|
Foto: .jpg | GONXHJA QË ÇEL NË SARAJEVË
(Botuar në gazetës “Shqiptarja.com më 12 korrik 2015)
Pjesa e dytë: Vendosja në Sarajevë e shtatores së Nënë Terezës, e bekon edhe Papa Françesku
Në konferencën e shtypit të bërë në mjediset e përfaqësisë diplomatike shqiptare në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, para se shfaqja “Svetica Tame” të jepej në Festivalin Teatror, kur u deklaruan përballë publikut aktorët dhe drejtuesit e saj artistikë, po ashtu edhe organizatorët si dhe donatorët, pas Selisë së Shenjtë të përfaqësuar nga kardinali Vinko Puljiç, shoqatës “Napredak” nga presidenti i saj Franjo Topiç, qe Shqipëria me ambasadorin e vet Flamur Gashi.
Pastaj rreshtohej Maqedonia e pranishme në atë çast me nënambasadorin Valentin Mitrovski, sepse diplomati i parë i saj, i cili ishte shqiptar, qe kthyer në Shkup për të marrë një detyrë tjetër.
Në Teatrin Kombëtar të Sarajevës shfaqja u dha dy netë me sallën plot. Pastaj, i shoqëruar edhe nga ambasadori Gashi, u nis për në pikën e dytë më strategjike të Bosnjë-Hercegovinës në përhapjen e një mesazhi: kryeqytetin e Republika Serbska, Banja Lluka.
Kështu Gonxhe Bojaxhiu hyri në tokën e serbëve.
Më pas “Svetica Tame” shkoi në Mostar, në Budva, në Zagreb...
Jepej vetëm për një natë dhe nuk gjeje dot bileta.
Hoxhën në të djathtë, priftin në të majtë
Lidhja e Flamur Gashit me Nënë Terezën ishte pak më i vonë nga çasti kur ajo, e pranuar më në fund nga shteti komunist shqiptar, ndërsa qe nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë propagandistike të Nexhmije Hoxhës, vizitoi Tiranën dhe shtëpinë e saj prindërore.
Bir i një familjeje që gjatë shekullit të shkuar e kishte çuar jetën sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri, Gashi takimin me të e pati kryer në vitin që po rrëzonte të gjithë botën komuniste të eurolindjes: fundi i 1989-tës.
U ngritën në këmbë edhe studentët e punëtorët kosovarë, inteligjencia e saj doli në udhëheqje. Qe një mot të cilin Sllobodan Millosheviçi e shfrytëzoi për të bërë të kundërtën e asaj që vetë historia po e shembte. Zelli arrogant i shtypjes së shqiptarëve, histeria e nxitjes së frymës kundër tyre, pushimet masive nga puna dhe burgosjet, provokimi i të quajturit “diferencim politik”, i cili nuk ishte tjetër veç një valë e re spastrimi etnik, shkaktoi në 1990 kundërveprime të forta rezistence.
Kosova u shndërrua në një kështjellë qëndrese.
Përveç se kush qe komunist flaku teserat e qenies në partinë e socialistëve të Serbisë, bashkë me të pushuarit politikisht nga puna, shumë të tjerë, për të mos i shërbyer qeverisë së Beogradit, në shenjë proteste të hapët me të, e braktisën. Mes familjeve kjo shkaktoi një gjendje edhe më të rëndë ekonomike, prandaj edhe nisi të organizohej një fushatë e tërë ndihme humanitare.
Në ballë qe Shoqata “Nënë Tereza”. U krijua në Kosovë më 1990 jo me nismën e Gonxhes, por të një grupi veprimtarësh atdhetarë, në krye të të cilëve ishte edhe biografi i saj, hartuesi më pas i superalbumit për të, Dom Lush Gjergji. Ky që nga Prishtina, ku jetonte, i dërgoi me shkrim Nënë Terezës kërkesën që ajo t’i lejonte të krijonin një shoqatë humanitare nën emrin e saj. Përgjigja erdhi pozitive.
Me qendrën në Prishtinë dhe kryetar Dom Lush Gjergjin, degët e shoqatës u mëkëmbën dhe u shtrinë menjëherë në çdo qytet të Kosovës. Ato i ofronin familjeve në nevojë dhe të vobektëve paketa ushqimore si edhe veshjesh, të sëmurëve dhe të moshuarve ilaçe. Ndihmë veçanërisht u jepnin shtëpive joshtetërore të lindjes, ku nënat shqiptare kryenin, larg strukturave të njëjta të kontrolluara nga mjekë dhe udëbëistë serbë (ku rrezikonin shterpëzim të detyruar), daljen në jetë të fëmijëve të tyre.
Flamur Gashi qe kryetar i degës së kësaj shoqate për vendlindjen, Pejën, nëntëdhjetë e pesë për qind me popullsi besimtare myslimane. Nënkryetarë ishin prifti i qytetit, Dom Lorenc Nuiçi Sopi, djali i vëllait të ipeshkvit të Kosovës, Mark Sopi dhe imami i Strellcit, Hajni Ramadani.
Prej statusit të kryetarit të njërës degë Gashi qe automatikisht edhe anëtar i kryesisë së saj.
Ndihmat humanitare mblidheshin në kishë dhe në xhami dhe prej andej, nëpërmjet vullnetarëve, u dërgoheshin në shtëpi nevojtarëve. Mbledhjet e degës mbaheshin me rotacion: një javë në kishë dhe javën tjetër në xhami. Ndërsa udhëhiqte mbledhjen e radhës në krah të djathtë Flamur Gashi kishte hoxhën dhe në të majtë priftin.
Paralelisht qe veprimtar i vijës së parë edhe në fushatën e drejtuar prej Anton Çetës, atë për pajtimin e gjaqeve.
Qe fare i ri: vetëm disa muaj më tepër se njëzetë vjeç.
“Dua një metër katror shesh në Sarajevë!”
Pas shfaqjes teatrore “Svetica Tame” në Sarajevë, Banja Lluka, Mostar, Budva, Zagreb, sipërmarrja e dytë për të përhapur në territorin e Ballkanit ku kishte qenë ish-Jugosllavia, imazhin paqësor të humanistes katolike shqiptare Nënë Tereza, Flamur Gashi e kreu sërish në vitin 2014.
Ndërsa qe në përfundim të mandatit të tij si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe po kryente takimet e lamtumirës, i ndodhi një e papritur e dëshiruar ndërsa ishte tek kryetari i bashkisë së Sarajevës, profesor doktor Ivo Komshiç. Kur pas bisedës ndarëse dolën para medias në një deklaratë shtypi, një gazetar i tha “Keni lënë një emër të mirë në Sarajevë. A do ta vizitoni më pas?” Një tjetër nguli këmbë “Mos keni ndonjë dëshirë ta lini pas si kujtim?”
Këtë çast Flamur Gashi kishte parë nga Ivo Komshiç: “Kërkoj një shesh ndërtimi, zoti kryetar!”
“Për ambasadën”, pyeti ky.
“Jua tregova se me një vendim të qeverisë time ambasada shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë do të mbyllet. Unë kërkoj një shesh ndërtimi fare të vogël, e shumta një metër me një metër”.
“Po na bëni të gjithë kurioz përse ju duhet ky metër katror në Sarajevë”, tha kryetari i bashkisë.
“Për një shtatore”, plotësoi Flamur Gashi. “Për Nënë Terezën”, saktësoi. Pastaj shtoi: “Mund të bëjmë një marrëveshje. Ju do të gjeni vendin ku ajo të rrijë dhe unë do ta sjell, si dhuratë, shtatoren e Nënë Terezës.
Ivo Komshiç bëri me dorë shenjën “OK”.
Ndërsa njerëzit e medias e morën me vete lajmin befasues dhe ikën nëpër redaksitë e tyre për ta shpërndarë menjëherë, ambasadori Gashi ndenji edhe një çast të shkurtër me kryetarin e bashkisë së Sarajevës. Ranë dakord që vendi me territor modest, ku shtatorja do të vendosej, të qe në një pozicion dinjitoz brenda qendrës. Komshiç e premtoi edhe pse kjo nuk qe punë e lehtë. Marrëveshja e Dejtonit, që kishte rregulluar çështjen e të drejtave të shtetit të Bosnjë Hercegovinës pas lufte, për të shmangur keqpërdorimet apo sherret ndëretnike, e ndalonte rreptësishtë vendosjen e statujave në Sarajevë. Në rastet kur kjo qe tepër e nevojshme dhe ndihmonte në krijimin e frymës së bashkëjetesës paqësore, vendimin nuk do ta merrte asnjë institucion shtetëror, sado i lartë të qe, po ashtu as bashkia.
Do të ishte në dorë të një komisioni të posaçëm.
Të nesërmen e takimit (të lamtumirës, por edhe të premtimit) me Ivo Komshiç, Flamur Gashi shkoi tek kardinali i të gjithë Bosnjë-Hercegovinës, Vinko Puljiç.
Kur ia tha çfarë i pati propozuar kryetarit të bashkisë së Sarajevës dhe para gazetarëve të shtypit të shkruar e kamerave të televizioneve, ky e kishte mirëpritur. Shtatëdhjetëvjeçari papritur ishte çuar nga poltroni i tij dhe i puthi të dy duart: “Të lumtë ambasador! Të falënderoj shumë!”
Pak ditë më pas Gashi vuri në dijeni edhe imzot Franjo Topiç, arqipeshkvin e shoqatës “Predrak”. Tashmë me Komshiç, Puljiç dhe Topiç, krahët në Sarajevë i kishte të ngrohta. Nga qyteti i zëshëm ballkanik po ikte për t’u rikthyer në rastin më të parë, por jo si shëtitës turistik apo diplomat që çmallej me qytetin ku pati jetuar e shërbyer mbi katër vite, por si organizator i parë për vendosjen e shtatores së shqiptares së madhe Gonxhe Bojaxhiu.
Doemos në atdheun e vet, në Shqipëri dhe në Kosovë, do t’i duhej të zgjidhte edhe gjetjen e kësaj shtatoreje si edhe të përballonte shpenzimet për kryerjen e saj. Nuk mund t’u lutej më atyre që në Sarajevë e patën ndihmuar financiarisht për shfaqjen teatrore “Svetica Tamo”. Por duke qenë se edhe në Tiranë Ministria e Jashtme nuk i konfirmoi ripranimin në punë, ku edhe kishte qenë më parë se të shkonte me mision në BH, do t’i duhej të gjente një burim tjetër. Një ndihmë ia pati premtuar Ilir Tafa i pakursyer për çështjen shqiptare, si edhe tre miq të tjerë, por thellë vetes i kishte hipur një kokëkrisje: të prekte kursimet familjare dhe ta paguante vetë.
Por Nënë Tereza është e Lume për të gjithë shqiptarët mbi këtë tokë dhe çdo gjë për projektin e vendosjes së saj në zemër të Ballkanit, si me magji, filloi të zgjidhej pa u ndërlikuar shumë.
U shfaqën, si të ishin impulse të forta drite, dy emra: Marash Kolë Nucullaj dhe Pjerin Kolnikaj.
I pari qe bashkëkombës shqiptaro-amerikan, sipërmarrës në Detroit, dhe i dyti skulptor, madje bashkë me kolegun e tij Dylber Neziri, qenë edhe pronarët e “Albania Art Fonderi”.
Bëhet fjalë për shkritoren kryesore artistike që ka Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Ndodhet në të dalë të Tiranës, poshtë Ndroqit, atje ku kalon rruga e njohur me emrin e Kavajës.
Gonxhe Bojaxhiu, krijesa e bukur e skulptorit Pjerin Kolnikaj
Pasi në Shqipëri vizitoi disa studio, ndërsa rivështroi posaçërisht edhe shtatoret në Prishtinë apo në Tuz, sigurisht me më shumë vëmendje atë që ndodhet në hyrje të aeroportit të Rinasit, erdhi 21 shtatori, dita e vizitës papnore në Tiranë. Bashkëveprimtarë të pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe të shoqatës “Nënë Tereza”, Flamur Gashi, tashmë këshilltar diplomatik për Ballkanin pranë Presidentit shqiptar, i siguroi Marash Nucullajt dhe priftit bashkëkombës të Detroitit, Dom Ndue Gjergjit, bileta hyrëse për në sheshin kryesor të autoriteteve, para të cilit do të fliste Papa Françesku.
Marashi që e kishte lexuar në një gazetë kroate marrëveshjen e ambasadorit Gashi me kryetarin e bashkisë së Sarajevës, i tha, sapo u takuan, se edhe atij i duhej një shtatore e Nënë Terezës. Le t’i bënin të dyja bashkë. Kështu mund të kushtonin edhe më lirë.
Atëherë Flamur Gashi telefonoi Fonderinë Arti dhe dy pronarët e saj Kolnikaj dhe Neziri erdhën në pikën e takimit, piceria Era, në zonën e ish-Bllokut. Qe 20 shtator, një natë para se të vinte Papa.
Gjatë bisedës riprodhimi nga kjo shkritore e variantit të vendosur në Tuz nga vëllezërit shqiptaro-amerikanë Gojçaj, megjithëse e lehtësonte koston, u la mënjanë në kërkim të një krijimi të ri, jo të konsumuar. Ishte ky çast kur Pjerin Kolnikaj propozoi se një bocet statuje të Nënë Terezës e kishte edhe ai si autor. Qe një punë e hershme e tij. Mund ta shihnin, nëse u pëlqente.
Kur pas largimit të Papa Françeskut Gashi shkoi ta shihte bocetin në Fonderinë Arti, ajo i la mbresa të mira, të ngrohta, të gjalla. Ai e kishte takuar tri herë Nënë Terezën, në fillim në Prishtinë dhe dy herët e tjera në Tiranë. Madje edhe i pati puthur dorën. Boceti i Kolnikajt i krijoi gjendjen shpirtërore sikur e ritakoi atë për herë të katërt.
E telefonoi Marashin e kthyer në Detroit dhe e vuri në dijeni për çfarë mendonte. Ia plotësoi pamjen e gjërave edhe me ofertën e çmimit të shtatores që do të derdhej në bronc. Do të ishte 13-14 mijë euro. Bashkë me mbartjen e saj në Sarajevë gjithsej i tërë misioni kërkonte 15-16 mijë. Kostoja reale ishte 28.000 euro.
Marash Kolë Nucullaj ra dakord, por papritmas shtoi se hë për hë për një kopje të dytë të shtatores hiqte dorë (në fakt do ta porosiste më pas) dhe se atë që do të bëhej për ta vendosur në Sarajevë do ta sponsorizonte ai, deri në qindarkën e fundit.
Kështu nisi punimi i statujës. Do të qe 1.97 metra.
Ndërkaq nga një vizitë që bëri në Selinë e Shenjtë, prej mikut të tij në Radio-Vatikan, David Xhuxha, Flamur Gashi mori të dhënat e para për vizitën e Papës në Sarajevë dhe kërkoi një opinion nëse qe e mundur që në veprimtaritë e tij në kryeqytetin boshnjak të mund të vendosej edhe prania simbolike në përurimin e shtatores së Nënë Terezës.
Tjetri ngriti supet. Për axhendën papnore vendosnin autoritete shumë të larta të Selisë, por përherë nuk përjashtohej gjetja e një “truku” organizativ që Papa Françesku ta mësonte dhe ta vlerësonte këtë ngjarje.
Kur krijimi i shtatores kishte dy javë që po ecte me ritëm të mirë, nga David Xhuxha erdhi data e saktë e vizitës: 6 qershor.
Qylafi i Valentin Inckos
Kryebashkiaku i Sarajevës, Profesori Ivo Komshiç, e kishte mbajtur premtimin. Shtatorja do të vendosej para Kishës së Shën Jozefit, e cila ndodhej në sheshin e dytë më të madh të kryeqytetit boshnjak: Marin Dvor.
E ardhur nga Tirana një mbrëmje me parë statuja 360 kilogramëshe e nisi procesin e montimit në 10.00 të 4 qershorit 2015. Gjithçka u krye në më pak se një orë. Në bazamentin e saj, të ardhur nga Tirana, qe emri i krijuesit artistik, skulptorit Pjerin Kolnikaj, kurse Flamur Gashi ishte kujdesur që në pjesën ballore të gdhendej edhe një emër i dytë, ai shqiptar i Nënë Terezës: Gonxhe Bojaxhiu.
Ishte për të e papritur kur pa që në bazamentin kryesor mbi të cilin në buzë të sheshit Marin Dvor do të ngrihej shtatorja, pjesë kjo e porositur dhe e përballuar me shpenzimet e Kishës së Shën Jozefit dhe të Ipeshkëvisë Katolike të Bosnjë Hercegovinës, do të qe emri i tij si donator si edhe ai i sponsorizuesit financiar Marash Nucullaj. Gjithsesi e përmbajti gëzimin e natyrshëm që vërtet ishte larguar nga Sarajeva, por një shenjë të mandatit të tij fati e kishte sjellë ta linte aty të shkruar.
Përurimi i shtatores u bë në orën 12.00. Përshëndetje, fjalime, flamuj dhe shaje të kuq me simbole shqiptare, meshë, foto të përbashkëta, tridhjetë e tre media të pranishme, përveç një webkanali ekstremist të gjithë entuziastë, prani emocionuese e vetë Ivo Komshiçit, e kardinalit Vinko Puljiç, e ish-presidentit të Bosnjë-Hercegovinës Stepjan Kljuiç, e anëtarit të kryesisë së Partisë Boshnjake të Aksionit Demokratik (SDA), tepër e rëndësishme në jetën e vendit, Enes Çengiç, e gjeneralëve të famshëm në mbrojtjen e Sarajevës, Xhemail Najetoviç dhe e shqiptarit nga Kosova Halil Bicaj, prezenca e imzot Franjo Topiç, e Dom Luka Bërkoviç, e profesorit nga Lubjana Martin Berishaj dhe e shumë pjesëtarëve të trupës diplomatike në Sarajevë, e bënë ngjarjen fort të spikatur. Ia shtonte atë edhe atmosfera e pragpritjes së Papa Françeskut.
Gjatë ceremonisë, tamam si qershia mbi tortë, qe ajo çfarë bëri përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, austriaku Valentin Incko.
Ai vuri në kokë një qeleshe shqiptare.
Gjithë pasditen e 4 qershorit dhe në të njëzetë e katër orët e të nesërmes tufat e luleve tek Gonxhe Bojazhiu si edhe fotot e vizitorëve pranë saj nuk patën të reshtur. Të nesërmen ardhja e Papës, në kalimin që bëri nëpër Sarajevë për të shkuar në stadiumin e qytetit, ku do të mbante fjalën e vet, sipas një marrëveshjeje të bërë më parë mes njerëzve të kardinalit Puljiç dhe të Selisë së Shenjtë, që nga makina e tij bëri shenjën e bekimit për mirseardhjen e Nënë Terezës në Bosnjë-Hercegovinë.
Është vetëm 1 metër e 97 centimetra, por kjo statujë, falë tërë mënyrës si u mendua dhe u realizua, jo me krekosje të stërzmadhuar shtati por me shpirtin e përunjësisë për t’i shërbyer bashkëjetesës paqësore të popujve të gadishullit, që nga Sarajeva me siguri do të udhëtojë edhe më tej, duke hyrë në zemrën e popujve sllavë, patjetër edhe në Serbi, me domosdo edhe në Beograd.
Me të dy emrat e saj: botërorin Nënë Tereza dhe kombëtarin Gonxhe Bojazhiu.
Ylli Polovina
Tiranë, më 10 korrik 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|