Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

HAJDUTËT NË POLITIKË, KËTA BOLSHEVIKË TË RINJ


(Botuar në gazetën “Shqip” më 28 mars 2015)

Një fjalë e urtë popullore thotë “shkurti shkurton drurët, marsi mbledh lëkurët”. Shkurt-marsi janë vërtetë një copë kohe e gjallësisë mbi tokë, ku edhe pemët edhe njerëzit ndihen të rrezikuar. Tek bimë-pemët gjallërohet limfa dhe sythet çelin vetëm ndër ato që i kanë shpëtuar dimrit, tek të dytët ndërrohet gjaku. Kush është tejplakur apo i shumësëmurë ky ndërrim, nga që trupi këtë çast rinimi nuk e përballon dot, i sjell humbjen e jetës.
Pak a shumë në këtë rast ndodh të vdesësh duke rilindur.
Shkurt-marsi i këtij viti, në një largësi pothuaj prej një çerek shekulli nga sistemi më i fundit politik që patëm, Diktatura e Proletariatit, po tenton edhe një ndërrim tjetër “gjaku”. Kjo po ndodh, siç dëshmon në formë, në familjen e personave partiakë, një grup social ky që punon posaçërisht për marrjen e pushtetit, për ushtrimin dhe mbajtjen sa më të gjatë të tij, pse jo edhe për moslëshimin.
Dy deputetë u arrestuan pasi njëri prej tyre e kanosi shumicën në qeverisje se me disa të fshehta që zotëronte, duke i bërë publike, do ta rrëzonte atë si një kala ranishteje. Ta lëmë mënjanë psikologjinë e qikllopit që deputeti ish-rozë ka për veten, sipas të cilës me një lëvizje gishti ai bënte atë që nuk e kryejnë dot për vite me radhë struktura partiake dhjetramijëshe, organizata të tëra sindikale apo lobe intelektuale të ngjizura mirë.
Dukuria e ndodhur këtë shkurt-mars jo vetëm për këtë është mjaft e veçantë. Duke qenë tepër karakteristike nëpër bisedat e njerëzve ajo e ka gjetur edhe një emër spektakolar: Tomdoshizëm. Me këtë titullim, mbase, do të mbesë edhe në memorien kombëtare.
Por ajo që në këtë rast nuk duhet anashkaluar prej vëmendjes dhe kujtesës tonë ka të bëjë me një pamje tjetër: gjithçka po zhvillohet në një sfond procesi të quajtur “dekriminalizim”. Me këtë emërtim nënkuptohet një Shqipëri e përfshirë prej krimit dhe për rrjedhojë me nevojë të pastrohet, duke filluar nga parlamenti. Termin “dekriminalizim” e ka formuluar opozita “blu”, kurse “rozët” ngulin këmbë se e kanë me kohë, në sloganin e tyre kryesor, emërtimin më të drejtë: rilindje.
Ka kohë që Shqipëria me dy partitë e saj (bashkë me aleatët përkatës), është si me dy mami. kusurin e heq fëmija që do të lindë.
Por përse edhe këtë herë do të ngjajë po njëlloj, lindja e një krijese të gjymtuar? Përse e tërë kjo që ka ngjarë me arrestimin e dy deputetëve nuk do të sjellë rinovim të mjedisit të politikës dhe bashkë me të, edhe të shoqërisë shqiptare, por do të jetë njëra prej zhvillimeve të zakonshme të luftës së brendshme për pushtet?
Fillimisht për një arsye të thjeshtë: brenda politikës atë po e udhëheq vetë politika. Këtu shpresat nuk hapen, por mbyllen. Eksponentë të njohur përfaqësues të të “kaltërve” dhe të “trëndafiltëve” tashmë kërkojnë si të parin aksion likuidimin e krerëve reciprokë, njëra palë me revolucione dhe tjetra me pranga. Kuptohet qartë se po u realizua njëra apo tjetra alternativë pushtetmarrëse, prapa diellit do të shkojë ajo për të cilën të tërë ne, gjithë shoqëria jonë, kemi nevojë në të vërtetë: përtëritjen e përbashkët morale, evolucionin tonë mendësor, zhvillimin dhe forcimin e sistemit politik pluralist, garantin tonë të vetëm të sinqertë.
Por mbi të gjitha, meqë po afrohen zgjedhjet e pushtetit vendor, kemi nevojë për një kryemision: pakësimin e barkpafryrëve. Dehajdutërizimi është sot domosdoshmëria numër një.
Gjithkund ku ndodhen, kusarët janë krimba të shumtë që varen të pështirë nëpër degët e pemës etnike të shqiptarëve, këtej dhe përtej kufirit. Në rast se për një gjysmë shekulli kombësisë tonë, për shkak edhe të rrethanave ndërkombëtare, iu u bë dëmtuese ideologjia bolshevike, në pasdiktaturë u shfaq me të njëjtin rol ideologjia e hajdutërimit. Kulmoi me fondacionet huamarrëse të vitit 1996, kurse në fillim të viteve dymijë u bë barsoletë batuta “Sa ke vjedhur sot?” Në afrim të ditës së dyvjetorit të qeverisë aktuale, pas një farë rezistence të fillimit, tashmë në zyrat e shtetit ku ka tenderë apo kryhen shërbime me para, pothuaj ka përfunduar ardhja dhe instalimi i hajdutëve të rinj. Janë po aq të pacipë sa të parët, brez pas brezi apo parti pas partie.
Kryeministri në detyrë të paktën një anëtar të ekipit qeveritar e ka, që prej disa muajsh, të zënë në punën paralele: të mbledhë një dorë me para.
Për fat të keq tani, në vitin 2015, Shqipëria ka hajna më shumë se më parë kishte anëtarë të Partisë së Punës.
Ndërsa në disa procese qeverisjeje kabineti aktual po ja del të trembë shpërdorues, sidomos mes shoqërisë, në administratë, këtu ku nëpunësit e ndershëm nuk kanë shterur kurrë që prej ditës së krijimshtetit të pavarur, 28 nëntor 1912, çetat e kusarëve pak nga pak, përgjatë kinsepluralizmit tonë, janë shndërruar në grupe diversioni. Ata synojnë ndërgjegjshëm apo gjysmëvetëdijshëm dobësimin dhe prishjen e sistemit politik që na e afruan zhvillimet e mbara kontinentale dhe botërore të vitit 1989. Këta bolshevikë të rinj që rrinë nëpër zyra publike, të aparatit shtetëror apo të politikushtrimit, kur janë në pushtet bëjnë gjithçka për të penguar ndërrimin e ekipit dhe të mënyrës së qeverisjes, kur ndodhen në opozitë nuk durojnë dot të presin zhvillimet e natyrshme, por i sforcojnë ato, i thyejnë me tentativa për revolta apo palorevolucione politike.
Kusaria e instaluar në çdo kat të pushtetit ka interesa të kundërta me pluralizmin, plotësisht të papajtueshme madje, tërësisht antagoniste. Ajo është më e mbrapsht se “klasa punëtore”, të cilën dogma e dikurshme ideologjike e shtynte të shfaroste kapitalizmin. Përfundimet e kësaj aventure dihen, por sot mund të thuhet se hajdutët në pikat kyçe të shtetit tonë, ata që bythërehatuar rrinë në zyra dhe nuk duan t’ia dinë se sipërmarrësit privat, atij që për bashkëkombësit krijon punën dhe po ashtu mirëqenien e zhvillimit, atij të cilit lodhja dhe ankthet i shkaktojnë shtatë palë djersë, ia marrin përqindjen e fitimit që i duhet për investim me të njëjtën logjikë regresive si sekuestrimet e viteve 1945-1946. Për pasojë ata janë edhe antikapitalistët më të mëdhenj që politikisht mes nesh ekzistojnë, kundërdemokratët më të zellshëm dhe më të rrezikshëm
Shoqëria realisht e hapur dhe e lirë, ku e drejta për të qeverisur alternohet nëpërmjet shpirtndërtimit dhe jo energjisë shkatërruese, këta i paralizon, i mpak, i tkurr, u fut tërsëllimën e ndëshkimit ligjor. Prandaj në emër të ekzistencës së tyre mizerabile atyre u duhet të bëjnë aleancë edhe me vetë botën e krimit me kravatë apo edhe me atë të rrugës.
Në Itali, ku qeveris një grup ministror i caktuar, shefi i tyre, Mateo Renci, është një person i njohur për ndershmërinë e tij. Në Greqi grupi politik i Cipras me plus-minuset e tij, i fitoi votat e bashkëkombësve dhe një pjesë të tyre ende po i ruan, sepse e neveritin politikën që plaçkit fondet publike.
Kundërkusëria sot është alternativa e vetme që garanton sinqeritetin e një sipërmarrjeje politike, të quajtur “rilindje” apo “dekriminalizim”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 mars 2015


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com