|
SHQIPTARËT, POPULL DENJËSISHT PLURALIST
(Botuar në gazetën Shqip më 6 korrik 2015)
Me zgjedhjet e fundit për pushtetin administrativ lokal mund të thuhet se përvoja e periudhës shumëpartiake në Shqipërinë paskomuniste e mbushi një çerek shekullin e parë. Kur të ndodhin ato për pushtetin qendror politik jeta e republikës sonë do të ketë hyrë në çerekshekullin e dytë.
Një përmasë e tillë kohore, një e katërta e një njëqindvjeçari, ndihmon që të shohësh, të ndjekësh dhe të verifikosh në një dinamikë të mjaftueshme dukuri të caktuara. Prej këtej të dalësh edhe në disa përfundime.
Një analizë e tillë, sidomos e përpunuar prej vetëm një njeriu dhe jo nga një grup pune apo strukturë e specializuar, i ka tepër të mundshme pasaktësitë apo gabimet. Në këtë kuptim çfarë do të shkruajmë më poshtë nuk është vetëm një opinion individual, por me gjasë edhe subjektiv.
Gjithsesi po e parashtrojmë.
Një korrent i papushuar që vjen jo aq fort prej shtresave popullore dhe inteligjencies së lidhur me të, por nga çeta personash të ngjizur me pushtetet politike të radhës, përfshi këtu edhe historishkrues zyrtarë apo të tjerë të politizuar, ngul këmbë se Ahmet Zogu e ndërpreu pranverën e parë pluraliste shqiptare (1921-1924), për arsye madhore kombëtare. Me këtë ata kuptojnë qëndrueshmërinë e vendit. Sipas tyre një shumëpartitizëm i vazhduar edhe në kushtet e republikës presidenciale zogolliane si edhe të monarkisë së tij, do ta rrënonte shtetin prej luftës së brendshme me kobure në brez.
Kjo është një profkë.
(Politika partiake me kobure në brez zgjati deri në 21 janar 2011 dhe jep ende pak garanci nëse është dorëhequr).
Ahmet Zogu e shfarosi pluralizmin në emër të pushtetit të vet dhe forca e talenti i tij i pamohueshëm në formatimin e qeverisjes publike, në kushtet e shumëpartitizmit do të qe më i frytshëm. Në rast se shkohet me iluzionin se strukturat partiake i prishi për të forcuar stabilitetin, mjafton të kujtojmë 7 prillin 1939, ikjen e tij dhe Shqipërinë e dorëzuar tek Italia fashiste si të qe një shtet prej kartoni.
Por kjo ngjarje do të ishte dëmi më i vogël po të sjellim në kujtesë të lexuesit se shfarosja zogiste e partive politike të lindura në motin 1921 i forcoi dhe i bëri unikë komunistët e tipit stalinist. Me një gjyq spektakli që u bëri fare pak muaj para se të largohej, Zogu i la ata më të fortë se më parë. Fanatikë ideologjikë të doktrinës së tyre, mesianikë të klasit të parë në organizim, vetëmohues dhe jetëdhënës të pashembullt, jetëmarrës të papërmbajtur, spartanë me në kokë një ëndërr torruamarrëse, por që as ata vetë nuk e dinin se qe e parealizueshme (dhe për pasojë çdo ngulëkëmbje për të, rezultoi me pasoja të kobshme), gjatë viteve vendimtare të Luftës së Dytë Botërore ata e patën të lehtë të asgjësonin Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Pranvera e dytë pluraliste shqiptare e bulëzuar që nga 8 nëntori 1941, me lulëzim të mbarë gjatë vitit 1942 dhe po ashtu gjer në fillim të vjeshtës së motit pasardhës, në vetëm pak muaj u tha nga ngrica e betejës së brendshme dhe e vendimit të PKSH-së për ti zhdukur me çdo shkak dhe pretekst.
Ahmet Zogu, i cili nuk i kishte lënë të lira partitë jototalitare që në vitin 1925 dhe kujtoi se i mjaftoi partia e tij, kur erdhi çasti ta ringjallte, më 1943, ajo lindi dhe mbeti tepër e vogël, e treta në vend.
Mbytja e pluralizmit të parë prej autoritarit Ahmet Zog dhe ajo e dytë nga diktatori Enver Hoxha, shoqëruar me historishpjegimin zyrtar, krijoi bindjen se shqiptarët për shkak të zhvillimit të tyre të vonuar (pasojë, thuhej, e armiqve të jashtëm!!) nuk janë popull shumë i përshtatur me shumëpartitizmin.
Kjo dinakëri për të justifikuar pushtetin e pafrenuar të njëshave u përsërit në fillimin e pluralizmit të tretë, midis viteve 1993-1996, duke pasur shumë premtues periudhën 1991-1992 dhe ringjallje motin 1997. Prej këtij çasti ajo vazhdon të jetë inkurajuese edhe tani, pa dhënë ndonjë provë të rëndësishme se ka rrethana të brendshme dhe ca më pak të jashtme për të rivendosur ndonjë monizëm demokratik.
Dhuntia shqiptare për pluralizëm është zgjeruar edhe më tej përgjatë vetë zhvillimit, por në thelb ka qenë e tillë që në fillim të shekullit të shkuar. Ndërkohë mënyra e qeverisjes lokale, sidomos e fshatrave, tek ne prej shekujsh qe shumë e hapur ndaj vendimeve kolektive, për të mos cituar bashkë me këtë cilësi edhe traditën tonë kombëtare të shumëbesimit fetar.
Edhe pse grupe të ethshme partiake të pas vitit 1990 janë përpjekur ti imponohen me çdo mjet të mundur aktit më kryesor dhe më sublim të zgjedhjeve (administrative apo politike), duke i shtrembëruar, pra duke u dhënë atyre imazhin e një fryti që nuk vjen prej degëve të pemës së tyre, por nga rrënjët e patraditës së popullit, rezultatet elektorale, të cilat duhen marrë me një rezervë jo të vogël, nuk deformojnë dot tendencën kryesore.
Më 1991 votimet e marsit nuk e thyen pushtetin e shkuar, por ndihmuan në kalimin e butë dhe arritjen, në marsin pasardhës, të një fitoreje plebishitare të Lëvizjes Demokratike. Kur kjo e fundit u bë përherë e më shumë parti dhe prej të drejtës për tu udhëhequr përfundoi një strukturë të komanduar, në zgjedhjet lokale të 1994 mori një goditje jo të vogël. Kjo nuk u lexua mirë nga humbësit, nuk u interpretua me një mendje të shkathët pluraliste, por nëpërmjet mendësisë së imponimit. Një veprim i tillë shkaktoi anomali dhe trazirë në 1996 dhe në 1997. Në sipërfaqe të atyre ngjarjeve që ndodhën, ka nga pak edhe ndikime të tjera, por kryesore mbetet dhunimi që iu bë pluralizmit, kësaj ndjenje (quheni po të doni edhe instinkt) që shqiptari e ka në fillesë të identitetit të tij.
Pas kësaj sprove të parë të politikës tonë, të korrigjuar prej votës popullore, shumëpartitizmi ynë hyri në fazën e qeverisjes së partive rivale me dy mandate. Këtë kod e kanë përshtatur shumë popuj të qytetëruar. Sipas këtij rregulli gjithsecilës palë i jepet mundësi maksimale për ta hequr nga pushteti edhe sikur flori të ketë pjellë. Në të vërtetë katër vjetët e dyta nga përvoja e deritanishme rezultojnë mjaft shqetësues.
Sepse popull ynë plot me defekte në aftësinë e tij për të qenë pluralist është tepër i përparuar, ai ka dhënë edhe shenja të tjera, të cilat nuk duken se po mirëkuptohen.
Në ballafaqimin politik të vitit 2013 votat iu dhanë me shumicë të majtës PS-LSI aspak sepse kjo qe pesha e tyre e vërtetë elektorale, por për ti hequr çdo mundësi imponimi politikanit të fortë befasues, Sali Berishës. Shumica dëshironin largimin e tij jo nga politika, sepse është në të drejtën e tij sa të ketë dëshirë, por në ushtrimin e pushtetit, ku atij i shfaqen problemet. Kur këto ditë në Tiranë u mund thellë PD, mesazhi i votuesve nuk qe telegram entuziazmi ndaj Erion Veliajt, por një paralajmërim tjetër për Berishën që të mbajë një distancë të caktuar nga politikushtrimi njëzetë e katër orë për njëzetë e katër.
Këto ditë ishte mjaft interesant edhe shumimi i votës së LSI-së, çfarë lë të kuptojë se një pjesë e zgjedhësve të majtë, njerëz të PS-së, duke mos gjetur tek Edi Rama socialistin e traditës, por as atë që ka sadopak një ide të tillë, po i depozitojnë përkohësisht votat e tyre tek një më socialist. Me siguri kjo do të ndodhë deri në çastin kur do të binden se Rama do të jetë një transit i radhës apo një lider i tyre. Ndërkaq do të jenë edhe në pritje të një emri tjetër.
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 korrik 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|