Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1979, PORTRETI I ENVER HOXHËS QË U GRIS NGA VETË DREJTORI I TELEVIZIONIT SHQIPTAR


(Botuar në gazetën Shqiptarja.com më 21 qershor 2015)

Tepër e vështirë ta përfytyroje, ndërsa është 85 vjeçar, spikerin e njohur të radios dhe të televizionit të Kosovës, Petrit Dushin. Dikur qe një djalë mjaft i pashëm, fytyrë e zbukuruar prej një lëkure të broncët si edhe ca mustaqeve tërë hijeshi. Tani jeton ditë e natë me një maskë oksigjeni, e cila ia lehtëson sadopak gjendjen e rënduar të astmës.
Nga viti 1977 deri në 1981 Petrit Dushi ka qenë një person me rëndësi në jetën informative dhe kulturore të Kosovës. Ishte kryeredaktor i RTV-së. Prej një funksioni të tillë ka përjetuar ngjarje që mund t’i plotësohen historisë së shqiptarëve, për 86 vite, gjer në 1999, të ndarë prej një kufiri të dhunshëm imponuar prej fuqish të mëdha.
Kjo, dobia e rifitimit të çdo vlere historike kombëtare, është edhe qëllimi i takimit tonë me të në 23 maj 2015 në Prishtinë.
Me zërin e qartë të një ish-spikeri, me sytë që i shkëlqenin xixëllima të pashuara jete, me shpirt të gëzuar dhe plot humor njeriu të zgjuar, po ashtu me një kujtesë të pacenuar dhe krejt në standarte rinore, Petrit Dushi në dyzetë minuta, aq sa mundej fryma t’i jepte mundësi, bëri rrëfimin e tij.
Posaçërisht për lexuesin e shtojcës kulturore “Rilindësi” të gazetës “Shqiptarja.com” do të veçojmë një pjesë të tyre.

Shqipëria e Madhe dhe babai pa varr

Ajo që atë e bën të ndihet mirë lidhet me vendlindjen. E ka gjithshqiptare. I ati doli në jetë në Prishtinë, kurse ai vetë në Bilisht të Korçës. Bashkë me të vëllezërit, tërë familja e tyre, e la Kosovën si pasojë e presionit shtetëror serb dhe, ndërsa po avitej viti 1920, shkuan në Shqipëri. I vendosur në Tiranë, gjatë shkollimit u njoh me bashkëshorten e ardhshme, Zenepen. Pas disa viteve në Bilisht si nëpunës administrate, për një dekadë ai qe sekretar prefekture në Kukës. Kur gjermanët në prill 1941 sulmuan Jugosllavinë, në drejtimin e Kosovës mësynë edhe italianët, aleatët e tyre të Boshtit Fashist. Të dy palët agresore nëpërmjet këtij pushtimi realizuan për shqiptarët kosovarë edhe bashkimin me trojet e tyre amtare, duke shpallur ngritjen e Shqipërisë së Madhe. I entuziazmuar nga kjo kauzë i ati i Petrit Dushit hoqi rrobat civile dhe u vesh me ato ushtarake, profesion të cilin e pati mësuar në një shkollë të specializuar të Tiranës.
U rreshtua me trupat italiane që prej kufirit tonë luftonin armatën jugosllave dhe pas disa thyerjeve të fillimit arritën ta kapërcejnë lumin Drin, duke hyrë më në fund në Kosovë.
Tashmë me një administratë tërësisht me nëpunës shqiptarë, kur deri pak më parë pothuaj të gjithë qenë serbë, me shkolla të hapura në gjuhën shqipe, kur për tridhjetë vite ishte folur dhe shkruar me detyrim vetëm gjuha e shtetit beogradas, i ati i Petrit Dushit punoi si komandant i batalionit të kufirit që mbulonte territorin nga Peja deri lart në Plavë dhe Guci. Kjo njësi shtabin drejtues kryesor e mbante në Kukës, një zyrë të vet në Gjakovë.
Zenepja këtë kohë ndodhej në Shqipëri dhe fundi i tetorit 1944 e gjeti në Shkodër. Gjermanët po iknin të mundur dhe qenë bërë shumë të fortë partizanët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ato që mund të ndodhnin pas kësaj mund të ishin të parashikueshme, prandaj për të përballuar të ardhmen si rrugë më të mirë zgjodhi kthimin tek i shoqi. Ngarkoi në një kamion plaçkat dhe fëmijët e nisi rrugën. Shumë shpejt i doli përpara një urë e hedhur në erë. Vendi përreth quhej Shën Mëri. Dëgjoheshin tek vinin përherë e më afër krismat e luftës në vazhdim. Në atë vend për fat kishte një kushëri të të shoqit, i cili e futi në kullën e vet. Të nesërmen kaloi Brigada e Pestë e partizanëve dhe e zgjodhën atë banesë si vend për shtabin e tyre. Komisari i saj e pyeti të zotin e shtëpisë nëse, përveç familjes, kishte aty edhe njërës të tjerë. “Kam një zonjë”, iu përgjigj ky dhe i përmendi emrin. “Thuaji asaj zonjës të vijë!”, porositi tjetri dhe pas pak minuta u takua me Zenepen. Dolën kushërinj të parë. Edhe komisari qe nga Bilishti. “Po shkon për në Shkodër apo je larguar prej saj?, e pyeti sapo pa plaçkat. “Dua të shkoj në Gjakovë”, tha Zenepja. “Atëherë eja me ne, sepse për atje e kemi rrugën!”
Kur bashkë me brigadën e pestë, siç rrëfen Petrit Dushi, nëna e tij bashkë me fëmijët si edhe një “kokosh” plaçka (sa mund të transportonte hipur në dy kuaj) mbërriti në Gjakovë, të shoqin nuk e pa kërkund aty. E kërkoi për ditë e javë të tëra, kudo ku kalonte vija e kufirit, por nuk e gjeti dot. Më në fund i dëshmuan se qe vrarë. Po nga kush? Nuk mori asnjë përgjigje të qartë. Atëherë kërkoi të zbulonte ku i ndodhej varri. Të paktën të kishte eshtrat e tij. Por nuk e gjeti dot kurrë.

Filmi i parë kosovar: me një komuniste kurvë

Para se të qe kryeredaktor i Radiotelevizionit të Prishtinës Petrit Dushi punoi në Kosova Film. Prodhimet e para të saj qenë katër dokumentarë të gjatë dhe filma. Njëri prej tyre ishte “Mesazhi i gjatë”, i cili tregonte për gjakmarrjen e shqiptarëve në Malin e Zi. Regjisor qe një malazez, Velimiroviç, i cili ia doli të harmonizojë punën e aktorëve të Prishtinës me të disa bashkëpunëtorë të tij në terren që e vinin në dijeni për raste gjakmarrjesh si edhe seanca pajtimi mes familjeve të rëna në hasmëri.
Tjetri prodhim i Kosova Film ishte filmi “Dashuria e parë”, bashkëkrijim me me shoqërinë kinematografike serbe Danas. Tema e tij përshkruante sulmin e parë të minatorëve të Trepçes kundër gjermanëve. Veç ky u bë problem. Qe mjaft spektakolar, pothuaj aventuresk, një triler i vërtetë, me avionë e parashutistë, çfarë nuk përputhej shumë me metodën ideologjike të komunizmit shtetëror.
Por ajo që do ta fuste çështjen e shfaqjes publike të tij në një cikël verifikimi të rreptë, kishte të bënte me një rrethanë tjetër. Te “Dashuria e parë” aktorja kryesore ishte një komuniste serbe nga Mitrovica, e cila punonte në shtëpinë publike të qytetit. Rasti i sjellë në film qe i vërtetë, por organizmat e partisë lokale deklaruan se nuk mund të pajtoheshin me modelin e një komunisteje që ishte kurvë. E konsideronin këtë gjë të pamoralshme. Ndërkohë autorët e filmit ngulën këmbë se kjo histori ishte reale dhe se komunistja e shtëpisë publike punonte aty me vetë lejen e partisë. I penguar në Kosovë, Petrit Dushin bashkë me sekretarin krahinor të arsim-kulturës për Kosovën, Ali Shukriun, i thirrën të dy në Beograd, në godinën e Danas.
E ripanë filmin. Sërish u ndez debati, por këtë herë u ngrit kundër bllokimit të filmit sekretari organizativ i degës së Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Mitrovicën, Branko Shkëmbaroviç. Ai mëshoi fort në mospajtimin me këtë frymë censure dhe pohoi se vërtet gjatë luftës e kishin pasur një shoqe të tyre, anëtare partie, e cila punonte si prostitutë në shtëpinë publike. Gjithsesi edhe pas këtij takimi filmi mbeti i pezulluar. Çështja shkoi deri tek Josip Broz Tito. Ky kërkoi ta shihte. Pas i ndoqi më vëmendje, duke e cilësuar posaçërisht të bukur, dha lejen të shfaqej në të gjitha kinematë e Jugosllavisë.

Tezja beogradase e Dhimitër Anagnostit

Java e Filmit Shqiptar u krye në Jugosllavi në mars të vitit 1971. Kjo ngjarje u parapri prej një superlajmi të një muaji më parë, 6 shkurt. E shpërndau TANJUG. Ai thoshte \"Qeveritë e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë janë pajtuar që misionet e tyre diplomatike në Beograd dhe në Tiranë të ngrihen në nivele ambasadash dhe të këmbehen ambasadorë.\"
Shtatëditëshi i filmit shqiptar, ky “ambasador” kulturor special, në fillim u mbajt në Prishtinë. Në të qenë bashkuar shtatë krijime të Kinostudios “Shqipëria e Re”, të cilët do të shfaqeshin nga një për çdo ditë. Mes tyre qenë “I teti në bronc”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Cuca e maleve”... Mes dërgatës shoqëruese të tyre nga Tirana ishin regjisorët Viktor Gjika, Pirro Milkani, Xhanfize Keko, aktorja Edi Luarasi...
Nismëtarë për këtë veprimtari qe Kosova Film dhe për këtë arsye në kryeqytetin e Shqipërisë kishte shkuar më parë Petrit Dushi. Pati bërë takimet e quajtura “institucionale”, me të cilën procedurë kuptohej mënjanimi i zyrave partiake (ideologjike) dhe i atyre të qeverisë. Lidhjet e bashkëpunimit reciprok mes dy territoreve mbaheshin vetëm nëpërmjet institucioneve kulturore apo arsimore drejtpërsëdrejti të interesuara: Universiteti i Tiranës me atë të Prishtinës, Teatri Kombëtar i Shqipërisë me Teatrin e Kosovës, një shkollë e përtejme me një të këtejme e kështu me radhë.
Kur nisi shfaqja e javës së filmit shqiptar në Prishtinë, Petrit Dushi për ta përshkruar sa më afër të vërtetës atmosferën përdor shprehjen “u bë revolucion”. Pastaj shqipton një togfjalësh tjetër: ishte luftë për bileta. Qenë mijra shikues që e kthyen kryeqytetin kosovar në një manifestim entuziazmi të papërshkruar. “Ju nuk mund ta mendoni”, këmbëngul një çast Petriti.
Pas Prishtinës Java e Filmit Shqiptar u zhvillua në Beograd. Ishte Kosova Film që bëri këtu një kontratë me Shtëpinë e Rinisë së kryeqytetit jugosllav. Këtu nuk mund të prisnin spektator të shumtë si në Kosovë, por salla asnjëherë nuk mbeti bosh. Shikuesit, madje, qenë me peshërëndë: punonjës ambasadash nga të gjithë kontinentet. Vinin të nuhatnin, të merrnin ndonjë informacion rreth Shqipërisë që thoshte se përfaqësonte në Ballkan kështjellën e qendresës ndaj superfuqive botërore amerikane dhe sovjetike.
Një ditë tek recepsionisti në hyrje të hotelit, ku rrinin Petrit Dushi dhe miqtë nga dërgata kulturore e Tiranës, u paraqit një grua dhe kërkoi të takohej me organizatorin kryesor të Javës së Filmit Shqiptar. I lajmëruar për këtë kërkesë Dushi zbriti menjëherë. Zonja, e cila kishte hiret e një aristokratikeje, tha se quhej Liljana Anagnosti, se jetonte në Beograd dhe qe tezja e regjisorit Dhimitër Anagnosti, për të cilin kishte dëgjuar të ishte me grupin e ardhur nga Shqipëria.
Dëshironte ta takonte patjetër. “Zonjë, i shpjegoi Petrit Dushi, tani për tani është e pamundur, por do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë. Më lini një numër telefoni dhe do t’ju lajmërojmë shumë shpejt”. Por tjetra nga kjo përgjigje e paqartë u dëshpërua shumë dhe u lut sërish. Veç Petrit Dushi nuk mund të vepronte ndryshe se takime të këtij lloji kishte mësuar që ishin në kompetencën e njeriut të Sigurimit të ardhur nga Tirana bashkë me trupën e artistëve. Ky i fundit ndërkohë, si ta kishte lajmëruar vetë lëvizja e ajrit, qe afruar dhe po ndiqte bisedën.
Erdhi një çast kur beogradasja Liljana Anagnosti u përlot. Atëherë Petrit Dushi i vuri krahun sigurimsit dhe të dy bashkë, pas një bisede të gjallë, ranë dakord që takimi i dy Anagnostëve të bëhej.

Aleanca Shqipëri-Jugosllavi kundër sovjetikëve

“Kur ishte rreziku sovjetik e kam dëgjuar me veshët e mi që Jugosllavia i afroi aleancë Shqipërisë”, thotë Petrit Dushi, pa e saktësuar kohën kur kjo ka ndodhur, por duke sqaruar se kjo ndodhi kur në Kosovë kishte ardhur Ansambli i Këngëve dhe i Valleve. Kjo do të thotë se mund të kemi të bëjmë me vizitën e parë të tij të kryer në gjysmën e dytë të muajit qershor 1971, ku qëndroi dhe dha shfaqje për dhjetë ditë në nëntë qytete të Kosovës. Historiografia jonë ka të regjistruar qëndrimin e anasjellë: është Shqipëria ajo që pas agresionit sovjetik kundër Çekosllovakisë në gusht 1968, i ofroi deri edhe mbështetje ushtarake Jugosllavisë Federative. Po ashtu në një raport të 30 dhjetorit 1971, dërguar qeverisë federative sekretariati i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë mes të tjerash shënonte një fakt tjetër të rolit propozues të Shqipërisë: Mehmet Shehu, gjatë pritjes që i kishte bërë ambasadorit të porsaemëruar në Tiranë Jovan Peçenoviç, i pati pohuar se \"shpresojnë për një bashkëpunim në rast të ndonjë agresioni të cilit do prej dy shteteve.\" Në verën e vitit 1973 në Tiranë, në takimin midis kryetarit të Këshillit ekzekutiv të Kuvendit Krahinor të Kosovës, Ilija Vasiçit me Adil Çarçanin, kryhet një dëshmi tjetër e të njëjtit kurs të Tiranës (por jo të Beogradit). Nënkryeministri shqiptar bëri të ditur se: \"...Shqipëria gjithnjë është e gatshme t\'i ndihmojë Jugosllavisë kundër rreziqeve eventuale për pavarësinë e saj, nëse është e nevojshme edhe me ushtri...\"
Ajo që pohon Petrit Dushi gjithsesi është e dobishme për ata që shkruajnë historinë. Sipas tij, “një ditë i ndjeri Mahmut Bakalli, edhe pse njiheshin mirë, por unë asnjëherë nuk pata shkuar në zyrën e tij, më thirri dhe më tha: “Petrit, e keni një grup prej Shqipërisë?” “Po”. “Kam me nda me ty diçka. Ti afroju drejtuesit të këtij grupi dhe thuaji se qëndrimi i Jugollavisë është ky: ne jemi të gatshëm t’ju japim ndihmë ushtarake në rast sulmi nga Bashkimi Sovjetik”.
Petrit Dushi e kreu këtë detyrë të dhënë prej kreut të Kosovës, por ai me këtë rast nuk zgjodhi drejtuesin e Ansamblit, por një punonjës të ambasadës shqiptare në Beograd, i cili kishte ardhur për të ndjekur një pjesë të shfaqjeve (“A mund të shëtisim pak?”, “Po more”, “Kam një porosi për të të dhënë. Porosia është nga shoku Mahmut Bakalli. Jugosllavia është e gatshme me hy në aleancë ushtarake me Shqipërinë në rast sulmi”).
Tek tregon këtë ngjarje Petrit Dushit duket në siklet: “Nuk jam marrë kurrë me këto gjana të fshehta. Ja që e bëra”.

Fotografia e Enver Hoxhës që u gris nga Agron Çobani

Jo vetëm gjatë kohës kur ishte kryeredaktor, por edhe më parë, Petriti ngul këmbë se në radiotelevizionin e Prishtinës nuk kishte ndonjë censurë të posaçme ndaj Enver Hoxhës. Duke mos pasur asnjë kufizim për të përcjellë lajme nga Shqipëria, zakonisht të mara prej TANJUG-ut, por edhe nga burime të tjera, pa përjashtuar as ATSH-në, i vetmi kriter pranimi ose refuzimi qe, nëse deklarata apo foto të tij, po ashtu edhe fragmenteve filmike, bënin pjesë në propagandë apo ishin gjymtyrë të natyrshme lajmi apo krijimi artistik.
Ndërkohë, për ta ilustruar, rrëfen dy episode. Redaksia e filmit kishte vënë në program transmetimin e një filmi të Kinostudios “Shqipëria e Re”, i cili në sekuencën e fundit paraqiste pamjen e një shkolle fillore fshati dhe më pas kamera tregonte një portret të Enver Hoxhës, të vendosur në mur. Redaktori që e kishte planifikuar shfaqjen në televizion, ia thotë këtë gjë Petrit Dushit, duke e pyetur mos do të qe më mirë ta hiqte skenën me portretin. Dushi, për arsye se nuk e kishte paraparë filmin, i bëri pyetjen verifikuese: ajo fotografi qe pjesë e logjikës së subjektit apo ishte e sajuar si propagandë. Redaktori u përgjigj se fotografia e Enver Hoxhës rridhte prej kriterit artistik. “Atëherë mos e gjymto filmin, por transmetoje të plotë!”, i tha.
Për një kërshëri të tij filmin e ndoqi kur u shfaq. Sekuenca me foton e Hoxhës qe prerë. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa ishte në kafe, iu afrua redaktori dhe nisi të justifikohej për çfarë pati bërë, duke u shpjeguar se kishte shkuar për këshillim në një zyrë të lartë dhe qenë ata që ia patën sugjeruar prerjen. “Të mos e hapim më këtë muhabet”, ia preu Petriti pa e lënë ta çonte deri në fund justifikimin, “në qoftë se më pyet më respekto, në rast se jo atëherë mos më pyet!”
Episodi i dytë ka në sfond si kohë zhvillimi vitin 1979. Ishte me një tur njëmujor shfaqjesh në Shqipëri të orkestrës së radiotelevizionit të Prishtinës. Nëpër koncertet që i luanin nëpër qytetet kryesore të vendit, përveç këngëve të shumta shqiptare si edhe ndonjë turke, interpretoheshin edhe disa melodi serbe. Trupa udhëtonte në dy autobuza. Kur turi përfundoi dhe tashmë duhej të merrnin rrugën e kthimit për në Kosovë, në Tiranë si dhuratë iu dha secilit pjesëtar nga një album të ilustruar “Shqipëria arkeologjike”. Kur mbërritën në Kukës dhe qenë fare afër pikës doganore, Petrit Dushi i tha përfaqësuesit të lartë të Radio-Televizionit të Tiranës, Agron Çobanit, një shqetësim të tij. Albumet kishin në faqen e parë një foto të madhe të Enver Hoxhës. Policia doganore jugosllave jo vetëm kishte për t’i sekuestruar, por edhe do t’u sillte shqetësime të tjera, Nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër veç ta grisnin faqen e parë. Agron Çobani ra dakort menjëherë dhe sa hap e mbyll sytë fotografitë e Hoxhës u hoqën nga të gjitha albumet.
Megjithatë në doganë i mbajtën të bllokuar për plot tri orë. Kishin gjetur tre albume me pamjet e pahequra të kryekomunistit shqiptar. Zotër të tyre qenë tre serbë të trupës artistike, të cilët thjesht nuk e kishin kuptuar si gjë të rëndësishme grisjen e fotos së Enver Hoxhës.
Ndërkohë në librin e saj “Katër ditë vizitë në Kosovë” ish ministrja e Arsimit dhe e Kulturës së kohës, Tefta Cami, menjëherë pas vizitës së suksesshme në Tiranë të sekretarit krahinor për arsimin, dr. Ymer Jaka, për të marrë orientimet politike në kryerje së afërmi të vizitës së saj në Prishtinë, më 19 janar 1980 u takua me Enver Hoxhën.
Në bisedën me Tefta Camin mes të tjerash Hoxha i theksoi: “I kam thënë Ramiz Alisë që, gjatë bisedimeve me shqiptarët përtej kufirit, të mos përmendet partia apo emri im, pra të mos lejoni që të politizohen problemet e bisedimeve, sepse dëmtohen marrëdhëniet vëllazërore”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 qershor 2015


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com