|
Foto: .jpg | GONXHJA QË ÇEL NË SARAJEVË
(Botuar në gazetës “Shqiptarja.com më 11 korrik 2015)
Pjesa e parë: Historia e suksesit në ish-Jugosllavi e pjesës teatrore “Svetica Tame”, kushtuar Nënë Terezës
Duke e përmendur gjithnjë vetëm me emrin Nënë Tereza, jo vetëm të huajt e mbarë botës, por edhe ne, shqiptarët anë e kënd trojeve tona, si edhe nëpër glob, ku prej dekadash dhe shekujsh formojmë diasporë, bëjmë të na dalë nga mendja një karakteristikë shumë e veçantë e saj.
Quhet Konxhe.
Si të jetë bulëzim luleje, kjo bashkëkombëse me famë globale shpreh më mirë se me çdo fjalë tjetër kuptimin e jetës së vet, misionin e veprës që kreu dhe me të cilën hyri madhështisht në historinë e krejt njerëzimit.
Kjo ishte arsyeja (pra, që të mos e harrojmë këtë emër të bukur kombëtar) përse, kur pas përpjekjesh këmbëngulëse, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa u derdh në bronc një shtatore e Nënë Terezës për t’u vendosur në Sarajevë, që në Tiranë, në shkritoren “Fonderi Arti”, në rripin e ngushtë të bazamentit të saj, ndërsa në një anë do të vendosej emri i skulptorit, në tjetrën u gdhendën fjalët Konxhe Bojaxhiu.
Do ta tregojmë të gjithë këtë histori statujëvendosjeje për vetë domethënien e saj, por më së pari na duket i vyer një episod pararendës, edhe ky i ndodhur në Sarajevë.
Në kryeqytetin boshnjak u vu në skenë një pjesë teatrore për të. Quhej “Shenjtorja e errësirës” (“Svetica Tame”). Ishte shkruar nga maqedonasi Venko Andonovski dhe regjisor kishte kroatin Gradimir Gojer. Titulli i pjesës prej vendasve nënkuptohej si shenjtorja që i nxjerr njerëzit nga terri.
Në “Svetica Tame” Nënë Tereza luhet prej aktores me origjinë maqedonase Kostandinka Velkovska. Ajo jeton në Zagreb dhe punon në Teatrin Kombëtar të Kroacisë.
Interpretues të tjerë qenë boshnjaket Irena Mulamuhiç dhe Aida Bukva, serbi Dushan Bugarin, boshnjakët Muharem Osmiç, Ahmet Duvnjak dhe Alija Aljoviç, kroati Tibor Oreç.
Mes tyre në dy role kryesore luajti edhe aktori shqiptar Ilir Tafa, i shumënjohur në trojet e ish-Jugosllavisë për shkëlqimin profesional në serialin zbavitës dhe vetëqortues për të gjithë popujt që përbënin federatën e dikurshme, “Lud, zbunjen, normalan” (“I çmendur, i trëmbur dhe normal”). Deri tani ky serial përfshin pothuaj dyqind pjesë.
“Lud, zbunjen, normalan” është një nga krijesat artistike më mbresëlënëse të gadishullit pas rënies së Murit të Berlinit.
Shkup, projekti Gruevski: 5,1 milion euro për një shtatore të Nënë Terezës 35 metra të lartë
Depërtimi në Ballkan i simboleve shqiptare bën prej shekujsh një rrugëtim të vështirë, siç edhe ndodh e anasjella nga fqinjët. Siujdhesa jonë nuk vetëmbyllet aq shumë prej maleve se sa nga fodullëku lokal, veçanërisht prej krekosjes etnike.
Në trojet shqipfolëse nuk gjen të ngulitur ndonjë emër personaliteti serb, përveç për keq car Dushanin e shtatë shekujve më parë. Nuk ndodhet i mirseardhur asnjë malazez. As edhe ndonjë boshnjak, madje. Dyerhapët simpatia shqiptare mbetet vetëm për kroatin Milan Shuflaj, albanolog që dha jetën për ne.
Ndërkaq prej maqedonasve citohet rregullisht dhe pa ndonjë pezm Aleksandri i Madh. Kjo nuk ngjan patjetër sepse nëna i vinte prej viseve të ilirëve parashqiptarë. Depërtimi i prestigjit të tij brenda trojeve tona nuk na ka ardhur nga kufiri i ngushtë i shtetit fqinj, por prej hapësirave të gjëra të botës, në historinë e të cilës ai ka zenë një vend epror.
Shqiptarët deri në fillim të këtij dymijëvjeçari kanë mundur të kenë me forcë imazhi të përbotshëm vetëm dy figura të tyre: Gjergj Kastriotin dhe Nënë Terezën.
I pari ka pesë shekuj që nuk është zbehur dhe nëpër popuj të tjerë legjenda për të qarkullon ende herë pas here. Kulmin e përhapjes e ka pasur në kontinentin evropian për sa kohë për të ekzistonte dhe përbënte rrezik Perandoria Osmane. Me dobësimin e saj fama e tij erdhi dhe u mblodh brenda shqiptarëve, duke u bërë me këtë rast edhe jo vetëm personifikimi i tyre, por edhe koraca e atdhetarizmit.
Figurë përfaqësuese e luftës për liri, Skënderbeu pëlqehet të citohet nëpër mesazhet përshëndetëse të qeverive të huaja dashamirëse apo të shtypet në Tiranë nëpër medalje të Presidencës, të zërë vende qendrore në disa seli të tjera të Shtetit Shqiptar. Ndodhet në të gjitha shenjat njohëse të shkresave administrative, të uniformave ushtarake gjithashtu. Këtë nderim shtetëror Gjergj Kastrioti e ka edhe tek Republika e Kosovës.
Ndoshta për shkak të të gjitha këtyre karakteristikeve Skënderbeu nuk shtrihet dot në tërë Ballkanin, sidomos në pjesën sllave. Me emrin e tij ka vetëm një rrugë dytësore në Beograd, por asnjë bust gjithandej Serbisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës. Një i tillë ndodhet në Ulqin, por si vetëm nismë e shqiptarëve.
Në Malin e Zi madje e mbajnë fshehur lidhjen e gjakut që dera e tyre mbretërore e ka pasur, nëpërmjet një motre të Skënderbeut, me familjen princërore të Kastriotëve.
Një monument i lartë i tij ndodhet në Maqedoni, saktësisht në Dibër të Madhe, por aspak si dëshirë e popullsisë sllave të vendit. Një i dytë ngrihet në mes të Prishtinës. Një shfaqje e tretë e tij gjendet në Preshevë, por edhe këtu për hir të shqiptarëve.
Duke qenë tepër shqiptar, imazhi i Skënderbeut hapi udhë për Nënë Terezën, botëroren. Konxhe Bojaxhiu i ka të gjithë treguesit e një figure të pranuar dhe të dëshiruar ndërkombëtarisht. Sa më shumë që e duan atë shqiptarët, aq më tepër ajo vijon përhapjen e saj në glob. Mburren me të edhe maqedonasit, por edhe në rastin e tyre ndodh e njëjta gjë: imazhi i Nënë Terezës nëpër kontinentet e botës vetëm shumohet.
Në Ballkan për këtë veprimtare të shenjtë katolike ka një rivalitet midis shqiptarëve dhe sllavëve të shtetit fqinj me kryeqendër Shkupin. Konxhe Bojaxhiu, e cila tashmë i takon tërë njerëzimit, ka dy atdhe. Edhe pse vetë ajo e ka mbyllur çështjen e përkatësisë së saj etnike, sidoqoftë për ta bërë sa më shumë “maqedonase” kohët e fundit qeveria Gruevski ka miratuar për zbatim një projekt: Nënë Terezës do t’i ngrihet në Shkup një monument 35 metra i lartë.
Ai do të kushtojë plot 5 milion e njëqind mijë euro.
“Svetica Tame”
Duke qenë se Skënderbeu është figurë përfaqësuese e shqiptarëve dhe Nënë Tereza jo (sepse është globale), në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, ndodhën njëra pas tjetrës dy ngjarje që lidhen me përhapjen e imazhit të saj në Ballkan.
Humanistja e përbotshme, duke qenë se është bijë e trojeve me shumicë myslimane (territori gjeografik Kosovë-Maqedoni), prej besimtarëve të kësaj feje ka dashamirësi. Në rast se për shkak të këtyre cilësive një pjesë teatrore apo një bust a shtatore e Nënë Terezës është sipërmarrje më e lehtë në Kroacinë apo Slloveninë katolike, nuk është e tillë as në Beograd, por as edhe në Sarajevë.
Sidoqoftë brenda disa muajve ndodhi një gjë gëzueshëm befasuese.
Në kryeqytetin e shtetit të pleksur etnikisht më së shumti mes boshnjakëve dhe serbëve, një diplomat shqiptar u bë protagonist në shfaqjen e një pjese teatrore për Nënë Terezën.
Por edhe në vendosjen e një shtatoreje të saj.
Ky qe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë në periudhën 2009-2014: Flamur Gashi.
Çdo vit në Sarajevë organizohet Java e Teatrit, një festival, i cili tërheq shumë vëmendje ndërkombëtare. Regjisori kroat Gradimir Gojer, dikur ministër i kulturës së Bosnjë-Hercegovinës si edhe për disa kohë nënkryetar i bashkisë së Sarajevës, i tha një ditë diplomatit shqiptar se kishte në dorë një projekt, realizimin e të cilit e dëshironte me gjithë shpirt: Në javën teatrore sarajevase me dukshmëri të lartë për mediat dhe opinionin publik, dëshironte të shfaqte pjesën “Svetica Tame”.
I shpjegoi ambasadorit shqiptar se ndërkohë ajo ishte luajtur për publikun në Maqedoni. Nismëtar i saj qe një sllav maqedonas, Venko Andonovski, i cili kishte thurur tekstin dramaturgjik. Edhe pse prej autorit qe hartuar me gjuhën e vendit të vet, Gojer saktësoi se tashmë e kishte edhe një variant të tekstit në serbo-kroatisht, me pak fjalë në gjuhën e përbashkët të dikurshme të ish-Jugosllavisë, e cila përdorej mirë në Bosnjë.
Flamur Gashi e njihte shumë mirë këtë gjuhë dhe i kërkoi lëndën e shkruar. Ai që në fillim nuk mëdyshoi për vlerën e asaj që propozonte Gojer.
Pjesa teatrore për Nënë Terezën në mes të festivalit të përvitshëm do të ishte një mundësi e madhe për ta futur shqiptaren Konxhe Bojaxhiu në mes të qytetit të Sarajevës dhe pak nga pak edhe nëpër qytete të tjera të Bosnjë-Hercegovinës.
Përse jo edhe në zemër të Republikës Serbska, në territorin e vështirë ku dashamirësia jo vetëm për boshnjakët, por edhe për shqiptarët, qe një ndjesi e lënë mënjanë.
Gjatë bisedës, në të vërtetë, Gradimir Gojer e kishte paralajmëruar mundësinë që diplomati i Tiranës të gjente çdo arsye për ta anashkaluar bashkëpunimin me maqedonasit, pasi dihej që këta të fundit bënin çmos që Nënë Tereza të konsiderohej e tëra bijë e tyre. I tha Flamur Gashit se shfaqja e kësaj pjese teatrore me skenarist një maqedonas dhe ca më tepër me në rolin e Nënë Terezës një sllave maqedonase, mund të ishte një arsye dhe shkas që diplomati shqiptar të mos i afrohej kësaj nisme të tij.
“Unë dua që këtë pjesë të bukur ta bëj të shikueshme për botën serbo-kroate, tha Gradimir Gojer, Sarajeva dhe java e saj teatrore është vendi i duhur për këtë hyrje të saj”.
Dhe pyeti: “Mos na pengon ndonjë gjë?”
Gashi ia ktheu: “Që autori i dramës është maqedonas, që aktorja e cila luan Nënë Terezën është maqedonase dhe qe pjesa fillimisht është interpretuar në Maqedoni, nuk na pengon fare”.
Tjetri, jo pak i lehtësuar, i tha se tekstin e dramës e pati lexuar edhe kardinali Vinko Puljiç, hierarku më i lartë katolik i Bosnjë-Hercegovinës dhe kur ia kishte kthyer i pati pohuar se e kishte lexuar për tërë natën dhe se pati qarë. Fjalët e tij të fundit kishin qenë “Më ka tronditur kjo pjesë”.
Pastaj saktësoi se Puljiç jo vetëm qe dakord që “Svetica Tame” të shfaqej në festivalin teatror të Sarajevës për atë vit, pranverë 2014, por për ta shpejtuar këtë proces ishte gati edhe ai vetë të ndihmonte në një përshtatje të tekstit. Do të ishin ndërhyrje teknike. Duke qenë se Venko Andonovski ishte një i krishterë ortodoks në disa skena liturgjike të dramës i pati paraqitur ritet e kësaj feje pak të përputhshme me ato të praktikës katolike.
Flamur Gashi e mori tekstin për ta lexuar dhe në shenjë mirënjohje regjisorit kroat me jetesë dhe punë në Sarajevë, Gradimir Gojer, i dhuroi një kopje të albumit më të mirë që deri tani është bërë për Nënë Terezën: atë të dom Lush Gjergjit, kancelar i ipeshkëvisë së Kosovës.
Botimi i tij qe bërë me fonde të qeverisë së saj, kur president dhe përkujdesës kryesor për këtë nismë ishte Ibrahim Rugova.
Ambasadori Gashi e lexoi pjesën dhe e gjeti atë mjaft të baraspeshuar në paraqitjen e raporteve shqiptaro-maqedonase të lidhjes me jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Venko Andonovski e pati shkruar që në fillim se Nënë Tereza ishte e përkatësisë etnike shqiptare.
Beteja për sponsorizim, luftë flamujsh kombëtarë
Pas tre ditësh Flamur Gashi u ritakua me Gojer dhe i ktheu përgjigjen: qe plotësisht dakord që “Svetica Tame” të luhej në Javën Teatrore të Sarajevës.
Gradimir iu përgjigj se kjo e gëzonte shumë dhe se vendimi i ambasadorit shqiptar do ta bënte shumë entuziast edhe kardinalin Vinko Puljiç. Pasi e njoftoi katolikun e lartë brenda asaj dite procedura e nismës mbërriti në pikën e dytë: përballimi i shpenzimeve. Ajo do të kushtonte 18 mijë euro. Gjashtë mijë i pati premtuar Puljiç, gjashtë mijë të tjera shoqata kroate “Napredak”, e shumënjohura bashkësi që ndihmon në fushën e kulturës. “Napredak” (“Përparimi”), gjatë pesë viteve të rrethimit gjakatar serb të Sarajevës qëndroi në qytet, duke përgatitur çdo ditë për të uriturit e saj 2800 racione ushqimore. Drejtues i kësaj shoqate është një hero, monsinjor Franjo Topiç, ipeshkv, kroat katolik, person me një reputacion aq të mirë sa në çdo kohë mund ta zgjedhësh president të Bosnjë-Hercegovinës.
Kështu mbeti të zgjidhej sponsorizimi me gjashtë mijë eurot e treta. “Nuk e di nëse ju, tha Gradimir Gojer, jeni të interesuar të jepni diçka?”
“Patjetër”, iu përgjigj ambasadori Gashi. Ndërkaq saktësoi: “Shteti shqiptar do të japë 4000 euro, 2000 le të jenë kontribut i Shkupit”.
Sapo u ndanë ai i bëri shkresë Ministrisë së vet dhe priti përgjigjen.
Kaluan tre javë dhe regjisori i “Svetica Tame”, që me sa duket e kuptoi se në ambasadën shqiptare nuk po ja dilnin dot të siguronin shumën e zotuar, iu paraqit Flamur Gashit dhe i tha: “Ju vë në dijeni se ambasada maqedonase më është ofruar t’i japë të gjitha gjashtë mijë eurot”.
“Në mënyrë absolute jo, ndërhyri diplomati shqiptar, do të japim edhe ne, madje pjesën më të madhe”. Tjetri e pa me mëdyshje. I shkoi në mend se raporti mes Tiranës dhe Shkupit mund të rregullohej edhe me 3.500 euro për të parën dhe 2.500 për të dytën. Ia shprehu këtë Gashit. Ky nuk e kundërshtoi. E kujtoi sërish Ministrinë e vet të mundësonte këtë financim. Kishte plot arsye të këmbëngulte edhe njëherë tjetër në idenë e vet. Nënë Tereza ishte shqiptare dhe jo vetëm për hir të kësaj simbolike, pjesën më të madhe të gjashtë mijë eurove duhej ta paguante vendi i tij. Ndërkohë ky raport me ambasadën maqedonase në Sarajevë përcaktonte edhe radhën e shenjave me flamuj që do të vendoseshin në afishet nëpër mjediset publike dhe në media, si edhe nëpër ftesat kryesore të shfaqjes. Po të kontribuonte ambasada shqiptare me një shumë nën tremijë euro kuqeziu me shqiponjën e zezë do të rrinte në fund të sponsorizuesve, pas flamurit të Republikës së Maqedonisë.
Pritja e një përgjigjeje nga Tirana çdo ditë e më shumë bëhej e pashpresë. I rishpjegonin gjendjen e shtrëngimit të fondeve, pakicën e tyre, ambasadat e tjera që kërkonin për punë jo më pak të rëndësishme. .
Kështu mbërriti dita e mbledhjes së parë të trupës, prej të cilit çast, në ditët vijuese, do të fillonte procesi i provave për shfaqje. Kjo periudhë, deri tek Java Teatrore, qe dy muaj.
Ambasadori Gashi mori pjesë në këtë takim solemn, i cili ishte njëkohësisht edhe konferencë për shtyp, por shpirtërisht ndihej mjaft keq.
E dalloi gjendjen e tij të turbulluar aktori Ilir Tafa dhe iu avit fare butë. Kur e gjeti rastin e pyeti përse qe ashtu, mos kishte ndonjë hall familjar. Flamur Gashi më në fund ia pohoi arsyen.
Tjetri vuri buzën në gaz: “2500 euro do t’i jap unë prej honorareve që marr nga filmi “Lud, zbunjen, normalan”.
Ilir Tafa erdhi pas një ore me paratë kesh. Ia dha në dorë: “Mos e thuaj kurrë se janë dhuratë e imja, por deklaro ballëlart se i ka vënë Ambasada e Republikës së Shqipërisë!”
Të nesërmen Flamur Gashit i erdhi nga Tirana fondi i pagës së tij mujore. Mori 1000 euro prej saj dhe i bashkoi me të parat.
Kështu u bënë 3.500 euro.
Ia dorëzoi menjëherë Gradimir Gojerit.
(Vijon)
Ylli Polovina
Fotot shoqëruese:
01.Konferenca për shtyp e trupës teatrore në mjediset e ambasadës shqiptare në Sarajevë.
02. Afishja e shfaqjes.
03. Aktorja maqedonase Kostandinka Velkovska në rolin e Nënë Terezës.
04. Salla e shfaqjes së Teatrit Kombëtar në Sarajevë.
KONXHJA QË ÇEL NË SARAJEVË
Pjesa e dytë: Vendosja në Sarajevë e shtatores së Nënë Terezës, e bekon edhe Papa Françesku
Në konferencën e shtypit të bërë në mjediset e përfaqësisë diplomatike shqiptare në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës, para se shfaqja “Svetica Tame” të jepej në Festivalin Teatror, kur u deklaruan përballë publikut aktorët dhe drejtuesit e saj artistikë, po ashtu edhe organizatorët si dhe donatorët, pas Selisë së Shenjtë të përfaqësuar nga kardinali Vinko Puljiç, shoqatës “Napredak” nga presidenti i saj Franjo Topiç, qe Shqipëria me ambasadorin e vet Flamur Gashi.
Pastaj rreshtohej Maqedonia e pranishme në atë çast me nënambasadorin Valentin Mitrovski, sepse diplomati i parë i saj, i cili ishte shqiptar, qe kthyer në Shkup për të marrë një detyrë tjetër.
Në Teatrin Kombëtar të Sarajevës shfaqja u dha dy netë me sallën plot. Pastaj, i shoqëruar edhe nga ambasadori Gashi, u nis për në pikën e dytë më strategjike të Bosnjë-Hercegovinës në përhapjen e një mesazhi: kryeqytetin e Republika Serbska, Banja Lluka.
Kështu Konxhe Bojaxhiu hyri në tokën e serbëve.
Më pas “Svetica Tame” shkoi në Mostar, në Budva, në Zagreb...
Jepej vetëm për një natë dhe nuk gjeje dot bileta.
Hoxhën në të djathtë, priftin në të majtë
Lidhja e Flamur Gashit me Nënë Terezën ishte pak më i vonë nga çasti kur ajo, e pranuar më në fund nga shteti komunist shqiptar, ndërsa qe nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë propagandistike të Nexhmije Hoxhës, vizitoi Tiranën dhe shtëpinë e saj prindërore.
Bir i një familjeje që gjatë shekullit të shkuar e kishte çuar jetën sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri, Gashi takimin me të e pati kryer në vitin që po rrëzonte të gjithë botën komuniste të eurolindjes: fundi i 1989-tës.
U ngritën në këmbë edhe studentët e punëtorët kosovarë, inteligjencia e saj doli në udhëheqje. Qe një mot të cilin Sllobodan Millosheviçi e shfrytëzoi për të bërë të kundërtën e asaj që vetë historia po e shembte. Zelli arrogant i shtypjes së shqiptarëve, histeria e nxitjes së frymës kundër tyre, pushimet masive nga puna dhe burgosjet, provokimi i të quajturit “diferencim politik”, i cili nuk ishte tjetër veç një valë e re spastrimi etnik, shkaktoi në 1990 kundërveprime të forta rezistence.
Kosova u shndërrua në një kështjellë qëndrese.
Përveç se kush qe komunist flaku teserat e qenies në partinë e socialistëve të Serbisë, bashkë me të pushuarit politikisht nga puna, shumë të tjerë, për të mos i shërbyer qeverisë së Beogradit, në shenjë proteste të hapët me të, e braktisën. Mes familjeve kjo shkaktoi një gjendje edhe më të rëndë ekonomike, prandaj edhe nisi të organizohej një fushatë e tërë ndihme humanitare.
Në ballë qe Shoqata “Nënë Tereza”. U krijua në Kosovë më 1990 jo me nismën e Konxhes, por të një grupi veprimtarësh atdhetarë, në krye të të cilëve ishte edhe biografi i saj, hartuesi më pas i superalbumit për të, Dom Lush Gjergji. Ky që nga Prishtina, ku jetonte, i dërgoi me shkrim Nënë Terezës kërkesën që ajo t’i lejonte të krijonin një shoqatë humanitare nën emrin e saj. Përgjigja erdhi pozitive.
Me qendrën në Prishtinë dhe kryetar Dom Lush Gjergjin, degët e shoqatës u mëkëmbën dhe u shtrinë menjëherë në çdo qytet të Kosovës. Ato i ofronin familjeve në nevojë dhe të vobektëve paketa ushqimore si edhe veshjesh, të sëmurëve dhe të moshuarve ilaçe. Ndihmë veçanërisht u jepnin shtëpive joshtetërore të lindjes, ku nënat shqiptare kryenin, larg strukturave të njëjta të kontrolluara nga mjekë dhe udëbëistë serbë (ku rrezikonin shterpëzim të detyruar), daljen në jetë të fëmijëve të tyre.
Flamur Gashi qe kryetar i degës së kësaj shoqate për vendlindjen, Pejën, nëntëdhjetë e pesë për qind me popullsi besimtare myslimane. Nënkryetarë ishin prifti i qytetit, Dom Lorenc Nuiçi Sopi, djali i vëllait të ipeshkvit të Kosovës, Mark Sopi dhe imami i Strellcit, Hajni Ramadani.
Prej statusit të kryetarit të njërës degë Gashi qe automatikisht edhe anëtar i kryesisë së saj.
Ndihmat humanitare mblidheshin në kishë dhe në xhami dhe prej andej, nëpërmjet vullnetarëve, u dërgoheshin në shtëpi nevojtarëve. Mbledhjet e degës mbaheshin me rotacion: një javë në kishë dhe javën tjetër në xhami. Ndërsa udhëhiqte mbledhjen e radhës në krah të djathtë Flamur Gashi kishte hoxhën dhe në të majtë priftin.
Paralelisht qe veprimtar i vijës së parë edhe në fushatën e drejtuar prej Anton Çetës, atë për pajtimin e gjaqeve.
Qe fare i ri: vetëm disa muaj më tepër se njëzetë vjeç.
“Dua një metër katror shesh në Sarajevë!”
Pas shfaqjes teatrore “Svetica Tame” në Sarajevë, Banja Lluka, Mostar, Budva, Zagreb, sipërmarrja e dytë për të përhapur në territorin e Ballkanit ku kishte qenë ish-Jugosllavia, imazhin paqësor të humanistes katolike shqiptare Nënë Tereza, Flamur Gashi e kreu sërish në vitin 2014.
Ndërsa qe në përfundim të mandatit të tij si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe po kryente takimet e lamtumirës, i ndodhi një e papritur e dëshiruar ndërsa ishte tek kryetari i bashkisë së Sarajevës, profesor doktor Ivo Komshiç. Kur pas bisedës ndarëse dolën para medias në një deklaratë shtypi, një gazetar i tha “Keni lënë një emër të mirë në Sarajevë. A do ta vizitoni më pas?” Një tjetër nguli këmbë “Mos keni ndonjë dëshirë ta lini pas si kujtim?”
Këtë çast Flamur Gashi kishte parë nga Ivo Komshiç: “Kërkoj një shesh ndërtimi, zoti kryetar!”
“Për ambasadën”, pyeti ky.
“Jua tregova se me një vendim të qeverisë time ambasada shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë do të mbyllet. Unë kërkoj një shesh ndërtimi fare të vogël, e shumta një metër me një metër”.
“Po na bëni të gjithë kurioz përse ju duhet ky metër katror në Sarajevë”, tha kryetari i bashkisë.
“Për një shtatore”, plotësoi Flamur Gashi. “Për Nënë Terezën”, saktësoi. Pastaj shtoi: “Mund të bëjmë një marrëveshje. Ju do të gjeni vendin ku ajo të rrijë dhe unë do ta sjell, si dhuratë, shtatoren e Nënë Terezës.
Ivo Komshiç bëri me dorë shenjën “OK”.
Ndërsa njerëzit e medias e morën me vete lajmin befasues dhe ikën nëpër redaksitë e tyre për ta shpërndarë menjëherë, ambasadori Gashi ndenji edhe një çast të shkurtër me kryetarin e bashkisë së Sarajevës. Ranë dakord që vendi me territor modest, ku shtatorja do të vendosej, të qe në një pozicion dinjitoz brenda qendrës. Komshiç e premtoi edhe pse kjo nuk qe punë e lehtë. Marrëveshja e Dejtonit, që kishte rregulluar çështjen e të drejtave të shtetit të Bosnjë Hercegovinës pas lufte, për të shmangur keqpërdorimet apo sherret ndëretnike, e ndalonte rreptësishtë vendosjen e statujave në Sarajevë. Në rastet kur kjo qe tepër e nevojshme dhe ndihmonte në krijimin e frymës së bashkëjetesës paqësore, vendimin nuk do ta merrte asnjë institucion shtetëror, sado i lartë të qe, po ashtu as bashkia.
Do të ishte në dorë të një komisioni të posaçëm.
Të nesërmen e takimit (të lamtumirës, por edhe të premtimit) me Ivo Komshiç, Flamur Gashi shkoi tek kardinali i të gjithë Bosnjë-Hercegovinës, Vinko Puljiç.
Kur ia tha çfarë i pati propozuar kryetarit të bashkisë së Sarajevës dhe para gazetarëve të shtypit të shkruar e kamerave të televizioneve, ky e kishte mirëpritur. Shtatëdhjetëvjeçari papritur ishte çuar nga poltroni i tij dhe i puthi të dy duart: “Të lumtë ambasador! Të falënderoj shumë!”
Pak ditë më pas Gashi vuri në dijeni edhe imzot Franjo Topiç, arqipeshkvin e shoqatës “Predrak”. Tashmë me Komshiç, Puljiç dhe Topiç, krahët në Sarajevë i kishte të ngrohta. Nga qyteti i zëshëm ballkanik po ikte për t’u rikthyer në rastin më të parë, por jo si shëtitës turistik apo diplomat që çmallej me qytetin ku pati jetuar e shërbyer mbi katër vite, por si organizator i parë për vendosjen e shtatores së shqiptares së madhe Konxhe Bojaxhiu.
Doemos në atdheun e vet, në Shqipëri dhe në Kosovë, do t’i duhej të zgjidhte edhe gjetjen e kësaj shtatoreje si edhe të përballonte shpenzimet për kryerjen e saj. Nuk mund t’u lutej më atyre që në Sarajevë e patën ndihmuar financiarisht për shfaqjen teatrore “Svetica Tamo”. Por duke qenë se edhe në Tiranë Ministria e Jashtme nuk i konfirmoi ripranimin në punë, ku edhe kishte qenë më parë se të shkonte me mision në BH, do t’i duhej të gjente një burim tjetër. Një ndihmë ia pati premtuar Ilir Tafa i pakursyer për çështjen shqiptare, si edhe tre miq të tjerë, por thellë vetes i kishte hipur një kokëkrisje: të prekte kursimet familjare dhe ta paguante vetë.
Por Nënë Tereza është e Lume për të gjithë shqiptarët mbi këtë tokë dhe çdo gjë për projektin e vendosjes së saj në zemër të Ballkanit, si me magji, filloi të zgjidhej pa u ndërlikuar shumë.
U shfaqën, si të ishin impulse të forta drite, dy emra: Marash Kolë Nucullaj dhe Pjerin Kolnikaj.
I pari qe bashkëkombës shqiptaro-amerikan, sipërmarrës në Detroit, dhe i dyti skulptor, madje bashkë me kolegun e tij Dylber Neziri, qenë edhe pronarët e “Albania Art Fonderi”.
Bëhet fjalë për shkritoren kryesore artistike që ka Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Ndodhet në të dalë të Tiranës, poshtë Ndroqit, atje ku kalon rruga e njohur me emrin e Kavajës.
Konxhe Bojaxhiu, krijesa e bukur e skulptorit Pjerin Kolnikaj
Pasi në Shqipëri vizitoi disa studio, ndërsa rivështroi posaçërisht edhe shtatoret në Prishtinë apo në Tuz, sigurisht me më shumë vëmendje atë që ndodhet në hyrje të aeroportit të Rinasit, erdhi 21 shtatori, dita e vizitës papnore në Tiranë. Bashkëveprimtarë të pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe të shoqatës “Nënë Tereza”, Flamur Gashi, tashmë këshilltar diplomatik për Ballkanin pranë Presidentit shqiptar, i siguroi Marash Nucullajt dhe priftit bashkëkombës të Detroitit, Dom Ndue Gjergjit, bileta hyrëse për në sheshin kryesor të autoriteteve, para të cilit do të fliste Papa Françesku.
Marashi që e kishte lexuar në një gazetë kroate marrëveshjen e ambasadorit Gashi me kryetarin e bashkisë së Sarajevës, i tha, sapo u takuan, se edhe atij i duhej një shtatore e Nënë Terezës. Le t’i bënin të dyja bashkë. Kështu mund të kushtonin edhe më lirë.
Atëherë Flamur Gashi telefonoi Fonderinë Arti dhe dy pronarët e saj Kolnikaj dhe Neziri erdhën në pikën e takimit, piceria Era, në zonën e ish-Bllokut. Qe 20 shtator, një natë para se të vinte Papa.
Gjatë bisedës riprodhimi nga kjo shkritore e variantit të vendosur në Tuz nga vëllezërit shqiptaro-amerikanë Gojçaj, megjithëse e lehtësonte koston, u la mënjanë në kërkim të një krijimi të ri, jo të konsumuar. Ishte ky çast kur Pjerin Kolnikaj propozoi se një bocet statuje të Nënë Terezës e kishte edhe ai si autor. Qe një punë e hershme e tij. Mund ta shihnin, nëse u pëlqente.
Kur pas largimit të Papa Françeskut Gashi shkoi ta shihte bocetin në Fonderinë Arti, ajo i la mbresa të mira, të ngrohta, të gjalla. Ai e kishte takuar tri herë Nënë Terezën, në fillim në Prishtinë dhe dy herët e tjera në Tiranë. Madje edhe i pati puthur dorën. Boceti i Kolnikajt i krijoi gjendjen shpirtërore sikur e ritakoi atë për herë të katërt.
E telefonoi Marashin e kthyer në Detroit dhe e vuri në dijeni për çfarë mendonte. Ia plotësoi pamjen e gjërave edhe me ofertën e çmimit të shtatores që do të derdhej në bronc. Do të ishte 13-14 mijë euro. Bashkë me mbartjen e saj në Sarajevë gjithsej i tërë misioni kërkonte 15-16 mijë. Kostoja reale ishte 28.000 euro.
Marash Kolë Nucullaj ra dakord, por papritmas shtoi se hë për hë për një kopje të dytë të shtatores hiqte dorë (në fakt do ta porosiste më pas) dhe se atë që do të bëhej për ta vendosur në Sarajevë do ta sponsorizonte ai, deri në qindarkën e fundit.
Kështu nisi punimi i statujës. Do të qe 1.97 metra.
Ndërkaq nga një vizitë që bëri në Selinë e Shenjtë, prej mikut të tij në Radio-Vatikan, David Xhuxha, Flamur Gashi mori të dhënat e para për vizitën e Papës në Sarajevë dhe kërkoi një opinion nëse qe e mundur që në veprimtaritë e tij në kryeqytetin boshnjak të mund të vendosej edhe prania simbolike në përurimin e shtatores së Nënë Terezës.
Tjetri ngriti supet. Për axhendën papnore vendosnin autoritete shumë të larta të Selisë, por përherë nuk përjashtohej gjetja e një “truku” organizativ që Papa Françesku ta mësonte dhe ta vlerësonte këtë ngjarje.
Kur krijimi i shtatores kishte dy javë që po ecte me ritëm të mirë, nga David Xhuxha erdhi data e saktë e vizitës: 6 qershor.
Qylafi i Valentin Inckos
Kryebashkiaku i Sarajevës, Profesori Ivo Komshiç, e kishte mbajtur premtimin. Shtatorja do të vendosej para Kishës së Shën Jozefit, e cila ndodhej në sheshin e dytë më të madh të kryeqytetit boshnjak: Marin Dvor.
E ardhur nga Tirana një mbrëmje me parë statuja 360 kilogramëshe e nisi procesin e montimit në 10.00 të 4 qershorit 2015. Gjithçka u krye në më pak se një orë. Në bazamentin e saj, të ardhur nga Tirana, qe emri i krijuesit artistik, skulptorit Pjerin Kolnikaj, kurse Flamur Gashi ishte kujdesur që në pjesën ballore të gdhendej edhe një emër i dytë, ai shqiptar i Nënë Terezës: Konxhe Bojaxhiu.
Ishte për të e papritur kur pa që në bazamentin kryesor mbi të cilin në buzë të sheshit Marin Dvor do të ngrihej shtatorja, pjesë kjo e porositur dhe e përballuar me shpenzimet e Kishës së Shën Jozefit dhe të Ipeshkëvisë Katolike të Bosnjë Hercegovinës, do të qe emri i tij si donator si edhe ai i sponsorizuesit financiar Marash Nucullaj. Gjithsesi e përmbajti gëzimin e natyrshëm që vërtet ishte larguar nga Sarajeva, por një shenjë të mandatit të tij fati e kishte sjellë ta linte aty të shkruar.
Përurimi i shtatores u bë në orën 12.00. Përshëndetje, fjalime, flamuj dhe shaje të kuq me simbole shqiptare, meshë, foto të përbashkëta, tridhjetë e tre media të pranishme, përveç një webkanali ekstremist të gjithë entuziastë, prani emocionuese e vetë Ivo Komshiçit, e kardinalit Vinko Puljiç, e ish-presidentit të Bosnjë-Hercegovinës Stepjan Kljuiç, e anëtarit të kryesisë së Partisë Boshnjake të Aksionit Demokratik (SDA), tepër e rëndësishme në jetën e vendit, Enes Çengiç, e gjeneralëve të famshëm në mbrojtjen e Sarajevës, Xhemail Najetoviç dhe e shqiptarit nga Kosova Halil Bicaj, prezenca e imzot Franjo Topiç, e Dom Luka Bërkoviç, e profesorit nga Lubjana Martin Berishaj dhe e shumë pjesëtarëve të trupës diplomatike në Sarajevë, e bënë ngjarjen fort të spikatur. Ia shtonte atë edhe atmosfera e pragpritjes së Papa Françeskut.
Gjatë ceremonisë, tamam si qershia mbi tortë, qe ajo çfarë bëri përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, austriaku Valentin Incko.
Ai vuri në kokë një qeleshe shqiptare.
Gjithë pasditen e 4 qershorit dhe në të njëzetë e katër orët e të nesërmes tufat e luleve tek Konxhe Bojazhiu si edhe fotot e vizitorëve pranë saj nuk patën të reshtur. Të nesërmen ardhja e Papës, në kalimin që bëri nëpër Sarajevë për të shkuar në stadiumin e qytetit, ku do të mbante fjalën e vet, sipas një marrëveshjeje të bërë më parë mes njerëzve të kardinalit Puljiç dhe të Selisë së Shenjtë, që nga makina e tij bëri shenjën e bekimit për mirseardhjen e Nënë Terezës në Bosnjë-Hercegovinë.
Është vetëm 1 metër e 97 centimetra, por kjo statujë, falë tërë mënyrës si u mendua dhe u realizua, jo me krekosje të stërzmadhuar shtati por me shpirtin e përunjësisë për t’i shërbyer bashkëjetesës paqësore të popujve të gadishullit, që nga Sarajeva me siguri do të udhëtojë edhe më tej, duke hyrë në zemrën e popujve sllavë, patjetër edhe në Serbi, me domosdo edhe në Beograd.
Me të dy emrat e saj: botërorin Nënë Tereza dhe kombëtarin Konxhe Bojazhiu.
Ylli Polovina
Tiranë, më 10 korrik 2015
Fotot shoqëruese:
05 dhe 06 pamje nga festimi i përurimit të shtatores së Nënë Terezës në sheshin Marin Dvor në Sarajevë.
07. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, austriaku Valentin Incko, me qeleshe në kokë.
08. Skulptori Pjerin Kolnikaj në studion e tij.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|