Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
MASAKRA E GËRHOTIT:GJASHTË MIJË ARMË QË SHTINË MBI BALLISTËT

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 14 shkurt 2015)

(Vijon nga numri i kaluar)

Pikërisht atë mëngjes, më 12 shtator, gjermanë të ndodhur në kampin e Gërhotit kapën gra dhe burra që ndodheshin në fushat afër. Këta fatkeq qenë pothuaj të leckosur dhe mbanin në duar drapinj. Kishin me vete edhe disa gomerë. Pasi i futën me forcë në bazën ushtarake, i mbyllën duke i shtyrë nga njëra barakë në tjetrën, si të qenë kafshë dhe jo njerëz. “Të shkretët shihnin përreth të llahtarisur e të terrorizuar”, shkruan Bonomi. “Gratë qanin. Njërës që u përpoq të largohej, i dhanë një breshëri dhe e vranë në vend. Pas disa orësh të mbajtur në këmbë i hodhën në një rrëpirë. Ne druajtëm se do t’i groposnin të gjallë. Ndërhynë autoritetet e Gjirokastrës, të cilët mundën t’i bindin se ishin fshatarë të thjeshtë. Lirinë e fituan në fillim gratë, pastaj disa burra. Për reprezalje pesë u mbajtën. I pushkatuan dhe pastaj i dogjën”.
Xhovani Bonomi e vazhdon dëshminë e vet, më tej, duke shkruar se “veprimeve të gjermanëve iu shtuan edhe ato të shqiptarëve duke na e bërë gjendjen edhe më delikate dhe të rëndë. Në fakt ata dilnin nga çdo brimë, sikur mbinin, të shumtë dhe mendjemëdhenj, rebelë dhe partizanë: aviteshin me kujdes tek kampi ushtarak, përgjonin lëvizjet tona, deklaroheshin miq, kërkonin gjëra madje edhe armë”.
“Në mëngjesin e 13 shtatorit, tregon kapelani italian, na priste një surprizë e çuditshme. Flamuj të kuq me shqiponjën me dy koka, valëviteshin në Gjirokastër dhe në malet në jug. Si edhe përballë nesh po ashtu flamuj të tjerë të kuq, por pa emblemë. Këta valonin në malet në krahun e veriut dhe në shpatullat tona. Po e shihnim si të shtangur këtë gjë të re. Çfarë donte të thoshte? Të vërtetën e morëm vesh në mesditë. Komunistët, ose më mirë rebelët partizanë, nën komandën e një majori anglez, Tilmann, kishin pushtuar zonën verilindore. Nacionalistët, ish-ushtarët tanë shqiptarë, patën pushtuar në Gjirokastër qytetin dhe malet në juglindje. Ne ishim vënë në rreth dhe të zënë në kllapë”.
Nga oficeri Mario Bronxini dhe raporti i tij i vendosur në librin “Albania 43” mësojmë se “Në 14 shtator në mëngjes paraqiten përsëri tek gjenerali disa krerë nacionalistë shqiptarë të cilët pas një bashkëbisedimi të gjatë dorëzuan një “ultimatum” që shkruante se në qoftë se brenda orës 17.00 nuk do të dorëzoheshin armët komplet, ata do të na prisnin kokën që të gjithë neve. Rreth komandës disa oficerë organizuan një mbrojtje të fortë”.
Ndërkohë radiondërlidhësi italian Koralia përshkruan: “Rreth orës 10.00 u panë të vinin nga drejtimi i manastirit, mbi rrugën e Tepelenës, rreth 200 shqiptarë të armatosur. Kaluan para kampit të Gërhotit duke i parë italianët me përbuzje. Kur mbërritën tek komanda e regjimentit u ndalën. Pastaj, nën urdhrin e oficerit të tyre, u futën në një hendek dhe nderën grykët e pushkëve ndaj bazës ushtarake. E ndjekim këtë manovër duke e kuptuar se qe kërcënuese aq sa për të na futur frikën, jo për gjë tjetër”.
Ndërkohë Xhovani Bonomi shkruan se prej maleve përballë Gjirokastrës, nga çdo anë, zbrisnin me mijëra luftëtarë shqiptarë dhe u vendosën në formë rrethi rrotull qytetit ushtarak. “Jemi të rrethuar prej nacionalistëve nga tre drejtime”, ngulmom. Dhe Vijon: “Pas shpatullave, nga ana e maleve, kemi partizanët. E kuptojmë që gjërat po ndërlikohen dhe na përfshin shqetësimi. Ndjejmë atmosferë lufte”.
Pas pak rrëfimi tronditës i Bonomit kapërcen në kapitullin “Ultimatumi”: “Në orën 14.00 gjenerali raportoi para oficerëve...Këtë orë të gjithë u mblodhëm në një kapanon afër lumit. Bënte një i nxehtë mbytës. Nuk durohej dot as ajri dhe as dielli. Jashtë bënte 54 gradë.
Hyri gjenerali. Qe terr në fytyrë. I ishte tkurrur trupi, prej lodhjeve, përplasjeve me delegacionet e shqiptarëve, rraskapitur nga ajo punë delikate diplomatike që duhej të bënte, prej shqetësimeve të mëdha që kishte.
U bë një heshtje varri. Nisi drejt e në temë, pa asnjë hyrje “Zotërinj oficerë, në orën 17.30 mund të jemi të gjithë të vdekur”.
Një rrëqethje kaloi tek të gjithë...Gjenerali vazhdoi të shpjegonte situatën “Ultimatum nga të dy palët që na kishin rrethuar, urdhër kategorik nga gjermanët, burimet e ujit të ndotura, pakësim i ushqimeve. Po ja u lë juve të gjykoni se çfarë na duhet të bëjmë. Ua parashtroni përgjigjet komandantëve të njësiteve tuaja: ata do të më referojnë konkluzionet. Do të vendosë shumica. Po ju jap njëzetë minuta kohë”.
Pak radhë më poshtë rrokullima e ngjarjeve, sipas rrëfimit të kapelanit italian, rrjedh nëpër kapitullin “Më mirë të vdesim me armët në duar”: “Në sallë nisi një debat i madh dhe i ndezur, kush propozonte të shkonim sa më shpejt tek gjermanët, aleatët tanë të djeshëm, kush t’i dorëzonim armët tek partizanët, sepse komandoheshin prej një anglezi, kush tua jepnim armët nacionalistëve, kush të mos ua jepnim askujt dhe të mbroheshim kundër të parit që do të na sulmonte.
Fitoi ky gjykim i fundit: Më mirë të vdesim me armë në dorë”.
“Përreth nesh, shkruan Xhovani Bonomi më tej, nga çdo anë valonin flamuj të kuq”. Në vazhdim:”Futemi nëpër llogore dhe përgatitemi për t’u mbrojtur. Tashmë armiku e pati kompletuar rrethimin tonë, në të katër anët”. Po ashtu: “Armiku e dominon të gjithë qytetin ushtarak, në atë krah nuk kemi tashmë asnjë mbrojtje. Prej andej mund të kërcasë e drejtojë grykat e mitralozave drejt e mbi transhetë tona, duke na vrarë. Urdhri i parë si masë urtësie ishte të digjeshin të gjitha dokumentet”.
Rikthejmë një çast në vëmendjen e lexuesit çfarë për këto çaste, prej ushtarakëve të divizionit “Perugia”, ka hedhur në letër doktori Andorno: “Përtej kazermës dhe fortinove rruga dukej përherë e më shumë e zbardhylët. Lumi Drino qe katandisur në një fill uji. Gjithçka ishte e palëvizshme, djallëzisht e heshtur, si qetësia e njohur para furtunës. E megjithatë në kodrina diçka lëvizte. “Shikoni, shikoni atje!” tha dikush dhe shenjoi me dorë mbi kështjellën në krye të kodrës. Të gjithë u kthyen për atje. “Cilët janë” pyeti me theks fiorentin veterineri Stefanini. “Unë nuk dalloj gjë”, tha togeri Poceto, i cili qe miop. “Bobo, shihni çfarë kolone me njerëz dhe vështroni nga e djathta një kolonë tjetër që zbret. Paska edhe më poshtë”.
Kështu vështrimi i të gjithëve bëhet më i mprehtë. Nga tenda e artilerisë kjo situatë dominohej më mirë. Nga kodrat zbrisnin njerëz të veshur civilë me qylafë të bardhë, me armët krahëqafë, flamuj të kuq me shqiponjë shqiptare.
Distanca mes nesh dhe tyre nuk ishte më shumë se një kilometër.
Janë shqiptarë dhe shqiponja në fushë të kuqe do të thotë se qenë nacionalistë.
Sa batare predhash nëpër netët e kaluara ishin nisur nga ana jonë drejt atyre kodrinave, vetëm e vetëm se në to thjesht shkëndijonte ndonjë dritë e na dukej se kishte të armatosur. Por tani vërtet janë njerëz dhe po zbresin drejt nesh. Lëvizin e përparojnë shpenguar, si të bëjnë një shëtitje. Po afroheshin. Shihen vetë tepër qartë dhe menjëherë në kamp fillojnë të lëvizin, të thërresin njeri-tjetrin, tendat e mbushura me njerëz pështjellohen, kapanonet vjellin ushtarë pa pushim. Është një masë e madhe grijeshile, por edhe në grupe të izoluara. Që të gjithë futen nëpër llogore.
Secili në vendin e vet, por të tërë të pavendosur, të gatshëm, në pritje. Lufta ka mbaruar? Ironi. Bateritë e topave janë gati, njerëzit qëndrojnë tek predhat, bien zilet e telefonave, komandat shtohen vërtikshëm. Ndonjë mbërrin në llogore me vonesë dhe shtrihet e nder pushkën mbi tokë në lartësinë e tëmthit, në kokë.
Atje lart nacionalistët ecin përpara si të jenë duke bërë një paradë të çuditshme. Këtu rreshtat e helmetave mbi buzë të tokës, pak sa mbi cipën e dheut, të ndalura, të palëvizura, të ngrira, si në një lojë. Tani ata janë shumë afër. Mjaft prej tyre duken të paarmatosur. “Mos qëlloni”, është urdhri për ne. “Prisni komandat. Do të sulmojmë vetëm nëse na sulmojnë”. Sa janë? 600, 800?
“Çfarë duan? Nuk mund të lëvizet kështu, kaq lirisht, para mijëra të armatosurve. Të gjithë sikur i ka kapur një ethe. Tani po kapërcejnë fushën e aviacionit, fare qetësisht, duke folur me njeri-tjetrin me sytë përdhe, tamam së të jenë jo të ndërgjegjshëm për çfarë po guxojnë. Ne ndjekim përparimin e tyre dhe shohim njëri-tjetrin në sy, si për të pyetur se çfarë duhet të bëjmë. Çfarë duan? Përse shkojnë përpara kështu, me kaq indiferencë, kur e dinë që mijëra gryka armësh zjarri janë gati dhe të fiksuara të marrin shenjë mbi trupat e tyre? Masa e tyre e heshtur përparon akoma, ndërsa duart tona shtrëngojnë me nervozizëm armët. Veshët na gjëmojnë nga krismat që priten nga çasti në çast të shungullojnë. Por urdhri është që të mos qëllohet dhe ai përsëritet vazhdimisht prej komandantëve. Në qendër të qytetit ushtarak komandantët janë në gatishmëri e në krye të artilerisë dhe të këmbësorisë. Edhe gjenerali është në postin e tij. Ë gjithë janë gati për të përballuar një gjendje që çdo çast e më shumë po bëhet shqetësuese për ne, ndërsa shohim se si rrethimi po na mbyllet dhe ndërkohë nuk mund të qëllojmë.
Tani shqiptarët janë poshtë nesh, mu në buzë të rrugës, njëqind metra nën sytë tanë. Kjo që po na ndodh është një sfidë për durimin. Tashmë e dimë se gjendja nuk mund të vazhdojë më kështu. Ajri është i rëndë. Të gjithë rrinë si të ngrirë me duart shtrënguar tek armët. E tillë ishte situata rreth orës 16.45. Shqiptarët qëndronin të ulur në buzë të rrugës, përballë fortinove tona, duke folur me njeri-tjetrin sikur ne të mos ekzistonim fare.
Disa hanin si për të marrë forcë. Të tjerë qëndronin pas tyre, në këmbë. Ne pa bërë asnjë lëvizje, gjithnjë në pritje të një sulmi, të një sinjali, të një shenje që të mund të sqaronte paurtësinë e tyre të tepruar dhe tolerancën tonë. Këto qenë vetëm çaste të vetëtimta. Nuk ishte për të qeshur, por për t’u dridhur duart”.
Ushtaraku Mario Bronxini në relacionin e vet mjaft të hollësishëm mbi ngjarjen sqaron se “...nacionalistët, duke thirrur “vëllezër”, filluan që të çarmatosnin rojet tek fortifikimi në anën e djathtë të qytetit. Oficeri që komandonte këtë fortifikim telefonoi në komandën e tij të batalionit. Këta në komandën e regjimentit dhe më tej në komandën e divizionit dhe kështu, ndërsa komandat tona u futën në një rreth vicioz duke humbur kohë, nacionalistët kishin pushtuar gjysmën e fortifikimit duke marrë edhe një armë, një top antitank 47/32 etj. Nuk di nëse erdhi nga komanda e divizionit urdhri për hapjen e zjarrit, por di se një goditje arme bën që e gjithë vija mbrojtëse, me të gjitha armët, duke filluar nga topat deri tek pushkët, të hapnin zjarr mbi atë masë heterogjene dhe të leckosur, duke mbjellë në tokë kufoma. Pika e fortifikimit, nuk e di se me urdhër të kujt, rikapet, por me anën e një sulmi me bomba dore. Luftimi zgjati deri në orën 19. Ishte i shkurtër, por vrasës, pasi ushtarët me një sulm të shpejtë, hedhin përtokë mjaft njerëz që llogariten në rreth 500, ndërsa nga ana jonë pati rreth 15 të plagosur dhe të vrarë vetëm një, ushtarin Xhuzepe Nuovon, të batalionit I-rë, që sipas meje ishte ai që hapi zjarrin, pasi bënte pjesë në pikën e fortifikuar që sulmohet”.
Këtë masakër e tregon edhe Xhovani Bonomi: “Zjarr! Zjarr vdekjeprurës prej të gjitha armëve të plot një divizioni. Zjarr sipas dëshirës së gjithsecilit, me maraz, pa asnjë pushim, si të qe thjesht një garë shpejtësie. Shtinin të tëra pushkët, mitralozat, kundërajrorët dhe deri antitanket. Gjithçka kundër atyre fatkeqëve që një aventurë e pandërgjegjshme i kishte sjellë njëqind metra nga ne. Zjarr dhe të shtëna të drejtpërdrejta kundër atyre trupave të kapur tashmë nga një stuhi e papritur plumbash.
Shumë mbetën të palëvizur, të mbërthyer menjëherë nga vdekja. Të tjerët, shumica, e kuptuan çfarë po ndodhte dhe e kapën çastin. Ata ja mbathën drejt kreshtës së malit. Të tjerët vraponin nëpër fushën me bar dhe, duke vrapuar, u mbërthyen nga plumbat dhe u kositën prej tyre, ranë. Shiheshin qartë trupa në spazmë, tek dridheshin para se të jepnin shpirt, të përthyer më dysh dhe që rrëzoheshin duke u rrokullisur. Kush u fsheh dhe u mbrojt prej kaçubave u arrit edhe ai nga një zjarr i çmendur armësh. Prej copërave të granatave dhe të mortajave të shtëna pa asnjë objektiv shumë nga shkurret e rrafshuan krejt. Kur zjarri i armëve tona u duk sikur ra pak dhe gjëmimi i krismave e uli tonin, ata që patën mbetur gjallë rimorën vrapin drejt kodrinës.
I ndoqëm me plumbat e predhat e armëve. Ishte gjueti ndaj njeriut.
Zjarri nuk pushonte dhe madje, pas pak, e rriti edhe më shumë gjëmën. Tashmë shtihej në boshllëk, ndërsa nuk kishte përpara trupa njerëzish. Vetëm ndonjë i rrallë që ende rendte. Bataretë e mitralozave edhe këtë fatkeq e ndiqnin deri sa e arrinin, duke e rrëzuar përtokë pa jetë.
Edhe kur dielli iku, u duk sikur edhe ai u godit nga plumbat dhe ra.
Në të vërtetë prej kohësh komandantët kishin urdhëruar ndërprerjen e zjarrit, por asnjë nuk dëgjonte. Vetëm më pas goditjet u rralluan, u bënë përherë dhe më pak. Pastaj u dëgjua vetëm ndonjë krismë e veçuar. Heshtja ra mbi masakër, mbi atë shfarosje”.
Ja si vazhdon më tej kjo skenë makabre dhe e dhimbshme gjer në ulërimë: “Në një qoshe të qytetit tonë ushtarak katër persona u kujtuan të dilnin nga pozicionet e të shihnin çfarë pati ngjarë përtej kampit. Shkuan e morën një flamur që rrinte i rrëzuar, i shtrirë edhe ai mes të vdekurve. Qenë një kapiten, një mjek, një toger dhe një ushtar...Të gjithë po i ndiqnin me vështrim. Çfarë po bënin këta të çmendur! Të dilje donte të thoshte t’i ekspozoheshe zjarrit të armikut. Mirëpo vërtet dolën. Mjeku dhe ushtari më në fund kaluan rrugën, hynë mes karthjeve të thata dhe shkuan deri tek kufiri i shkurreve. Ushtari mori flamurin, u kap pas mjekut dhe të dy bashkë, me flamurin si plaçkë lufte, hynë me vrap në qytet. Për këtë mjaftuan vetëm pak sekonda. Kampi këtë gjest e priti me brohoritje të mëdha, si të qe shfaqje. Ishte një veprim i pamenduar mirë, edhe pse trimëror, por që nga çasti në çast mund të përfundonte me lënie të lëkurës. Gjenerali ua sekuestroi flamurin mes mospëlqimit të të katërve, madje pati edhe një shkëmbim fjalësh.
Por ende ngjarja e pazakonshme nuk kishte mbaruar. Repartet dolën nga vrimat e transheve dhe vrapuan jashtë qytetit, tashmë si plaçkitës. Duke arritur afër shkurreve vunë re se poshtë, nën brinjët e përroit, fshehur njëri pas tjetrit, qenë shqiptarët.
Ndodhi një vrasje tjetër e madhe.
Bombat e dorës në distancë të dy apo tre metrave bënë copa-copa gjithë të mbeturit gjallë. Gjakun dhe trupat e tyre i përpiu lumi Drinos.
Nata që ra, mbuloi të vdekurit, atë çfarë çnjerëzisht ndodhi.
Të gjithë u mblodhën në vete, për të larguar tensionin e lodhjen. Iu dhanë raskapitjes dhe territ të asaj nate. Shumë qenë të tronditur, por gjithsesi ndenjën mbi armë të zgjuar, duke bërë me turne roje nëpër llogore, tek gropat apo vrimat në kufi të qytetit ushtarak. Rrinin në përgjim mos i sulmonin.
Kur u gdhi trupat e shqiptarëve të vrarë ishin të gjithë të shtrirë sikur të kishin fjetur të qetë gjithë natën, përthyer rreth vetes, këmbëmbledhur, përtokë”.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com