Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

VETËM NJËGJUHËSHI HIRËSIA E TIJ JANULLATOS


(Botuar në gazetën “Shqip” më 19 prill 2015)

Kur në mes të Tiranës, në vendin e vet të ligjshëm, të trashëguar si e drejtë prone prej parakomunizmit, u ngrit ndërtesa e re e Kishës Ortodokse Shqiptare, ky pasurim shpirtëror i një boshllëku të pasohej ngulshëm nga një merak. Godina qe tepër e lartë, pothuaj me një dimension enkas imponues më së pari për qendrën e kryeqytetit, ku ndodhen edhe ndërtesa të tjera simbolike të vendit dhe të shtetit. Një ndërtesë fetare mund të lartohet edhe më shumë se ajo e kësaj kishe, por në një territor tjetër të Tiranës. Në Romë, për shembull, gjendet një xhami aq fort shtatlartë sa njihet si më e madhja në kontinent. Por pozicionin e “krekosjes” së saj e ka në kryeqytetin italian në një mjedis prej ku nuk shqetëson vendasit e krishterë katolikë dhe sfidon institucion tjetër.
Përmasa imponuese e kësaj kishe do të qe normale përsa kohë do të kuptohej si një rregull i vjetër i ushtrimit të pushtetit të një feje (apo ideologjie), ku njeriut të thjeshtë vetja duhet t’i duket fare e vogël. Kjo foltore, ndërkaq, ka shtat tepër të lartë edhe mbi mjedisin social, ku shumica e shqiptarëve janë laikë, pjesa dërmuese e besimtarëve myslimanë dhe të krishterët ortodoksë dhe katolikë, që vijnë më pas.
Mund të kishte kjo godinë një përputhje tjetër, ngritur me një dëshirë më të dukshme për t’u përshtatur më mirë me pluralizmin fetar shqiptar, pra të ngritur me një koncept disi më ndryshe. Sepse në konceptin e ndërtimit të saj nuk ka vetëm një garë rivaliteti me besimet e tjera dhe po kaq manifestimi epërsie, por edhe diçka më tej se kaq. Prandaj edhe vite të shkuara, kur përfundoi, u përhapën fjalë se ndërtesa qe ngritur fund e krye prej një lënde ndërtimi të padjegshme nga zjarri. “Të pashëmbshme”, mbaj mend që na e shpjegoi një bashkëkombës.
Edhe sikur këto cilësi ndërtimore të kësaj kishe të jenë të vërteta nuk përbëjnë asnjë mëkat, përkundrazi për jetëgjatësinë e një godine ato janë domosdoshmëri. Magjithatë sërish ka diçka që të shtyn të mendosh se në të tërë këtë gjest ka edhe ca logjikë bunkerësh. Të nget dyshimi se projektuesit dhe realizuesit e saj më shumë se t’u ngrejnë një strehë përgjërimi fetar besimtarëve, duan të zotërojnë edhe një territor.
Tek autori i këtij shkrimi, për të cilat çfarë po thotë mund të jetë tërësisht i gabuar dhe po ashtu të mbesë vetmitar, mbase i paragjykuar prej sindromës së “Kalit të Trojës”, që ndodhet e shumtë në traditën e vendit fqinj, të gjitha çfarë reshtoi më lart do të qenë një fjalënajë pa kuptim, sikur të mos lexonte këto ditë nëpër gazeta një opinion të politikanit Ben Blushi.
Atje thuhej se ditën e Pashkëve pikërisht në këtë godinë dhe jo në të tjerat, ku ceremonitë kanë mbarëvajtur mrekullisht, kreu më i lartë i Kishës sonë Ortodokse, Hirësia e Tij Anastas Janullatos, të gjithë fjalën e vet e pati shqiptuar vetëm në greqisht.
Duke qenë se politikani i mësipërm, për shkak të stilit të tij të protagonizmit, bën gjithçka sa i bie në dorë që të mos humbasë nga vëmendja publike, madje edhe me ndonjë eksibicionizëm, shkrimin e tij e lexuam disa herë. Qe shumë i matur. Mbi të gjitha pa asnjë prirje për të bërë ultranacionalistin, fobi e shpërthyer mes nesh në çështjen e drejtimit të fesë tonë ortodokse, ku kritikuesit e padrejtë të Hirësisë së Tij me të vërtetë janë bërë bezdisës dhe arrogantë, të gatshëm ta shtyjnë çështjen deri në përhapjen e më të shëmtuarës në një qytetërim europian: frymës antigreke, pra kundër një populli tjetër.
Në atë shkrim të hartuar me kujdes dhe me çdo shkathtësi diplomatike të mundshme për të mos shkaktuar sherr, por reflektim të butë, ajo që kërkohej nuk ishte aspak largimi prej kreut të Kishës Ortodoske Shqiptare i zotit Anastas, madje as ndonjë ndërrim fare normal pas dy dekadash shërbim të tij tek ne, por thjesht që në atë ceremoni të ndjekur jo vetëm prej besimtarëve të kësaj feje, por nga mjaft të tjerëve, ai të fliste shqip. Blushi pretendimin e tij nuk e shtynte patjetër në kushtin që Hirësia e tij nga fillimi në fund të fjalës së vet të përdorte vetëm gjuhën tonë.
Kjo, madje, nuk është shumë e domosdoshme tani për tani, edhe pse në të shkuarën e një treçerek shekulli këtë gjë, plotësisht në përputhje me vetë identitetin e Ortodoksisë që i jep tepër rëndësi pavarësimit institucional të çdo kishe kombëtare, e ka bërë një intelektual shumë i madh si Fan Noli. Zoti Janullatos (kërkoj ndjesë nëse e teproj) është edhe ai një dijetar gjerësisht i kultivuar, por pararendësin e vet e ka pasur akoma edhe më të shquar në talent dhe në thellësi kulturore.
Do të vijë dita kur Kisha Ortodokse e Shqipërisë apo ajo Shqiptare (sepse kufijtë në BE në të ardhmen do të hapen gjer në statusin e bashkimit mes etnive), do të funksionojë, do të jetojë, do të forcohet dhe do të lulëzojë tërësisht në gjuhën shqipe.
Kështu, për t’u rikthyer tek tema çfarë lutje i kishte bërë Ben Blushi Hirësisë së Tij, rezulton se ajo qe një kërkesë fare minimale. Autori i këtij shkrimi, me aq sa e ka kuptuar qortimin publik të politikanit shqiptar me traditë të spikatur familjare të krishtere ortodokse, pak a shumë ka mbërritur në mendimin se ai e ka pasur fjalën që në ceremoninë e kryer në Kishën e madhe të Tiranës zoti Janullatos të fliste shqip dhe greqisht.
Të gjithë e dinë sa entuziazëm të shkakton një i huaj që shqipton disa fjalë përshendetëse në gjuhën e vendit tend! Sa dashuri i ngjallet atij për të!
Hirësia a Tij e ka për detyrë të flasë shqip, qoftë edhe pesë fjalë. E ka të detyruar. Refuzimi apo shmangia e saj është shkelje e rëndë e sovranitetit kombëtar të vendit tonë. Kur kjo ndodh dhe njerëzit me largpamje arrijnë të bëjnë një shpjegim të arsyetuar, i cili shkon nga zbutja dhe aspak drejt egërsimit, shumë të tjerë, gjindje e thjeshtë e masës popullore, nuk kanë kohë të ftillojnë retorika apo sofizma. Ata u binden më shumë emocioneve. Ata nuk e ndajnë dot mosfoljen shqip në Pashkët Ortodokse të shqiptarëve, në prill 2015, nga mendësia e një andarti të viteve të para të pas pavarësimit apo të një qeverie greke që në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 bënte gjithçka të sajuar dhe të shpifur për të rrëmbyer në territorin e saj Korçë-Gjirokastrën si edhe tërë hapësirën e gjerë përreth tyre.
Njeriu i thjeshtë i popullit tek ajo mosfolje të asnjë togfjalëshi shqip sheh rrezikun e duarve që nga jashtë trazuan vitin 1997. Më tej akoma: e ngulin vështrimin dyshues jo në gjestin e drejtë humanitar për të nderuar ushtarët atdhetarë grekë, që ranë në tokën tonë duke luftuar një agresor si fashistët italianë, por në strategjinë e një harte gjeografike për marrje (simbolike) territori shqiptar nëpërmjet varrezave të tyre.
Ata e dallojnë, por edhe e ngatërrojnë, mosfoljen shqip të Hirësisë së Tij edhe me dinakërinë e presionit posaçërisht të vazhdueshëm dhe aq shumë të paqartë për rishikimin e kufijve detarë.
Ja pse të fut në brengë shqetësimi përse pas një qortimi publik të moderuar një udhëheqje kishtare nuk reagoi me vetëpërmbajtje, por menjëherë u shfaqën radikalisht nëpunës apo ndjekës pranë aparatit të saj drejtues, të cilët e sulmuan me mjete propagandistike politikanin shqiptar. Mes tyre u shfaq edhe një kolegu i tij, fatmirësisht dygjuhësh, por që përherë e më tepër po luan për prosperitetin e profesionit të vet se sa për më të shtrenjtën se kjo karierë personale: miqësisë shqiptaro-greke: zoti Dule.
Gjithsecilit ky kundërveprim për të mos gjetur apo shkatërruar çdo pikë mirëkuptimi mund t’i jetë dukur në pamje të ndryshme, por autorit të këtyre radhëve i ngjan me siluetën e një armate civile. Mbase kjo është arsyeja që atij i është fiksuar parandjenja se ajo kishë e bukur dhe kryelartë të mes të Tiranës, do ta ketë të gjithë fatin të mos nënkuptojë patjetër bunkerin, por përherë e më shumë një shtëpi të përbashkët, për vetëm pak gjë.
Të flitet me dy gjuhët e miqësisë: në shqip dhe në greqisht.

Ylli Polovina

Tiranë, më 18 prill 2015





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com