|
Foto: | MASAKRA E KORÇËS, 9 SHTATOR 1943
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 6 shkurt 2015)
Kapitullimi i Italisë fashiste në 8 shtator 1943 do të shkaktonte, fillimisht në datën nëntë brenda qytetit të Korçës dhe në katërmbëdhjetë në Gërhot, bazë ushtarake vetëm pesëqind metra larg Gjirokastrës, dy masakra të mëdha të ushtrisë së saj ndaj shqiptarëve.
Të pazakonshme edhe për vetë katër vitet e atëhershme të pushtimit italian, që të dy këto mizori gjatë periudhës së diktaturës së proletariatit u mbajtën shumë të fshehura, të mbyllura “me shtatë palë çelësa”.
Arsyet përse ndodhi kjo do t’i shpjegojmë në një cikël me gjashtë shkrime.
Në tre të parët do të njihemi me rastin e masakrës së Korçës dhe me tre të dytët atë të Gërhotit.
Kapitullimi pa kushte i Italisë për qarkun e Korçë-Kolonjën do të ishte ditë e mbushur me ngazëllim edhe shpresë, me besim për ndonjë kthesë fatmirë në qëndrimin e partive shqiptare, veçanërisht Partisë Komuniste dhe Ballit Kombëtar, po ashtu edhe të krahëve të tyre të armatosur, sikur të mos ndodhte një kob.
Madje qe mynxyrë.
Në zonën e Korçës komanda italiane e Armatës së Nëntë, që drejtonte të gjithë trupën e pushtimit në Shqipëri, pati vendosur divizionin “Areco” (“Arezzo”). Ky mbulonte edhe një pjesë të kufirit lindor të shtetit të perandorisë, ku bashkë me Romën dhe Adis Abebën qe bashkuar me përdhunë edhe Tirana. Brenda hapësirës shqiptare vija e veprimit të “Arezzo” në veri takohej me territorin e veprimit të divizionit Firence (“Firenze”) dhe në jug, me qendër Gjirokastrën, atë të divizionit “Peruxha” (“Perugia”).
“Arezzo” ishte krijuar për nevojat e përforcimit të okupimit të Shqipërisë, në mars 1939, në qytetin jugor italian Maçerata (Macerata). Në portin e Vlorës trupat e tij patën zbarkuar në 25 qershor dhe prej vendndodhjes bazë në qytetin dhe krahinën e Korçës, morën pjesë në luftimet, për zaptimin e Jugosllavisë dhe të Greqisë.
Divizioni kishte tremijë vetë dhe përbëhej nga bashkimi i dy regjimenteve këmbësore: ai me numër 225 dhe tjetri 226. Po ashtu prej një regjimenti të tretë të artilerisë malore si edhe i tre grupeve të repartit të xhenios dhe të shërbimeve.
Në Luftën e Parë Botërore dy regjimentet këmbësore, atëherë njësi të pavarura, me kurajën e tyre patën bërë famë në përleshjen me austriakët, aq sa këta të fundit ua thërritnin ushtarët, për shkak të ngjyrës së spaletave, me emrin “djajtë e verdhë”.
Fillimisht komandant i divizionit “Arezzo” qe gjenerali Mikele Molinari (Michele Molinari). Më pas u bë Arturo Torriano.
Lajmi i armëpushimit, i cili quhet ndryshe edhe ai i kapitullimit të Italisë fashiste para aleatëve anglo-amerikanë, mbërriti, nëpërmjet radios, në orën 20.30. Oficerët qenë në mensë, duke ngrënë qetësisht darkën. Njoftimi nga Roma krijoi menjëherë hutim, ankth dhe pasiguri. Kishte rënë si bombë dhe i pati gjetur të gjithë njerëzit e “Arezzo” larg atdheut, në një territor të turbullt dhe kundërshtar. Ca më tepër shumë të rrezikshëm tani që shteti i tyre kishte falimentuar.
Rrugët shqiptare të komunikacionit drejt detit, për ta kapërcyer atë dhe shkuar në Itali, qenë fare të pakta e të vështira, të ngushta dhe me terrene të përshtatshme për të rënë nën pritat e vendasve.
“Arezzo” po ashtu kishte rezerva të pakta ushqimi dhe municioni. Në rast të ndonjë sulmi ai nuk mund të rezistonte gjatë. Dokumentet e ushtrisë italiane të kësaj periudhe dëshmojnë se regjimenti i artilerisë i kësaj njësie, për shembull, kishte për të ngrënë vetëm për njëzetë e katër orë.
Ndërsa oficerët ndodheshin në këtë gjendje të rëndë shpirtërore dhe e dinin fare mirë se trupa e tyre divizionale ishte tepër i shpërndarë në territor dhe për pasojë me fuqi zjarri të shpërqendruar, u mor vesh se gjysmë ore para dhënies në lajmit nga radio italiane, në 20.30, pati ardhur një urdhër nga korparmata, me qendër Elbasanin, e cila porosiste që ai të mos merrej parasysh, sepse çfarë Radio-Roma kishte thënë pati qenë thjesht propagandë.
Në orën 22.30 prej po kësaj komande mbërriti urdhri tjetër: të bashkëpunohej me gjermanët kundër rebelëve. Me këtë fjalë të fundit nënkuptoheshin të gjitha grupet shqiptare të rezistencës, të çdo ideje të ishin.
Në fonogramin e saj me numër 01/3532 këmbëngulej po ashtu: “Vigjilencë maksimale! Kundërshtoni çfarëdolloj sulmi rebel!”
Ndërkohë nga komanda qendrore e Tiranës, Armata e 9-të, një fonogram tjetër komunikonte po të njëjtin qëndrim të prerë: “Paralizoni me çdo mjet sulmet e rebelëve kundër forcave tona! Në pritje të urdhrave asnjëlloj iniciative apo veprimi të pakondicionuar”.
Në Pogradec situata qe zhvilluar pothuaj njëlloj si në Korçë. Oficerët e garnizonit po darkonin në mensë kur në të hyri oficeri i shërbimit duke thirrur “Zoti Kapiten, ushtarët në vendqëndrimet e tyre janë duke bërë zhurmë, pasi kanë dëgjuar nëpërmjet radios se Italia ka kërkuar armëpushim”.
Atëherë komandanti i regjimentit, major Vistarini, hyri në lidhje me radio me gjeneralin Torriano në Korçë. Ky fillimisht iu përgjigj se lajmi nuk qe i vërtetë, por më pas shqiptoi diçka konfuze, një lloj shprehjeje pa kokë e pa këmbë si afërsisht “ende nuk kemi lajme të sakta”.
Kur mesnata që ndante 8 shtatorin prej ditës së nëntë të atij muaji kishte kaluar një gjysmë ore, regjimenti-garnizon i Pogradecit lajmëroi divizionin në Korçë se kishte vënë re lëvizje automjetesh matanë kufirit.
Ato po ndodhnin në drejtim të lartësisë 721.
Kjo kuotë topografike gjendej në rrugën gjatë bregut të liqenit të Ohrit, saktësisht atje ku përfundonte territori jugosllav dhe niste ai shqiptar.
Në orën 01.25 të 9 shtatorit për këtë zhvillim komanda e divizionit “Arezzo” vuri në dijeni eprorët e vet të drejtpërdrejtë të korparmatës në Elbasan. Prej saj mori urdhrin që gjermanët të kundërshtoheshin me armë në rast se përpiqeshin të hynin në territorin shqiptar.
Shume shpejt, rreth orës 02.30, nga kjo komandë u saktësua: para se të merrej vendimi për t’i ndaluar duhej fillimisht të hetonin qëllimin e kolonës gjermane.
Gjenerali Arturo Torriano këtë urdhër ia përcolli garnizonit të Pogradecit, i vetmi që në këtë situatë ishte afër lëvizjes së autokolonës dhe mund të vepronte. Ky rreth orës 03 u nis nga kazermat dhe në 05.30 zuri pozicione afër Shën Naumit.
Ndërkohë në Korçë Torriano rishvendosi trupat e tij duke mbajtur një pjesë në gatishmëri për të ndihmuar garnizonin e Pogradecit, siç qe ai i Bilishtit. Garnizonin e Dardhës e vendosi në Zemlak, kurse ato me vendqendrim në Ersekë i urdhëroi të vinin në Korçë. Nëpërmjet këtij riorganizimi gjenerali merrte masa që në rast se gjermanët do të vazhdonin lëvizjen e tyre drejt qafës që të çonte në Korçë, pengesa duhej të bëhej në frontin Zemlak-Maliq, duke e lënë regjimentin e Pogradecit aktiv për të siguruar e mbajtur të hapura rrugët e komunikimit me Elbasanin. Ky ishte drejtimi më i mundshëm për në bregdet, portin e Durrësit, dhe prej andej në Itali.
Në orën 04 të 9 shtatorit komanda e korparmatës me fonogramin 01/3534 urdhëroi: “Ndaloni kolonën gjermane në vijën e kufirit dhe sqaroni qëllimin e tyre, duke dërguar një oficer! Lajmëroni Komandën Gjermane! Jemi në pritje të urdhrave nga lart”.
Një oficer i dërguar nga Pogradeci për në Ohër, në komandën e divizionit gjerman të vendosur këtu, mori përgjigjen se këta të fundit nuk do të lëviznin nga programi i tyre i veprimit. Në relacionin e tij për komandën e korparmatës gjenerali Arturo Torriano do të shpjegonte se “Në këtë moment duhet të kujtojmë se pothuajse vazhdimisht e përditë autokolonat gjermane të furnizimeve të reparteve me të gjitha llojet e armëve, sidomos ato të blinduarat dhe të korracuarat, po kalonin tranzit drejt Korçës dhe të gjitha pozicionet përgjatë rrugës Follorinë-Korçë-Ura e Peratit qenë pothuajse të rrethuara nga repartet e Wermahtit.
Me pak fjalë në këtë mënyrë hyrja e tyre në Shqipëri tashmë ishte një fakt i kryer”.
Më pas Torriano shtonte: “Gjithsesi, qoftë për sa ishte bërë deri tani, por edhe për të qenë në linjë me urdhrat e komandës eprore urdhërova që herët në mëngjes të kapeshin pozicionet dhe të pengohej rruga e hyrjes për në Korçë në Qafën e Plloçës, duke minuar edhe fushën e Pojanit”.
Në 9 shtator, kur tashmë qe mëngjes, gjermanët kapën në befasi dhe çarmatosën përgjatë vijës kufitare të Pogradecit me territorin jugosllav postat e Policisë Financiare. Komandanti i garnizonit të qytetit, majori Vistarini, pasi për çfarë ndodhi e informoi eprorin e vet në Korçë, mori prej këtij të fundit urdhrin e anasjelltë të tetë orëve më parë: trupat të largoheshin nga pozicionet e përparuara të zëna gjatë natës dhe të riktheheshin në kazermë.
Ndërkohë nga komanda qendrore e Armatës së Nëntë divizionit “Arezzo” me fonogramin e orës 15.30 i erdhën direktivat e para të veprimit. Ato theksonin se pritej nga Roma të vinin udhëzime për një hyrje paqësore të gjermanëve në territorin e shtetit shqiptar dhe se kjo do ta lehtësonte mospërplasjen e dhunshme mes dy ish-aleatëve.
Mesazhi i ardhur vinte në dukje po ashtu se “ne jemi ushtarakë dhe duhet të kemi parasysh ruajtjen e armëve tona dhe se do të mbrohemi vetëm në rast se do të sulmohemi. Ndaj gjermanëve nuk do të kryejmë asnjë veprim armiqësor. Megjithatë nga ana jonë do të ketë veprim reagues me vendosmëri në rast se ata na kërkojnë armët apo na detyrojnë të vendosemi me trupa në shërbim të tyre...”
Kur atë ditë të 9 shtatorit sapo pati kaluar mesdita, në komandën e divizionit “Arezzo” mbërriti urdhri që ai së bashku me repartet e Rojes së Kufirit dhe të Policisë Financiare, të cilët qenë shtrirë që nga skaji më verilindor i rrethinave të Pogradecit deri në atë juperëndimor të Kolonjës, të grumbulloheshin pa u vonuar në qytetin e Korçës.
Në orën 13.00 ndërhyri shtabi i Korparmatës në Elbasan. Ai transmetoi të shkruar marrëveshjen e përfunduar mes asaj komande dhe autoritetit epror të divizionit 100 gjerman, i cili përfaqësohej nga majorët Lebner dhe Kress.
Në bazë të saj njësitë italiane do të lëviznin lirisht në rrugët e Shqipërisë për të shkuar në drejtimet e parasaktësuara dhe si kompensim duhej t’u dorëzonin gjermanëve armët e artilerisë dhe po ashtu edhe armët e reparteve. Trupat duhej të mbanin pistoletat, armët personale automatike, mitralozat si edhe municionet e tyre.
Pasditen e 9 shtatorit 1943 komanda e divizionit “Arezzo” në qytetin e Korçës urdhroi të gjitha repartet vartëse të bëheshin gati, sipas një rregulli të caktuar, për të lëvizur në drejtim të Elbasanit. Me vete të merrnin maksimumin e furnizimit me ushqime dhe municione. Patjetër edhe tërë armët në dispozicion.
Po atë pasdite komandës së garnizonit të Pogradecit i erdhi urdhri që kundër gjermanëve të ziheshin me shpejtësi një pritë në fshatin Lin dhe një tjetër në rrugën automobilistike, e cila të çonte në Ohër.
Pas dy orësh të dy këta urdhra u anuluan.
E vëmë në dijeni lexuesin se të gjitha këto të dhëna dhe veçanërisht ato që i paraqitëm i kemi marrë prej librit me 1144 faqe të gjeneralit italian Masimo Koltrinari (Massimo Coltrinari) “Qëndresa e ushtarakëve italianë jashtë vendit-Shqipëria 1943-1945” (“La resistenza degli militari italianë al’estero-Albania 1943-1945”), botuar në “Rivista Militare” 1999.
Pikërisht prej këtij burimi do të veçojmë edhe këto radhë të mëposhtme, të cilat janë një rëndësie historike jo të vogël: “Marrëdhëniet me popullsinë lokale dhe me forcat e rendit publik atë pasdite do të merrnin një rrjedhë të padëshiruar. Në orën 16.00 të datës 9 shtator popullsia e Korçës së bashku me oficerët, trupën dhe civilët italianë, inskenuan një lloj demonstrimi duke thirrur “Vdekje gjermanëve!”, “Rroftë Italia!”, “Rroftë Shqipëria e Lirë!”, por një autoblindë e ardhur prej komandës së divizionit hapi zjarr mbi këta demonstrues duke vrarë 20 vetë dhe plagosur 150 të tjerë”.
Gjenerali Koltrinari këtë fragment e ka shkëputur prej një raporti të togerit Barbieri, i cili më 15 nëntor 1943, bashkë me shumë të dhëna të tjera, do t’i fuste në një raport informues (çfarë deri atëherë kishte parë në divizionin “Arezzo”), gjeneralin Arnaldo Azzi.
Ky konsiderohej epror i trupave italiane të bashkuara me forcat partizanë shqiptare.
Edhe pse zyrtarisht shpallja e kapitullimit pa kushte të Italisë fashiste para aleatëve anglo-amerikanë njihet si veprim i bërë publik nëpërmjet radios në orën 19.00 dhe më pas në të gjitha edicionet e saj të përsëritura, në strukturat e divizionit “Arezzo”, përfshirë edhe garnizonin e Pogradecit, ai u bë i njohur, siç ju kemi vënë në dijeni, nëntëdhjetë minuta më pas. Madje deri në 22.30 ai ende qe i pakonfirmuar nëpërmjet linjës së hierarkisë ushtarake dhe u trajtua me statusin e përafërt të një fjalënaje.
Në rrethana të tilla paqartësie mes ushtarakëve italianë dhe po aq edhe hutimi të dukshëm të tyre, për pasojë edhe një pasigurie të përgjithshme, çfarë duhej përllogaritur me shumë kujdes për pasojat që mund të jepte në rast ndonjë veprimi të ngutur, ndryshe nga çdo qytet tjetër në Shqipëri, në Korçë qarkori i PKSH-së si edhe këshilli nacionalçlirimtar i saj, bënë thirrje për një manifestim të madh popullor.
Ky duhej të mbahej të nesërmen që në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë nën bindjen se duhej sa më shpejt të zbatonin një urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, i cili porosiste që t’u bëhej thirrje trupave italiane të bashkoheshin me formacionet partizane dhe në pamundësi të kësaj, t’u dorëzonin të gjitha armët, gjatë mbrëmjes së vonë dhe orëve të para të natës së 8 shtatorit, nëpërmjet dërgatave, nisën bisedimet me komandën e divizionit në Korçë dhe atë të regjimentit të zgjeruar të vendosur në Drenovë. Këto qenë edhe dy grumbullimet më të mëdha ushtarake italiane në këtë qytet.
Prani të njerëzve të Lëvizjes NÇ tek gjenerali Arturo Torriano deri në mesnatë të 8 shtatorit, sipas librit të Masimo Koltrinarit, nuk ka, çfarë nuk do të thotë megjithatë se ndonjë komunikim i ndërsjellë nuk ka ndodhur.
Por le të ndjekim vrullin e habitshëm të qarkorit të PKSH-së për Korçën në organizimin e manifestimit të së nesërmes.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|