Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEU, HIQ E VËR


(Botuar në gazetën “Shqip” më 22 maj 2015)

Tani mund të thuhet me bindje të plotë se në Shqipërinë e pas vitit 1990 Gjergj Kastrioti ka prodhuar më shumë vëllim informativ si bust zyrtar i ndodhur në Këshillin e Ministrave, në Presidencë dhe në Pallatin e Brigadave, sesa kur ka pasur tërë Vitin e Tij në 2005 (600-vjetorin e lindjes) apo në ndonjë botim të bujshëm e shkaktues të zhurmshëm debatesh si ai historianit zvicerano-gjerman Oliver Jens Schmitt.
Krahasuar me lëvizjet e çuditshme, fantazmagorike, sikur kanë këmbë, të busteve të Skënderbeut në këto tre godina kryesore të shtetit (ngrysen në një sallë dhe gdhihen në një tjetër ose sa hap e mbyll sytë zhduken e futen kush e di ku dhe pas njëzetë e katër orësh shfaqen sërish), dy monumentet e tij madhështorë, ai në mes të sheshit qendror të Tiranës dhe tjetri në mes të Krujës, nuk shkaktojnë asnjë tërheqje vëmendjeje.
Trazimin e këtyre busteve nuk e shkakton askush tjetër qeveritar i huaj, i ardhur nga europerëndimi apo pjesa lindore e kontinentit tonë, nga përtej oqeani Atlantik apo në kahe të anasjellë, atje ku ndodhet më së afërmi hapësira arabe, më tej India apo Kina dhe Japonia.
Jo. Bustet e Gjergj Kastriotit bëjnë këmbë kur në vendin tonë mirsevjen ndonjë kryetar i shtetit turk. Madje, siç do të përpiqemi ta provojmë më poshtë, kjo pamje zhgjëndrre ngjan vetëm kur në Tiranë hyn presidenti aktual turk Rexhep Taip Erdogan. Pështjellimin në zyrat tona të larta ai e ka sjellë edhe kur më parë qe kryeministër.
Këtë herë të fundit, pak ditë më parë, loja kukamshefti me bustin e heroit dhe të simbolit tonë kombëtar pati një zhvillim edhe më intrigues se më parë. Ajo u bë gjueti e vërtetë për të kapur me çdo kusht dhe kallëzuar si “tradhtar” ata që e lëviznin broncin e tij sa andej-këtej.
Këtë serial të madh të llojit triller e shndërroi në art diversioni të brendshëm politik edhe rrethana e prag fushatës elektorale. Për nevoja të saj busti i Skënderbeut, i cili kur priste një president të një shteti tjetër ndodhej në një vend të caktuar, kur vinte shefi turk ja mbathte prej andej ose nga një mjedis ku zhvillohen ceremoni të rëndësishme protokollare e nxirrte kokën në fund të një rreshti tavolinash ku qe shtruar buka zyrtare (dreka apo darka).
Por tashmë e gjithë kjo lojë shpërdoruese ka shkaktuar një precedent si edhe bumerang. Po u përsërit do të bëjë me turp faqe botës.
Po të funksionojnë mirë e bukur rregullat e Protokollit të Shtetit këtë herë të fundit nuk do të ndodhte që presidentit turk Erdogan t’i jepej urdhri më i lartë që kemi, ai i Flamurit. Ky cilësohet i merituar vetëm në rastet e kontributeve të jashtëzakonshme dhënë jo shtetit, por mbi të gjitha kombit tonë. Rexhep Meidani gjatë mandatit të tij këtë dekorim shumë të lartë ia bëri vetëm një personi: presidentit amerikan Bill Klinton. Motivi: kontributi për çlirimin e Kosovës.
Presidenti aktual turk, edhe pse mbetet një mbështetës i madh i shqiptarëve, është tepër larg prej këtij roli. Me një respekt të qartë ndaj tij, të cilin nuk kemi asnjë arsye ta vëmë në dyshim apo ta zbehim, kemi të drejtë t’i themi se edhe kur bëri vizitën e tij në Kosovë, prej një deklarate jo të formuluar mirë, na krijoi shqetësim me fqinjin e veriut. Edhe tani u dha shkas fqinjëve të jugut t’i mbushnin gazetat me thashethemin se Stambolli dhe Tirana po komplotojnë kundër Athinës, pra se po i bëkan një rrethim Greqisë.
Këto i vëmë në dukje jo se aleanca jonë solide me Turqinë ka si prapamendim rrënimin e popullit serb, maqedonas apo të atij helen, sepse kjo do të qe një pabesi e madhe, por gjithsesi lypet që të mos u dalë nga mendja fakti real se cilësia e vërtetë e kësaj miqësie mbetet kjo e patundshme: mbrojtja prej ndonjë paudhësie të ardhur, prej ekstremistësh, nga këto drejtime.
Ajo që ndodhi në Kumanovë së fundi, ku u guxua dhe u provokua me jetë shqiptarësh dhe maqedonasish, një intrigë e ligë se bashkëkombësit tanë janë për nga natyra dhe mendësia terroristë ballkanikë, provon se ky rrezik nuk po bën ndonjë gjumë për shtatë palë qejfe, por një sy bën sikur e ka mbyllur dhe tjetrin e kapsallit.
Duke e lënë të dukshëm dhe dashamirës shqetësimin se shtetqeverisësit tanë duhet të kenë më shumë vullnet të mos përziejnë me Skënderbeun interesat e tyre personale për pushtetushtrim, të mos i zhvendosin më bustet e tij por t’i fiksojnë njëherë e mirë dhe pas kësaj të lëvizin tek Ai vetëm zotërinjtë e ardhur. Po ashtu të vendoset njëherë e mirë që prej politikanëve dhe mediave mbështetëse të tyre, të denoncohet një rast real i kësaj dukurie dhe jo ato të sajohen, të shpifen. Duhet njëkohësisht të mos ndodhë që busti i Gjergj Kastriotit të jetë kudo, në çdo sallë dhe në çdo ceremoni të lartë zyrtare, sepse kështu përveç se dëshmojmë varfëri imazhi kombëtar apo patriotizëm provincial, në rrethana të veçanta shtetarë miq, qoftë edhe në rastin e përfaqësuesve nga Turqia, kanë të drejtë ta marrin edhe si provokacion.
Një debat i nxehtë zien mes nesh (por edhe me ta) për rolin e këtij vendi në historinë tonë të pesëqind viteve nën Perandorinë Osmane, për mënyrën e pasqyrimit të kësaj të kaluare në librat tanë të historisë e sidomos të mësimdhënies në shkolla. Deri në zënka me fjalë harbute gjen nëpër blogjera në internet ku turku shahet si “halldup” dhe çdo shqiptar si “turkoshak” në të gjitha ato raste kur përpiqet të gjejë një baraspeshim mes të vërtetës dhe një zelli të vjetër antiturk, mëkuar në disa mjedise ortodokse në gadishull.
Skënderbeu nuk ishte kurrë antiturk. Asnjëherë nuk u bë i tillë. Kjo ndodhi jo vetëm sepse ai jetoi dhe bëri karrierë në administratën e lartë të atij populli, por sepse luftoi kundër një pushtimi, aspak kundër një kombi. Gjergj Kastrioti është tipik një shqiptar, i cili kurrë nuk krijon mëri etnike. Ne na ka pushtuar për shekuj me radhë Perandoria Romake e deri shtatë e kusur dekada më parë italianët e qeverisur prej fashistëve, por afrimi shpirtëror me ta nuk u prish kurrë. U përsërit kjo gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe me gjermanët, por miqësia me këtë vend dhe popull mbetet e pacenueshme nga një farë Hitleri.
Janë tepër të thella dhe shumë më të qëndrueshme raportet e pakëputshme të shqiptarëve me turqit, të Tiranës me Stambollin, të dy popujve tanë, të të gjithë politikanëve andej dhe këtej.
Aq e vërtetë është kjo sa, ndryshe nga të kompleksuarit se mos zëmërohet presidenti autoritar Rexhep Taip Erdogan, në vitin 2000 ka ngjarë një ndodhi e mahnitshme. Këtë e bëri të ditur në facebook ish-këshilltari diplomatik i presidentit Meidani, Vladimiir Pulaj. Më pas na siguroi edhe dokumentin përkatës.
Ngjarja e bukur ka ndodhur 10 maj, kur në Tiranë bëri vizitë presidenti turk i kohës, Sulejman Demirel. Atij në Pallatin e Brigadave, pikërisht në sallën ku busti i Gjergj Kastriotit nuk lëvizte nga vendi dhe një gjë e tillë vinte si traditë nga presidenca Berisha dhe prej këtij nga ajo e Ramiz Alisë apo e dekadave të Enver Hoxhës, iu dha Urdhri i Artë i Skënderbeut.
Demirel, një politikan shumë i njohur si demokrat, jo vetëm iu gëzua këtij vlerësimi, por as i shkoi në mendje t’ia fshihte edhe opinionit publik të vendit të tij, si edhe botës. Vetë Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë e shpërndau lajmin që në 9 maj, një ditë më parë se presidenti turk të vinte në Tiranë.
Emrin e dekoratës së lartë e shkroi ballëhapët: “Medalja Skënderbeu”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 21 maj 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com