Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI


Foto:
SHQIPTARËT NË 300 DOSJET E TITOS


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 21 mars 2015)

(Pjesa e parë)

Në fund të vitit 2013 në Prishtinë doli, me 358 faqe, libri “Shtegu njëqindvjeçar i lirisë” (Lufta antikolonialiste e shqiptarëve të Kosovës në vitet 1912-2012”).
Autorë qenë Ekrem Avdiç dhe Azem Vllasi.
Nga Avdiç nxjerrim një çast në pah, mes shumë kapitujve, “Ballkani (Gjak dhe Mjaltë)”, “Shqiptarët i kanë kafkat më të vogla”, “Klerikët, engjëj të luftës!”, “Pacifikimi me mitraloza”, “Antifashistët dhe ata të tjerët”, “Bisedimet e Titos dhe Enver Hoxhës”, “Për shqiptarët si kafshë”, “Separoviçi foli, Dedijeri heshti”, “Plenumi i Brionëve”, “Demonstratat e studentëve të vitit 1981”.
Nga Vllasi veçojmë përmidis kapitujve të tij “Përshkallëzimi i nacionalizmit serb”, “Promovimi i Millosheviçit në Fushë-Kosovë”, “Rrëzimi i udhëheqjes së Vojvodinës”, “Testimi i Bosnjës”, “Greva legjendare e minatorëve dhe kryengritja e re e shqiptarëve”, “Strategjia e rezistencës paqësore kundër regjimit serb”, “Rezistenca e armatosur e shqiptarëve kundër Serbisë”.
Një vit më pas nga botimi i mësipërm në Prishtinë, në Tiranë, kur po mbyllej 2014-ta dhe çelte ditët e para moti i ri 2015, hyri nëpër librari dhe më pas u shtri anë e kënd trojeve kombëtare libri i ri i Ana Lalajt “Dosjet e luftës”.
Përmbante 442 faqe.
Përfshin gjashtë mikrokorpuse studimore dhe bashkëngjitur për secilin prej tyre një paketë dokumentare mjaft të përzgjedhur. “Mbrojtje nga harresa” titullohet një cikël me tre intervista, ku Ana vëzhgon raportet e historisë me arkivat. Më pas rreshtohen njëri pas tjetrit studimet “Pasojat e Mukjes” dhe “Qarkorja “Shpati”, “Britanikët për Losovën”, “Emblema e Bujanit”, “Dilema e çlirimit”, “Replikë me profesor Bernd J. Fisher për ikjen e pushtuesve gjermanë nga Shqipëria”, “Projektet për Federatën Ballkanike dhe e ardhmja e Shqipërisë (1943-1945)”.
Siç mund të shihet të dy botimet kanë përfshirje mjaft të gjerë në tematikë dhe në kohë. Në vëzhgimin që do të bëjmë publik më pas rruga më e dobishme për t’i promovuar të dy librat para lexuesit na u duk të vështronim vetëm në një kënd: cili është realisht roli i Josip Broz Titos në çfarë gjatë Luftës së Dytë dhe më pas Luftës së Ftohtë, u ndodhi shqiptarëve.
Për këtë depërtim në të fshehta të padukura deri tani na ndihmojnë shumë çfarë shkruan dhe sidomos di politikani profesionist Azem Vllasi, i emërtuar në viset e tij prishtinase, prej disa mjediseve, si “titist”. Po ashtu edhe historiania mjaft cilësore e Tiranës, Ana Lalaj. Jo më vonë se dy vite të shkuara ajo qëndroi me shpenzimet e veta në Beograd për plot një muaj dhe në Arkivin Qendror, përpos kërkimeve të tjera, shfletoi dhe fotografoi afro 300 dosje prej fondit të Mareshallit Tito.
Dokumentet e mësipërme, të cilat përbëjnë një masë mijrafaqesh, nisin prej viteve të Luftës së Dytë dhe përfundojnë me vdekjen e tij në maj 1980. Madje edhe më pas, çfarë rreth tij është referuar.
Me pak fjalë, të ndihur prej këtyre dy njohësve shumë të mirë të njeriut më të fuqishëm jo vetëm të Jugosllavisë apo të Ballkanit, por edhe më tej, do të përpiqemi të bëjmë disa vija të thjeshta mbi skicë-portretin e Josip Broz Titos dhe asaj që ai gjykonte dhe vepronte ndaj shqiptarëve. Kjo do të jetë edhe një sfidë për sa ne deri tani për të dimë.
Pak a shumë kjo do të thotë se do të hetojmë me mënyra dhe mjete të historishkrimit nëse Mareshalli i Jugosllavisë ishte në të vërtetë aq fort i zi dhe aq tepër antishqiptar sa gjatë diktaturës së para nëntëdhjetës na kanë ngulur zyrtarisht në kokë dhe po ashtu antipatik siç na kanë lënë të mendojmë motet e pas diktaturës.
Këtë shtegudhëtim po e nisim prej një fragmenti korrespondence të dy-tre muajve më parë midis autorit të këtyre radhëve dhe zotit Vllasi.
Teksti themelor ishte ky:
“I dashur Azem Vllasi,
Vitet e fundit kam lexuar me shumë vëmendje historinë e Jugosllavisë, disa vepra të Titos, libra të Jugosllavisë kundër Enver Hoxhës e kështu me radhë. E kreva këtë sepse nuk mund t\\\'i kuptosh ngjarjet në Shqipëri pa ditur ato në Itali dhe Jugosllavi, sepse janë dy vende që ndikojnë (me mjete e mënyra të ndryshme) në Shqipëri.
....Pas vitit 1990 disa ngjarje të ndodhura këtej nesh \\\"kombinonin\\\" me ato jugosllave, përfshi edhe trazira. Mund të pohoni një gjë të tillë, para dhe pas 1990, pra raste kur Tito e më vonë Millosheviçi krizat apo problemet e tyre të brendshme i hidhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri?”
“I nderuar Ylli,
Me sa unë di, në kohën e Titos nuk ka pasur ndikime (me propagandë apo spiunazh) nga këndej në drejtim të Shqipërisë për të shkaktuar probleme atje. Përveq nëse shtetasit e Shqipërisë kanë kapur sinjale të radio apo tv-stacioneve nga territori i Jugosllavisë, e që quhet \\\"propagandë objektive\\\".
Kontakte mes njerzish nuk kishte ngase pak shtetas nga të dyja anët udhëtonin prej një shteti në tjetrin. Edhe ato pak ishin nën kontroll dhe mbikqyrje rigoroze. Shqiptarët nga ana jugosllave nuk ishin të përshtatshëm për ndonjë aktivitet turbullues në drejtim të Shqipërisë, ngase Shqiptarët një gjë të tillë e konsideronin si antipatriotike. Ishte e kundërta: kishte Shqiptarë nga ana jugosllave të cilët për interes të regjimit të Enverit bartnin aktivitete turbulluse këndej kufirit jugosllav.
Rexhimi jugosllav në kohën e Titos edhe nuk ka qenë i interesuar për të shkaktuar aktivitete turbulluese në Shqipëri.
Në kohën e Millosheviqit situata ishte më ndryshe. Pasi që kufinjët e Shqipërisë u hapën, kishte frekuentim të njerëzve në të dyja drejtimet. Disa burime të pakonfirmuara thonin se kishte shtetas të Shqipërisë që ishin të gatshëm te marrin instrukcione për aktivitete destabilizuese në Shqipëri, e për ç’ka rexhimi serb ishte i interesuar.
Shqiptarët kosovar, nga mllefi e inati kundër regjimit të Millosheviqit nuk ishin \\\"material i përshtatshëm\\\" për t\\\'u instrumentalizuar nga ky regjim kundër Shqipërisë që ishte në rrugë të demokratizimit.
Disa burime thonë se në kohën e rebelimit të madh në Shqipëri në vitin 1997, kur u thyen depot e armatimit, kishte gishta edhe spiunazhi i shërbimeve informative sërbe. Qëllimi ishte për t\\\'u destabilizuar Shqipëria si mbështetëse potenciale e synimeve të shqiptarëve kosovarë në konflikt me Millosheviqin. Por ky supozim bie në kundërshtim me logjikën se pikërisht një pjesë e armatimit nga depot e plaqkitura në Shqipëri pastaj u shit në Kosovë dhe ra në duart e luftëtarëve të Kosovës (UÇK) kundër forcave të Sërbisë.
Këto janë sa di unë lidhur me çështjen që e shtrove.
Të përshëndes përzemërsisht. Azem”

ooo

Në historinë e raporteve mes Tiranës dhe Beogradit kanë ekzistuar dhe vepruar, deri në momentin e prishjes së federatës fqinje, katër faktorë territorialë, etnikë dhe politikë: Jugosllavia, Serbia, Shqipëria dhe Kosova.
Që këto katër etnitete të bashkëjetonin normalisht, të konsumonin më shumë energji njerëzore për mospërplasje se sa për konfliktim, të punonin më tepër për zbutje marrëdhëniesh se për egërsim të ndërsjellë, duhej një mënyrë tjetër sjelljeje dhe po ashtu kombinimi të interesit të gjithsecilës palë me tolerancën dhe kargpamësinë.
Jugosllavia, monarkiste apo republikane, antibolshevike para Luftës së Dytë Botërore dhe komuniste pas saj, nuk ishte identike me Serbinë dhe as Shqipëria me Kosovën. Ndërkohë mund të thuhet se Kosova ishte më e përputhshme me palën shqiptare të Tiranës se vetë Jugosllavia me Serbinë. Këtu fërkimet e brendshme “kërcisnin”.
Kroati Josip Bros Tito jetoi në këtë realitet të trojeve të veta si edhe të krejt gadishullit. Atij i duhej t’i harmonizonte veprimet pushtetushtruese me këta katër elementë. Shqiptari nga Gjirokastra, Enver Hoxha, po njëlloj e kishte të domosdoshme.
Për Titon interesat e Jugosllavisë, në krye të së cilës rrinte, nuk qenë tërësisht po ato të kryeshtetit të federatës, Serbisë. Familja e sllavëve të jugut e montuar në një federatë, donte bashkim dhe vëllazërim, lypte minimizimin e përçarjes mes kombeve dhe republikave përbërëse, pengimin e revanshit të njërës mbi tjetrën, shuarjen e nacionalizmave lokalë tepër agresivë. Asaj i interesonte, që të mos shthurej, shpërbëhej dhe më në fund prishej, barazia e të drejtave të të gjitha gjymtyrëve të federatës. Për rrjedhojë Jugosllavia dhe Josip Broz Tito qenë vetvetiu kundër një Serbie si supershtet mes të tjerëve. Ca më keq kur kjo ushqente mite dhe ambicie panballkanike, përmasë të cilën mareshalli ia kishte rezervuar vetëm vetes.
Me pak fjalë një Jugosllavi e para Luftës dhe ajo e pas saj, në rrethana shumë të ndryshuara të rendit rajonal, kontinental dhe botëror, ndaj shtetit shqiptar dhe pjesës së saj të aneksuar në 1913, Kosovës, ndërtuan strategji dhe zbatuan taktika të ndryshme.
Kështu Pashiçi i viteve njëzetë e më tej, nuk mund të qe Titua i moteve 1945-1980 apo Millosheviçi i mëvonshëm. Një fill i përbashkët i kap, patjetër, që të tre, por nuk i mban doemos të lidhur. Për shembull Josip Broz Tito ngjan shumë pak me Sllobodanin, në mos ky i fundit është i formatit antitito. Provat për këtë t’i jep Azem Vllasi në librin me bashkautor Ekrem Avdiç. E tërë kjo larmi diference mes Titos dhe të tjerëve, përfshi edhe më të rinjtë krerë të Serbisë së pas Luftës së Ftohtë, Zoran Xhinxhiç, Vojisllav Koshtunica apo Boris Tadiç, të shtyjnë drejt mendimit se në raport me Shqipërinë dhe Kosovën platformat e veprimit të tyre janë të larme.
E pyetur se si edhe ajo gjykon për çfarë përfaqëson Josip Broz Tito përballë dy bashkësive tona, Shqipërisë dhe Kosovës, Ana Lalaj është e bindur se Jugosllavia e para Luftës e ka pasur veprim të programuar dobësimin e përhershëm të Shqipërisë, duke e çuar deri edhe në copëtim e shkatërrim të saj )Këtë e vërteton edhe historia, sidomos marrëveshjet e fshehta me Greqinë apo Italinë fashiste).
Lalaj, e cila jo vetëm ka epërsinë mbi çdo historian të Tiranës të ketë parë dhe fotografuar, për t’i ruajtur në arkivin e vet, mijëra faqe prej fondit personal të Mareshallit, gjykon se pas lufte Tito (dhe Jugosllavia) modeluan një format tjetër qëndrimi ndaj shtetit shqiptar. Sipas saj në Beogradin si kryeqendër e të gjithë federatës ishte e nevojshme që në Tiranë të funksiononte një qeveri miqësore me ta. Kur gjatë bisedës me Ana Lalajn këmbëngula mos me këtë formulim kishte parasysh statusin e një vartësie në mos totale, të konsiderueshme protitiste, ajo u përgjigj: sidoqoftë në Beograd në fund të fundit nuk dëshironin me domosdo një qeveri satelite, por miqësore patjetër.
Kjo donte të thoshte që Tirana të mos ishte kundër. Së paku të mos qe konfliktuale me Jugosllavinë.
I kujtojmë lexuesit se hynte në këtë stil teknika e sjelljes së Nikolla Pashiçit me Ahmet Zogun, të cilin e ndihmoi ushtarakisht në aksionin e tij pushtetrimarrës për rrëzimin e Fan Nolit. Zogollit ai i doli në krahë sipas një pakti, në zbatim të të cilit politikani shqiptar do të vendoste në vendin e vet një qeveri aleate me atë të Beogradit. Siç e dimë kjo marrëveshje nuk mbijetoi gjatë dhe për shumë arsye rrugët e të dy palëve u ndanë.
Gjithsesi me Jugosllavinë e kohës së tij Ahmet Zogu nuk qe konfliktual, i grindshëm, zevzek, çfarë ishte më vonë, pas servilizmit të skajshëm të moteve 1942-1948, mënyra e sjelljes së Enver Hoxhës. Ana Lalaj mendon se ky i fundit qe tepër përplasës me Jugosllavinë e Titos.
Në një farë mënyre ky gjykim i saj përputhet me atë të Azem Vllasit. Kështu, duke filluar prej këtij momenti, ajo që ai më shkroi, edhe pse në pamje të parë në të anasjellë të skemës me të cilin ne deri tani jemi mësuar, i afrohet edhe më mundësisë për të qenë një e vërtetë. Në interpretimin e Ana Lalajt Enver Hoxha qe shumë agresiv ndaj Josip Broz Titos sepse ia kishte frikën modelit të tij politik. Tito ishte i majtë, shteti i tij qe komunist dhe operonte me formula e platforma, me rrugë të majta. Modeli i tij, shumë ndryshe nga ai i Hoxhës, ishte i mirëqenë ekonomikisht, me liri më të gjëra njerëzore, pra më i pëlqyeshëm, më komunikues dhe si i tillë pranohej më lehtë brenda dhe jashtë Jugosllavisë. “Ishte xheloz dhe njëkohësisht e kishte frikë” saktëson historiania, e cila në librin e saj “Dosjet e Luftës”, tek studimet tërësore “Emblema e Bujanit” dhe “Projektet e Federatës Ballkanike dhe e ardhmja e Shqipërisë (1943-1945), nuk shpreh asnjë simpati të njëanshme dhe dëshmon me argumente të qarta se Josip Broz Tito në asnjë çast të jetës së tij nuk ka menduar sinqerisht që pas lufte Kosova të bashkohej me atdheun mëmë. Përherë ka bërë demagogji, provon ajo.
Ana Lalaj pohon se Enver Hoxha ishte (nëpërmjet sherrit propagandistik) njeri konfliktual, sepse i interesonte kjo frymë për ta mbajtur të mbyllur vendin dhe popullin e vet, përherë nën frikën e armikut të jashtëm dhe të psikozës së rrethimit prej tyre. Në fund të fundit, pohon ajo, ky njeri i ekstremeve e bëri Shqipërinë e çliruar nga pushtimi fashist, deri në 1948, një Jugosllavi të Dytë.
Por çfarë do të thotë që Josip Broz Tito, duke mbetur mbrojtës i interesave të federatës së vet shumështetëse dhe i moslejimit kurrë të një Kosove të bashkuar me Shqipërinë apo me statusin e republike të pavarur, të cilën më në fund e gëzon sot, nuk paska ndërhyrë në punët e Tiranës për ta destabilizuar dhe rënuar atë?
Po me se është marrë, sepse duarkryq nuk ka ndenjur?
Sipas asaj që Ana Lalaj ka parë në mbi 300 dosjet e fondit arkivor të mareshallit jugosllav “krijova përshtypjen se ai e njihte shumë mirë situatën në Shqipëri, qe shumë i mirinformuar për gjendjen këtu”.
Pra Tito kishte ngritur një rrjet informatorësh mjaft të shtrirë në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar, sidomos në shkallët e larta të tij. Doemos përfshi edhe forumet e larta të PPSH-së. “Ishte organizim perfekt”, saktëson një çast Lalaj. Pastaj saktëson: “Ja edhe një arsye tjetër përse Enver Hoxha ia kishte frikën”.
Me bindjen se ky rrjet agjenturor nuk e kishte qendrën në ambasadën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në Tiranë, pra tek katër apo e shumta pesë persona, ajo interpreton kështu: Titos një Shqipëri e pastabilizuar nuk i hynte në punë, madje i prishte punë, sepse duke dobësuar vijën më të afërt të kufirit të vet shtetëror, kjo shkaktonte bumerang mbi sigurinë e shumëkombëshit të vet.
(Doemos Lalaj ka të drejtë sepse Josip Brozi, siç ka dalë kohët e fundit, në rreth të ngushtë ka pohuar se në rast që një ditë federata do të prishej, këtë gjë do ta bënin shqiptarët. E kishte fjalën për ata që kishte brenda kufirit të bashkimshteteve të tij. Po të cenohej Shqipëria bashkëkombësit në Kosovë patjetër do ta ngjitnin zjarrin e kundërshtimit deri tek portat e Beogradit).
Ky moment i bisedës me historianen Ana Lalaj më shtyu natyrshëm në një pyetje tjetër: Azem Vllasi, i cili gjatë kohës së Titos ishte ngjitur në karrierë deri edhe në postin e sekretarit të parë të rinisë komuniste jugosllave, a mos duhej konsideruar një bashkëpunues me regjimin e Beogradit? Ajo nuk u lëkund në përgjigjen e saj mohuese: jo, Azem Vllasi, duke qenë “titist”, nuk qe aspak kolaboracionist.
Pastaj e plotësoi mendimin e vet: Vllasi është simbol i evoluimit të udhëheqësit. Ai e revolucionarizoi ndërgjegjen e shqiptarëve në atë kohë, kur ishte momenti kyç i fatit të Kosovës dhe saj donin t’i hiqnin autonominë. Titizmi i tij i qortueshëm më parë u bë pozitiv këto çaste, sepse ai iu kundërvu planit shoven të Millosheviçit, duke vuajtur deri edhe burgimin politik.
“A e di, shton Lalaj që edhe presidenti themeltar amerikan, Xhorxh Uashington, në mandatin e parë të tij ishte i dhunshëm ndaj skllevërve, shtypës i lirive të tyre, porse në mandatin tjetër u tregua mbrojtës dhe çlirues. Kur e pyetën për këtë mospërputhje ai u përgjigj fare shkurt: Atëherë nuk isha gati. Tani jam.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com