Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
MISIONI I TURPIT, 16 PRILL 1939


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 18 prill 2015)

(Si një delegacion shqiptar me në krye Shefqet Vërlacin i dorëzoi monarkut italian Kurorën e Artë të Skënderbeut)

Disa ditë pas pushtimit të Shqipërisë, më 14 prill 1939, një gazetë italiane bënte një llogaritje tepër entuziaste. Sipas saj po vazhdonte të realizohej me sukses të plotë krijimi i projektit të perandorisë së re, të kryeministrit Benito Musolini dhe të mbretit Viktor Emanuelit III.
Kjo krijesë e gjerë territoriale, rizgjim në historinë e botës i perandorisë së famshme romake, një vit pas hipjes në pushtet të fashistëve, në 27 janar 1924, kishte pasur këtë dinamikë lumturake: Prej “Marrëveshjes së Romës” pati përfituar nga gadishulli ballkanik territorin e Fiumes. Kjo përbënte 17 kilometra katrorë tokë dhe një shtesë demografike me 53 mijë njerëz, një pjesë qenë bashkëkombës; me “Protokollin Italo-Britanik” të 15 korrikut të po atij viti atdheut-perandori i qenë shtuar në Somali, me marrjen e rajonit të Xhubës, edhe 91.122 kilometra katrore të tjera bashkë me 72 mijë banorë; më pas jo me anë marrëveshjesh, por drejtpërsëdrejti nëpërmjet luftës, patën shtuar në perandorinë e tyre të re edhe Etiopinë, çfarë donte të thoshte rreth 1.100.000 kilometra katrore tokë si edhe një popullsi 12 milionë
Pak ditë më parë, vijonte logjikën e vet llogaritja e gazetës, Atdheut-Perandori të Musolinit dhe të Emanuelit III i qe shtuar edhe Shqipëria. Ajo përfaqësonte 27.538 kilometra katrorë dhe kishte 1 milion banorë.
Më në fund gazeta entuziaste bënte edhe shumën e përgjithshme të zgjerimit territorial. Sipas saj në 17 vite Duçja i pati dhënë Italisë 1.218.677 kilometra katrorë, çfarë përbënte katërfishim të territorit të saj. Po ashtu edhe 13.125.000 banorë. Kjo donte të thoshte shtim me një të tretën e popullsisë që kishte.
Por kjo haré shifrash nuk qe vetëm nëpër faqet e asaj të përditshmeje nacionale. Mbizotëronte në të gjithë Partinë Fashiste Italiane dhe në tëra zyrat shtetërore. Pushtimi i Shqipërisë ua kishte ngritur lart adrenalinën. Viktima përtej detit dhe fati i saj nuk pati shkaktuar asnjë brengosje, asnjë pendim, asnjë keqardhje.
Ngazëllimi delirant për çfarë kishin bërë në 7 prill, por edhe nevoja për të shurdhuar nëpër botë jehonën e hidhur nga pushtimi të papritur dhe të paparalajmëruar, shkonte edhe më tej. Ato ditë, për t’u miratuar më pas në Këshillin e Lartë Fashist dhe menjëherë në parlament, përfundoi së përgatituri edhe një raport mbi aftësinë ushtarake të Italisë. Ministria përkatëse, ajo e Luftës, numëronte të kishte 13 divizione speciale, midis tyre 3 të blinduar dhe 2 të motorizuar. Po ashtu edhe 51 divizione këmbësorie. Po prodhohej një mitraloz i ri i kalibrit 8, mortajat me kalibër nga 45 deri 81 mm, i artilerisë së lehtë dhe asaj të rëndë, i kundërajrorëve të rinj, i antitankeve me kalibër 47.
Për t’u mbrojtur prej bombardimeve dhe lëndëve kimike të hedhura nëpërmjet ajrit me një ritëm të shpejtuar vazhdonte prodhimi i shumuar i maskave antigaz.
Megjithatë edhe pse gjatë vitit 1939 shpenzimet ushtarake të “perandorisë” fashiste të Italisë qenë rritur, ato gjithsesi ishin mjaft e mjaft më të vogla se të vendeve demokratike në Evropë, të cilat Hitleri dhe Duçja i quanin demoplutokraci. Kjo diferencë ishte shqetësim në Romë. Franca, për shembull, shpenzonte për armatën e saj disafish, Anglia akoma më shumë.
Në mes të prillit, këtij muaji pranveror dhe që përvit mbante brenda vetes festën më të gëzuar të vendasve, Pashkët Katolike, mbahej i ngrehur entuziazmi mbi marrjen e vetëtimtë të Shqipërisë edhe në vijim të shurdhim-verbimit propagandistik të vetë popullit italian. Ky qe racioni i ditës për të. Rrokullisja e fjalëve nga gazeta në gazetë, prej një mbledhjeje autoritetesh tek tjetra, nga zyra e parë tek e fundit, ishte po e njëjta: Ballkani nuk mund të ekzistojë më si një zonë e ndikimit franko-britanik, sepse gadishulli përballë, për të garantuar sigurinë tonë, duhet të jetë i kontrolluar prej nesh; ne kemi arsye të zgjerohemi, kemi një mision: përhapjen e paqes dhe të qytetërimit superior fashist; Adriatiku nuk është det ynë i jashtëm, por deti ynë i brendshëm; Shqipëria prej qytetit tonë të Otrantos ndodhet larg vetëm 75 kilometra, prandaj është më mirë që dy brigjet të rrinë bashkë; mjafton të shfletosh një libër historie dhe e kupton se prej dymijë vjetësh e më tepër fati i shqiptarëve është i lidhur tërësisht me të italianëve; Konferenca e Ambasadorëve e 9 nëntorit 1921, e cila nuk na e dha Shqipërinë, na tradhëtoi, andaj edhe ta paguajë haraçin, fashizmi nuk mund ta duronte më këtë padrejtësi; për ta zgjidhur nuk kishte rrugë tjetër veç ta ngulnim bisturinë drejt e mbi plagë; Zogu qe njeri i pabesë, me të nuk bashkëpunoje dot; në krye të vendit duam një autoritet miqësor dhe solidar me ne.
Ky manipulim i programuar dhe këmbëngulës i opinionit publik jashtë dhe brenda vendit nuk ishte aksion i vetëm pas 7 prillit. Kishte nisur që para sulmit. Musolini përherë e pati shprehur merakun mos shqiptarët do të rezistonin dhe një krismë pushke në Durrës apo në Vlorë kërciste më shumë se çfarë njëzetë e katër orë për njëzetë e katër do të thoshin radiot e tij, gazetat, ambasadat dhe legatat italiane gjithkund nëpër glob. Për t’i dalë çdo të keqeje përpara, krahas tezës kryesore se populli shqiptar do t’i priste krahëhapur dhe ushtarët e armatës së tij do t’i mbulonte me lule, sajoi një pretekst për domosdoshmërinë e ndërhyrjes ushtarake.
Kjo intrigë do të qe edhe një justifikim kryesor i ndërhyrjes ushtarake.
Sipas një skeme diversioniste, në Itali, nga fundi në krye të saj, u përhap lajmi se Ahmet Zogu kishte hapur tinëzisht burgjet dhe pasi i pati armatosur të gjithë kriminelët e liruar jashtëligjërisht, i kishte ngarkuar të kryenin masakra ndaj italianëve civilë që jetonin dhe punonin në Shqipëri. Shumë prej këtyre të fundit qenë punëtorë dhe bujq të thjeshtë, kolonë të ardhur gradualisht gjatë viteve tridhjetë.
Lajmi u lëshua të krijonte shqetësim mes italianëve në 5 prill, kur sigurisht në Shqipëri, edhe pse nëpër sheshe e sidomos në Tiranë, kishte manifestime proteste dhe po ashtu grupe njerëzish që kërkonin armë, shteti funksiononte në rregull. Asnjë burg nuk qe hapur, qoftë edhe me revoltë nga brenda. Këta u shpërthyen vetëm në 7 prill, ditën e agresionit dhe të depërtimit të trupave ushtarake italiane në territorin shqiptar.
Sepse e dinin që kjo burgdalje masive do të shkaktohej prej kaosit të shkaktuar nga sulmi i tyre, ata e sajuan të ndodhur që dyzetë e tetë orë më parë. Për ta bërë të besueshme këtë intrigë u urdhëruan familjet e kolonëve italianë në Shqipëri të grumbulloheshin sa më shpejt në portet e Durrësit dhe të Vlorës, sepse prej andej, me anije të dërguara posaçërisht, rrufeshëm, do të ktheheshin në vendin e tyre. Çdo mëdyshje për të mos u larguar u rrezikonte kokën.
Kështu u shpik një urgjencë humanitare.
Imbarkimi i grupeve të para të italianëve ndodhi në mëngjesin e të enjtes, 6 prill. Anijet që i morën, qenë jo pasagjerësh, por qëllimisht luftarake. Disa grupe u bartën edhe me avionë. Edhe këta aeroplanë kishin në bord mitraloza.
I gjithë ky spektakël “shpëtimi bashkëkombësish shumë të rrezikuar” u zhvillua ndërsa në qiellin shqiptar fluturonin në drejtim të kundërt të ikjes së gjoja refugjatëve, dukshëm demonstrativisht, një numër i madh avionësh lufte, gjuajtës zëgërvishtës dhe bombardues hijerëndë. Të nesërmen, më 7 prill, ky numër i tyre do të qe si një mizëri grerëzash: katërqind.
Teatri i gjoja rrezikimit të jetës së italianëve në Shqipëri dhe spektakli i të drejtës së shtetit të tyre për t’i mbrojtur, kinse domosdoshmëria e një aksioni humanitar, vazhdonte të luhej pa ndërprerje. Në qytetin e Barit patën zbarkuar 278 refugjatë të rritur dhe 109 fëmijë. Në Leçe qenë afro pesëdhjetë të ardhur nga Vlora. Në Brindisi pothuaj tridhjetë, të gjithë të nisur nga Tirana.
Gjithsej të “shpëtuar” qenë katërqind italianë, shifër e mjaftueshme për ta mbushur plot e përplot skenën e shfaqjes patriotike të Benito Musolinit
Po në 6 prill, afër mbrëmjes, nisi nga Bari dhe Brindisi lëvizja e flotës dhe e trupave sulmuese. Kur të nesërmen në mëngjes u zbarkua gjatë tërë bregut shqiptar, në qytetet e mësipërm kishte nisur të luhej pjesa e dytë e spektaklit humanitar: ai i kujdesit të posaçëm për gratë dhe fëmijët.
Në Bari, vendgrumbullimin kryesor, shumë nga refugjatët e sajuar i strehuan në një hotel, një pjesë tjetër tek “Shtëpia e Studentit”. Në vijë të parë të gjesteve të ndihmës sa për sy e faqe qenë organizata e Gruas Fashiste. Të ardhurve u shtruan tavolina për të ngrënë, iu shpërndanë dy apo treqind batanije të bukura. Shpërtheu zhurmë e madhe për dy gra shtatzëna të ardhura nga Durrësi. Iu bënë kontrolle mjekësore mos qenë në rrezik dështimi.
Me në qendër të teatrit propagandistik refugjatët e krijuar artificialisht, nëpërmjet radios dhe shtypit, komunikatave zyrtare po ashtu, vëmendja e popullit italian u tërhoq suksesshëm jo në çfarë ndodhte në bregun përballë, ku po i merrej liria një populli tjetër, por çfarë ngjante në qytetet e Barit, të Leçes, të Brindisit. Shumica e refugjatëve të shpikur flisnin sinqerisht të tronditur, sepse edhe ata qenë viktima të lojës. U deklaronin gazetarëve se duke parë ushtrinë e vendit të tyre që po shkonte në Shqipëri për të paralizuar bandat kriminale dhe për të vendosur rendin, ishin të sigurt se shtëpitë dhe pronat e tyre nuk do të prekeshin dhe ata shumë shpejt, mbase që të nesërmen, do të riktheheshin. Kur u mbërriti lajmi se armata italiane pati zbarkuar në tokën shqiptare, ata shpërthyen në brohoritje dhe në falënderime të zjarrta për Duçen.
Ndërkohë që Durrësi u bë telash rezistence, në skenën e teatrit hyri tërë potere edhe një “aktor”. Qe ish-prefekti i qytetit, Mark Kodheli. Ndërsa Mujo Ulqinaku dhe Abaz Kupi me shumë të tjerë luftonin për ta mbrojtur vendin, ai sulmoi Zogun si të pasinqertë dhe mosmirënjohës ndaj mbështetjes morale dhe materiale të Italisë Fashiste, njëkohësisht si hajdut i pangopur të ndihmave të tyre.

Paloasamble Kushtetuese

Ajo që ndodhte me gjoja refugjatët apo me fjalët e ish-prefektit të Durrësit, të cilat nuk ishin gjë tjetër veç thirrje për të mos bërë asnjë qëndresë, qenë pjesa më e vogël e spektaklit që me vezullime false po përpiqej të mbulonte terrin e pushtimit. Shfaqja më kryesore dhe më marramëndesë, hutuese veçanërisht, ishte tjetër: Pashkët Katolike. Të gjithë në Itali ishin të zënë me festën e tyre kryesor të vitit. Ndërkaq në shtetet e tjerë të kontinentit do të shkonin me pushime larg rezidencave të punës që nga kryeministri britanik Çamberlen e deri tek mbreti rumun Karol. Në 6 prill Papa Pio XII, pas vdekjes së pararendësit po atë muaj i zgjedhur në krye të Kishës Katolike, priti gjithë Kurien Romane, grupin më të lartë të drejtuesve të Selisë së Shenjtë, dhe bisedoi me ta rreth ceremonisë qendrore të Pashkëve. Ato u kryen të enjten, deri vonë në mbrëmje. Fazat e saj zhvilloheshin paralelisht me imbarkimin e ushtrisë pushtuese në portet jugore të Italisë dhe pastaj nisjen e tyre drejt brigjeve shqiptare.
Një ditë më parë Papa Paçeli, siç thirrej me emrin e tij të lindjes, pati pritur disa milicë si edhe familjet e tyre, përkatësia politike e të cilëve u vu në dukje nga autoritetet e shtetit italian si fashiste.
Ndërkohë në 5 prill në skenë pati hyrë edhe një “aktore” vëmendjetërheqëse. Qe gruaja e Feldmareshallit gjerman Herman Gering, krahu i djathtë i Hitlerit. Duke ardhur nga Kapri, e shoqëruar nga sekretarja e saj, ajo zbarkoi ngazëllueshëm në stacionin e trenit Termini në Romë dhe deklaroi menjëherë se do të rrinte aty, nëpër festë, për disa ditë rresht. I shoqi qe nisur për në Egjipt, por do të kthehej në Itali në 13 apo 14 prill. Feldmareshalli, shtoi ajo për kuriozët, udhëtonte duke e ngarë vetë avionin e tij personal.
Kjo ishte saktësisht koha kur i nisur nga Tirana, do të inskenohej në Romë një pjesë vijuese e spektaklit që pushtimin po e shfaqte si çlirim: dorëzimi i Kurorës së Artë të Skënderbeut për mbretin Viktor Emanueli III.
Kështu “festa” nuk kishte të mbaruar.
Siç gjithçka e pati programuar dhëndri i Duçes dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm i perandorisë italiane fashiste, Konti Çiano, në 12 prill në Tiranë qe mbledhur një Asamble Kushtetuese. Ajo përveç krijimit të qeverisë, pati marrë edhe dy projektvendime të posaçme: bashkimin personal të Shqipërisë me Italinë dhe lutjen për mbretin Viktor Emanueli III që të pranonte kurorën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, simbolin më të lartë të vendit të tyre.
Në këtë mbledhje krijimi i qeverisë Vërlaci ishte vendim, dy të tjerat qenë vetëm projektvendime. Këto dy të fundit, një dorëzim i plotë i sovranitetit të Shqipërisë tek Italia, do të bëheshin fakte vetëm në Romë. Për këtë humbje të lirisë së atdheut njëqind e pesëdhjetë e nëntë asamblistët shkonin përtej çdo kufiri vetëposhtërimi: i luteshin Duçes dhe monarkut italian të mund t’ia pranonin dëshirat.
Në mëngjesin e të nesërmes, në 13 prill, në Tiranë qe zhvilluar akti tjetër i spektaklit të fshehjes së të vërtetës mbi pushtimin e Shqipërisë: ai i përcjelljes entuziaste të Kontit Çiano. Sipas skenarit të vetë atij, por i njoftuar për shtypin si “manifestim spontan i popullit shqiptar”, prej Legatës Italiane deri në aeroport ministrin e patën përshëndetur shumë kryeqytetas. Të gjithë me thirrjet “Rroftë Duçja!” Ndërkohë para avionit të tij personal gati për fluturim qe rreshtuar e tërë qeveria e re shqiptare, me në krye Shefqet Vërlacin. Ata kishin ardhur aty që në orën tetë.
Kur Konti Çiano mbërriti në aeroportin qeveritar Littorio në Romë ishte ora 10.30. Kaloi në revistë Kompaninë e Nderit të Bersalierëve si edhe oficerët e lartë të Flotiljes Ajrore Luftarake.
Duçja e priti menjëherë sapo iu paraqit në derë. Fillimisht mori prej tij lutjen e firmosur nga kryeministri Shefqet Vërlaci, ku mes të tjerash thuhej se “duke shprehur vullnetin unanim të popullit të Shqipërisë” ai dëshironte “të bashkohej për gjithnjë dhe në mënyrë të pandashme me Italinë Imperiale Fashiste”. Në telegram Vërlaci saktësonte edhe njëherë të dytë se Shqipëria do të bëhej një shtet i përbashkët me Italinë fashiste, pra me atë që në flamur mbante shenjat e Liktorit. Musolini, siç lajmi iu përcoll shtypit vendas dhe të huaj, qe shprehur se pa dyshim kjo kërkesë e popullit shqiptar ishte e lidhur me prestigjin e Italisë si një Fuqi e Madhe.
Këtë ditë, duke i interpretuar të dy projektvendimet e mara në Tiranë, nëpër disa gazeta të huaja u përhap lajmi se “Shqipëria iku nga Lidhja e Kombeve”. Kjo donte të thoshte se nuk qe më anëtare e organizatës së bashkësisë ndërkombëtare.
Po atë ditë të 13 prillit, në vazhdim të superspektaklit propagandistik, Duçja kishte dhënë urdhër që dy anijet “Merano” dhe “Sparavento”, të ngarkuara me drithë, të lundronin drejt Durrësit, Vlorës dhe Shëngjinit. Aty do ta shkarkonin ngarkesën, duke njoftuar se gruri qe dhuratë e tij, prandaj edhe popullit shqiptar do t’i shpërndahej gratis. Shumë shpejt do të nisej një anije tjetër me grurë, e cila do të shkarkonte në Sarandë.
Në 7 prill ushtria italiane pati zbarkuar me armë në duar, për të hyrë në brendësi të vendit, pikërisht në këto katër porte ku po shpërndahej një grusht drithë. Benito Musolini po përdorte kërbaç dhe kulaç.

Telegram urimi për Musolinin edhe prej një pasardhësi të Skënderbeut

Që kjo shfaqje e madhe hipokrizie të shkonte deri në fund, në 13 prill u bë e ditur për opinionin publik italian dhe atë të huaj se Duçes i patën mbërritur telegrame mirënjohjeje edhe prej bashkësisë së arbëreshëve. Nga Specano Albanese kryetari i komunës Ambrozio Kasiani shkruante “Në orën kur toka e Skënderbeut rigjen veten tek Italia....”. Nga Kampo Marino, firmosur prej kreut lokal fashist Kinisi, thuhej se Shqipëria më në fund kishte shpëtuar prej gjendjes mesjetare dhe drejtuesve të saj satrapë. Fshati arbëresh Santa Katerina Albanese nëpërmjet komisarit të ngarkuar nga prefektura, Kreste Terranova, i shprehej se qenë mjaft entuziastë që atdheu i tyre i lashtë kishte hyrë nën mbrojtjen e flamurit italian dhe kujdesin e Italisë Fashiste dhe Perandorake.
Telegrami prej një pasardhësi të Skënderbeut në Itali, Dukës Françesko Kastriota Skanderbeg, mbërriti tek Musolini në 14 prill. Shkruante “Në ditën kur Shqipëria, e udhëhequr prej gjenisë tuaj në përtëritjen e saj historike, bashkon fatin e saj me atë të Perandorisë së Romës, trashëgimtari i drejtpërdrejtë i Skënderbeut, duke qenë italian dhe fashist, i shpreh Shkëlqesisë Tuaj entuziazmin mallëngjenjës si edhe admirimin më të madh”.
Françesko që ndryshe thirrej Markezi i Auletës, qytezë-kështjellë pranë Napolit, rridhte prej një dege anësore të pasardhësve të Gjergj Kastriotit. Asnjë përfaqësues i dy degëve kryesore që banonin në Napoli dhe në Leçe, nuk i dërguan ndonjë telegram urimi Duçes.
Kjo ishte shenja se Shqipërinë e quanin të pushtuar.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com