakte me Komitetin Krahinor të Kosovës, kurse Anastasi tha se kemi pasur një kontakt me komunistët e Greqisë, por ai kontakt ishte ndërprerë.
Në vijim bisedonim se me kë do të lidheshim. Qemajli tha se edhe Partia Komuniste e Italisë kishte probleme, pastaj doli si problem se si të bëhej lidhja me Italinë kur ajo është okupatore. Ramë dakord se PKJ-ja është më e forta. U morëm vesh dhe thamë se më së miri është që të lidhemi me PKJ-në. U vendos që unë të nisesha për t’u takuar me shokët e Komitetit Krahinor për të vënë lidhjen me PKJ-në. Ka qenë ndoshta prilli i vitit 1941”.
Siç Fadil Hoxha i përshkruan ngjarjet kanë qenë patjetër ditët e para të muajit prill. Sulmi gjerman kundër Jugosllavisë, i nisur në 6 prill 1941, e gjeti në Kosovë dhe më 12 prill ai pa si hyri një divizion gjerman në Prizren. Po ashtu si në 19 prill qe në Gjakovë, kur atje erdhi armata hitleriane. Në këto çaste “u takova me Miladinin dhe i përcolla dëshirën e dy grupeve komuniste nga Shqipëria për t’u bashkuar e krijuar parti, por më së pari për të rënë në kontakt me PKJ dhe nëpërmjet saj me Kominternin. Miladini ishte në mëdyshje, pastaj tha se do të organizonte kontakt me PKJ dhe do ta vinte në korent. Në fund tha: “Le të vijnë komunistët e Shqipërisë për të biseduar”. Pasi u takova edhe njëherë me Miladinin, vazhdova rrugën për në Shqipëri. U tregova shokëve në Shqipëri se çfarë kisha biseduar me Miladinin. Ata më përshëndetën për punën që kisha bërë dhe më thanë që unë t’i mbaja lidhjet me Kosovën”.
Në fund të prillit 1941 Fadil Hoxha u rikthye në Kosovë, ritakoi Miladin Popoviçin dhe i tha atij se që prej atij çasti nuk do të kthehej në Shqipëri, por do të rrinte aty. Tjetri e ngarkoi menjëherë për të organizuar degën e Komitetit Krahinor të PKJ për Gjakovën.
Njeriu i lidhjes Shqipëri-Kosovë, cilësi që do t’i bëhej për të gjithë jetën tipari kryesor, në maj 1941, edhe pse rrethanat qenë tepër të vështira, qe në veprimtari të plotë komuniste. Ato çaste kundër pushtimit italian njerëzit i mobilizoje me lehtë në Tiranë, në Korçë, në Durrës apo në Shkodër dhe në Vlorë, sesa në Prizren, në Pejë, në Prishtinë apo në Gjakovë. Këtu nga nacionalfashizmi qe shpallur çlirimi nga Serbia. Në një farë mënyre ishte realizuar kryeëndrra: bashkimi, edhe pse ende pjesor dhe prej një fuqie pushtuese, i trojeve kombëtare.
Por ndryshe e dëshmon historinë e fillimit të marrëdhënieve me Partinë Komuniste Jugosllave dhe posaçërisht me Miladin Popoviçin, Enver Hoxha. Atë që na spikati Hoxha Fadil, ai e mbajti të censuruar, të pathënë as në vëllimet e tij të shumta, as në botimet zyrtare të historisë së Shqipërisë, as në librat e shkollave.
Do të ishte e tepër t’i hapnim vend të shumtë kësaj hollësie, por për disa karakteristika do të këmbëngulim. Hoxha i shtetit amë në librin e tij më të drejtpërdrejtë për lëvizjen komuniste shqiptare, “Kur u themelua Partia”, 1981, nuk e përmend asnjëherë Fadil Hoxhën. Jo vetëm për çfarë ai bëri në raportet e bashkëpunimit me PKJ apo për vetë forcimin e veprimit nacionalçlirimtar në Kosovë, por edhe për çdo kontribut tjetër gjatë luftës.

Informatë ndërmjetëse: çfarë raporton ambasadori Sokrat Plaka

Në 29 nëntor 1980 ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, i dërgonte qendrës në Tiranë një raport rreth bisedës së bërë me Fadil Hoxhën në ceremoninë e përvjetorit të Jugosllavisë komuniste, festuar në Pallatin e Federatës një ditë më parë.
Mes të tjerash Plaka informonte: “Duke folur për zgjerimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë, Fadili tha se do të vijë koha kur ne në Kosovë do të këndojmë këngët e Enver Hoxhës dhe në Shqipëri këngët e Titos. Unë i thashë se për të parën bashkohem me të, kurse në Shqipëri këngët e Titos nuk do të këndohen kurrë, as sot as nesër. Ju jeni nga Kosova dhe i njihni më mire gjërat. Ju i dini mendimet tona për Titon, ne i kemi thënë hapët. Shoku Enver ka botuar kujtimet e tija “Me Stalinin” dhe aty shtjellon qëndrimin e Titos në çështjen e bashkimit të Kosovës dhe të viseve shqiptare me Shqipërinë. I përmenda hollësisht bisedën e shokut Enver me Titon. Pastaj pieta nëse e kishte lexuar këtë vepër, dhe, Fadili u përgjigj “po, e kam lexuar”, por nuk bëri asnjë reagim tjetër, qoftë edhe sikur të mbronte Titon me ndonjë fare mënyre ose të thoshte ndonjë gjë tjetër”.
Në këtë raport informativ të ambasadorit shqiptar në Beograd ndodhet edhe ky fragment: “Fadilin e takoj për here të tretë nëpër pritje, dy herët e para bisedën na I kanë ndërprerë funksionarët e protokollit dhe praktikisht nuk na kanë lënë të bisedojmë. Këtë radhë biseduam lirisht, në këmbë, në pritje dhe mbase kjo mund të jetë një arsye që Fadili foli më gjatë. Biseda ishte e qetë dhe ai vet donte të fliste. Kur vinte ndonjë personalitet për t`u takuar , bisedën e kalonte menjëherë nga temat e Kosovës në marrëdhëniet midis dy vendeve”.

Fadili drejt Shqipërisë në krah të Dushan Mugoshës

Pasi u pushua nga puna e mësuesit në Liceun e Korçës (jepte frëngjisht dhe lëndën e moralit), duke e formuluar këtë në librin e vet “Kur u themelua Partia” sikur u shpall si person i padëshirueshëm për qytetin e Korçës, në fillim të vitit 1940 Enver Hoxha shkoi në Tiranë.
Fillin e lidhjeve me Partinë Komuniste Jugosllave ai e nis pikërisht atje ku e ka lënë një çast Fadil Hoxha.
Në gusht 1941, shkruan Hoxha i Shqipërisë, “erdhi nga Kosova Dushan Mugosha, i cili, pasi ishte takuar me përfaqësues të Grupit të Shkodrës e të “Té Rinjve”, kërkoi të bisedonte edhe me Grupin e Korçës. Ky nuk e pranoi dhe Mugosha iku.
Me këtë rast Enver Hoxha vijon këmbëngulshëm qëndrimin e tij censurues. Nuk tregon se bashkë me Dushan Mugoshën nga Kosova kishte ardhur edhe Fadil Hoxha.
Madje nëpër një udhëtim të rrezikshëm.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com