Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJĖ SURPRIZĖ QĖ FSHIHET NĖ JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NĖ NUMRIN E SAJ TĖ 28 NĖNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e dytė
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e parė
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ NĖ DURRĖS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

VASIL LAÇI I MBETUR PA PARTI


(Botuar në gazetën “Shqip” më 17 maj 2015)

Pasuria më e madhe e një kombi është vetja e tij, çfarë do të thotë historia që ka bërë dhe e krijon në vazhdim. Shtatëmbëdhjetë maji mbase na bën të reflektojmë ndopak e të kuptojmë sa themeltar në historinë tonë është jo bashkëkombësi zulmëmadh që bën emër duke na u imponuar me parti, por modesti, shqiptari i thjeshtë, ai me vetëm shpirtin e tij.
Si Vasil Laçi, i cili më 17 maj 1941 qëlloi me pesë plumba mbi perandorin italian Viktor Emanueli III. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetëvjeçar. Revolveri qe i vogël, grykëshkurtër, që nuk e garantonte fare goditjen e saktë dhe kështu tjetri shpëtoi.
Gjurma e vetme e dukshme e kësaj ngjarjeje tepër të rrallë jo vetëm në biografinë tonë nacionale, por edhe në të gjithë Ballkanit, ndodhet në kryeqytet, në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit. Shumë vështirë ta dallosh. Është një basoreliev i vogël, në të cilin, përveç tekstit, duket pamja e një fytyre të stilizuar artistikisht dhe e një revolveri mbi një dorë të shtrirë drejt shenjës.
Këtë vepër përkujtuese e ka bërë Diktatura e Proletariatit, pra sistemi shoqëror që kishim në periudhën 1944-1990. Vasil Laçit ajo i kushtoi edhe një libër të posaçëm. Në vitin 1980 po ashtu një film interesant: “Plumba mbi Perandorin”.
Pas rënies së “proletariatasve”, nga punuesit e rinj të pushtetit nuk u vu re ndonjë përkujdesje për djaloshin, të cilin “Fjalori enciklopedik shqiptar” i vitit 1985 e emërtonte “I ri patriot antifashist” dhe vinte në dukje se atentati i tij “ishte fillimi i kryengritjes së madhe që po përgatitej”.
Në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” pasardhës, atë të vitit 2008, shkruar prej të njëjtit autor dhe me po atë përmasë shkrimore (afro njëzetë gjysmërreshta), i riu nëntëmbëdhjetëvjeçar cilësohet si “atdhetar antifashist”, ndërsa për fillimin e kryengritjes së madhe që përgatiti ai atentat, as që bëhet fjalë. Ndërkohë një e treta e lëndës shpjeguese ka një merak të madh: të ngulitë në kujtesën tonë se Vasili mbiemrin nuk e kishte Laçi, por Llaçi.
Për plot pesë dekada djaloshin nga Piqerasi e paskemi njohur me këtë gabim, pasojë më së pari, sipas autorit, e shtypit të kohës. Komunizmi e mori siç e gjeti, që do të thotë siç ja dhanë shkresat e autoriteteve pushtuese. Me sa duket, duke qenë italianë, të cilët si latinë që janë, nuk e kanë germën “ll”, këtë detyrimisht e shqiptojnë “l”. Kështu edhe e shkruan.
Edhe pse e shkuara e para nëntëdhjetës ka ndonjë lajthitje apo edhe tejpërdorim propagandistik (e paraqiti si të ri punëtor me prirje për idetë komuniste dhe filmi “Plumba mbi perandorin” pati mesazh plumba mbi superfuqitë amerikano-sovjetike)), ajo është shumë më e përgjegjshme se një çerekshekulli i tanishëm i shoqërisë pluraliste. Ky është tejet i varfër prej ndonjë gjesti nderues për Vasil Laçin. Sot basorelievi i tij është zgjyrosur nga zmogu.
Me pak fjalë atentatori ndoshta më i famshëm i Ballkanit për Luftën e Dytë Botërore ka mbetur pa parti. Ka njëzetë e pesë mote që propaganda e pluralizmit partiak shqiptar të pas rënies së Murit të Berlinit ka më shumë interes për të lartësuar qëllimisht sa më shumë shtatore të Ahmet Zogut apo shumuar buste të Azem Hajdarit, për të rilyer njëkohësisht lapidarë dhe pllaka përkujtimore me sipër yje të kuq.
Sikur të mos kishte mjaftuar kjo pas vitit 1990 u bë një tentativë e re shpërdorimi partiak. Sipas saj gjithçka heroike që Vasil Laçi (Llaçi) e kreu në 17 maj, pati shtysë, frymëzim dhe qëllim të dëshmonte besnikërinë ndaj mbretit që në 7 prill 1939, nëpërmjet forcës ushtarake, italianët e kishin rrëzuar.
Në 17 maj 1941, kur nëntëmbëdhjetëvjeçari shtiu mbi “Mbretin-Perandor”, fashizmi qe shndërruar në fuqi globale të pathyeshme. Hitlero-musolinianët patën vënë nën sundim pothuaj tërë atë hapësirë shprese për demokracinë, të cilës sot ne i themi Bashkimi Evropian. Sapo kishin përfunduar edhe zaptimin e Ballkanit. Në fund të prillit qe mbyllur pushtimi i Jugosllavisë dhe i Greqisë. Përveç Britanisë së Madhe që nuk po e zotëronin dot, larg thonjve të tyre kishte mbetur vetëm Bashkimi Sovjetik. Ky vend, me hapësirë kilometrike sa një e gjashta e botës, do të sulmohej pak ditë më pas nga çasti i pesë të shtënave të revolverit të Vasil Laçit: më 22 qershor,
Rikujtojmë se kur kreu i riu shqiptar aktin e rrallë guximtar, komunistët e vendit të tij, një pakicë numerike pa fare ndikim, po ashtu edhe ideologjikisht mjaft e çoroditur, për shkak të detyrimit që të respektonin traktatin nazisto-stalinist Ribentrop-Molotov për bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, qëndronin të tërhequr. Pikërisht në këtë pasivitet, çfarë nuk do t’u ndodhë kur në fund të këtij viti (1941) do të krijonin partinë e tyre, ka ndodhur ajo që u mbajt e fshehtë për një gjysmëshekulli: një rezistencë e madhe kombëtare.
Vasil Laçi me heroizmin e tij individual të 17 majit 1941 provon këtë rezistencë popullore jopartiake. Për të krijuar një ide të përmasave të saj do të citonim dy pika referimi. E para ka ndodhur në Romë, në 13 maj 1939, kur afro katërqind studentë shqiptarë të shkollave dhe akademive ushtarake italiane, të mbledhur me detyrim në një kazermë për të kryer betimin luftarak, e refuzuan atë publikisht, madje para një tribune hierarkësh shumë të lartë. Duke rivënë kështu në vend nderin e humbur prej një grupi bashkëkombësish “me emër”, që pak ditë më parë, në 16 prill, shkuan nga Tirana në Romë dhe i vunë në kokë “Mbretit-Perandor” Viktor Emanueli III kurorën e artë të Skënderbeut. Të katërqind studentëve kjo u kushtoi 16 të burgosur dhe më pas të internuar në ishullin Ventontene, si edhe një të vrarë fshehurisht.
Pika e dytë krahasuese është një e dhënë e përdorur prej historiografisë së para vitit 1990. Sipas saj në maj 1941, kur shtiu Vasil Laçi, qenë bërë nga autoritetet e pushtimit 1130 bastisje banesash, 21.131 kontrolle personash dhe në fushat e përqendrimit të Italisë qenë çuar 5279 patriotë.
Një shumicë rrethanash të tjera të pafavorshme bënë që gjesti i jashtëzakonshëm dhe me rendësi jo vetëm për Shqipërinë, Ballkanin, por edhe për historishkrimin e Luftës së Dytë Botërore, të binte në harresë. Në ndihmë të autorit të këtij shkrimi studiuesi Stavri Dajo, leksiondhënës në Universitetin e Selanikut, për ditë të tëra kërkoi në arkivat greke dhe nuk gjeti asnjë rresht të shkruar për çfarë ndodhi në mes të kryeqytetit shqiptar. Greqia kishte rënë nën pushtim. Në Itali censura qe e plotë, si edhe në Tiranë, për arsye të njëjta. Historiania Sonila Boçi argumenton se heshtja totale e pushtuesve ishte pasojë edhe e një rrethane: që prej 7 prillit 1939 fashistët musolinianë shqiptarët i kishin paraqitur para botës sikur i kishin pritur me tufa lulesh dhe ajo që kreu Vasil Laçi bënte bujë krejt për të kundërtën. (Aq e vërtetë është kjo sa që pas këtij atentati fillimisht u tha se duhej shpërthyer një fushatë shtypjeje, por u hoq dorë menjëherë. Kjo do ta bënte të dukshme çfarë e tmerrshme dhe poshtëruese për vetë Boshtin Fashist kishte ndodhur).
Kështu Vasil Laçin e torturuan egërsisht për dhjetë ditë dhe pastaj e varën. Për ta rëndomësuar i lëshuan nga pas të gjitha llojet e shpifjeve. I vunë edhe emrin Mihailoff. Origjinën ja bënë greko-maqedonase.
Ndërkohë akoma na mungon vetë ne shqiptarëve madhështia e vërtetë e gjestit të tij.

Ylli Polovina

Tiranë, më 15 maj 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com