Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
DASHURI NË VITET E DREQIT


(Bptuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 5 qershor 2015)

Puthje në Paris, netë të Bardha në Moskë

Pjesa e dytë

Para se të vinte në Berat tashmë pranë bashkëshortit të saj, Hatixhe Gjebrea, kishte parë në atdheun e saj vetëm vendlindjen, Tiranën, Kavajën si edhe Krujën, ku, pas përfundimit të studimeve universitare, e emëruan për një vit si mësuese të gjuhës ruse.
Luan Greva kishte dy mote që punonte në qytetin e një mbi një dritareve kur ajo u transferua për punë këtu. Ndërsa pa për herë të parë nga larg kështjellën, pastaj lumin Osum që rrëshqiste poshtë një ure, e cila thirrej e Vajgurores, kur më pas në të majtë vështroi qytetin naftëtar me emrin e Stalinit si edhe buzë tij një aerodrom luftarak, u emocionua. Kur hyri në Berat iu duk se gjithçka vezullonte. Tërë pejsazhin, banesat si edhe sipërfaqen e lumit, dielli e vishte si me një ylber.
Ndoshta gjithçka e tillë, tepër mahnitëse, Hatixhes iu bë vetëm prej një sajese të fantazisë së saj, apo nga që po i gëzohej strehës së parë të familjes së saj të re, por gjithsesi ditët e muajt pasues nuk ja çbukuruan dot qytetin.
Në Berat Luani jetonte në një dhomë të një shtëpie private, i zoti i të cilës qe një vendas me emër të gëzueshëm dhe popullor: Taq Gjogu. Në të ishte një krevat i ngushtë (tek) si edhe një dollap i vogël muri, që të dyja nga ato të fjetinave të ushtarëve. Bashkë me një sobë metalike, disa batanije dhe dy palë çarçafë, ato qenë në inventar të regjimentit të artilerisë.
Shtrati ishte aq i pamjaftueshëm për dy njerëz sa, kur secili prej tyre dëshironte të kthehej në krahun tjetër për t’u rehatuar më mirë që ta zinte gjumi, lajmëronin më parë shoshoqin me një “Mbahu!” Sepse një lëvizje e gabuar dhe krevati përmbysej.
Gjithsesi në atë dhomë të mobiluar ushtarakisht ftonin miq të shumtë dhe në dimër i qerasnin me gështenja që i piqnin mbi sobë. Hatixhja e bukur teshat e saj ja delte t’i mbante në dollapin e ngushtë metalik pa iu krijuar qoftë edhe një rrudhë dhe bashkë me Luanin, elegantë që të dy, shkonin të kërcenin në restorantin e Hotel Kolombos, i cili ndodhej në shëtitoren kryesore të qytetit. Madje ata u bënë shkaktarë që ky, vallzimi publik i çifteve në atë mjedis, të bëhej rregull edhe për vetë beratasit (Në sallë edhe pse binte një orkestër askush nuk ngrihej të kërcente, prandaj edhe një ditë Luani e thirri kamarjerin dhe i tha: “Na hap pak vend të vallëzojmë!” Ky u përgjigj: “Nuk e di, të pyes”. Pas pak u kthye dhe shtyu tavolinat mënjanë. Hatixhja dhe Luani kaq deshën dhe menjëherë brofën, i hodhën duart njeri tjetrit mbi sup dhe në bel).



Për festivalisten e Moskës Berati nuk ishte i dashur vetëm sepse atje kishte të dashurin dhe tashmë burrin e vet, por lidhja shpirtërore qe akoma shumë më e thellë. Ai ishte qyteti i gjyshit, Abdyl Bakiut, dhe i të vëllezërve të tij, pra i xhaxhallarëve të saj, me pak fjalë i tërë familjes Gjebrea. Në fillim të shekullit këta patën lënë vendlindjen, Gjirokastrën dhe qenë vendosur këtu.
Në Berat gjyshi kishte eshtrat, bashkë me tre të tjerë, jo në një varrezë të zakonshme, por poshtë një lapidari të shumë adhuruar prej vendasve, atë të Katër Dëshmorëve të Kombit. Siç më pas do ta përshkruante historinë e asaj jete i vëllai i Hatixhes, Shpëtimi, i cili është një mjek me pasion të dukshëm edhe për historinë, referuar gazetës “Demokracia” të ditës së shtunë, 6 prill 1935, Abdyl Baki Gjebrea “Në vitin 1912 së bashku me shokë të tjerë ngre flamurin Kombëtar në qytetin e Beratit dhe prej andej Ismail Qemali e përfshiu në Qeverinë e tij, duke e caktuar Drejtor të Financave dhe më vonë si nënprefekt në Skrapar, ku qëndroi nga viti 1913 deri në vitin 1914, datë në të cilën rebelët e Musa Qazimit zaptojnë Beratin, duke djegur shtëpinë e Baki Gjebresë dhe më vonë duke e dënuar me vdekje”. Ky, shkruan Shpëtimi, bëri çmos për ta shtënë në dorë, “deri sa arriti ta arrestojë atë në Poliçan të Skraparit. Së bashku me të u arrestuan edhe patriotët e tjerë, Dëshmorët e Kombit Ismail Klosi, Hajredin Fratari dhe Muharem Lleshi. Prefekti Eqerem Kozara mori përsipër gjykimin e këtyre patriotëve, të cilët brenda pak ditëve i gjykoi dhe i dënoi me vdekje. Ja çfarë thuhej në vendim: “I famshmi ngatrestar Abdyl Bakiu (Baki Gjebrea) nga Gjirokastra, ish sekretar batalioni dhe më vonë sekretar regjimenti i ushtrisë Otomane, i rritur dhe i ushqyer me bukën dhe dhuratat e shtetit dhe popullit otoman, ka tradhtuar ushtrinë në kohën e Luftës Ballkanike, duke ushqyer dhe shërbyer mendimit të Ismail Qemal bej Vlorës, duke u përpjekur pa reshtur për sigurimin e indipendencës së Qeverisë së Vidit... Vendi, koha e ekzekutimit 25 prill 1915”.
Para se ta vrisnin me mitroloz Bakiu deklaroi “Protestoj para juve dhe para historisë për akuzën që më bëni, duke më cilësuar si tradhtar të Atdheut. Përkundrazi ne jemi patriotë, jemi përpjekur dhe kemi punuar vetëm për lirinë e Shqipërisë. Tradhtar dhe të poshtër jeni ju, që të verbuar nga padituria, po bëheni vegla të të huajve për shkatërrimin e Shqipërisë. Por duhet ta dini se në këtë vend s’ka për të shkelur më këmba e osmanliut, siç kujtoni ju o të çmendur, por sigurisht do të valoj këtej e tutje dhe përgjithnjë vetëm Flamuri i kuq i Shqipërisë. Rroftë Shqipëria!”

Babai saj ballist dhe si u soll Enver Hoxha

Baki Gjebrea la pas tre djem: Kastriotin, Qazimin (të atin e Hatixhes) dhe Myrtezanë që emigroi në Amerikë dhe vdiq atje beqar. Kur ndodhi pushkatimi me mitralim, Qazimi ishte 14 vjeç. Pasi kishte përfunduar shkollën qytetëse të Beratit dhe marrë një bursë nga qeveria austriake, ai pati shkuar për studime në qytetin Grac të Austrisë, në një gjimnaz. Ishte bashkë me Eqrem Çabejin dhe Spiro Moisiun. Banonin në një jetimore dhe duke qenë se pas vrasjes së të atit nëna, Hatifeti, ndodhej në shtëpinë e xhaxhait, pra të vëllait të madh të babait, Rustemit, Qazimi përfundoi në Grac vetëm tre klasë dhe u kthye në Berat për t’u kujdesur për të ëmën.
Ramize Gjebrea, emri i të cilës partizane të shquar tashmë njihet prej çdo shqiptari për vrasjen e saj mizore vetëm sepse, e fejuar me Nako Spiron kishte rënë në dashuri me Zaho Kokën, qe bija e Rustemit. Këtë vajzë xhaxhai Qazimi e kishte si motër. Kur Hatixheja vazhdoi në Tiranë shkollën pedagogjike pyetja e parë e mësueseve të saj qe “çfarë e ke pasur Ramizenë?” Pas kësaj në çdo bisedë flitej vetëm për bukurinë dhe zgjuarsinë e saj. Nako Spiro pas lufte, deri sa vdiq me vetëvrasje të detyruar, i martuar tashmë me Liri Belishovën, çdo të diel e ftonte për drekë nënën e Ramizesë, Tafijen. Belishova edhe tani çdo 6 mars, përvjetor i trishtuar i kësaj vrasjeje për thjesht një dashuri, e telefonon Hatixhenë. Njëherë i qe shprehur se tek ajo kishte parë shumë karakteristika të Ramizesë.
Duke qenë se Luan Greva është kushëri i parë me Nexhmije Hoxhën (i ati i të cilit qe vrarë gjatë luftës nga serbë ndërsa bashkë me të tjerë mbronte qytetin e Dibrës) edhe kjo, kur ky shpalli lidhjen e dashurisë me vajzën nga familja Gjebrea, pati pyetur se çfarë e kishte e fejuara e tij Ramizenë.
Qazimi, pasi në vitin 1934 qe rikthyer në Gjirokastër, gjatë luftës, ndërsa mes komunistëve dhe ballistëve ende nuk kishte shpërthyer armiqësia, ishte me këta të fundit. Kur mes tyre nisi ndeshja e armatosur ai u largua nga të dy palët, duke mbetur i mënjanë. Kur Gjirokastra u pushtua prej gjermanëve dhe siç bukur këtë moment e ka përshkruar Ismail Kadare tek “Darka e gabuar”, njohësit e gjuhës së tyre i thirrën për të shërbyer si përkthyes, u hap fjala se kjo ndodhi edhe me Qazim Gjebrenë. Por ky shërbim i tij nuk u krye kurrë, ishte thjesht një fjalënajë. Veç në shtabin partizan vrapoi opinioni tjetër: që ai kishte bashkëpunuar me pushtuesit. U vu menjëherë në listën për t’u pushkatuar dhe ky kob fare lehtë do të ndodhte sikur të mos qe një drejtues i lartë i nacionalçlirimtarëve lokalë, i cili ndërhyri fort dhe sqaroi gjithçka.
Pas lufte, rigoroz siç ishte, saktësisht “gjerman” në kulturë e në të sjellur, kur hartoi biografinë e tij, Qazim Gjebrea shkroi se pati qenë me Ballin Kombëtar. Kjo i kushtoi shumë. Nga sekretar komune ca kohë, pastaj drejtor i fabrikës së këpucëve, e ulën në magazinier dhe më pas, gjithë kohën e moshës për punë, e kaloi ashtu. Ishte në një punë të tillë tek Uzina Mekanike në Tiranë, kur një ditë aty erdhi për vizitë Enver Hoxha. Qazimi u përpoq të fshihej mes të grumbulluarve për pritjen festive, por atij ia kapi syri. Drejtor qe Hajredin Çeliku dhe Hoxha e pyeti këtë nëse qe e vërtetë që aty punonte edhe Qazim Gjebrea. Sa ia pohuan e thirri menjëherë dhe e pyeti nëse kishte ndonjë hall. “Jo, nuk kam, faleminderit! Fëmijët i kam në shkollë”, qe përgjigjur.
Që prej këtij çasti, edhe pse tashmë në prag të pensionit, ndryshoi dukshëm qëndrimi politik dyshues ndaj tij. Kur Enver Hoxhës i ndërroi jetë nëna, Qazimi me dy bashkëmoshatarë pleq nga Gjirokastra shkoi për ta ngushëlluar. Për shkak se deri ato çaste kishte pritur njerës dhe Hoxha për pak kohë shkuar të shlodhej, kur ata tre ngushëlluan ai nuk qe aty. Pas kësaj ata shkuan në kafen sipër Pallatit të Kulturës dhe ende nuk e dinin që ndërkohë punonjës të Sigurimit të Shtetit kishin trokitur me ngut në të tre shtëpitë dhe patën pyetur se ku ndodheshin. Enver Hoxha i kishte ftuar ta vizitonin sërish dhe kur të tre të nesërmen rihynë në shtëpinë e tij, ai u kërkoi falje që një ditë më parë nuk kishte ndodhur të ishte aty për t’i pritur personalisht.
Ky gjest ia kishte ngrohur zemrën Qazim Gjebresë, por nuk i fashiti kurrë një brengë tjetër. Kjo i kishte filluar në vitin 1958, kur Enver Hoxha vlerësoi për herë të parë pozitivisht lëvizjen haxhiqamiliste, çfarë donte të thoshte se zvogëlonte shumë rolin e martirëve që kishin dhënë jetën kundër këtij rebelimi filootoman. Gjithsesi sa herë që mundte gjente rastin të shkonte në Berat dhe tek lapidari i Katër Dëshmorëve të Kombit të vinte një tufë me lule. Tashmë ai vend i shenjtë, krijim i përkryer artistik i skulptorit Dhimitër Çani, nuk kishte vëmendjen e mëparshme, atë të viteve tridhjetë, kur u ndërtua, sepse pranë, në të djathtë, qe lartuar një bust i madh i Stalinit dhe në të majtë një lapidar fare mediokër, tepër voluminoz, kushtuar vendkrijimit të batalionit partizan të rinisë me emrin “Margarita Tutulani”.
Qazimi do të ndërronte jetë në vitin 1970 dhe nuk do të vuante një brengë të re. Në Gjirokastër, ndërsa me emrin e të atit, dëshmorit të kombit Baki Gjebrea, ishte një rrugë, gjatë periudhës kur në Presidencë qe Sali Berisha (dhe ndoshta pa dijeninë e tij), ai emër u hoq. Për të mos u rivënë më kurrë, në tërë një çerek shekulli të Shqipërisë paskomuniste.

Puthje në Paris

Këto çaste kur po shkruajmë për Hatixhe dhe Luan Grevën ajo është 78 vjeç dhe ai 83. Shumë vështirë tua besosh këtë moshë jo thjesht vetëm nga pamja, por nga dashuria që vazhdojnë t’i shprehin njëri-tjetrit.
Për t’ia bërë të qartë lexuesit këtë karakteristikë të tyre do të na duhet të rrëfejmë tërë familjen. Kanë dy djem që jetojnë në Francë. Ariani, që është më i madhi, ka lidhur kurorë me francezen Fransoise dhe kanë vajzën Sharlene si edhe djalin Arnaud. Në katër faqe speciale që “RD” e Tiranës botoi në 2011 për gjithë familjen Greva e më dukshëm për Arianin, thuhet se përveç se arbitër shumë i njohur ndërkombëtar i basketbollit ai ishte edhe “drejtor komerçal i kompanisë së madhe të tekstilit “Filix”, që ka marrëdhënie pune me 90 shtete në botë”. Një muaj më parë kjo gjendje e tij e pesë viteve të shkuara ka ndryshuar: tani është bërë pronari i saj. Ndërkohë Arnaud (arnauti), kur e gjyshja Hatixhe e pyeti nëse kishte ndonjë të fejuar, ky i tha se zezake dhe arabe nuk e donte. “Do vetëm franceze?”, e pyeti. “Jo patjetër franceze, por edhe shqiptare”, i erdhi përgjigja e gëzueshme.
Biri i dytë i çiftit Greva është mjek dhe quhet Aksel, e shoqja Patrizia. Fëmijët e tyre thirren Leane dhe Donan. Të dy çunat prej prindërve kanë marrë zakonin e mirë të duhen shumë me bashkëshortet. Franceskat i vlerësojnë shumë për këtë cilësi.
Kur Ariani u martua me Fransoise, kjo i tha Hatixhes “Kam qejf të shkojmë bashkë siç kanë shkuar prindërit e tyre. Si ke vepruar?” Atëherë ajo i shpjegoi “sekretin” e parë: çdo mëngjes i bëja gati veshjet. “Këtë nuk e bëj”, tha franceska. “Sekreti” i dytë, vazhdoi Hatixhja: nuk haja kurrë bukë pa e pritur të hanim bashkë”. “Edhe këtë nuk kam ndërmend ta bëj”, reagoi e reja, por pranoi ta dëgjonte se edhe kur dy djemtë u rritën dhe u bënë studentë dhe Luani vinte vonë nga spitali, Hatixhja gjysmën e pjatës e hante me të bijtë dhe gjysmën tjetër kur vinte i shoqi. “Po sekreti i tretë?”, ngulmoi Fransoise. “I gatuaj gjëra të reja, në treçerkun e rasteve surpriza”. “As këtu nuk më ke. Ka edhe sekret të katërt?” “Ka. Kur del nga shtëpia shkoj në dritare dhe e shoqëroj me sy, kur vjen sërish e pres në dritare”. “Uf!”, ja bëri franceska dhe u shkri së qeshuri: “Qenka punë shumë e rëndë!”
Rrëfimin e pesë “sekreteve” të saj të dashurisë me të shoqin Hatixhja nuk e çoi më tej, sepse kishte edhe një: ta puthte Luanin. Edhe kur fundjavave shkojnë në Durrës dhe shëtisin buzë detit, ajo e puth. E ka puthur posaçërisht në mes të Parisit, kur shkuan atje për herë të parë (“Luan, këtu do të puthemi sepse as na sheh, as na njeh dhe as në pyet njeri”).

Netët e Bardha të Moskës

Ndërsa kur Luan Greva mbushi tetëdhjetë vite të dy bijtë u bënë surprizë prindërve të tyre një udhëtim në Venecia, kur Hatixhja festoi shtatëdhjetëvjetorin (2007), surpriza e re qe shumë speciale: një javë qëndrim në Shën Petersburg dhe në Moskë, duke nisur nga 25 qershori. Kjo donte të thoshte do të përjetonin të gjithë periudhën e Netëve të Bardha, pra kur të njëzetë e katër orët janë krejtësisht ditë.
Ishte njëzetë vjeçe kur për herë të parë shkoi në kryeqytetin rus, në Festivalin e Rinisë. Po rikthehej pas plot pesëdhjetë vitesh. Qendra historike e Moskës ishte po ajo, por në Mauzole mungonte trupi i balsamosur i Stalinit, i cili ishte atje kur në 1957 e vizituan. U bëri përshtypje se tek sheshi para Bolshoj Teatrit nuk qe vënë asnjë bust i ri, për shembull i ndonjë balerini apo edhe i ndonjë shkrimtari. Vazhdonte Karl Marksi, Frederik Engelsi dhe diku thirrja “Proletarë të të gjithë vendeve, bashkohuni”. Në Shën Petërsburgun e mahnitshëm, Leningradin e dikurshëm, emri i vjetër qe rikthyer vetëm për qytetin e vjetër. Gjithçka tjetër quhej sërish Leningrad. Kryqëzori “Aurora”, që kishte shënjuar nisjen e revolucionit bolshevik ishte aty, i mirëmbajtur fringo.

Imazhi i “Një mbi një dritareve”, por edhe i Vjosa Jakovës

Hatixhja dhe Luani ikën nga Berati në 1969. Këtë kohë Mita Jakovën dhe katër fëmijët e saj i dërguan në Fier.
Në parkun e qytetit vazhdonte të vallëzohej, po ashtu edhe brenda Hotel Kolombos. Kjo do të zgjaste deri në vitin 1973, kur gjithçka e tillë do të ndalohej dhe dashuritë e shqiptarëve do të hynin përfundimisht, deri në 1990, në Vitet e Dreqit.
Dy nuset franceze e duan shumë qytetin e “Një mbi një dritareve” dhe kur erdhën për herë të parë në Shqipëri, shkuan atje. Mbetën të pagoja nga sa panë.
Ndërkohë nga familja e prindërve Leman dhe Qazim, tre djemtë Pëllumb, Shpëtim dhe Fitim, si edhe Hatixhja, shkojnë e vënë një tufë me lule tek lapidari i Katër Dëshmorëve të Kombit, siç bënë në 28 nëntor 2002.
Por bashkë me mrekullinë e arkitekturës dhe të shpirtit paqësor të beratasve mësuesja e gjuhës ruse në këtë qytet për pothuaj një dekadë, nuk mund të harrojë dot fatin e dhimbshëm të familjes Jakova.
Nuk i hiqen nga mend përgjigja e vajzës së madhe të Mitës dhe Tukut, kur e pyeti si saktësisht e kishte emrin Vjosa apo Vjollca: “Vjosa moj zysh, sepse babi ia ka shfaq dashurinë mamit, kur kanë kaluar lumin Vjosa”.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com