|
Foto: .jpg | MASAKRA E GËRHOTIT: TË VRARËT QË U FSHEHËN NËN MISRIN E KOOPERATIVËS
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 15 shkurt 2015)
(Vijon nga numri i kaluar)
Tek libri “Albania 43” për masakrën e Gërhotit ka edhe një dëshmi tjetër, ajo e radiondërlidhësit Koralia: “Në mëngjes herët na dërgojnë në fushën e betejës. Çfarë pamje mbresëlënëse! Toka kudo është e mbushur me kufoma, të ngrirë në pozicionet më të ndryshme....Ujërat e përroit qenë të kuqe. Në një hapësirë prej pesëdhjetë metrash, të cilën munda ta vizitoj, ishin të shtrirë pa jetë rreth njëqind trupa. Njëri, i cili duhej të qe nënoficer, shtrihej përdhe, me këmbët e hapura po ashtu edhe krahët, me sytë e zgurdulluar dhe të drejtuara qiellit. Ballin e kishte të shpuar nga një plumb. Dy të tjerë, të goditur prej bombave të dorës, qenë me kafkën e kokës të zbrazur. Trutë e tyre ishin shpërndarë përreth, mbi rërë, përzierë me gjak. Një tjetër e kishte vënë dorën mbi zemër dhe ajo i kish ngrirë atje. Ruante në fytyrë një shprehje dhimbjeje të madhe. Ajo sikur klithte. Ishte një i ri fatkeq, mbase vetëm tetëmbëdhjetë vjeç.
Në hapësirën me shkurre qenë shtrirë njeri mbi tjetrin. Vura re se të gjithë kishin vdekur me plumbin e parë. Qenë goditur në kokë. Nuk gjetëm qoftë edhe vetëm një të plagosur: patjetër gjatë natës këta të fundit duhej t’i kishin tërhequr dhe marrë”.
Ndërkaq Xhovani Bonomi vazhdon rrëfimin e vet: “Kur u zbardh, u pa edhe një flamur i bardhë i nderur në Gjirokastër, mbi bedenat e kalasë. Një makinë me një beze të bardhë zbriti nga qyteti drejt nesh. Në të ndodheshin misionarë katolikë, të mirët klerikë Bazilianë, të cilët në emër të qytetarisë vinin të kërkonin armëpushim dhe leje për të varrosur të vdekurit. Iu dha leja dhe vetë ushtarët tanë ndihmuan në këtë vepër mëshire”.
Ja edhe një frazë tjetër e kapelanit Bonomi: “Dielli ngrihej lart mbi horizont dhe ndriçonte fushën e betejës, e përgjakur dhe e mbushur me kufoma. Skenë makabre dhe e trishtë pa fund. Mbretëronte një heshtje e thellë. Ushtarët e shpërndarë kudo, deri edhe tek brinjët e përroit, në punën e tyre për të varrosur të vdekurit, dukeshin si mbledhës të korrash, këto të korra të trishtuara të luftës”.
Po ashtu ndërlidhësi Koralia shkruan: “Por nacionalistët, për raprezalje, na ndërprenë ujin që vinte prej centralit elektrik, të cilin tashmë e kishin ata nën kontroll. Kështu që për të pirë dhe për kuzhinën u detyruam të përdornim ujin e përroit, i kuq nga gjaku dhe ku lundronin kufomat”.
Janë shumë të pamundura fjalët për të përshkruar atë që ndodhi në 14 shtator 1943 në Gërhot të Gjirokastrës, siç qe mjaft e vështirë të gjendeshin ato pak ditë më parë, ndërsa në ciklin me tri shkrime për masakrën e Korçës në 9 shtator 1943, rrëfyem se si u vranë dhe u plagosën afro njëqind e tetëdhjetë simpatizantë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Të dyja këto ngjarje, me palë të pësuar PKSH dhe BK, i bashkuam jo aq se ishin mizori të pashembëllta të trupave italiane të pushtimit, por sepse u mbajtën fshehur nga kujtesa e opinioni publik shqiptar (dhe atij italian, por kjo nuk është tema e këtyre gjashtë shkrimeve). Regjimi monist, i cili veproi deri në fund të vitit 1990, masakrën e Korçës e censuroi edhe për llogari të Gërhotit. Gabimi i çetave nacionaliste me ngutjen e një rrethimi shumë të avitur, deri tek buza e mureve të kampit ushtarak, u vu në lojë prej Enver Hoxhës si veprim amatoresk dhe fodull, ndërsa pothuaj i njëjti gabim në 9 shtator qe kryer prej të tijve, komitetit qarkor të Partisë Komuniste për Korçën dhe nga këshilli nacionalçlirimtar i qytetit.
Pas rënies së diktaturës për dramën që ndodhi në Gërhot informacioni vërsheu bollshëm dhe një pjesë e padrejtësisë së heshtjes u vu në vend. Megjithatë edhe mbi të, përveç paragjykimit të ish-komunistëve, ra edhe një politizim i skajshëm prej vetë nacionalistëve. Disa prej tyre ribënë një rimanipulim në të kundërt.
Ndërkaq mbi masakrën e Korçës censura e mëparshme vijoi nëpërmjet thjesht rutinës dhe indiferencës.
Në rastst e këtyre dy masakrave mund të flitet për praninë e një manipulimi komunisto-ballist.
Në mizorinë e Gërhotit duhet pohuar se udhëheqja e partizanëve mbajti një qëndrim bizantin. Ajo vërtet nuk ka rol në sajimin e ndonjë komploti të armatosur kundër ballistëve dhe ca më pak në vrasjen e Hysni Lepenicës, por mbetet fakt që i ka afruar komandës së divizionit “Perugia” kërkesën për të hyrë brenda qytetit ushtarak “në mënyrë që të thyenin sulmin nacionalist”. Italianët, me të drejtë, nuk e pranuan një ofertë të tillë, sepse po të lejohej, do të shkaktonte gjakderdhje të madhe civile dhe për pasojë një rritje të tensionit përplasës mes shqiptarëve. Si e tillë ajo do të rëndonte edhe gjendjen e sigurisë së divizionit.
Ndërkohë më vonë, në pasluftë, regjimi stalinist shkoi edhe më tej në denigrimin total të nacionalistëve.
Në vitin 1946 komandant i ushtrisë për Gjirokastrën qe Shefqet Peçi, udhëheqës partizan vendas, i cili e dinte shumë mirë se si gjatë luftës qenë zhvilluar aty ngjarjet. Reparti dhe komanda u vendosën në territorin e ish-bazës italiane të Gërhotit. Sipas zhvillimit real të ngjarjes të vrarët e 14 shtatorit u varrosën të nesërmen, në një ceremoni të BK, shoqëruar edhe me ndonjë fjalim. Jetëhumburit u mbuluan me dhe në një gropë të përbashkët. Vendvarrimi ishte ai i Teqesë së Baba Selimit, pra po aty ku ndodhi gjëma.
Të gjithë hapësirën përreth njësisë ushtarake të komanduar nga Shefqet Peçi, përfshi edhe vendin e groposjes së nacionalistëve të rënë, ky e mbolli me akacie. Për secilën, që të gjelbëronin sa më shpejt, me paguret e tyre qenë ngarkuar t’i ujitnin tre ushtarë. Më pas një pjesë e terrenit, ku ngjau masakra, u përfshi në pronën e një kooperative dhe mbi eshtrat e ballistëve të vrarë u mboll misër.
Novruz Dervishaj, në motet shtatëdhjetë-tetëdhjetë të shekullit të shkuar, për dymbëdhjetë vite qe komandant i kësaj njësie të shndërruar në Korpusin e Gjirokastrës. Ai pohon se nuk kishte dëgjuar kurrë të flitej për njerëz të vrarë e të varrosur aty, nën këmbët e repartit ushtarak dhe të kooperativës bujqësore. Çdo gjurmë e ngjarjes ishte shfarrosur.
Në vëllimin e tretë të librit “Historia e Shqipërisë”, botim i vitit 1984, plot 41 mote pas masakrës, shkruhet duke mashtruar në gjithçka, duke filluar që nga data: “Më 15 shtator, në kohën që kolona e ushtarëve italianë po dilte nga kazermat për të marshuar drejt Sarandës, u gjend papritur e sulmuar nga bazhibozukët e “Ballit Kombëtar”. Komandantët e tyre u kishin thënë se mjaftonte një sulm demonstrativ kundër italianëve për t’i trembur ata dhe për t’i detyruar të ngrinin duart, që pastaj të turreshin për të plaçkitur lirisht depot e divizionit. Mirëpo mbetën të zhgënjyer, kur në vend të përfundimit që prisnin të arrinin lehtë-lehtë, morën breshër plumbash, që villnin pa kursim pushkët e mitralozat e ushtarëve italianë”.
Autor i këtyre rradhëve është historiani i regjimit Ndreçi Plasari. Ai në shërbimin e vet ndaj pushtetit kapërcen edhe më tej. Gërvish në letër edhe këtë cinizëm: “Përfundimi ishte: bandat balliste u shkrinë si vesa; në shesh dhe në hendeqe shtriheshin 117 kufoma ballistësh, veç të plagosurve kish gjetur vdekjen edhe “kapedani” Hysni Lepenica”.
Në mbyllje tekstthurësi i historiografisë zyrtare për periudhën e luftës do të ngjizte njëra pas tjetrës edhe këto fjalë cinike: “Ja, kjo ishte “lufta”, këta ishin “martirët” e “Ballit Kombëtar”. Me këta “martirë”, me këtë “luftë”, si kofini pas të vjeli, “Balli” lëvdohej me zhurrmë të madhe”.
Kujtojmë se vetë Enver Hoxha tek libri me kujtime “Kur lindi Partia”, 1981, mizorinë e 14 shtatorit e ka përshkruar me këtë frymë: “Kurse Hysni Lepenica me çetën e tij u nis me “hap”, me pushkët poshtë, si te “miqtë”, (!) Mirëpo miqtë nuk e kishin ftuar dhe i grinë të gjithë me mitraloza. S’mbeti asnjë në këmbë i gjallë. Hysni Lepenica, ky zjarrist, mik i Xhepit e ballist, u vra si qeni në vreshtë”.
Ndërkaq në korrik 1977 ndodhi një episod mjaft i veçantë. Hysni Kapo pati ardhur në Gjirokastër për çështje pune dhe në vilën qeveritare, ku do të kalonte natën, në bisedë e sipër për çështje të tjera, papritur, në prani të sekretarit të parë të PPSH për rrethin e mësipërm dhe të atij për Tepelenën, tha se nuk i pëlqente që disa ende merreshin me çështjen e të vrarëve në Gërhot dhe se “Sido që ndodhi, ju të paktën duhej të kishit bërë propozimin të qenë viktima. Bile ndonjë mund të ishte edhe dëshmor”.
Këtu biseda me këtë temë,siç u hap papritur, u mbyll po aq befasisht. U trajtua më pas sikur nuk qe bërë kurrë. Në të vërtetë Hysni Kapo, mes të tjerash, merakun e tij mund ta kish për ndonjë rast të ngjashëm me shoferin e Hysni Lepenicës, i cili e humbi jetën bashkë me të (madje trupi i tij u dogj nga zjarri që përfshiu makinën dhe në vend mbeti vetëm një grusht hi).
Ky person quhej Ismail Serjani dhe ishte njeri i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, madje antar i komitetit qarkor të PKSH për Kurveleshin. Merrej me tregti të vogël dhe makinën e përdorte për furnizim me mallra si edhe paralelisht transportonte fshehtas material propagandistik të partisë së vet. Ismaili shkonte mirë edhe me ballistët dhe pikërisht për këtë arsye Hysni Lepenica në udhëtimin e tij nga Vlora për në Gjirokastër e ftoi ta ndihmonte të shkonte dhe të vinte. Ismaili pranoi.
Një javë më pas nga masakra e 14 shtatorit në qytetin e Vlorës qarkori lokal i Partisë Komuniste shpërndau një trakt, ku njoftohej vdekja heroike e militantit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Ismail Serjani. Më pas, në vitet e para të çlirimit, ai u shpall madje edhe Dëshmor i Atdheut.
Hysni Kapo në fjalët e veta të korrikut 1977, mbështetur mbi këtë ndodhi, duhet ta ketë pasur merakun edhe për raste të tjera. Gjërat nuk lëvizën nga vendi, por një vështrim mbi numrin e të vrarëve në Gërhot do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë këtë fragment të raportit të kapitenit Salvatore Vinci, hartuar në mëngjesin e 15 shtatorit 1943: “Shqiptarët....kishin marrë një prift të misionit të tyre katolik në Gjirokastër dhe vinin që të merrnin kufomat. Disi e habitshme ishte se ata, në kryerjen e këtij operacioni, gjendeshin së bashku ballistët dhe partizanët, pasi ndërmjet kufomave ndodheshin persona nga të dy partitë”.
Rrëmuja e shifrave të të vrarëve ose më saktë loja e pashpirt e përfitimit politik me këto numra, ridëshmon manipulimin çnjerëzor për mizorinë e Gërhotit.
Në librin “Qëndresa e ushtarakëve italianë në Shqipëri” të gjeneralit Masimo Koltrinari, faqja 511, lexojmë: “Në një komunikatë të nxjerrë nga vendasit në qytetin e Gjirokastrës, ku jepet lajmi për sulmin shqiptar në qytetin ushtarak të mbajtur nga italianët, numri i të vdekurve ishte 10 shqiptarë dhe nga ana italiane “me qindra”. Për nacionalistët shqiptarë kishte shumë rëndësi që populli të mos merrte vesh humbjet, si edhe nga ana tjetër, të cilësonte italianët si armiq të popullit shqiptar, dhe në çdo rrethanë, sikurse para armëpushimit, ata duheshin luftuar”.
Bashkëkombësi ynë Ihsan Budo në librin e vet “Unë, partizani, që shpëtova 20.000 italianë”, gjykon se “Në këto kushte, tragjedia e Grehotit, e provokuar nga vetë ballistët, u mbyll me vrasjen e 32 ballistëve”. Shkrues bashkëkohorë të afërt me Ballin Kombëtar ngulin këmbë se “në 14 shtator 1943 në Grehot të Gjirokastrës u vranë në luftë kundër italianëve të divizionit “Peruxha” 36 nacionalistë, me gjithë kryekomandantin e tyre, Hysni Lepenicën, një nga protagonistët e Kuvendit të Mukjes”.
Në një trakt të BK të 20 nëntorit 1943 thuhet “Në 14 shtatuer, ditë fatkeqe për Shqypnin, ra dëshmor për Atdhe prej plumbave tradhtare t’italianëve Hysni Lepenica, bashkë me 33 shokë. Shumë fjalë u përhapën për këtë çështje. Na të Ballit s’duem të flasim ende, por populli, populli i jonë i përvëluem diçka thot vesh më vesh....”
Për nëntogerin italian Mikele Manjani numri i të vdekurve qe 80 vetë. Ndreçi Plasari shkruan se “në shesh dhe në hendeqe shtriheshin 117 kufoma ballistësh”. Sipas togerit mjek Xhovani Galbani numri i jetëhumburve shkoi nga 200 deri 300 vetë. Kapiteni Vinci ka mendimin se “të vdekurit që numërohen përgjatë rrugës dhe anës së lumit, rezultojnë të jenë rreth 250 vetë”. Togeri Vinçenco Kastilioni raporton: “Thuhet për 300 vetë, por edhe më shumë, mbi 500 vetë, shumë të plagosur”. Për ushtarin Serxho Xani të vdekurit qenë 400 vetë. Për majorin Simone Çampa numri i të vrarëve nga radhët e nacionalistëve shkon deri në 400. Ushtari Xhuzepe Bastianelo në një relacion të tij shkruan “shkaktuam humbjen e rreth 500 vetëve”.
Kjo është edhe shifra “tavan” e 14 shtatorit. Më tej nuk rritet më. Në hapësirën nga 33, e cila është shifra zyrtare e pohuar prej Ballit Kombëtar menjëherë pas tragjedisë që ndodhi, deri në përmasën e të pesëqindtëve, numër sigurisht i shumëtepruar, gjithsesi ka emra të tjerë që nuk u morën vesh kurrë apo as edhe u raportuan.
Mes tyre edhe njerës të thjeshtë, të ndodhur rastësisht apo në kalim e sipër. Me siguri mes të rënëve nuk duhet të kenë munguar edhe bashkëkombësit me qëndrim politik afër PKSH-së si edhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Askush nuk e bëri një bilanc të saktë, as kur në pushtet për gjysmë shekulli qenë komunistët talinistë dhe as kur pas rënies së diktaturës forca politike në favor të nacionalistëve qeverisën Shqipërinë.
Para historisë dhe të vërtetës nuk mund të rrimë pa pohuar se 9 shtatorin 1943 në Korçë dhe 14 shtatorin e po të njëjtit vit në Gjirokastër e bashkon një fill i zi keqsjelljeje zyrtare. Ajo është shumë e papërgjegjshme dhe mjaft e turpshme.
Mbetet njollë.
Duke e mbyllur këtë cikël me gjashtë shkrime, dëshirojmë të vëmë në dukje se me gjithë pamjen aksidentale, madje fatale, të asaj që ndodhi në Gërhot, ku ballistët nuk kishin marrë asnjë urdhër për luftë të armatosur kundër bazës italiane dhe për pasojë qenë ushtarakisht të papërgatitur, ajo gjithsesi është e mbushur me akte trimërie, individuale apo në grup. Nacionalistët vepruan me dinjitet. Gjithkund ata valvitën flamujt e kuq, po ashtu, edhe kur binin të pajetë mbi trupat e njeri-tjetrit, nuk u shfaq kurrë ndonjë flamur i bardhë kapitullimi.
Xhovani Bonomi tek libri “Albania 1943” përshkruan “Nacionalistët me një kërcim kishin pushtuar pozicionet tona të përparuara, pikat kyçe që kishim”. Tek libri i vëllimshëm dhe i pasur me dokumente “Qëndresa e ushtarakëve italianë në Shqipëri” ndesh frazën “Ndërkohë nënkomandanti i nacionalistëve, në krye të dyzetë prej të vetëve, u hodh të futej në brendësi të qytetit ushtarak dhe me një guxim të dukshëm të depërtonte në komandën e divizionit”. Mes të tjerash nëntogeri R. Kalderizi në raportin e vet ka regjistruar këto fjalë mjaft shpjeguese: “Kjo luftë do të tregonte edhe kurajën e disa nacionalistëve, ndërmjet të cilëve Hysni Lepenica, avokat i qarkut të Vlorës, si dhe, zëvendëskomandanti i çetës së nacionalistëve të Vlorës, Runa”.
Pra, duke mos qenë mirëfilli një betejë si edhe, po ashtu, thjesht masakër pasive, në mungesë të një termi që do ta përcaktonte më realisht, ngjarja e Gërhotit për Ballin Kombëtar nuk përfaqëson aspak një mundje poshtëruese.
Saktësisht nuk është as edhe mundje.
Është humbje, humbje dramatike dhe tragjike në të njëjtën kohë.
E të gjithë shqiptarëve.
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 shkurt 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|