Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MYFTIU I SHKODRËS DHE ENVER HOXHA

Botuar në gazetën “Shqip” më 19 korrik 2015)

Gjatë festimeve të Fiter Bajramit mediave u ra në sy si ngjarje që përbënte lajm, sjellja e myftiut të Shkodrës. Ai pati ndërprerë predikimin në çastin kur qenë dëgjuar të binin këmbanat e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë.
Mediat në faqet e para i dhanë vëmendje edhe iftarit të shtruar në selinë qeveritare prej Kryeministrit, por pa i kushtuar rëndësi faktit që ky është një i krishterë.
Ndërkohë një sondazh i shpejtë i organizuar prej një televizioni (A1), i drejtuar në këtë rubrikë të specializuar prej gazetarit Artur Nura, dëshmoi se 72 për qind e shqiptarëve janë të bindur se përjetojnë gjendjen e një tolerance ndërfetare të patundshme.
Po këto çaste prej radhëve të politikanëve (Kryetarit të Kuvendit) për të dytin vit u deklarua thirrja që edhe ata t’i afrohen sa më shumë këtj shëmbulli pozitiv të klerikëve.
Në fakt është i njëjta lëndë sociale për të dy palët, po ai popull. Duke qenë se populli është apo ai, mospërputhja e dy sjelljeve sigurisht mbetet si e metë e politikushtruesve.
Po ashtu provohet qartë se vlera e bashkëjetesës paqësore ndërfetare nuk krijohet dhe shumohet tek klerikët dhe prej klerikëve, nuk është produkt i tyre, por ekziston mirëfilli tek populli, është frymë e krijesë e tij. Ajo që këtë herë ra më shumë në sy se ndër vite të mëparshëm duket shkoqur në dëshirën e udhëheqësve fetarë për ta kultivuar edhe më shumë këtë dhunti. Kjo duhet të jetë shkaktuar prej inkurajimit që opinioni ynë publik i jep kësaj vlere, pse jo edhe prej “namit” që po fitojmë jashtë vendit dhe për të cilën disa Presidentë janë investuar ta përhapin. Tërë ngjyra kërshërie ishte spektakli që artisti përkohësisht kryeministër Edi Rama bëri në ditët e solidarizimit botëror me revistën satirike “Charlie Hedbo” në Paris. Kulmim i paharrueshëm ka qenë mënyra dhe pasioni personal si, me vizitën e tij në Tiranë, i dha jehonë globale kësaj cilësie Papa Françesku.
Nuk ka qenë e tillë Shqipëria e porsashpallur shtet i mëvetësishëm. Vërtet pa asnjë luftë apo konflikt të brendshëm fetar, përherë pasues i devizës së vet “feja e shqiptarit është shqiptaria”, gjithsesi ndasitë e grindjet lokale në emër të Krishtit apo të Allahut nuk kanë qenë të vogla. Në Shkodër kapnin edhe përmasa tensionesh. Në Korçë dhe Kolonjë herë dukshëm dhe shumë herë fshehtas rridhte ujë i turbulluar mes ortodoksëve dhe myslimanëve. Në Berat ka qenë fundi i viteve tridhjetë kur për herë të parë një nuse e fesë islame kaloi Urën brendaqytetëse të Goricës për të shkuar tek i dashuruari i saj i krishterë. Në vitet dyzetë mbi bazë fetare organizoheshin grupe të rinjsh që goditnin me gurë njëri-tjetrin. Në procesverbalet e mbledhjeve të celulave antifashiste gjen të regjistruar ndeshje të zellshme mes komunistëve myslimanë dhe ortodoksë.
Pas lufte Diktatura (e Proletariatit) ia zbehu feve ndikimin, atë për keq, por edhe atë për mirë. Duke qenë se kishte për doktrinë ateizmin, ajo e negativizoi gjithçka të saj, edhe frymën paqësore dhe bashkëjetuese. Deri sa më në fund në 6 shkurt 1967 shpërtheu më të padëgjuarën ngjarje në të gjithë historinë e globit: mbylljen e kishave dhe të xhamive si edhe shpalljen e Shqipërisë si vendi i parë kundërfetar.
Këtë ditë Hysni Kapo ndodhej në një vizitë në Kinë. Këtu sapo kishte shpërthyer i shumëdëgjuari Revolucion Kulturor, një shpikje e Mao Ce Dunit, i cili pëlqente, duke qenë krejt ndryshe nga të tjerët, të shndërrohej në një lider botëror. Kur Kapo u kthye në vendin e vet u entuziazmua pas krijesës së Enver Hoxhës. Shkroi në ditarin e vet: “Ky është një revolucion me vete, që do ta bëjë Shqipërinë vendin e parë në botë pa institucione kulti”. Këtë do ta deklaronte në një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh edhe vetë Hoxha: “Kjo që po bëhet në vendin tonë, nuk është bërë në botë. Ne mund të jemi, p.sh, një shekull para botës”.
Kjo shpikje e Tiranës zyrtare që po i jepte “nam” botëror Enver Hoxhës, sidoqoftë, ishte mjaft e marrë dhe njëkohësisht tepër e ndërlikuar. Duke guxuar për t’i mbyllur të gjitha foltoret dhe neutralizuar të tërë klerikët, po ashtu besimtarve kryer shplarjen e trurit, partia e vetme në pushtet e thelloi më tepër vetëkrizën e saj. Ajo me atë ngutje i hoqi popullit të vet jo vetëm një vlerë të brendshme dhe siç e vërtetoi koha pas rënies së saj, edhe të prestigjshme jashtë, por edhe një kapacitet qëndrese kombëtare. Këtë Hoxha e dinte, sepse kur njerëz të tij e pyetёn nëse një veprim i ngjashëm mund të kryhej në Kosovë, ai qe përgjigjur: “Nё kushtet e Kosovёs, kur populli ёshtё nёn diktatin serb, objektet e kultit shёrbejnё si vende ku mund tё mblidhen dhe tё flasin pёr çёshtjen kombёtare”.
Agim Mero, një nga protagonistët liberalë të kohës, ato kohë shef i rinisë, tregon një mister. Në një bisedë Ramiz Alia i ka pohuar se për nismën e gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit kundër institucioneve fetare, rreth drekës, qe takuar me Enver Hoxhën dhe të dy arritën në një mendje që ajo iniciativë të mos bëhej aq e madhe. Madje t’u tërhiqej vëmendja të përmbaheshin e t’i bënin vetes disa korigjime. Në fund të bisedës Hoxha pati porositur që Agim Meros t’i përcillej direktiva që rinia të ishte shumë e kujdeshme në veprimet e saj veçanërisht në krahinën e Shkodrës dhe të minoritetit. Këtu ndaj foltoreve dhe klerikëve të vepronte më pak. Në darkë, kur nuk qe takuar me asnjë bashkëpunëtor tjetër të lartë, Enver Hoxha e pati telefonuar Ramiz Alisë të vinte tek ai. I kishte thënë menjëherë: “Biseduam për atë çështjen e fesë, po le ta zhvillojmë, ta lidhim një çikë edhe me emancipimin e grave se i kanë fejuar që në djep. Me këtë rast i kapim të dyja këto probleme”. Kështu edhe u la, të nxitej nisma e gjimnazistëve të Durrësit. Sipas Alisë, Hoxha për këtë temë duhej të qe këshlluar me të shoqen.
Agim Mero dëshmon edhe një detaj tjetër: Rinia e Durrësit kishte shkuar në Shënavlash dhe e kishte kapur prej mjekre dhe nxjerrë jashtë nga kisha priftin. I pati thënë se selinë e tij do ta bënin shtëpi rinie. Kjo o botua të nesërmen në gazetë. Pasi e kishte lexuar këtë shkrim Meron e kishte telefonuar Mehmet Shehu: “Mirë ka vepruar rinia e Durrësit! Po këtë xhaminë në qendër të Tiranës do ta lini këtu?” “Nuk e kemi menduar akoma, shoku kryeministër”. “Mendojeni, mendojeni, po ajo dhjetë vetë dhe nja dy kazma do”. “Do ta shikojmë, shoku Mehmet”. Pas kësaj Mero mori në telefon Ramiz Alinë dhe ky i tha shkurt: “Prit njëherë ta bisedojmë me shokun Enver”. Shkoi tek Hoxha. Ky iu përgjigj prerë: “Në asnjë mënyrë!” Pastaj kish riporositur: Kujdes në Shkodër dhe në Dropull!
E megjithatë në 9 qershor 1973 PPSH e hapi pikërisht në Shkodër muzeun ateist të Shqipërisë. Ia urdhëronte këtë provokim kriza që kishte brenda vetes, marrëzia që të bënte të lavdishëm në botë një individ, Enver Hoxhën dhe jo, nëpërmjet bashkëjetesës fetare, një popull të tërë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 18 korrik 2015


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com