Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PËR AMBASADORIN “MYSLIMAN” NË VATIKAN


(Botuar në gazetën “Shqip” më 8 shkurt 2015)

Deklarata e ardhur nga funksionarët e lartë të Kishës Katolike të Shqipërisë se në Selinë e Shenjtë si përfaqësues diplomatik i parë i republikës tonë duhet të jetë patjetër një ambasador vetëm i kësaj feje dhe jo, për shembull, një që mund të ketë lidhje me një besim mysliman, të nxit fillimisht t’i bësh vetes një verifikim të shpejtë se një cilën kohë ndodhesh, dekadë e mbase shekull të shkuar.
Me një fjalë të duhet t’i japësh vetes një të pickuar në mish që të ndihesh i sigurt se thënia e mësipërme është bërë në të thyer të ditës së 6 shkurtit 2015.
Deklaruesit që në fillim e shmangnin lidhjen me emrin e bashkëkombësit tonë që ishte bërë arsye të mbanin atë qëndrim: Visar Zhitin, i sapo propozuar si kryediplomat në Vatikan.
Por kjo ua rëndon përgjegjësinë për rastin konkret që gjetën në krijim të qëllimit për të frenuar një precedent. Zhiti nuk i ndihmon dot në këtë gjest të tyre, i cili nëse do të qe një emër tjetër, mund edhe t’i justifikonte sadopak. Visari më së pari është një njeri kulture, njohës mjaft i mirë i mjediseve të Italisë dhe posaçërisht i Romës, me lidhje të vjetra pune në atë terren, shqipërues dhe italianizues i veprës së bashkëkombëses katolike Nënë Tereza... Do të ishte e kotë të rreshtonim të tjera sipërmarrje të tij kulturore që e bëjnë “më katolik se Papa”.
Ndërkohë Visar Zhiti është një shqiptar, çfarë do të thotë (dhe këtë gjë e në një farë mënyre e spikati edhe vetë Papa Françesku në vizitën që bëri në vendin tonë), se është fetarhapur, pra që nderon çdo besim dhe se feston me gëzim të çiltër si ditëbarjamin ashtu edhe ditëpashkën.
Madje Visari, si çdo skraparlli në origjinë, është bektashi, çfarë do të thotë, sipas specialistëve më të mirë botërore të feve, “i krishter “i fshehur” brenda islamizmit”.
Sikur para se ta bënin deklaratën e tyre drejtuesit e Kishës Katolike Shqiptare të kishin numëruar deri në dhjetë!
Doemos që për në Selinë e Shenjtë themeli i përzgjedhjes së ambasadorëve nga Shqipëria duhet të jetë edhe përkatësia apo afërsia me besimin e krishterë, çfarë në historinë tonë është një e kaluar e vjetër shpirtërisht shkëlqimtare, një e djeshme mjaft e vyer në ndihmë të formimit dhe të mbrojtjes të kombit, si edhe një e tanishme proevropiane mjaft domethënëse.
Të tillë, të krishterë katolikë, kanë qenë pas vitit nëntëdhjetë diplomatët e parë të vendit tonë në Vatikan. Disa prej tyre ishin edhe njerëz të dijes, si edhe shumë mendjehapur. Kush ka qoftë edhe për pak çaste interes profesional të përshkruajë historinë e ambasadorëve shqiptarë pranë Selisë së Shenjtë do të provojë kënaqësinë e rrallë të mësojë se sa të lashta dhe të ngushta janë marrëdhëniet mes popullit tonë dhe këtij institucioni shpirtëror global, se në themel të kësaj lidhjeje nuk rri vetëm ndonjë i shenjtë i shquar i brezit të parë të misionarëve të Krishterimit, si Pali, por edhe heroi ynë numër një, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Janë po ashtu tepër të shumta provat e miqësisë së dukshme të Papëve për ne, veçanërisht pas rënies së diktaturës.
Një realitet të tillë e ka bërë jo patjetër lidhja fetare, por edhe afria nacionale, gjithëpopullore që kemi me latinët dhe më pas tyre, me italianët. Por t’i lëmë zhbirimet në këtë anë për të dalë sa më shpejt tek më kryesorja: Si është e mundur të ngrihet si arsye parimore për të qenë përcaktuese në të dhënat biografike të një ambasadori të Shqipërisë në Vatikan besimi i tij mysliman, sidomos kur është i largët, i thjesht origjinës, i një jo praktikanti?
Në vitet që autori i këtyre radhëve ka punuar në ambasadën tonë në Romë (fund 1997-mars 2002) i bënte përshtypje që në mjediset e propagandës së Selisë së Shenjtë sundonte një antikomunizëm ideologjik mjaft jo real dhe shumë absurd, i dalë jashtë kohe. Ai vazhdonte t’i gjykonte socialistët e atëhershëm në qeverisje si pothuaj bolshevikë, pa reflektuar një çast se këta po dëshmonin administrim kapitalist të vendit të tyre.
Të shkëputur nga realiteti ynë, tejkonservatorë, zyrtarë të ftohtë më shumë se besimtarë të ngrohtë, pothuaj qe e pamundur t’i bëje të të dëgjonin, qoftë edhe formalisht, se e vërteta historike e ndërrimit të sistemit shoqëror në vendin tonë, duke filluar nga dhjetori 1990, ishte mjaft e ndërlikuar, se gjatë gjysmëshekullit të diktaturës moniste pati qenë mjaft e dobishme rezistenca dhe përpjekja e antikomunistëve brenda dhe jashtë vendit, por në vitin 1989 nga një studim që bëri Ministria e Punëve të Brendshme rezultonte se dy të tretat e të rinjve, të cilët tentonin për arratisje, ishin bij komunistësh.
Qenë këta tashmë, në prag të viteve nëntëdhjetë, kundërshtarë politikë të etërve të tyre.
Si t’ua mbushje mendjen pasionantëve vatikanas të motit të Luftës së Ftohtë se në Shqipëri në përmbysjen e regjimit shumë nga protagonistët kryesorë dhe udhëheqësit e saj vinin nga radhët e anëtarëve të Partisë së Punës. Se bashkë me përmbysësit e sinqertë të një qeverisjeje kufinjmbyllur, me mbi trup goditjet e pareshtura, për të gjithë, të “luftës së klasave”, në kushtet e një pakushqimi të ndarë me triska, vepruan me energji diabolike shtresa apo individë që donin të ruanin, në kushtet e reja të rendit rajonal e botëror me komunizëm të rrëzuar, privilegjet e mëparshme apo ambiciet e tyre pushtetushtruese të parealizuara në diktaturë.
E bëmë këtë paralele se të habit kjo alergji protokollare ndaj cilësisë periferike myslimane të një kandidature për ambasador shqiptar në Vatikan në kushtet e një kanosjeje të madhe globale, e një përgjakjeje dhe mizorie të re: terrorizmit pseudoislamik.
Sot më tepër se kurrë jo një laik me të shkuar myslimane, siç është Visar Zhiti, por edhe një praktikant shqiptar i kësaj feje është disafish më i nevojshëm dhe më i dobishëm në luftën për t’i bërë ballë kësaj beteje të re shumëkontinentëshe. Tani logjika e të vepruarit në sinkron me kohën lyp që, në mënyrë të posaçme (sepse në rastin Zhiti kanë ndikuar krejt faktorë krejt të tjerë nga ai i besimit fetar), të dërgohej, qoftë edhe për vetëm njëherë, pra një mandat, një diplomat me lidhjen shpirtërore të sinqertë ndaj myslimanizmit.
Ka mjaft të ngjarë që ne njerëzit e thjeshtë të vendit tonë shumëfetar, ndryshe nga disa funksionarë të Kishës Katolike Shqiptare, ta kemi kuptuar më mirë Papa Françeskon (këtë lider të vërtetë me përmasa botërore), në aksionin e tij rinovues të Selisë së Shenjtë.
Po të jetë kështu, është e trishtueshme.
Nuk na takon ne të kemi të parët bindjen dhe besimin se pikërisht nga që në të shkuarën e vet Visar Zhiti ka një lidhje me myslimanizmin, të jetë një argument plus për faktin se, paralel me çdo problem tjetër të debatueshëm si harmonizimi i domosdoshëm i kandidaturës mes Qeverisë me Presidencës apo i përmasës së të qenit të një diplomati i përzierë me veprimtari politike partiake kundër shumicës aktuale, ai të jetë zgjidhja më e mirë.
Sidomos më e nevojshmja.


Ylli Polovina

Tiranë, më 7 shkurt 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com