Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
DASHURI NË VITET E DREQIT


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 6 qershor 2015)

“Ku të të fsheh që të mos të gjejë vdekja?”

Pjesa e katërt

Në paraditen e 25 majit 1944 Tuk Jakova, ndërsa qenë provat e përgjithshme të korit të Brigadës së Parë, pa atje Dhorën, por jo Mitën. E pyeti. “Është e sëmurë, iu përgjigj e motra, ka shumë temperaturë”. “Mirë, kur të shkosh në bazë të më thuash se do të vij edhe unë”. Vajti ta shihte. Në bishtat e shamisë së kuqe të hedhur në qafë, për t’i lidhur fjongo, Tuku kishte vendosur një unazë. Ajo për një çast, si t’i dërgonte mesazh Mitës, vezulloi. Ndërkaq plaka e shtëpisë ku rrinin, sapo e pa të porsaardhurin, thirri duke përplasur pëllëmbët: “Po kush është ajo lum nëne që të paska bërë ty!”
Tuk Jakova qe i gjatë, biond, me sy bojëqielli.
“Kam ardhur nënë të shikoj këtë partizanen, tha ky me humor, sepse jam si gjysmë doktori”. Kështu Mita e harroi temperaturën dhe u ngrit në këmbë. Në mbrëmje qe në kor, tashmë në shfaqjen zyrtare të koncertit për Kongresin e Përmetit. Këndoi solo edhe me kitarë. “Pas koncertit do të takohemi”, pothuaj i pëshpëriti ai. Të nesërmen Brigada e Parë do të ikte, për t’u gjendur menjëherë dhe drejtpërdrejtë në operacionin e egër gjerman të qershorit. Tuku do të largohej nga Përmeti dy ditë më pas.
Megjithatë në mbrëmjen e 25 majit ndenjën bashkë vetëm sa kapën me përkëdheli duart e njëri-tjetrit.

Vjosa, shpirti që e vranë

Në letrën e 1 qershor 1958 dërguar Tukut në Burgun e Vjetër të Tiranës ajo në fund të saj i nënshkruan “E jotja, Mita”. Më sipër pati thënë “Në mbrëmje dolëm pak shëtitje dhe pastaj u ulëm në park po në atë vend ku ndejtëm të dy disa ditë para se të ndaheshim, te ajo banka afër lumit, të kujtohet? Që kur ke shkuar ti unë kam ndejtur atje vetëm dy here. Është e tepërt të të shkruaj se sa shumë të kemi kujtuar sot, unë, fëmijët. Bujana sidomos. Ajo në drekë nguli këmbë duke thënë se dua të di se ku është Babi? Si nuk i mbaroi punët akoma? Pse nuk ka të tjerë që të bëjnë punën e tij? Dhe se po ta dinin ata q’e mbajnë atje se sa shumë na ka marrë malli, do ta nisnin për në shtëpi me njëherë etj., etj.. ndërsa Niku dhe Gimi vështronin herë Bujanën, here mua në mënyrë kuptimplote. Ato nuk zëmërohen që unë e gënjej Bujanën (megjithëse gënjeshtrën e dënojnë) përkundrazi, në këtë rast, donin të ishin në vend të saj”.
Në 15 qershor bashkë me letrën e të ëmës shkruan edhe Bujana: “Ajde shpejt! Më ka marrë malli shumë. Të shikoj në ëndërr. Kur të vish ti do të bëjmë një bakllava”. Në 24 korrik 1958 në letrën e Mitas janë edhe këto radhë: “Sa herë vjen data 24 ndjej se më shtohet malli; “Çështja e konfiskimit të plaçkave këtu mori fund. Më morën vetëm 2 kolltukët, dy komodinat, 2 qilima dhe radion”. Në 18 gusht: “Shumë i dashur Tuk. Gjithë ditën e 15 gushtit kam qenë zhytur në kujtimet e brigadës 1-rë. Duke kujtuar marshimet, luftrat, jetën në brigadë mua më duall parasysh si në film njohja jonë, miqësija, dita e fejesës, takimet, çdo gjë e dashur dhe e shtrenjtë që ne jetuam si partizanë!”
Dita e fillimit të shkollës, 1 shtator 1958: “Asgjë s’ju bëra të re, por kur u veshën dukeshin sikur i kishin të gjitha të reja.
Po e nis nga Bujana, për të cilën kjo ditë ishte e shënuar mbasi ajo u bë nxënëse e kl. I-rë. Bujanën e vesha me të gjitha ato që veshi Vjosa në kl. I-rë. Këtë propozim ma bëri Vjosa. Kërkuam nëpër rraqet e shtëpisë dhe gjetëm fustanin bojë qielli të qëndisur me të bardhë (Ty nuk të kujtohen këto). E lamë, e pastruam, e rregullova pak (mbasi për trup i rrinte tamam) dhe kur u hekuros dukej krejt i ri. Gjithashtu i rregullova sandalet e bardha që i kishe sjellë Vjosës nga Hungaria, çorape bojë qielli, përparësen e bardhë, kordele të bardhë, flokët bukle dhe kur u vesh të kishe qejf ta shikoje.
Vjosës i rregullova përparësen e zezë me pulla dhe jakë të bardhë që kishte që vjet, por i ishte zvogëluar pak, asaj i bleva vetëm një palë kordele bojë rozë. Dukeshe mjaft e rritur dhe tamam nxënëse shkolle.
Agimi dhe Besnikun i vesha me bluza të bardha dhe pantallona blu të shkurtra. Bluzat ishin ato...Në mëngjez secili i kishte në një karrige të veçantë, rrobat, sandalet, çantën e librave dhe fletoreve...filluam të vishemi. Vjosa dukej shumë e gëzuar. Bujana jo dhe aq, mgjithëse, duhej të ishte ndryshe. Vjosës nuk iu durua dhe i tha “Po ti xhan pse s’dukesh e gëzuar, unë kur shkova në kl. I-rë s’më zuri gjumi” E çuditshme është Bujana. Unë e dua shumë atë se ajo të don shumë ty dhe e ndjen aq shumë mungesën tënde. Ja si iu përgjegj ajo: “Por kur shkove ti, Agimi dhe Niku në kl I-rë Babi ishte në shtëpi, tashti që po shkoj unë Babi s’është në shtëpi, prandaj s’jam shumë e gëzuar” dhe menjëherë ju mbushën sytë me lot. Kjo përgjigje e saj shkaktoi menjëherë heshtje. Vjosa s’iu përgjegj. Mua m’u bë një lak në fyt, por e mbajta. I thashë se babi megjithëse nuk është në shtëpi sot mendjen e ka tek ti se e di që do të shkosh në shkollë për herën e parë dhe ai e di se ti do të bëhesh shumë e mirë e do të marrësh nota të mira. Në atë çast e mbajta veten, por tashti që po të shkruaj ty, lotët po m’i bëjnë me mjegull shkronjat”.
Në 2 dhjetor: “Vjosa dhe Bujana dolën të tabelën e nderit për rezultatet shumë të mira dhe sjellje shembullore”. Në 21 shkurt 1959, të shkruara nga Vjosa: “Gjithnjë të kemi në gojë e gjithnjë të shohim në ëndërr. Kur rrimë darkave tek zjarri themi sikur tani të hapet dera e të hyjë Babi mbrenda. Të gjithë do t’i hidhemi në qafë e do ta puthim fort e sidomos Mami!” Në 27 shkurt 1959, Mita shpjegon: ”Më duket se s’të kam shkruajtur, që nga fundi i dhjetorit më muarën të gjitha dekoratat dhe çertifikatat tënde”. 8 mars: ”Xhan i Mitës! Sa shumë më merr malli për ty. E pse ta shkruaj këtë!” I biri, Agimi: ”I dashur Babi. Jam mirë me shëndet e me mësime. Më ka marrë malli shumë për ty. Mami më ka blerë një çift pëllumbash. Kafazin ja u bëra vetë. Këto ditë pres të më pjellin. Kujdesem shumë për ta dhe i kam shumë qejf. Kur ju hedh bukë menjëherë vinë tek unë. Mashkulli ta kafshon gishtin. Fluturojnë në çati. Të puth me mall”. Besniku: “Mami thotë që unë jam bërë i mirë”. Bujana: “Unë tani e mbatova abetaren e mora këndimin dhe librin e gjuhës. Tashti do të shkruaj letra ty. Më ka marrë malli shumë të të puth faqen dhe të ma shposh me mjekër”. Vjosa: “Meqë sot është 8 marsi, ditëlindja ime dhe festa e gruas, vendosëm të tre të të shkruajmë”. 12 prill 1959, Bujana: “Unë e kam marrë dëftesën, prapë pesa i kisha. Por megjithë atë Mami më ka thënë edhe më shumë mëso. Unë e ndihmoj Mamin në punët e shtëpisë. Një ditë Mami kishte ikur në punë, dhe unë ndeza zjarrin dhe zjeva fasulet. Kur lan Mami rrobat unë i mbledh. Vjosa më mëson si t’i bëj punët...” Besniku “Ty Babi të kishte pëlqyer shkrimi dhe sjellja ime. Unë dua të bëhem edhe më i mirë, po nga një herë s’bëhem dot”. 22 prill 1959 Mita i rrëfen për Vjosën: ”E mira kryesore që duket tek ajo, është dëshira e madhe për studim dhe kujdesi i veçantë që tregon për përgatitjen e detyrave shkollore... Më pëlqejnë shumë hartimet e saj. Ato nuk janë të thjeshta. Kanë mjaft përmbajtje të bukur, të lidhura mendimet, nga ana gjuhësore mjaft të mira dhe çka më çudit më shumë është imagjinata e saj...Profesori gjithmonë ja lexon hartimet para klasës...nga ana tjetër i pëlqen shumë puna. Edhe kjo një cilësi e mirë, i gjen punë vetes. Mund të të duket çudi, po unë gati të gjitha arnimet ja kam lënë Vjosës. Ka shumë durim dhe bën punë të pastër. I pëlqen të qëndisë, të bëjë triko, punë shtëpie etj. I pëlqen shumë të lexojë e të diskutojë. Shpesh të kujton ty... Ndjen nevojën të dalë shëtitje, po dëshëron me njerëzit e saj. Kënaqet kur del me mua. Më zë për krahu dhe s’pushon së pyeturi”.
Në 24 maj 1959, Mita shkruan: “15 vjet nga dita e fejesës dhe 2 vjet që je larg familjes”.

“Gjithë jetën të kam dashur për karakterin tënd”

Kështu i shkruante Mita në 13 korrik 1959, ndërsa Tuk Jakova qe në burg. Patën jetuar bashkë vetëm 13 vite. Nuk patën bërë dot martesë, por vetëm një foto në 29 nëntor 1944 në Tiranën e çliruar. Nëna e Tukut që prej këtij çasti dhe më pas, kur do ta pyesnin se çfarë paje i kishte sjellë nusja korçare, do ta kishte gati përgjigjen: “Po besa më ka prurë boll, më ka prurë pajë pushkën dhe gjerdanin”.
Ishte 8 marsi 1946 dhe ajo priste çdo ditë të lindte fëmija. Tuku do të shkonte në festën e Gruas dhe i tha “Mita, në qoftë se ke vajzë, bëje sot që të ketë festën e saj!” Kur erdhi nga mbledhja ajo ishte në lindje, në një nga dhomat e shtëpisë, ku pati ardhur edhe doktori. Vjehrra priste djalë dhe kur pa se qe vajzë, u mërzit. Kur hyri Tuku dhe e pa të voglën të mbështjellë e me faqe të plota (lindi 3.8 kg), me të në krahë shkoi tek pasqyra dhe e përkëdheli me fjalët “Molla e babit!”
I vunë emrin Vjosa në kujtim të 24 majit të tyre, kur i dhanë fjalën njëri-tjetrit në Përmetin buzë lumit Vjosa.
“Kam shumë dëshirë të shkruaj dhe Mami më thotë që të vazhdoj letërsi”, i përcillte dëshirën e saj të atit në verë të vitit 1959, kur ajo qe vetëm 13 vjeçe. “Si thua ti babi?” Por kjo ëndërr për t’u bërë shkrimtare iu rrënua që atë vit. Shumë e brishtë në ndjenjat e saj goditjen e parë të rëndë psikologjike, si të qe shkarkim elektrik me fuqinë shkatërruese të një rrufeje, e mori në 22 qershor 1959, kur në takimin në burg me të atin nuk e lejuan Tukun t’i puthte fëmijët. As t’i prekte me dorë. Ata bashkë me Mitan dhe ai qëndronin pas dy portave të hekurta larg nga njëra-tjetra. Vjosa ishte mekur në lot.
Goditja e dytë, edhe më paralizuese se e para, qe lajmi për vdekjen e të atit. Letra e fundit e Tukut daton më 20 gusht dhe në të shkruan se ishte mirë me shëndet. I uronte edhe ditëlindjen të birit, Agimit, e cila qe në 15 shtator. Kjo letër do të mbërrinte në Berat, por nuk do ta kishte këtë fat ajo që një ditë më pas, në 21 gusht, do të niste Mita. Në 26 Tuk Jakova do të ndërronte jetë në spitalin e burgut. Diçka të ligë ajo e kishte parandjerë kur në 20 gusht pati shkuar në burg për ta takuar sipas datës së paracaktuar dhe e patën kthyer mbrapsht, duke i thënë se i shoqi ishte mirë, por qe shtruar në spital (!?). Nuk i pranuan as ushqimet, çfarë e vuri në alarm për sigurinë e jetës së të shoqit. Shumë vite pas 1990-tës, mjeku që ishte marrë me çastet e fundit të Tuk Jakovës, pati pohuar se kur e thirrën çdo gjë kishte marrë fund. Pacienti qe me temperaturë të lartë dhe e vetmja që mundi të bënte ishte t’i lehtësonte agoninë.
Sipas Gjergj Titanit, ish-partizan, më pas i persekutuar politik dhe shkrimtar e përkthyes, në parathënien për librin “Letërkëmbim i dhimbshëm”, ngul këmbë se “Kur ministri i brendshëm i asaj kohe Kadri Hazbiu më 26 gusht 1959 ka raportuar në mënyrë të pazakontë para mbledhjes së Byrosë Politike se Tuk Jakova kishte vdekur në spitalin burg nga apandisiti akut, Enver Hoxha ishte bërë bishë duke i rënë tavolinës me grushte e duke bërtitur: kjo është a pafalshme, të vdesë njeriu në mes të Tiranës. Do të përgjigjeni sepse do të na akuzojnë se e kemi vrarë vetë ne etj., etj..”
Goditja e tretë ndaj ndjenjave dhe shpirtit të brishtë të Vjosës, vajzës që kishte emrin e vendit të dashurisë së tyre, erdhi kur i ndodhi që një mësues nga Tirana i emëruar në gjimnazin e Beratit, një djalë simpatik dhe i butë, t’i shprehte dashurinë. Ky shkoi edhe tek Mita dhe ia tha dëshirën. Ajo e paralajmëroi të mendohej mirë, sepse qenë të dënuar politikë. Iu lut të mos u hapte telashe të reja, sepse boll deri atëherë kishte pasur, por tjetri nuk u tërhoq. Nga gëzimi Vjosa përlotej dhe u thoshte shoqeve “Kush është më e lumtur se unë!” Veç vendosmëria e djaloshit mësues nuk zgjati shumë. Doli Letra e Hapur e Enver Hoxhës, lufta e klasave u acarua skajshëm. I trembur shkoi në degën e Punëve të Brendshme të Beratit për të pyetur si të vepronte dhe ata nuk ja kishin kursyer përgjigjen “Nuk na pyete kur e more, pse na pyet tani?”
Pas kësaj gjendja psikike e Vjosës hyri në paqëndrueshmëri të plotë. I vëllai i saj, Agimi, tregon një skenë, kur e transportuar nga Berati në një sallë të spitalit civil të Tiranës, ajo vajzë e bukur si ëngjëlli doli totalisht e shkatërruar, pothuaj pa ndjenja, me kokën varur si t’i binte nga çasti në çast prej trupit. I kishin bërë elektroshok.
Goditja e katërt, përfundimtarja, ishte kur Vjosa qe studente, e drejtë e fituar falë një letre që Mita ia kishte bërë komandantit të saj të luftës partizane, Mehmet Shehut dhe ndërhyrjes së tij pozitive. Autoritetet e fakultetit i bënë asaj një presion terrorizues, duke e kërcënuar se jashtë po e priste për ta burgosur një “Gaz” i Ministrisë së Brendshme dhe se po ashtu do ta mbyllnin në një çmendinë. Rrebeshin politik mbi të e kishin derdhur për një arsye fare të panevojshme: Vjosës i kishte humbur (apo ia patën vjedhur) fletën e votimit, një pusullkë e rëndomtë, që mund të ribëhej.
Tani, në qershor 2015, Vjosa engjëllore është një shtatëdhjetë vjeçare psikologjikisht shumë e dëmtuar, por që falë dashurisë të familjes së saj e veçanërisht të së ëmës, është në jetë dhe me shëndet fizik të mirë. Shumë vite më parë, kur qe ende në gjendje të shkruante, Mitas i qe drejtuar me fjalët “Ku të të fsheh që të mos të gjejë vdekja?”
Por nëna e saj do të rrojë gjatë, sepse është një heroinë e përballimit të fatkeqësive. Nuk i patën mjaftuar ato të para vitit nëntëdhjetë, por i ndodhi edhe një hata tjetër: në 28 qershor 1994 i biri, Besnik Jakova, vdiq në një aksident në Brixhport të SHBA. Ishte 45 vjeç, aq sa qe edhe i ati kur e nda nga jeta.
Gjithsesi në shtëpinë Jakova jeta ka triumfuar. Tuku tashmë ka rilindur brenda familjes së tij. Stërnipi, djali i djalit të Agimit, me emrin Pjetër, siç edhe qe emri i vërtetë i Tukut, është një krijesë tërësisht i stërgjyshi. Këtë fatlumtëri do ta ketë edhe Mita. Rilindjen e saj e ka siguruar mbesa e Bujanës, Hana. Në një urim për ditëlindjen e stërgjyshes bashkë me vizatimin e degëve të lulëzuara të një kumbulle, ajo i ka shkruar “E dashur Nëna Mita, mos u sëmur më të lutem se kam nevojë për fjalët e tua ëmbla”.
E lindur në 8 nëntor 1925 supergjyshja është duke mbushur të nëntëdhjetat, stërgjyshi Tuk, dalë në jetë në 20 shkurt 1914, si kujtim i dashur ka tejkaluar shekullin.

Një madhështi e dashurisë bashkëshortore dhe prindërore

Kur para disa kohësh hodha në face book fotografinë e Mita Jakovës shumë banorë të Beratit reaguan me një mall të madh. Lumturi Lapardhaja (Demiri) shkroi: ”Një grua e mrekullueshme, me një sjellje elegante që më ka mbetur në mëndje...Mendoja se qe merita vetëm e saj që kishte fëmijë të mrekullueshëm, sepse atëherë ashtu na thoshin se i jati ishte i keq, armik. Mbas 90-ës lexova shumë për Tuk Jakovën dhe kuptova se ishte edhe trashëgimia nga i jati ajo kulturë dhe mirësi që ajo familje rrezatonte”. Nini Mano: “Kujtoj ditën e parë në bangat e shkollës në Mangalem kur ne, fëmijë, po rrinim gjithë ndrojë ulur dhe mësuese Mita hapi një kuti me llokume dhe na dha të gjithëve nga një duke na ardhur bangë për bangë: \"Si kjo llokume ju shkoftë shkolla që po nisni sot dhe jeta kur të bëheni të mëdhenj!\" Natasha Shpuza: “Familje nobel, Gimin, djalin e Tuk Jakovës, e kam pasur në klasë në politeknikum. Inteligjent, i edukuar. E kujtoj si tani nënën e tij zonjë fisnike, e rezervuar”. Ina Sako: “Mësuese e dashur, e urtë dhe shumë e edukuar. Me shumë punë dhe fjalë pak”. Dhimitraq Picinane: “Kam shumë kujtime me zonja Mita, pasi për disa vite punoi së bashku me mamanë time tek sektori i ngjyrosjes ne Ndërmarrjen Komunale”. Dhori Spirollari: “Tuk Jakova është kujtuar me shumë respekt dhe dhimbje nga banorët e zonës së Mokrës në Pogradec. Ai ishte një udhëheqës që nuk i harroi premtimet që u kishte dhënë popullit për një jetë më të mirë mbas luftës”.
Ndërkohë vetë Mita Jakova ruan nën jastëk, si një gjë shumë të çmuar, një letër që i ka dërguar dorazi një njeri, të cilin ajo nuk e ka parë kurrë. Quhet Dhimitri Bibolli dhe letra e shkruar në kompjuter daton nëntor 2001: “E nderuar zonjë. Është e pamundur që një qenie njerëzore që ende i ruan të kthjellëta sytë, veshët e shpirtin në këto kohë garimesh drejt hiçit, të mos i shprehë ndjenjat e tij ndaj një monumenti ngritur në përkujtim të tragjizmit, dashurisë, mjerimit e qëndresës, siç është letërkëmbimi mes jush dhe bashkëshortit tuaj të ndjerë.
Nuk guxoj të komentoj llahtarën e jetëve tuaja, veç nuk mund ta ndrydh gulçin që ndjej për të shprehur mbresat e mija faqe kësaj madhështie të hedhur në letër.
Mes ditarëve dhe epistolarëve të vyer që ndodhen në kujtesën e botës dhe që unë kam lexuar, letërkëmbimi juaj është i pari për nga tronditja që të shkakton me pleksjen e ndjenjave dhe pashterrjen e informacionit mbi natyrën njerëzore. Nuk mund të mos shpreh, se sa e vogël më është dukur vetja dhe sa cinikë një pjesë e mirë e njerëzve që njoh, kur i përball me sfilitjen e trupave dhe shpirtrave tuaj e për më tepër me madhështinë e dashurisë tuaj bashkëshortore e prindërore. As nuk mundem të përfytyroj nga cilat vise të panjohura vjen kjo fuqi e juaja për të shpërfillur deri në indiferencë të gjitha tmerret që vetëm njeriu mund t’i gatuajë.
Jam i sigurt, Zonjë, se shpesh ia keni bërë vetes pyetjen “Pse të më ndodhin pikërisht mua të gjitha këto?” Nuk besoj se keni gjetur një përgjigje, por unë ju them se për çfarëdo arsye të jeni martirizuar, gjithçka në jetën tuaj vetëm ju ka nderuar dhe lumtëruar...”

Ylli Polovina

Tiranë, më 1 qershor 2015



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com