Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ARDHJA E FSHEHTË E IBRAHIM RUGOVËS NË ROMË



(Botuar në gazetën “Shqip” më 5 maj 2015)

(Pjesa e parë)

Sllobodan Millosheviçi i bën diversion Perëndimit me anë të pacifistëve

Në fillim të prillit 1999, ndërsa sulmi i NATO-s mbi ish-Jugosllavi i pati mbushur dy javët e para, u përhapën fjalë se Ibrahim Rugova qe vrarë në selinë e tij në Prishtinë.
Në një rast u tha se vetëm qe plagosur.
Gjithkund vëzhguesit e huaj politikë shfaqnin merakun se në rrethanat e bombardimeve masive dhe të hyrjes në Kosovë jo vetëm të ushtrisë jugosllave apo të policisë speciale, por sidomos depërtimi deri aty i grupeve paraushtarake serbe, veprimet e të cilave gjithkush në Beograd bënte be se nuk kishte fuqi t’i vinte nën kontroll, e kishte shtuar mjaft rrezikun për jetën e tij.
Këtë ndjesi pasigurie e pati shumuar edhe vetë Rugova, duke i deklaruar në Prishtinë një medieje të huaj se ai po rrinte në shtëpinë e vet si miu me macen.
Ndërkaq qe përhapur nëpër kontinent një deklaratë e shkurtër e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Naim Jerliu, sipas të cilit \"Ibrahim Rugova nuk është në gjendje tani për tani të kryejë detyrën e kryetarit\". Për ta bërë më të qartë idenë e vet ai pati shtuar se \"Rugova nuk është i lirë”.
Në ambasadën shqiptare në Romë, këtë kohë me një personel diplomatik dhe konsullor që nuk i kalonte të tetë vetët, ndjekja e këtyre zhvillimeve kishte përparësi absolute. Lufta e Kosovës kishte përfshirë në një devocion e patos të madh, në një gëzim dhe frymë solidariteti tërë shqiptarët ku ndodheshin.
Me një ritëm që nuk e kishte provuar kurrë më parë punonte edhe shteti i Shqipërisë, pjese modeste e të cilit ishte edhe përfaqësia diplomatike e tij në Romë, e drejtuar prej Leontiev Çuçit.
Në ambasadë dihej fare hollësisht se komuniteti i Sant Egidios, bashkësi pranë Vatikanit, ndërmjetëse e njohur kohë më parë mes presidentit kosovar dhe Sllobodan Millosheviçit për një marrëveshje shkollimi të lirë të shqiptarëve, pati ndërhyrë sërish mes të dyve. Përfaqësues të saj kishin shkuar posaçërisht në Beograd dhe i patën propozuar presidentit të Jugosllavisë së mbetur që ta ndihmonte Ibrahim Rugovën të dilte nga vendi.
Sipas tyre ai duhej të strehohej në një kryeqytet të Perëndimit.
Millosheviçi pati pranuar.
Një jetëhumbje e Rugovës, e provokuar marrëzisht prej ultraradikalëve paraushtarakë dhe qëllimisht nga ndonjë agjenturë e huaj jodashamirëse, atij do t’i kushtonte shumë. Do t’i jepte shkas Aleancës Atlantike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të justifikonin para opinionit publik botëror një intensifikim edhe më të madh të bombardimeve, në mos edhe fillimin e një ndërhyrjeje ushtarake nga toka.
Ndërkaq ai qe i bindur se Ibrahim Rugova i nxjerrë jashtë Jugosllavisë ishte shumë më i vyer për të: mund të përdorej për diversion. Të paktën në dy drejtime kryesore.
I pari ishte për të përçarë Perëndimin.
Ky në çështjen e zgjedhjes së rrugës së luftës kundër Millosheviçit nuk kishte qenë aq fort unik dhe shtetet, partitë politike, institucionet apo grupet dhe individët e ndryshëm që kërkonin me forcë ndërprerjen e sulmit të NATO-s, përditë e më shumë shtoheshin. Një Rugovë i njohur për pacifizmin e tij do të shkaktonte rritjen e kësaj fryme.
I dyti diversion kishte të bënte me UÇK-në. Alternativa e saj e luftës, të paktën jashtë vendit, do të vihej në vështirësi. Imazhi i saj po ashtu, do të ngarkohej me fajin se qe në mos një bandë terroriste apo ekstremiste marksiste-leniniste, patjetër një grup islamik.
Ndërkohë Sllobodani shihte mirë edhe një të çarë tjetër, ku mund të mësynte me Ibrahim Rugovën të lënë të lirë të vepronte në Perëndim sipas doktrinës së tij pacifiste.
Dinaku i Beogradit shenjë të goditjes diversioniste kishte edhe Italinë.
Këtu kryeministri Masimo D’Alema i ish-komunistëve, këmbëngulës për rrugën e luftës me armë ndaj Millosheviçit, gjithsesi në këtë përzgjedhje mezi e mbante në fill të perit qeverinë e vet. Në parti kishte mjaft kundërshtarë, përditshëm në presion ndaj tij për ndërprerjen e menjëhershme të bombardimeve.
Ja pse një Rugova në Romë mund të nxiste tërthorazi provokimin e një krize qeveritare. Pastaj “tullat” do të binin njëra pas tjetrës. Italia qe baza kryesore, më e madhe dhe më e afërta e NATO-s, prej ku niseshin më e shumta e avionët luftarakë drejt Jugosllavisë së mbetur.
Loja me një pacifist në rastin e presidentit kosovar, që kur kishin nisur bombardimet, do të ishte hera e dytë e manovrimit të tij për të përçarë aleancën perëndimore euroamerikane. Eksperimentin e parë me rolin shkurajues të tejpaqësorëve Sllobodan Millosheviçi sapo e pati përfunduar në mbyllje të ditës së 1 majit.
Në Beograd ai qe takuar me referendin amerikan, ultrapacifistin e shumënjohur në botë, Xhesi Xheksën. Si shpërblim për imazhin pozitiv që me praninë e tij po i jepte, presidenti jugoserb e pati njoftuar për vendimin e lirimit të tre ushtarëve amerikanë të zënë rob nga serbët plot një muaj më parë. .
Xheksëni pati deklaruar para medias se \"ky veprim i presidentit jugosllav ishte një hap pozitiv që duhej vlerësuar nga NATO\". Ai uronte që ajo t\'i kthente reciprokisht, në shenjë hapjeje. edhe dy ushtarët serbë të kapur rob.
Millosheviçi i pati dhënë referendit Xhesi Xheksën edhe një. letër personale të tij për presidentin Bill Klinton. Këtë letër Xheksën e mori me me vete.
Referendi amerikan qe pa mbërritur ende në Shtetet e Bashkuara, kur u njoftua se Departamenti Amerikan i Shtetit i bënte të ditur opinionit publik se lirimi i tre ushtarëve amerikanë qe një gëzim për familjet e tyre. Ndërkohë shtonte se autoriteteve jugosllave të mos u shkonte ndërmend se ata do të përdoreshin si plaçkë tregu.
Bombardimet do të vazhdonin intensivisht, 24 orë për 24 orë.

Vepron VOS (Vojnaobavesajna Slluzhba)

Sulmet e pandërprera ajrore të NATO-s në 2 maj patën shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike pothuaj në të gjithë Serbinë. Dritat në qendër të Beogradit u rindezën vetëm në mëngjesin e të nesërmes. Pastaj, pak nga pak, korrenti furnizoi disa prej qyteteve të tjera të Jugosllavisë.
Ndërkaq përtej, në gadishullin Apenin, opinioni publik italian ishte i ndarë në dy pjesë: pro dhe kundër luftës.
Këto çaste kur shumë njërës të lëkundur dhe të gatshëm të mendonin shumë keq për UÇK-në, u përhap lajmi se dy shqiptarë nga Kosova, rezidentët në Itali Agim G. dhe Ismet D., të arrestuar nga policia vendase, kishin pranuar në hetuesi fajin e tyre.
Fjalët e tyre pohuese qenë fare të qarta: \"Po, kemi shpërndarë heroinë, por për çështjen e lirisë së Kosovës\".
Kjo shkaktoi zhgënjim të madh edhe tek ata italianë që ishin për rrëzimin e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Madje përshtypja e keqe e pohimit se liria e një populli shkëmbehej me drogë shkoi dëshpërues gjer tek një militant i njohur i Partisë Radikale (Luço Berté), i cili kishte tre javë në një grevë urie, me kërkesë që Millosheviçi jo vetëm të hiqej nga pushteti, por edhe të çohej para Gjykatës së Hagës me akuzën për genocid ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Sikur të mos mjaftonte kjo pas dy avionëve amerikanë të goditur dhe të rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore serbe, në mesditën e 2 majit pati rënë në Adriatik të një bombardues tjetër, por në këtë rast për shkak të një defekti teknik.
Qe e nesërmja, 3 maji, e hënë, kur ajo çfarë domosdoshmëria e aksionit të NATO-s kundër Sllobodan Millosheviçit humbi njëzetë e katër orë më parë, e rifitoi këtë ditë.
Përballë publikut italian qe shfaqur Ismail Kadare.
Ai i pati dhënë një intervistë gazetës \"La Repubblica\". Ajo menjëherë e kishte vënë në faqen e parë. Titulli ishte \"Sindroma e vjetër që trondit Ballkanin\".
Në të Kadare thoshte se krimet e mëdha duan shumë kohë për t\'u përgatitur. Shtypja e popullit shqiptar, ngulte këmbë ai, qe një ëndërr e vjetër e Serbisë. “Me të janë marrë, shkruante, klasa të tëra politike, akademikë, shkrimtarë, gazetarë e peshkopë. Deri sa ka edhe një akademik me emrin Vaso Çubrilloviç që në 1937 shkroi traktatin e tij kriminal”. Më pas Ismail Kadare përmendte nobelistin Ivo Andriç, i cili pati firmosur “Draft of Albania”, në të cilin shkruhej se \"ndarja (zhdukja) e Shqipërisë nga harta e Ballkanit është një e keqe e nevojshme\".
Gjithë italianëve që këmbëngulnin për tërheqjen e menjëhershme të qeverisë dhe të vendit të tyre nga zgjidhja e krizës së Kosovës nëpërmjet ndërhyrjes së armatosur, Kadare u kujtonte se dhuna ndaj shqiptarëve qe përgatitur me një heshtje kriminale, se me këtë heshtje serbët ishin përpjekur që çështjen e Kosovës ta bënin të pandjeshme për ndërgjegjen evropiane, madje ta vinin në gjumë që të mos zgjohej kurrë.
\"Tani në Kosovë triumfojnë kriminelët”, shkruante Ismail Kadare. “Bota njeh vetëm majën e ajsbergut, vazhdonte ai, shumë shpejt do të mësohet e vërteta. Që nuk do të vonojë të arrijë dhe atëherë do të kenë shumë njerëz që nuk mund të flenë qetësisht\".
Në rreshtat e fundit të intervistës ai denonconte deportimin masiv të fëmijëve nga Kosova, “gjë që, theksonte, duket hapur në ekranet televizive”. Ishin 250 mijë që dhunoheshin, ngulmonte ai, “dhe akoma në disa qoshe të botës diskutojnë se fjala gjenocid është ende e shpejtuar”.
Por dita e 3 majit do të kishte edhe një lajm-bombë. Pacifistët e shumtë italianë, ata që manifestonin nëpër rrugë për ndalimin e bombardimeve të NATO-s, do të kishin një rrethanë shkurajuese. “Corriere della Sera”, më e madhja e vendit, do të publikonte një artikull të titulluar dukshëm me fjalët \"Kundërzbuluesit italianë në gjurmim të terroristëve serbe në Veri\".
Me të gazeta njoftonte opinionin publik se agjentët italianë qenë mobilizuar në zbulimin e një grupi sabotatorësh serbë, të cilët kishin marrë urdhër të vepronin në veri të vendit. Sipas të përditshmes sabotuesit qenë dërguar nga Vos (Vojnaobavesajna Slluzhba) që në Jugosllavi merrej me operacionet jashtë vendit.
Shkrimi ngulte këmbë se diversionistët serbë kishin marrë detyrë ta dënonin me aksione destabilizuese një vend si Italia për mbështetjen që po i jepte UÇK-së. \"Corriere della Sera\", nëpërmjet burimeve informative që zotëronte, ishte e bindur se kundërzbuluesit italianë, të vënë në alarm prej veprimtarisë së VOS në vendin e tyre, patën nisur që në ditët e para të bombardimeve të kontrollonin imtësisht refugjatët që hynin.
Sipas gazetës spiunazhi serb ishte përqendruar sidomos në kontrollimin e aktivitetit të një diplomati evropianoverior në Romë, identiteti i të cilit nuk zbulohej. Ky ishte personi kyç që organizonte pa rënë shumë në sy të gjithë furnizimin me armatim për UÇK-në, sasi e cila qe përherë në rritje.
\"Corriere della Sera\" qe e mendimit se agjentët italianë mobilizimin e tyre të posaçëm ndaj VOS e kishin edhe prej një rrethane tjetër: disa ditë më parë në Athinë ishte kryer një atentat, i cili ishte firmosur me autorësinë \"Celula revolucionare\", çfarë vlerësohej prej tyre si terminologji e frymëzuar sipas propagandës serbe.
Dita e 3 majit 1999, e cila ishte e hënë, në Itali qe me të vërtetë mjaft e ndërlikuar. Në portin e Ankonës policia vendase kishte arrestuar një prift të Caritas, organizatë e njohur katolike e krishterë e profilizuar për ndihmë humanitare. Motivi i prangimit të tij ishte befasues. Ai mbahej përgjegjës se nuk merrej me misionin e vërtetë të shoqatës ku bënte pjesë, por krejt të kundërtën: furnizonte me armë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Si të organizuara prej tij, nën shënimin “Ndihmë për refugjatët”, qe një sasi e madhe armatimi e diktuar në portin e Ankonës mbi tre kamionë TIR, pikërisht në çastin ku këta po bëheshin gati të hynin në traget.
Bëhej fjalë për 30 tonelata bomba dhe raketa.
Saktësisht qenë 2.662 bomba për granatëhedhësa, të gjitha prodhim ish-sovjetik dhe dikur jugosllav. Si edhe 352 granata të tjera. Këto të fundit ishin prodhim i standardeve të NATO-s. Në ngarkesën e kapur nuk mungonin edhe 18 antitanke, 8 raketa antiajrore, 30 raketahedhës si edhe municion tjetër më pak i rëndësishëm.
Sipas policisë italiane të tre kamionët qenë nisur nga Gjermania, më pas ishin ngarkuar në Sarajevë. Pasi patën bërë rrugëtim toke dhe hyrë në Italinë e veriut. Prej portit të Ankonës do të zbarkonin në Shqipëri. Armatimin po e prisnin persona të caktuar në një kamp refugjatësh në Shkodër.
Ndërkohë pikërisht në Ankona Partia Radikale organizoi në mbrëmje një demonstratë. Bashkë me italianët qenë edhe shqiptarë kosovarë me banim në Itali, por edhe të tjerë të ardhur nga Evropa perëndimore. Ata hodhën pa pushim parulla për UÇK-në dhe kërkuan dënimin për krime të Sllobodan Millosheviçit.
Në mbrëmjen e 3 majit kanali i parë të televizionit publik italian, Raiuno, në edicionin kryesor të lajmeve, në orën 20.00, bëri edhe një surprizë: Ai transmentoi për herë të parë nga Tirana një telereportazh ekskluziv i tv Klan-it. Në të tregohej se si një grup xhirimi shqiptar kishte depërtuar brenda Kosovës dhe qe takuar me një grup luftëtarësh të UÇK-së. Këta deklaronin se patën vrarë tre ushtarë serbë.
Raiuno tha se UÇK, pasi kohë më parë pati kapur rob një ushtar serb, atë ditë kishte zënë edhe një tjetër. Që të dy u qenë dorëzuar amerikanëve. Sipas këtij televizioni robërit i kapte ose UÇK ose më shumë gjasë trupa speciale britanike që hynin brenda territorit të Kosovës.

Një e martë plot ankth

Ishte katër maji 1999, ditë e martë, ajo që mbante ngjarjen më të papritur dhe më të bujshme: mbartjen sekrete të Ibrahim Rugovës nga Prishtina në Beograd dhe pastaj në Romë
Sllobodan Millosheviçi, pas dështimit me referendin Xhesi Xheksën i nisi Perëndimit “dhuratën” tjetër. Me shpresë që këtë herë t’i ecte dhe flota e madhe ajrore e Aleancës Atlantike t’i ndalte reaktorët e avionëve.
Në Itali superngjarja u ndje fillimisht vetëm tek një person: ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini.
Personi i dytë që u vu menjëherë në korrent qe kryeministri Masimo D’Alema.
Gjithçka e dukshme e kësaj befasie kishte nisur në pasditen e katër majit, kur Millosheviçi telefonoi Dinin dhe i ofroi qeverisë italiane që në Romë të vinte Rugova. Presidenti jugosllav kishte shqiptuar saktësisht fjalët \"Zoti Rugova është një njeri i lirë, ka kërkuar të vijë në Romë dhe ju prej kohësh keni kërkuar t\'i garantoni lirinë. Në rast se e pranoni në Itali ejani ta merrni\".
Lamberto Dini i kërkoi Sllobodan Millosheviçit një kohë të mjaftueshme për t’i dhënë përgjigje. Pastaj njoftoi kryeministrin D\'Alema. Por edhe ky nga ana e vet kërkonte kohë. Nuk e kishte në besë njeriun e Beogradit, çfarë qe edhe opinioni i ministrit të tij të Jashtëm Dini.
Kështu të dy u mblodhën, bashkë me disa këshilltarë të ngushtë, në një mbledhje urgjente. Në fund të saj vendosën ta “shohin\" lojën e Millosheviçit.
Pra, Rugovën do ta pranonin.
Koordinimin e të gjitha veprimeve për këtë operacion që nuk ishte thjesht një lëvizje fizike personi shumë të njohur publik, por edhe gjeopolitikë delikate (prej vetëm një gabimi të vogël komprometohej një bashkësi e madhe shtetesh të Perëndimit) do ta bënte Masimo D’Alema.
Ky vuri kusht që ardhja e Ibrahim Rugovës të kryhej me shpejtësi: brenda 24 orëve.
Pastaj për çfarë do të ndodhte kryeministri italian njoftoi sekretaren amerikane të Shtetit Mejdlin Ollbrajt, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Havier Solana dhe kancelarin gjerman Gerhard Shrëder.
Për realizimin teknik të udhëtimit të fshehtë të Ibrahim Rugovës nga Beogradi në Romë u ngarkua nënsekretari kryeministror Marko Miniti si edhe Xhanfranko Batelli, shefi i SISM-it, Shërbimit Sekret Ushtarak Italian.
Pas kësaj iu kthye përgjigje Sllobodan Millosheviçit: Ok, e presim.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com