|
Foto: .jpg | MASAKRA E KORÇËS PSE U MBAJT FSHEHUR NGA ENVER HOXHA
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com më 8 shkurt 2015)
(Vijon nga numri i kaluar)
Përshkrimi i forcës së brendshme të popullsisë korçare para 180 bashkëqytetasve të vrarë në vend apo të përgjakur në të gjithë trupin, edhe pse i bërë me ca retorikë, ta jep një mundësi perceptimi kur vendasit e kanë hartuar dhe rrëfyer kështu: “Gra e burra të guximshëm ngritën në krahë të vrarë e të plagosur rëndë, vajza trimëresha grisën edhe veshjet e trupit për t’ju lidhur plagët të plagosurve e për t’ju ndërprerë sadopak rrjedhjen e gjakut vdekjeprurës. Të tjerë merreshin me identifikimin e të vrarëve, me fëmijët e plagosur apo të traumatizuar. Personeli i spitalit të Korçës punoi ditë e natë për operim e mjekim, duke shpëtuar shumë jetë njerëzish. Mjaft të plagosurve u prenë duar, këmbë apo pjesë të tjera trupore, duke mbetur invalidë deri në fund të jetës së tyre”.
Në vijim: “Të vrarëve iu bënë të gjitha nderimet, duke i përcjellë deri në banesën e fundit”.
Po ashtu: “U siguruan ndihma për familjet që pësuan fatkeqësi si dhe të plagosurve që ishin në vështirësi ekonomike”.
Dëshmia pohon njëkohësisht: “Kjo tragjedi i bashkoi njerëzit, gjë që lehtësoi sadopak plagët e këtij krimi barbar fashist”.
Viktima e fundit e mbetur gjallë, tetëdhjetë e tetë vjeçari Petrika Simo, thotë se fillimisht e dërguan në spital dhe duke qenë se atje kishte gjendje shumë të rënduar me të plagosur që po jepnin shpirt dhe të tjerë të rrezikuar ta humbnin nga çasti në çast jetën, e nisën për në infermierinë e lagjes.
Këtu i nxorën disa cifla, veçanërisht një të madhe, të cilën ai e ruajti për dekada të tëra.
Petrika duket se është njeri me fat, jo thjesht se në masakrën e 9 shtatorit 1943 i shpëtoi vdekjes apo edhe kur pas kësaj doli partizan. Apo sepse po jeton gjatë, por edhe sepse kur në fundnëntor të vitit të kaluar, 2014, në 70-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit fashistë, u bë përkujtimorja e demonstratës manifestimit dhe e mizorisë mbi të, qe në krye të parakalimit. I vënë në mes nga dy zonja të nderuara të qytetit, ndryshe nga shtatë dekada më parë, kur i dhanë të mbante një flamur të vogël, këtë herë manifestoi duke shtrënguar në duar dhe valëvitur një të madh.
Ndërkohë kryeveterani i Korçës, Shefqet Pojani, nuk harron të nxjerrë e vërë në dukje një pezëm. Thotë se u është lutur autoriteteve të pushtetit politik dhe administrativ të qytetit që të bisedojnë me ambasadorin italian në Tiranë dhe të sigurojnë një pjesëmarrje të tij në një përvjetor nderimi për të vrarët, por ata, siç këmbëngul, ia janë shmangur.
Ai kujton se ambasadori gjerman jo vetëm shkoi në Borovë, por edhe kërkoi atje ndjesë për masakrën e kryer atje prej ushtrisë hitleriane në 6 korrik 1943.
Për ta bërë më bindëse këtë gjykim të vet Shefqet Pojani arsyeton se ajo vrasje masive që ndodhi në Korçë nuk është më e vogël se 107 të grumbulluarit me dhunë në një shesh dhe pastaj të mitraluarit në Borovë. Skena e krimit në qytetin e tij i duket madje edhe më makabre.
Rinis e përshkruan se në Korçë gjëma vrastare u krye në një turmë që po këndonte dhe se bashkë me të vdekurit, tronditëse qe edhe skena e të plagosurve të cilët, për të shpëtuar nga goditja e çakërdisur e plumbave të tjerë, hiqeshin zvarrë për t’u futur në ndonjë rrugicë apo portë shtëpie.
Ndërkohë, duke vijuar rrjedhën e ngjarjes së jashtëzakonshme, të nesërmen, në 10 shtator, frymëzuesi i këtij manifestimi të mbytur me gjak, Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste Shqiptare për Korçën dhe sidomos Këshilli Nacionalçlirimtar i qytetit lëshoi një trakt. Ishte në thelb mesazh ngushëllimi dhe solidariteti.
Mes fjalëve të tij ndodheshin edhe këto tre fraza: “Gjaku u grave, i burrave dhe i fëmijëve të pafajshëm vaditi sheshet e rrugët e qytetit tonë të martirizuar. Ngado lot e vaj dhe mallkime urrejtjeje ndaj bishave fashiste që shkaktuan këtë tragjedi jashtë çdo logjike njerëzore. Qytetarë shtrëngoni radhët e bashkohuni me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, liria nuk do të jetë e largët, sakrificat dhe gjaku i derdhur nuk do të shkojë kot”.
Por vitet e mëpasshëm, periudha gjysmëshekullore e para nëntëdhjetës, kësaj ngjarjeje dramatike nuk do t’i hapte vend jo vetëm në historinë kombëtare, por as edhe atë të rezistencës antifashiste si edhe të Luftës Nacionalçlirimtare, vepër e njohur si e partizanëve të udhëhequr nga PKSH. U publikua në fare pak radhë në botimin e vonë të një trevëllimëshi (me lexues mjaft të kufizuar) të historisë së kësaj Lufte.
Ajo që ndodhi në 9 shtator 1943 u mbajt vetëm në nivelin e përkujtimeve lokale. U mbyll rreptësishtë në këta kufij.
Bashkuar edhe me shpirtin karakteristik lokalist të korçarit censura nga lart veproi edhe më me shumë sukses nga sa pritej dhe dëshirohej. Mjaft nga historianët e sotëm, përfshi edhe ata të specializuar për Luftën e Dytë në Shqipëri, për masakrën ngrenë supet në padijeni të plotë. Madje të shprehin dyshimin mos kjo ngjarje, tek e paraqit, ose është e ngatërruar me ndonjë mizori tjetër të italianëve apo thjesht ngjan si e huazuar prej një burimi gojor fare konfuz.
E vërteta është se menjëherë pas çlirimit atje ku gjakderdhja e madhe e njerëzve të pafajshëm, shumica gra, ndodhi faqe botës, u ngrit një lapidar fare modest me në ballë vetëm një pllakë përkujtimore. Aty u shkruan fjalët “Këtu më 9 shtator 1943 në demonstratën antifashiste të qytetit të Korçës u vranë nga fashistët italianë 59 dhe 120 të plagosur”.
(Në historinë e këtij lapidari rutinë ka ndodhur edhe një ngjarje poshtëruese. Në vitin 1991, në kaosin e tranzicionit dhe të ndërrimit të sistemeve politike, pllakën me tekstin përkujtues e hoqën dhe e zhdukën pa gjurmë. Ajo u rivu pas vitit 1992.
Për këtë rehabilitim publik të masakrës së 9 shtatorit u desh protesta e Komitetit të Veteranëve të rrethit).
Kohët e fundit ky lapidar u rinovua, por gjithnjë duke mbetur me të njëjtin konceptim dhe përmasë. Ai nuk u shndërrua kurrë në një memorial me arkitekturë dhe pamje shumë të dukshme, publikisht por edhe artistikisht mjaft më shprehëse. Dimension që e ka të merituar.
Një hollësi tjetër: Ndërsa anëtarë të Byrosë Politike të PPSH-së dhe veçanërisht Rita Marko, vinin herë pas here tek lapidari, gjer sa ndërroi jetë Enver Hoxha nuk mbahet mend të ketë qenë aty ndonjëherë.
Ka munguar rregullisht nëpër ceremonitë e vendosjes së një tufe personale lulesh apo të një kurore institucionale.
Kjo nuk do të thotë patjetër se moskryerja e këtij gjesti qe shpërfillje e qëllimshme e gjakut njerëzor të derdhur, por Hoxha nuk donte në asnjë mënyrë ta nxirrte masakrën nga mbyllja hermetike që i kishte bërë.
Kombëtarisht atë nuk duhej ta merrnin vesh.
Arsyet që kryekomunistin shqiptar e shtynin në këtë veprim janë të shumta dhe sa të mundim do të përpiqemi t’i shpjegojmë. Shtojmë se Enver Hoxha dhe nën trysninë e tij edhe historiografia shtetërore, patën censuruar rreptësishtë edhe një mizori tjetër të ndodhur një javë më pas në qytezën ushtarake të Gërhotit pranë Gjirokastrës. Por ndërsa në atë të Korçës kishin vdekur dhe qenë përgjakur nga plumbat vetëm militantë dhe simpatizantë të Frontit Nacionalçlirimtar, në atë të Gërhotit fatin tragjik të humbjes së jetës e patën pësuar kundërshtarët politikë të PKSH, njerëzit e Ballit Kombëtar.
Po ashtu, ndërsa në këtë të fundit u vra Hysni Lepenica, eksponenti politik dhe ushtarak më i spikatur i nacionalistëve për Shqipërinë Jugore, sidomos në territorin Vlorë-Gjirokastër, në atë të Korçës do të paracaktohej një nga rrethanat psikologjike prej të cilave do të ndodhte vetëvrasja e kreut tjetër të shquar të tyre, Safet Butkës.
Në Ballin Kombëtar veprimtarë si Hysni Lepenica dhe Safet Butka përfaqësonin atë krah (ose grup apo fraksion), i cili bashkë me Abaz Ermenjin, Ismail Golemin dhe ndonjë tjetër, antikomunistë të vendosur, qenë tërësisht për luftë të armatosur jo vetëm kundër italianëve, por edhe ndaj zaptuesve të rinj, gjermanëve.
Duke u rikthyer tek strategjia e heshtjes së regjimit të paranëntëdhjetës ndaj masakrës së Korçës vëmë në dukje se edhe personalisht Enver Hoxha, me një jetë të lidhur fort me këtë qytet, të vlerësuar prej tij si të dytin më të dashur pas vendlindjes, Gjirokastrës, në asnjë nga librat e tij me kujtime nuk e ka përmendur.
As në librat politikë të vet, sigurisht.
Nuk e ka cituar në asnjë fjalim kongresi partiak apo të çfarëdo kuvendi të forumeve më të larta të kohës.
Fjalë për të ose të paktën një tekst nënkuptues nuk ndodhet as direktivat e tij “Në lidhje me gjendjen e krijuar pas kapitullimit të Italisë fashiste”. Kur ky material u publikua tek botimi i dytë i vëllimit të parë të serialit të Veprave të tij, ra në sy një korrigjim i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH. Në të sqarohej se ato direktiva Enver Hoxha i kishte hartuar në orën 10 të mbrëmjes së 9 shtatorit 1943 dhe jo një ditë më pas, 10 shtator, siç qenë paraqitur tek botimi i parë. Kjo pasaktësi kishte ndodhur, shpjegonin autorët, sepse qe vendosur data e shpërndarjes së materialit udhëzues.
Mbas kësaj përpjekjeje korrigjimi mund të kenë ndikuar mjaft arsye, mes tyre edhe urgjenca e ritmit të shpejtësisë së veprimit të udhëheqjes së Luftës Nacionalçlirimtare pas kapitullimit të papritur, por nuk përjashtojmë dot edhe tentativën për t’iu larguar qortimit të mundshëm mbi heshtjen për masakrën e 9 shtatorit paradite.
Në mbrëmjen e kësaj dite Enver Hoxha ndodhej në Labinot, ku sapo kishte mbyllur punimet Konferenca e Dytë e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili u quajt edhe si Konferenca e Dytë e Vendit e kësaj Lëvizjeje. Lajmi i kapitullimit të Italisë i gjeti këtu pjesëmarrësit e saj.
Thua në orën 20.00 të 9 shtatorit Hoxha ende nuk kishte dijeni për çfarë pati ngjarë në Korçë?
Në materialin e direktivave mbi gjendjen e krijuar, i cili është shumë i gjatë dhe sigurisht që ka vend për gjithçka, ndodhet edhe kjo lëndë e shkruar: “Në lidhje me kapitullimin e Italisë, Konferenca vendos që t’i drejtohemi italianëve të dorëzohen tek ne, sepse ne jemi një fuqi aleate e anglo-sovjeto-amerikanëve. Në rast se ata vazhdojnë qëndrimin e mëparshëm kundër nesh, ne, gjithashtu, vazhdojmë qëndrimin e mëparshëm, dhe më të ashpër. Por duhet të marrim parasysh se armiku ynë kryesor sot është Gjermania dhe se ushtari italian do me çdo mënyrë të shkojë në shtëpinë e tij, prandaj ne duhet t’i drejtohemi atij që të bashkohet me ne kundër gjermanëve ose të na japë armët. Duhet të insistojmë për çarmatosjen e ushtrisë italiane”.
Në këto radhë duket qartë se Enver Hoxha as vetë dhe as nëpërmjet Shtabit të Ushtrisë NÇ nuk ka transmetuar në njëzetë e katër orët para çastit 20.00 të 9 shtatorit porosi që të veprohet siç realisht e kryen aksionin tyre të reagimit prijësit lokalë korçarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Taktika e heshtjes dhe e censurimit kombëtar nis këtu, tek faji dhe përgjegjësia e lokalëve, të cilën po ta bënte publike do t’i rikthehej si përgjegjësi edhe atij, sado të “saktësonte” orët e veprimeve.
Ja pse krimi i ndodhur në Korçë nuk ka gjetur asnjë vend nëpër tekstet masive shkollore para dhe madje edhe pas vitit nëntëdhjetë. Po ashtu edhe në botimet universitare për studentët. Në vitin 1964 kur doli edhe botimi më i plotë deri atëherë, në tre vëllime, i historisë së Shqipërisë, pra mbi 2200 faqe, për këtë masakër nuk u shkrua asnjë fjalë. Autor i shpallur i tij qe Universiteti i Tiranës dhe Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Heshtja pasoi edhe në vitin 1984, kur ky tre vëllimësh ridoli dhe lajmëronte se kishte vetëm një autor: Institutin e Historisë.
Prej këtij qëndrimi të qëllimshëm pasoi edhe rutina e pas vitit 1990, këtë herë sigurisht për inerci të censurës politike të mëparshme dhe të spazmave antikomuniste që kalonte vendi gjatë alternimit të partive.
Masakra e Korçës ngjau. Ndërkohë po të mos ndodhte pesë ditë më pas masakra e Gërhotit, ku nga plumbat e trupave italiane të mbyllura në këtë bazë ushtarake ranë disa dhjetëra luftëtarë ballistë, mbase Enver Hoxha do të përcaktonte një qëndrim disi tjetër nga ai i mbajtjes së saj në heshtje të vazhduar.
Tek libri i tij me kujtime “Kur lindi Partia”, 1981, në faqet që tregon si Enver Hoxha shkoi vetë në qarkun e Vlorës për të shkatërruar fraksionin e Sadik Premtes, maj 1943, në faqen 434 e më tej përshkruan një debat të gjatë me Hysni Lepenicën. Kur kryekomunisti shqiptar i thotë eksponentit të Ballit Kombëtar se Sadik Premte është një tradhtar dhe se “Po ta gjejmë Xhepin, po të themi hapur, do ta pushkatojmë”. Lepenica përgjigjet: “Atëherë e mbaruam bisedën. Me ju nuk u morëm vesh në asnjë çështje. Ju më vutë pushkën”. Sipas Hoxhës ky ia ka kthyer: “Nuk është e vërtetë, varet nga ju në rast se do të shkëmbejmë pushkë, por rrugën tonë ne nuk e ndërrojmë...” “As ne nuk e ndërrojmë rrugën tonë” shqipton Hysni Lepenica dhe kështu, pasi i dhanë dorën njëri-tjetrit, u ndanë.
Vazhdon opinionin e vet Enver Hoxha: “Nuk ia pashë më sytë këtij ballisti arrogant, pseudonacionalist dhe bashkëpunëtor i italianëve, si një nga krerët e Ballit Kombëtar. Ai u vra në Grëhot të Gjirokastrës, ku italianët kishin kazermat e tyre dhe ishin grumbulluar atje, të rrethuar me topa, mortaja dhe mitraloza, si breshka në guaskën e vet. Kjo ndodhi në kohën kur kapitulloi Italia. Fronti Nacionalçlirimtar kishte lëshuar atëherë komunikatën, me anën e së cilës i bëhej thirrje ushtrisë italiane që të mos dorëzohej te gjermanët, sepse këta do t’i grinin, por të dilnin në mal dhe ata, që do të dëshironin të luftonin tok me ne, do t’i pranonim. Thirrja jonë u dëgjua nga shumë reparte italiane, me ushtarët e të cilave ne formuam batalionin “Antonio Gramshi”...U dhamë urdhër forcave partizane të sulmonin Gjirokastrën, të spastronin qytetin, të vendosnin pushtetin e këshillave nacionalçlirimtarë dhe të mos lejonin në asnjë mënyrë futjen e ballistëve. Mirëpo Bedri Spahiu hyri në bisedime me ballistët dhe, sido që forcat tona e kishin në dorë situatën në Gjirokastër, i lejoi të hynin. Në këtë qytet ndodhej në atë kohë edhe Hysni Lepenica me çetën e tij dhe ky, i fortë nga “miqësia me Dalmacot”, u nis me shpejtësi të shkonte të merrte në dorëzim kazermat italiane. Tanëve u kishim dhënë urdhër si të vepronin: me kujdes të rrethonin nga larg kazermat, t’u prisnin italianëve rrugët dhe ndihmat, t’u hidhnin komunikatën e thirrjes etj. Dhe kështu vepruan”.
Pastaj Enver Hoxha e mëshon penën me mllef: “Kurse Hysni Lepenica me çetën e tij u nis me “hap”, me pushkët poshtë, si te “miqtë”, (!) Mirëpo miqtë nuk e kishin ftuar dhe i grinë të gjithë me mitraloza. S’mbeti asnjë në këmbë i gjallë. Hysni Lepenica, ky zjarrist, mik i Xhepit e ballist, u vra si qeni në vreshtë”.
Këtë histori masakre të dytë do ta rrëfejmë shumë shpejt në ciklin e tre shkrimeve të dyta që do të botohen tek “Shqiptarja.com”, por me këtë rast dëshironim t’i paraqitnim lexuesit edhe një argument tjetër për censurën antihistorike që u mbajt rreth mizorisë së Korçës.
Gabime siç në Gërhot kryen në 14 shtator 1943 nacionalistët, pesë ditë para tyre patën bërë njerëzit e partisë së tij. Prandaj nga kujtesa kombëtare për Enver Hoxhën le të shfaroseshin që të dyja.
Ylli Polovina
Tiranë, më 31 janar 2015
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|