|
Foto: .jpg | MASAKRA E KORÇËS: 180 TË VRARË E TË PLAGOSUR
(Vijon nga numri i kaluar)
Duke kërkuar të kuptojmë vrullin e habitshëm të qarkorit të PKSH-së për Korçën në organizimin e manifestimit të 9 shtatorit 1943, në pamundësi që të dhëna për të të marrim prej botimeve zyrtare të periudhës së para nëntëdhjetës, ku, siç do ta provojmë pak më poshtë, ka heshtje pothuaj totale, burime informuese do të na bëhen dy bashkëkombës: njëri i ditëlindjes 1925 dhe tjetri i vitit 1927.
Tani, në shkurt 2015, ata janë shëndoshë e mirë dhe mjaft të kthjellët në rrëfimin dhe shpjegimin e ndodhisë.
I pari burim të dhënash, paralel me librin e gjeneralit italian Masimo Koltrinari, është bashkëkombësi Shefqet Pojani. Ai ka funksionin publik të kryetarit të Komitetit lokal të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare për Korçën.
Tjetri quhet Petrika Simo dhe është veprimtar i këtij Komiteti.
Pojani nuk ka ndodhur në ngjarje, kurse Simo ka qenë pjesëmarrës në të dhe manifestues i organizuar.
Para se ta paraqesim atë demonstratë të 9 shtatorit 1943 me të gjitha hollësitë e nevojshme, vëmë në dukje se e harruar krejtësisht në shkallë kombëtare, e shndërruara në një masakër, në atë territor ku ndodhi, pra në mjedisin autokton korçar, ajo trajtohet në mënyrë të anasjellë.
Ruhet gjallërisht në kujtesë.
Madje bëhet gjithçka që të mos fshihet prej saj.
Në 70-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit fashistë, në fundnëntorin e kaluar, një sesion nderues si edhe një vendosje kurorash në vendin e ngjarjes së dhimbshme, ishte dukshëm veprimtari me autoritet.
Megjithatë edhe këtë herë lajmi nuk mbërriti deri në Tiranë. U shua rrugës apo mbeti i braktisur në periferi të ndonjë edicioni informativ televizioni kombëtar.
Sipas një shpjegimi të kryeveteranit lokal Shefqet Pojani që në mbrëmjen e vonë të 8 shtatorit “Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ lëshoi këtë deklaratë: “8 milion bajonetat e Italisë fashiste që mbanin më këmbë Perandorinë Romake, hodhën armët dhe flamurët në këmbët e fitimtarëve, ndër ta jemi edhe ne, partizanët shqiptarë. Sot më tepër se kurrë t’i tregojmë armikut tjetër, nazistëve gjermanë, fuqinë dhe vendosmërinë në luftën e shenjtë çlirimtare”.
Një tjetër thirrje në gjuhën italiane i drejtoi Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ edhe Komandës së Lartë të Ushtrisë Italiane që në përputhje me aktin e kapitullimit forcat ushtarake të rreshtoheshin përkrah armatës partizane për të luftuar pushtuesin gjerman, tani edhe armik i shtetit italian.
Po ashtu t’ia dorëzonin UNÇ armatimin dhe bazën materiale ushtarake.
“Meqenëse edhe takimet me komandën e Divizionit “Arezzo” nga Shtabi Ushtarak partizan i Qarkut të Korçës nuk dhanë rezultat, pohon në shpjegimin e tij Shefqet Pojani, u vendos që më 9 shtator, në orët e para të mëngjesit, fëmijë, të reja e të rinj, gra e burra, grupe nga të gjitha lagjet e rrugicat e qytetit, por edhe nga fshatrat e afërta, të grumbulloheshin në sheshin kryesor, te Luftëtari Kombëtar, ku do të mbahej dhe fjala e rastit”.
Sipas këtij rrëfimi, edhe sikur bisedimet me të dërguar apo edhe vetëm me telefon të kenë ndodhur vërtet, vendimi për kryerjen e demonstrimit është marrë pasi ato kanë dështuar, saktësisht kur gjenerali Torriano ka deklaruar prerë “jo”. Kjo donte të thoshte se njësitë italiane as do të bashkoheshin me partizanët dhe as do t’u dorëzonin atyre armët.
Një pyetje, megjithatë, të vjen natyrshëm në majë të gjuhës: a mund të konsiderohet kohë të mjaftueshme që, duke filluar nga ora 21.00 e 8 shtatorit, po atë natë të dilej në gjykimin se bisedimet me Arturo Torrianon qenë mbyllur përfundimisht dhe për pasojë duhej mobilizuar populli si pjesë e strategjisë për ndikim dhe presion ndaj komandës së divizionit?
(Për t’i krijuar lexuesit mundësinë t’i përfytyrojë sa më qartë veprimet që do të ndodhin dhe sjellin përgjakje masive të njerëzve të pafajshëm, do t’i përshkruajmë ato një për një. Prandaj edhe informojmë se komanda e njësisë “Arezzo” ishte atje ku sot në Korçë ndodhet ndërtesa e bashkisë, pra në një pozicion të dukshëm dhe të favorshëm publik dhe strategjik).
Kryeveterani lokal i Luftës Nacionalçlirimtare në bisedën telefonike që bëmë me të në mbrëmjen e 17 janarit 2015, vuri në dukje se manifestimi i të nesërmes “kishte dy qëllime: për të festuar kapitullimin e pushtuesit italian dhe fitoren e aleancës antifashiste, dhe së dyti, t’u bëhej edhe njëherë thirrja nga vajzat, nënat dhe gratë e Korçës për të dorëzuar armët dhe për të mos ua dhënë ato gjermanëve”.
Ai shpjegon se për organizimin e demonstratës “tërë natën u çuan njërës nëpër fshatrat përreth”.
Këtë rrethanë e vërteton edhe pjesëmarrësi real në manifestim, Petrika Simo. Sipas tij (edhe biseda me të është bërë po atë mbrëmje të 17 janarit 2015) “Celulat e partisë në lagje na njoftuan për demonstratën. Mua ma tha djali i xhaxhait me të cilin banonin në të njëjtën shtëpi. Ai qe tre-katër vite më i madh se unë, gati njëzetë vjeç, dhe bënte pjesë në njësitet guerile”.
Pasi i kushëriri i pati shpjeguar se për të demonstruar në mënyrë paqësore këshilli nacionalçlirimtar i qytetit kishte biseduar paraprakisht me gjeneralin Arturo Torriano dhe prej tij patën marrë fjalën se, po të qe e padhunshme, ai nuk do ta pengonte manifestimin, simpatizantët e PKSH-së dhe veprimtarët e rezistencës nacionalçlirimtare filluan me shpejtësi të merrnin masa që ai të bëhej.
Për këtë qëllim edhe i kushëriri e porositi Petrikën: “Nesër në mëngjes shpejt do të lajmërosh filanin e filanin e rrugës tonë. Në 7.30 do të grumbullohemi tek sheshi”.
Pikërisht kur dita po gdhinte dhe për jo pak banorë qe ende herët, nisi lëvizja dhe grumbullimi i manifestuesve për të shkuar më pas, në mënyrë të organizuar, tek monumenti i Luftëtarit Kombëtar.
Ata vërshuan nga tre pika, nga ku edhe ishte planifikuar të vinin drejt qendrës së qytetit: prej lulishtes “Themistokli Germenji”, nga ana e Xhamisë së Madhe dhe prej Katedrales, kishës së krishterë.
Sipas Shefqet Pojanit grumbullimi i demonstruesve tek Xhamia e Madhe (në lagjen e myslimanëve), e cila ndodhej në pjesën e poshtme të Korçës, duke qenë se vendi qe fare afër me komandën e divizionit “Arezzo”, nuk u realizua dot. Shkaku ishte ndërhyrja e repartit italian, i cili përdori forcën e armëve për t’i shpërndarë manifestuesit menjëherë. Gjatë ushtrimit të kësaj dhune ushtarake u përdorën edhe bomba dore. Për pasojë një manifestues u vra dhe një tjetër u plagos.
Njerëzit e grumbulluar në Lagjen e Myslimanëve, për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, vrapuan nga mundën. Kështu nuk arritën të ngjiteshin lart, drejt qendrës së qytetit.
Qenë banorët e mbledhur tek lulishtja “Themistokli Gërmenji” dhe ata tek Katedralja, të cilët vijuan marshimin drejt monumentit të Luftëtarit Kombëtar.
Gjatë rrugës, por sidomos kur u bënë bashkë në shesh, mes demonstruesve binte në sy numri i madh i grave dhe i vajzave, si edhe bashkë me to edhe i fëmijëve. Femrat ndodheshin në rreshtat e para jo thjesht prej entuziazmit dhe kurajës civile, cilësi e njohur e tyre, por edhe prej një rregulli të përdorur shpesh më parë nga komunistët. Tradita qe marrë prej historisë dhe lëvizjeve të mëparshme revolucionare. Gratë, vajzat dhe fëmijët vendoseshin në rreshtat e para të një demonstrate për të bërë më pak të mundur shfrimin me dhunë të forcave ushtarake apo policore të shtetit.
Në turmën manifestuese asnjë prej pjesëmarrësve nuk kishte armë, qoftë edhe të mbajtur fshehur, sepse nuk u dëshmua përdorim i tyre jo vetëm gjatë parakalimit paqësor, por edhe kur mbi ta goditi papritur furia e plumbave dhe për pasojë patjetër u duhej të vetëmbroheshin.
Në të njëjtën kohë gjendja shpirtërore e njerëzve nuk tregonte asnjë shenjë zemërimi, dëshire për përdorim force apo forme hakërrimi (edhe pse në Komitetin e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ngulin këmbë se njëri grup i manifestuesve u godit me armë që në fillim).
Sipas dëshmitarëve që deri tani kanë paraqitur kujtimet e tyre dhe mund t’i gjesh në internet, pamja e pjesëmarrësve shprehte mjaft gëzim për kapitullimin e Italisë dhe, për rrjedhojë, edhe lajmit më kryesor: përfundimit të situatës së pushtimit.
Bashkë me gëzimin e natyrshëm njerëzor të shpëtimit nga fashizmi italian, ndërsa parullat dhe brohoritjet më të shumta shprehnin këtë ndjenjë, një pjesë e tyre, po e quajmë më “agresivja”, ishte ajo për dorëzimin e armëve tek partizanët.
Ndërkaq këngët që kalonin gojë më gojë nuk qenë ato partizane, të cilat në popull u përhapën shumë më vonë nga ai shtator 1943, por fjalët dhe meloditë patriotike kombëtare të traditës nacionale dhe korçare, si “Bashkohuni me ne” dhe ku refreni më i ngarkuar me ndonjë nëntekst kanosës qe “Ejani, ejani, mblidhuni këtu-këtu!”
Flamujt që shumë demonstrues mbanin në duar dhe i valëvitnin, ishin vetëm ata kombëtarë. Një të tillë, me format të vogël, sipas dëshmisë së vetë protagonistit, organizatorët i dhanë edhe Petrika Simos.
Një detaj tjetër: në sheshin ku manifestuesit u grumbulluan, pikërisht në trotuarin karshi “Mësonjëtores”, kishte edhe mjaft oficerë italianë që e soditnin këtë demonstrim. Ndodheshin atje sepse nuk ndjenin asnjë rrezik.
Shefqet Pojani dhe komiteti që ai drejton, ngulin këmbë po ashtu se numri i manifestuesve ishte deri në dhjetë mijë vetë. Një fotografi që ekziston si pamje pothuaj tërësore e demonstratës, e publikuar për herë të fundit në gazetën “Kushtrim brezash” të shtatorit 2008, me rastin e 65 vjetorit të ngjarjes, të bind se numri i pjesëmarrësve ishte i madh, por shifra që me këtë rast jepet prej këtij komiteti lokal veteranësh të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhjetë mijë vetë, duket e tepruar.
Por edhe sikur një e treta e kësaj mase të ketë qenë realisht, pra tre apo katër mijë persona, gjithsesi përbën një masë të madhe njerëzore.
Në rast se ky numër do të interpretohej si kërcënim për rendin publik apo fatin e trupave ushtarake italiane, do të qe e tillë në rast se turma nga Luftëtari Kombëtar do të marshonte drejt komandës së divizionit “Arezzo” dhe kazermës “Vittorio Emanuele III” dhe jo në drejtimin e kundërt, siç edhe ndodhi.
Dëshmitari real Petrika Simo e vijon kështu rrjedhën e ngjarjes: sipas tij ishin përgatitur disa emra të dëgjuar në qytet si atdhetarë dhe të tjerë krerë politikë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, që do të mbanin fjalime. Pas kësaj turma do të shpërndahej, pa demonstruar më nëpër qytet. I pari që nisi ta përshëndesë masën e njerëzve të grumbulluar, me aq shumë gra dhe vajza, fëmijë, por edhe pleq të moshuar, qytetarë si edhe mjaft fshatarë, qe Rita Marko.
Sapo ai mbaroi apo ishte ndoshta duke shqiptuar fjalët e fundit, prej një autoblinde italiane që u shfaq nga rruga, e cila aktualisht vjen prej shkollës “Themistokli Gërmenji”, filloi mitralimi i asaj pjese të turmës, e cila ende po zbriste poshtë bulevardit.
Qe një ferr zjarri. Të shtëna histerike. Pa asnjë arsye dhe logjikë, pa më të voglën ndjenjë të vetëpërmbajtjes. Sikur vepronte një tru dhe dorë e dalë apo e prishur nga mendtë.
Apo krejtësisht kriminale.
Predhat binin vetëm mbi trupat e njerëzve, drejtpërsëdrejti në mishin e tyre, pa pasur parasysh nëse qenë fëmijë apo nëna, të rinj apo shumë të moshuar.
Mitralimi ishte aq i papritur sa Petrika Simo rrëfen këtë hollësi: “Kisha në krahë një vajzë moshatare me mua, quhej Marjeta Sevo. Ajo ra përtokë menjëherë. “Çpati kjo!” thashë unë. U ula për ta parë. Kishte dhënë shpirt. Ky çast ishte edhe fati im. Nga që isha përkulur nuk më zunë plumbat e tjerë”.
Por edhe ai do të plagosej pak momente më pas. Në kofshë dhe gjunjë, deri edhe në gjoks, do ta goditnin cifla predhash. Sipas tij italianët atë ditë shtinë mbi turmë jo vetëm nga autoblinda, por edhe prej një pozicioni tjetër. Petrika Simo ngul këmbë që ciflat në trupin e tij, si edhe të mjaft të tjerëve, vinin prej disa mortajave të vogla.
Dëshmitë e pjesëmarrësve e përshkruajnë gjendjen si të qe një kositje jetësh. Njerëzit binin të vdekur apo të plagosur njëri pas tjetrit, valë-valë. Sa hapje dhe mbyllje sytë qenë të mbuluar nga gjaku. Ky rridhte çurg, formonte gjithkund pellgje. “Nënat vriteshin, shkruan një kronikë e kohës, duke mbuluar me trupin e tyre fëmijët”. Të plagosurit hiqeshin zvarrë për të arritur deri tek shtëpitë e para, ku do të ishte me siguri ndihma e parë e bashkëqytetasve.
Ndërkohë kush shpëtonte pa asnjë plumb apo cifël predhe vraponte të humbiste nëpër rrugicat e qytetit apo pas portave të shtëpive, sa më larg të qe e mundur. Më të shumtët ikën nga dy rrugë që ngjiteshin sipër qytetit. Nga tmerri shtyheshin e shkelnin mbi njëri-tjetrin.
E gjithë masakra zgjati vetëm pak minuta, ndoshta nuk u bënë as pesë të tilla.
Kur krismat pushuan dhe autoblinda-bishë u tërhoq, mbi shesh e nëpër rrugë nisi tmerri tjetër: të qarat mbi trupat e të vdekurve.
Ishin tridhjetë e dy.
Njëzetë e shtatë të tjerë, prej plagëve të rënda do të ndërronin jetë në spital, duke e rritur numrin e të vrarëve në 59.
Numri i plagosurve qe 120.
Kronika e kësaj masakre nuk harron të shtojë edhe këto fjalë: “Klithma e të qara në çdo lagje e rrugicë. U krijua një gjendje e paimagjinueshme”.
Afro njëqind e tetëdhjetë njerëz në vetëm katër-pesë minuta të mbuluar me gjak, që tashmë kishin vdekur, qenë në agoni apo të plagosur në çdo pjesë të trupit, përbënin një tmerr i padëgjuar për një qytet si Korça, paqësor, shpirtbutë, të mirëqenë ekonomikisht, në mendësi tërësisht perëndimor, me kulturë franceze dhe mënyrë të jetuari amerikane, popull që i këndonte me lirë dhe kitarë vazhdimisht dashurisë.
I plandosur befasisht në një llahtar të tillë banori korçar fare lehtë mund të hutohej dhe në traumë psikike të mos dinte çfarë të bënte, veçse t’ia jepte kujës duke shkulur flokët.
Apo t’i sulej me duar të zhveshura vendkomandës së divizionit “Arezzo” apo tërë kazermës.
Por kjo nuk ndodhi.
Nuk ngjau asnjë çoroditje, asnjë mpirje e mendjes apo dalje e saj nga vetëkontrolli.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|