|
Foto: .jpg | DASHURI NË VITET E DREQIT
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 4 qershor 2015)
Një agjent kosovar i ambasadës jugosllave
Pjesa e parë
Pothuaj të gjitha ngjarjet që do të përshkruhen në këtë cikël prej katër pjesësh e kanë sfondin e tyre kryesor në historinë e Shqipërisë së Luftës së Dytë Botërore si edhe në dramën politike të saj më pas, kur u shndërrua në diktaturë.
Por edhe në një qytet tepër të veçantë dhe të hapur ndaj lirisë së shpirtit: Beratin.
Është filli i dashurisë së zemrave brenda një sistemi politik të vrazhdë që do t’i mbajë të lidhura ato si edhe vetë njerëzit që do të jenë personazhet e ciklit: festivalistja e rinisë në Moskë dhe mësuesja e talentuar e gjuhës ruse në atdhe, Hatixhe Gjebrea, bashkë me shokun e saj të jetës, kirurgun dibran Luan Greva; Mita, bashkëshortja e Tuk Jakovës, po ashtu vajza e tyre me bukuri dhe inteligjencë mahnitëse, Vjosa.
Si edhe shumë të tjerë, pa munguar në periferi edhe vetë Enver Hoxha me Nexhmijen e tij.
Dihet që Berati është i vetmi qytet në tokat e shqiptarëve, por edhe për qindra kilometra përtej tyre, i cili në gojëdhënën e vet të formimit ka një histori dashurore.
Ishte një vajze e bukur që u hyri në zemër njëherësh dy djemve.
Për t’ia fituar atë, ata bënë duel. Njëri e godiste shemrin me topuz dhe tjetri i kthehej me shpatë.
Por vasha e hijshme nuk e dëshironte këtë dyluftim, prandaj u lutej të ndaleshin dhe me që ata kokëfortësisht e vazhduan ndeshjen me armë, ajo nisi të derdhte lotë e të qante pa pushim.
Kur u pa se dy të rinjtë nuk i ndalte asgjë dhe ndërkaq dhimbja e vajzës shumë të bukur u qe aq e madhe sa u përhap në të gjithë kozmosin, një fuqi hyjnore i ndali me mjetin e vetëm që kishte për ta zgjidhur: i ngriu që të tre.
Kështu vashëza u bë Kalaja (kodra qendrore e qytetit ku ndodhet kështjella dhe lagjia karakteristike e shtëpive një mbi një, Mangalemi). Njëri djalë u shndërrua në Malin e Tomorit me shkëmbinjtë e thërrmuar prej topuzit të djaloshit Shpirag dhe ky i fundit, ngurtësuar edhe ai në mal, trupin e ka tashmë vija-vija pikërisht nga goditjet e shpatës së Tomorit.
Prej lotëve të vajzës Kala u formua lumi Osum, i cili kalon përmes banesave dhe kodrave në të majtë e në të djathtë, duke rendur pastaj drejt bashkimit me Devollin dhe më pas, nën emrin Seman, derdhet në det.
Që Berati është qyteti shqiptar i dashurisë, përveç kësaj legjende, nuk e dëshmojnë vetëm edhe shumica e këngëve të tij popullore, lirika të ndjera po aq sa ato të korçarëve, por edhe një cilësi tjetër: pasioni i madh i beratasve për të rritur lule, sidomos trëndafila.
Tamam në këtë mjedis në 23 qershor 1955 u transferuan nga Tirana familjarisht, në gjendje izolimi politik, bashkëshortët Dhimitra dhe Tuk Jakova, ky i fundit për të paktën tetëmbëdhjetë vite, një nga komunistët vendas më të njohur, i burgosur dhe e internuar që prej Ahmet Zogut. Para se për herë të dytë ta dënonte Enver Hoxha qe eksponent kryesor i Partisë Komuniste Shqiptare.
Tek erdhën në Berat çifti Jakova kishte me vete katër fëmijë. Qenë fare të vegjël, nga 9 deri 4 vjeç. Tuku menjëherë filloi të punonte si marangoz në zdrukthëtarinë shtetërore të qytetit, çfarë ishte zanat i viteve të tij të rinisë, kurse e shoqja si arsimtare në një shkollë fillore.
Në nëntor 1956 u njoftuan se qenë të internuar për pesë vite.
Në 24 maj 1957 Tuk Jakovën e ndanë nga familja dhe e mbyllën në Kalanë e Kaninës në Vlorë. Në shtator e kyçën në Zvërnec. Në 4 janar 1958 e arrestuan, ndërsa në 17 prill iu dha dënimi me 20 vite burg.
Që prej këtij çasti u mbajt në një qeli të asaj ngrehine që në Tiranë quhet Burgu i Vjetër.
Ndërkohë në vjeshtë të vitit 1958 nga kryeqyteti erdhi në Berat edhe një student që sapo pati përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë: Luan Greva. Ishte emëruar mjek në regjimentin e artilerisë. Ky ndodhej në periferinë lindore të qytetit, në vendin e quajtur Uznovë, ngjitur me spitalin civil. Kjo rrethanë e fundit do t’i jepte mundësi jo vetëm të rritej profesionalisht, por edhe të njihte nga shumë afër mijëra qytetarë vendas dhe banorë të fshatrave përreth.
Mjeku i porsaardhur, tip punëtor dhe shumë kurioz, e gjeti popullatën me një gjendje shëndetshmërie të mirë dhe të qëndrueshme, çfarë më së shumti qe rrjedhojë jo vetëm e gjysmës së dytë të viteve pesëdhjetë, kohë që mbahet mend për një lloj bollëku, por mbi të gjitha e traditës së jetës së zhvilluar dhe të begatë qytetare të saj që prej shumë shekujsh, sidomos në mijëvjeçarin e dytë.
Luan Greva që në fillim vuri re se beratasit qenë njerëz të urtë, të prirë për t’u rehatuar në guaskën e jetës së tyre familjare dhe shumë të kujdesshëm tua zgjeronin hapësirat e mikpritjes të gjithë ardhësve. Ishin të sjellshëm e të rezervuar, por edhe të ëmbël në komunikim. Qenë gjithashtu edhe temperamente artistikë, sidomos të prirë ndaj muzikës. Vetë Luani ndihej i aftë për ta bërë një përcaktim të tillë, sepse në vitet universitare pati qenë drejtues i korit të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë në Berat ai u mor edhe me mbledhjen e folklorit, duke qenë madje në një festival lokal edhe në përbërje të jurisë.
Aty mjeku i ri ushtarak e kuptoi fare bukur se sa shkulmë, se sa mallim dhe sa vuajtje dashurie kishin vargjet e këngëve beratase “mora përpjetë kalanë dhe zbrita tatëpjetë” apo “psherëtima doli flakë”.
Ndërsa në qytet fati i familjes Jakova po shkonte drejt pikës më tragjike të saj, vdekjes në rrethana të errëta të Tukut (26 gusht 1959), Luan Greva dashurohej në Tiranë me Hatixhe Gjebrenë dhe fejesën zyrtare e bënë në 27 dhjetor 1959.
Tani, pasi bëmë këtë paraqitje të shpejtë, le ta rrëfejmë më hollësisht atë rrjedhë ngjarjesh, të cilës i vumë si kryetitull “Dashuri në vitet e dreqit”, çfarë do të thotë zemra që rrahin për njëri-tjetrin në një kohë buzëplasur, siç qe diktatura ideologjike me emrin fals “socializëm”.
Pranverë sovjetike në Tiranë dhe një agjent kosovar i ambasadës jugosllave
Hatixhe Gjebrea e pati mbaruar shkollën e mesme me medalje ari, kurse Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në degën e rusishtes, me Diplomë të Kuqe. Ajo qe e zgjedhur në Komitetin Qendror të Rinisë së Universitetit të Tiranës, po ashtu edhe balerinë, këndonte bukur dhe i binte kitarës. Ishte po kaq e talentuar si sportiste, ndër të parat në Shqipëri për gjimnastikën artistike. Ishte bionde, në fytyrë me tipare të ngrohta dhe që bënte gjeste të shpenguara afrimi, por ndërkohë tepër serioze. E nxehta dhe e ftohta, zemra dhe arsyeja, tek ajo ishin bërë një krijim magjik. Të gjithë kësaj të veçante i shtohej përshtypja se në pamje ngjante krejtësisht me një ruse.
Në jetën e Hatixhes shfaqja e Luan Grevës ishte pasojë e një fare koincidence. Ky, i emëruar në Berat, rikthehej në shtëpinë e vet në Tiranë me një autobus linje, i cili vinte nga Përmeti. Uniforma ushtarake e liridaljes e bënte shumë të bukur, por edhe ai vetë qe një djalë dukshëm i pashëm dhe i ëmbël, si të qe rritur në një familje aristokratike, ku mbrëmjeve i bihej pianos. Mes këtyre dy bukurive të ndara nga njëri-tjetri u duk sikur një dorë me fuqi qiellore pati hyrë në mes për të kombinuar një rastësi të çuditshme: sa herë që Luani zbriste në Tiranë nga autobusi personi i parë me të cilin shkëmbehej ishte Hatixhja. Në të vërtetë vajza që ngjante si ruse nuk qe e panjohur për të, përkundrazi. Ishin miq nëpërmjet të vëllait të saj.
Të dy shkëmbeheshin tek stacioni i autobusit që vinte nga Përmeti dhe Berati, por gjithsesi asnjë shkëndijë dashurie mes tyre nuk kishte shkreptirë. Simpatia po. Ajo “sikur”, për t’i bashkuar, rrinte zgjuar. Një natë patën qenë duke vallëzuar tek Parku Rinia dhe të nesërmen, kur për të qepur një fustan Hatixhja shkoi tek një dyqan rrobaqepësie, ku privatisht punonin një tufë me motra nga fisi i Shehlerëve të Dibrës, ato sapo e panë të bukurën çupë të Gjebreve, nisën të buzëqeshnin. “Ç’keni?”, i pyeti. “Ke qenë mbrëmë tek Parku Rinia?”. “Po”, “Ke kërcyer”, “Po”, “Po ai që kërceve ti cili ishte?”, “Luani”. “Ke gjë me të?”, “Jo, e kam shok të vëllait”.
Tufa e motrave pas kësaj kishin shkuar tek një kushërira e tyre e vjetër në moshë dhe e mençur në gjykim e këshillë, dhe i thanë se për Luanin kishin gjetur një gocë. Kushërira vrapon tek nëna e këtij të fundit dhe ia tha. “E mirë është”, iu përgjigj, por nuk nxori asnjë fjalë tjetër. Kur Luan Greva erdhi si zakonisht nga Berati e ëma ia tregon të gjithë historinë. “Përse nuk e merr ti?”, e pyeti një çast. “Por unë e kam motër të shokut të ngushtë” iu përgjigj i habitur i biri. Pastaj papritur shtoi: “Por në qoftë se ti do...”.
Kur u mor vesh lajmi se Hatixhe Gjebrea do të fejohej me Luan Grevën i vëllai i saj u trondit aq shumë sa u shtrua menjëherë në spital. Brenga e madhe qe përse shoku më i ngushtë dhe vetë motra e tij e kishin bërë marrëveshjen mbrapa krahëve. Sigurisht kjo krizë i kaloi shumë shpejt, sidomos sapo ia argumentuan se ajo miqësi nuk ishte sajuar aspak për të maskuar këtë qëllim fejese. Që prej këtij çasti i vëllai u kthye në të kundërtën, ishte i pari në rreshtin e organizatorëve dhe të garantëve që ceremonia e fejesës të dilte sa më dinjitoze.
Fejesa, siç e thamë, u bë në 27 dhjetor 1959.
Në Tiranë dhe në të gjithë vendin vazhdonte atmosfera e mes dhe e fundviteve pesëdhjetë, të cilën në kushtet e Shqipërisë mund ta quajmë si “pranvera sovjetike”. Në BRSS po vazhdonte destalinizimi dhe “shkrirja e akujve”, zbutja e madhe brenda vendit e represionit politik dhe jashtë tij acarimi i Luftës së Ftohtë po këmbehej me garën paqësore ekonomike midis vendeve të kampit socialist dhe atyre të bllokut perëndimor, të quajtur kapitalist.
Në të gjitha qytetet kryesore shqiptare shfaqeshin filma rusë, por edhe italianë, botoheshin romane, kudo që të mundej nuk kishte të shtunë pa organizuar mbrëmje vallëzimi. Rinia shkollore dhe ajo studenteske ishin në qiellin e shtatë të kësaj atmosfere gëzimi. Lufta e klasave pothuaj nuk ndihej, në haré ishin madje edhe shumë prej të rinjve që i kishin prindërit e tyre të arratisur.
Në Tiranë taverna e Hotel Dajtit, si rregull lënë vetëm për punonjësit e ambasadave, frekuentohej masivisht nga studentët. Një ditë të fillim vitit 1959 Hatixhesë, tek rrinte në një tavolinë me shoqet e saj, iu afrua një konsull i ambasadës ruse. Njiheshin sepse herë pas here ky vinte në Fakultet për të biseduar me pedagoget ruse. Qe djalë i ri dhe simpatik. Kur iu avit Hatixhesë i tha gjithë nënkuptim: “Gjebrea, qejf kam, pare kam, moshën e kam, ku të vete?”
Por ajo e hoqi qafe butësisht.
Luan Greva, me të cilin këtë kohë thjesht qenë ende shokë, i pati treguar një rast të ngjashëm, të ndodhur gjatë vitit 1956, pak para se të plaste ngjarja e Konferencës së Tiranës, e cila u quajt ndërhyrje e Jugosllavisë në punët e brendshme të Shqipërisë. Tek bashkë me dy shokë të tij po rrinin në një tavolinë të tavernës tek Tajvani, ku kishte edhe një pistë vallëzimi, u erdhi pranë dhe duke shfrytëzuar njohjen me të vëllanë e Shyqyri Ishmit, më pas u ul në tavolinë atasheu i ambasadës jugosllave me detyrë shërbimin e fshehtë, Rexhep Xhija. Ky qe nga Kosova. Ishin momente, pas vizitës së Nikita Hrushovit në Beograd, të një përpjekjeje për zbutje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe shtetit të Titos. Duke qenë se Luani me shokët e vet ia prenë hovin Rexhep zbuluesit diversionist, ky, paksa e zëmëruar, u kujtoi se vetë Enver Hoxha qe për afrim mes dy vendeve dhe qeverive, madje ai pas pjesëmarrjes në Kongresin e Njëzetë të Partisë Komuniste të BRSS, ku me një raport sekret qenë denoncuar krimet e regjimit stalinist, i kthyer në Tiranë, pati deklaruar botërisht për “Punët e fëlliqura të Stalinit”.
Në të vërtetë Rexhep Xhija provokonte. Kur u ngritën të iknin ky desh t’i përcillte me makinën e tij, por të tre studentët refuzuan. Megjithatë lajmi i këtij takimi shkoi në Fakultet, veç këtu, pasi ua treguan ngjarjen fill e për pe, e mbyllën menjëherë atë histori.
Festivali i Rinisë në Moskë dhe përgjimi nga lart pemës
Në muajin korrik 1957 në Moskë do të mbahej për pesëmbëdhjetë ditë Festivali Ndërkombëtar i Rinisë. Do të merrnin pjesë në të grupe prej të gjitha vendeve socialiste. Në përzgjedhje të përfaqësisë shqiptare në Tiranë konkurruan grupe korale, veçanërisht oktete. Ndërsa Luan Greva drejtonte oktetin e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhja qe pjesëtare e atij të Filologjisë. Mes universitarëve ngadhënjeu ky i fundit, duke fituar të drejtën për të shkuar në Moskë në emër të rinisë shqiptare. Në grupin konkurrues për në Festival do të kishte edhe valltarë si edhe një skuadër futbolli, ajo e ekipit “Partizani”.
Oktetin (tetëshen korale) të Fakultetit të Filologjisë në Tiranë e përforcuan me Anita Taken dhe Vaçe Zelën.
Drejt festivalit moskovit përfaqësia shqiptare u nis me vapor nga Durrësi. Brenda një jave mbërriti në portin e Odesës dhe prej andej me tren shkoi në kryeqytetin sovjetik.
Në Moskë grupi shqiptar pati sukses të plotë, sidomos vallet e Tropojës. Rusët e pëlqenin shumë atë lloj arti dhe i mbajtën shqiptarët në pëllëmbë të dorës. Kudo, sa i shihnin, thoshin me zë të lartë dhe me gëzim “Allbania”. Kudo u hapnin rrugën.
Një ditë grupi i të rinjve festivalistë shkoi në një park, ku edhe do të mbahej shfaqja e asaj dite. Mes shikuesve vajzave shqiptare u ra shumë në sy për hijeshi mashkullore një djalë brun. E menduan azerbaxhanas, por ky papritmas thirri me emër Hatixhenë. Fillimisht kjo u hutua, veç shpejt ai i kujtoi se patën qenë bashkë në klasën e katërt fillore. Ishte i nipi i Sadik Bekteshit. Quhej Sandër Sokoli. Qe në Moskë për studime. (Kur u kthye në atdhe ai bëri karrierë deri si drejtor i Uzinës Ushtarake të Poliçanit, por pas goditjes së ushtarakëve të lartë, dhe pa dalë asnjë akuzë e qartë, u arrestua dhe u pushkatua).
Gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të Festivalit të Rinisë në Moskë, në krah të Hrushovit në tribunën e parakalimit të pjesëmarrësve ishte edhe Enver Hoxha.
Pas kthimit në Tiranë Hatixhja, e cila prej Bashkimit Sovjetik pati sjellë edhe ndonjë veshje të lehtë (mban mend sidomos një palë çorape të holla), një ditë, ndërsa ecte, ndjeu ta ndiqte dikush nga pas. Ky pas pak i doli në krahë. Ishte me moshë fare të re. I tha “Jam një dashamirësi yt”. “Urdhëro!”, reagoi me mirësjellje ajo. “Mbrëmë ke qenë me dy shoqe të tua karshi Hotel Dajtit?” “Po”. “Unë kam qenë mbi ju, hipur në një pemë”, vazhdoi i porsaardhuri. “Keni folur me njëra-tjetrën”, shtoi menjëherë. “Sigurisht”, u përgjigj plot ankth Hatixhja. “Nuk keni thënë gjë të ndaluar”, buzëqeshi sigurimsi. “Faleminderit!”, belbëzoi e tronditur ajo. Sidoqoftë nuk harroi t’i fiksonte fytyrën, madje arriti t’i marrë edhe emrin. Quhej Fadil.
Ky përgjues do të dukej sërish disa herë të tjera, duke qëndrua në cep të pallatit ku jetonin Gjebretë, në të gjitha rastet kur tek ta do të vinte një teze e tyre, e cila qe e internuar në Selenicë të Vlorës. I shoqi, luftëtar republikan në Spanjë, pas Konferencës së Tiranës, për shkak se kritikoi favoret e Bllokut, qe futur në burg.
(Hatixhja e ritakoi këtë njeri të Sigurimit të Shtetit pas vitit nëntëdhjetë, ndërkohë që bëhej ceremonisë e rivarrimit të eshtrave të burgosurit politik. U gjend përballë tij jo vetëm në funeral, por edhe gjatë drekës përkujtimore në Shtëpinë e Oficerëve. “Ku të kam parë?”, i tha ky. “Ndoshta kur kam qenë studente”, iu përgjigj. “Po ku?”, nguli këmbë tjetri, i cili vërtet nuk po e pikaste dot. “Ti mos je Fadili?”, mëshoi fjalët pyetëse Hatixhja. “Jo, shkundi kokën fort, si me turfullim, ish-sigurimsi, nuk e kam emrin Fadil”.
Në drekë, mes fjalimbajtësve, u tha se ai qe një lloj zëvëndësi i kryetarir të Shoqatës së të Persekutuarve nga regjimi komunist.
Kur u shpërndanë iu afrua enkas Hatixhesë dhe i belbëzoi nën zë: “Faleminderit shumë për heshtjen!”).
(Vijon)
Ylli Polovina
.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|