Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

EDI RAMA NGA ALEKSIS CIPRAS TEK MATEO RENCI


(Botuar në gazetën “Shqip” më 29 janar 2015)

Për një arsye që do shumë rradhë të shpjegohet, protestat e rrepta të socialistëve shqiptarë në Tiranë tre-katër vite të shkuara u morën në Itali, nga disa gazeta afër të majtës, madje përfshi edhe ndonjë televizion, si një shembull si duhej të veprohej në luftën partiake edhe brenda vendit të tyre. Sigurisht kjo “këshillë”, siç edhe pati ndodhur më parë tek ne me demonstrimet opozitare të ashpra të Partisë Demokratike, nuk u përfillën për model në gadishullin Apenin. Niveli i demokracisë dhe i ushtrimit të rivalitetit ndërpartiak, shpesh mjaft dinak dhe bizantin, në Itali ka hequr dorë me kohë nga manierat e forta të tregimit të muskujve. Atje, si në të gjithë Perëndimin, forma të tilla janë mjaft vetëdemaskuese dhe shkaktojnë përherë humbje të mëdha të konsensusit elektoral.
Teknikat e vënies së stërkëmbëshit politik janë tepër të sofistikuara.
Por ajo që donim të vinim në dukje me këtë kujtesë për lexuesin ishte tjetër gjë: ndodhte që për herë të parë Shqipëria bëhej pikë referimi për një vend fqinj të zhvilluar, sepse si rregull vendi ynë ka zero ndikim politik përreth tij. Në të kundërt Italia vazhdimisht tek gadishulli ynë dhe posaçërisht tek ne, kur vetë qe Perandori Romake dhe ne ishim gjymtyrë e Ilirisë, pastaj u bëmë Arbëri dhe më vonë po ai identitet me një emër tjetër, gjatë tërë historisë së saj e deri të paktën një dyzinë vitesh të shkuara, i ka shfryrë dhe hedhur shpesh krizat e saj të brendshme në viset shqiptare.
Sigurisht Edi Rama ka lidhje të hershme miqësore me disa medie të Romës, siç nuk i mungojnë me ato të Parisit dhe kohët e fundit po gëzon sukses edhe me ato të Londrës. Siç Ibrahim Rugova tërë karizmën e tij në Perëndim e kishte jo vetëm se u konvertua në i krishterë katolik apo shallin rreth qafës e hidhte si një francez, por mbi të gjitha sepse u bë përfaqësues i një gandizmi ballkanik, Rama ka pak nga këto të gjitha. Cilësinë e fundit rugoviane, të munguar për të, e ka të zëvendësuar me dhuntinë e piktorit topmodern. Dy-tri herë shfaqet në krye të delegacioneve qeveritare dhe njëherë tjetër mes grupeve të artistëve. Në çdo vend, për shembull, ambasadorët e huaj nuk mbahen mend për funksionin shtetëror, por për cilësi të tjera. Dikush se i binte pianos, një i dytë sepse botonte libra me poezi, një i tretë ngaqë ishte i marrosur pas antikuareve, një i katërt sepse hynte me kokë e këmbë nëpër debatet historike.
Kolegu apo “vëllami” i ri politik i Edi Ramës, Aleksis Cipras, po tërheq vëmendje njëlloj si për “kryengritjen” e tij ndaj pushtetit të Brukselit ashtu edhe sepse nëpër ceremonitë zyrtare shkon me kostum pa kravatë. Aq joshës u bë ai mediakisht saqë fare pak vëzhguesit u morën me kozmetikën e tij alakomuniste, madje të huajtur prej thellë viteve, nëpër motet e Luftës së Dytë Botërore. Çfarë është shumë e çuditshme dhe po aq alarmante. Cipras nuk është Vladimir Iliç Lenini, por shpresa e shumë grekëve duhet të jetë rrënuar tepër përderisa ai thërret në ndihmë për të qeverisur popullin e vet të vitit 2015 portretet e Çe Guevarës apo diku edhe simbolet e drapër-çekanit.
Por ndërsa në Athinë pushtetit me shenja të qarta burokratizimi në zemër të Bashkimit Evropian i trasmentohen protesta sociale në emër të një ideologjie radikale të majtë, e cila edhe kur ishte në formën e butë dhe elegante të eurokomunizmit, rezultoi e paaftë t’i shpëtojë popujt prej krizave të ekzistencës, në Tiranë kryeministri shqiptar është krejt e kundërta. Te mendësia e tij gjendet antikomunisti më i kamufluar në rradhët e një partie të majtë, të paktën të një partie që si rregull përpiqet të bashkëjetojë sa të mundë edhe me pjesën e nostalgjikëve të së kaluarës.
Doemos Rama nuk mund të kishte fuqi për një “tërmet” në kontinent, në BE, siç u quajt në shtypin evropian dhe atë global, fitorja elektorale e bujshme e Ciprasit. Por kjo nuk është meritë personash. Përmasa e peshave vjen prej vendeve që përfaqësojnë. Greqia mbetet përherë kërthiza gjeostrategjike jo vetëm e Ballkanit, por edhe e tërë urës së madhe të Lindje-Perëndimit, e korridorit Europë-Azi.
Shqipëria, vendi që nuk ja del dot të bëjë të funksionojë një bursë si edhe tërë ushtrinë e saj e ka të sistemuar e shumta në nja njëzetë kuadrate parakaluese, siç nuk i dha Berishës, Metës apo Nanos ndonjë favor në rëndësi mes kolegësh të tjerë, nuk ka përse t’ia japë këtë edhe Edi Ramës.
Pra Cipras është një produkt grek dhe Rama prodhim shqiptar.
Por pikërisht këtu ka diçka që duhet dalluar. Aleksis Cipras është tipik helen, këto kohë shumë i përshtatur me pjesën më të shumtë të popullit të vet. Në këtë rast me dëshpërimin e tij. Me mospranimin e rreptësisë gjermane të shkurtimeve drastike dhe të jetës së tejshtrënguar. Greku i zakonshëm do të jetojë mirë, madje nëpër dekadat e fundit mori edhe huqin të punojë pak e t’i bjerë buzukut shumë.
Suksesi zgjedhor i Cipras qe pasojë e pajtimit me këtë mënyrë jetese dhe po aq fryme historike të këtij populli. Ai, vetë figurë e ndershme, përfitoi prej saj dhe iu bë shprehës, zëdhënës. Realizues ka pak të ngjarë.
Në historinë tonë këta lloj përfaqësuesish, pra ata që ecin përpara, duke ndjekur nga pas në më të shumtën e herëve çfarë dëshirojnë në çdo çast turmat, kanë pasur sukses. Ahmet Zogu, përkundruall Fan Nolit që shikonte tepër më larg, ishte një i tillë. Pas “turmës” së tij shkoi si triumfues edhe Sali Berisha, qeverisës për plot trembëdhjetë vite të tranzicionit tonë dhe pushtetushtrues në zhvillimet e tij për të gjithë këtë periudhë.
Krejt ndryshe nga akoma shumë joshësi Cipras dhe përvoja e vendit të vet, Edi Rama është e kundërta.
Ai është kundër kësaj tradite. Pra, megjithë ndonjë manovrim përherë të vonuar, ndodhet dhe po vozit kundër rrymës.
Premton se do të bëjë shtet, madje duke e theksuar se kjo do të ndodhë për herë të parë në historinë tonë. Por në rast se në disa sipërmarrje po ja del në të tjerat po mbetet i pafat. Dhe s’ka sesi: Që të bëjë shtet duhet më së pari të ribëjë shqiptarin. Por për këtë transformim dhe revolucion antropologjik askush i vetëm nuk është i zoti përveç se vetë ne me vetveten.
Madje Edi Rama për stilin e tij qeverisës dhe të protagonizmit publik ngjan shumë pak me ndonjë model ballkanik. Ja pse mund të thuhet se këto kohë “eksperimenti” politik në Evropën Juglindore nuk po bëhet në Greqi, por në Shqipëri.
Ndërkohë Aleksis Cipras tha se si shembull kishte kryeministrin italian, bashkëmoshatarin tjetër Mateo Renci. Duke lënë të kuptohet se sfiduesi kryesor ndaj burokracisë së Brukselit dhe BE-së së modelit të vjetër, është më së pari kolegu i Romës. Veç në thelb platformat e të dyve nuk ngjajnë fare. Më afër stilit të Rencit është Edi Rama.
Ndërkohë Rama është shumë i afruar dhe i besuar nga gjermania e rreptë Merkel, kurse njerëzit e Aleksis Ciprasit në Athinë kanë provokuar duke i vënë nëpër karikatura mustaqe, si Hitlerit.
Na ndjeni që në këtë shkrim nuk i gjetëm dot vend një bashkëmoshatari tjetër, të katërtit, kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. Ai nuk po bie dot në sy. Mund që kjo të jetë inteligjencë, sepse dukshmëria e tepruar vepron si droga: ta jep stërfuqinë me vrull dhe ta merr me shpejtësi.
Gjithsesi ngulim këmbë: mirë a keq, apo as ashtu dhe as kështu, risi, marrëzi apo utopi, sfida e një qeverisjeje ndryshe po kryhet në Shqipëri.

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 janar 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com