Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SUPERBUNKERI I TIRANËS RIBËN HISTORI


(Botuar në gazetën “Illyria” në 2 janar dhe tek “Shqiptarja.com” më 6 janar 2015)

Bunk’Arti hyri edhe në Shqipëri.
Në kryeqytetin e shtetit me diktaturën më të rëndë staliniste të eurolindjes zgjodhi si çast të ardhjes jubileun e 70-vjetorit të dëbimit të pushtuesve fashistë italianë dhe gjermanë.
Kjo lloj veprimarie, e shumëfishuar vitet e fundit, edhe pse ka hedhur filiz në Perëndim, është kthyer në origjinalitet dhe ekskluzivitet shumë tërheqës në vendet që e përjetuan realkomunizmin. Në thelbin e vet Bunk’Art merr përsipër të paraqesë për shikuesit e tij, kryesisht të atij pamor, vepra artistike nëpër mjedise të tuneleve dhe të bunkerëve të mëdhenj mbrojtës të periudhës së Luftës së Ftohtë.
Në gadishullin e Ballkanit tashmë ekzistojnë dy qendra të spikatura të Bunk’Artit. I pari ndodhet në Sarajevë dhe i dyti në Tiranë.
Ngjajnë në ide, por në realizim ndryshojnë shumë.
Pikërisht këtë do t’ju tregojmë tani.

D-0 në Konjiç, bunkeri sekret i Titos

Ndërtimi i tij nisi sipas urdhrit të vetë Josip Broz Titos. Qe viti 1953. Sipas direktivës topbunkeri do të shërbente për të ruajtur, në kushte lufte dhe goditjeje bërthamore, të gjithë grupin udhëheqës të Republikës Federative të Jugosllavisë. Në të vërtetë Titon, sepse të tjerët, sado shtresë e lartë politike e kohës të ishin, qenë thjesht bashkëpunëtorë të tij.
Bunkeri i fshehtë mundi të përfundojë pas 26 vitesh, në 1979, vetëm një duzinë muajsh para se Tito të ndërronte jetë. Atij nuk iu desh. As më pas të tjerëve.
Topbunkeri jugosllav me numrin sekret D-0 ndodhet në Bosnjë-Hercegovinë, afër qytetit boshnjak Konjiç. 270 metra larg rrugës nacionale. Nga Sarajeva aty vjen pas një udhëtimi më pak se njëorësh me makinë, sepse distanca është vetëm 50 km. Në këtë supertunel në formë U-je, të gërmuar poshtë një mali jashtë qytezës, në një thellësi prej 920 metra, mund të punonin 350 vetë për gjashtë muaj rresht pa dalë jashtë tij.
Kjo strukturë e madhe nëntokësore, me një sipërfaqe prej 611 metrash katrorë dhe me 100 dhoma të vogla, e përshtatur për t’i bërë ballë një goditjeje bërthamore 25 kiloton (me fuqi kaluar disa herë asaj të hedhur në Hiroshima), u ndërtua fshehurisht.
Skuadrat e punëtorëve këtu silleshin me sy të fashuar dhe largoheshin po ashtu. Hyrja në të ndodhet pas një porte garazhi anonim, ku një rrugë fillikate të çon tek një shtëpi e veçuar. Pasi hyn këmbët të çojnë drejt një banese tjetër, akoma më të rëndomtë. Pikërisht aty, e maskuar, ndodhet porta e bunker-tunelit. Sipër shkruhet Atomska Ratna Komanda (Komanda Atomike e Ushtrisë).
Kur ky topbunker përfundoi së ndërtuari dijeni për të dhe të drejtën për të hyrë e kishin vetëm katër gjeneralë. Po ashtu ruajtja dhe mirëmbajtja e përditshme e objektit kryhej nga gjashtëmbëdhjetë ushtarë. Nëntë qenë serbë dhe shtatë kroatë.
Ky tunel sekret i Titos ka kushtuar tepër shumë: 4.6 miliard dollarë.
Kur Jugosllavia u shpërbë dhe filloi procesi i mëvetësimit të republikave të saj, komanda e lartë serbë në Beograd dha urdhër që tuneli antibërthamor të hidhej në erë, por ai nuk u zbatua prej njësitit ushtarak boshnjak të ndodhur në afri të tij. Ndërkohë, ndërsa për funksionin me të cilin qe ngritur, nuk duhej më, ruajtja për ta mirëmbajtur lypte shpenzime të mëdha. Këtë detyrim më në fund e mori përsipër shteti i ri i i pavarur i Bosnjë-Hercegovinës.
Tanimë aty e ka selinë e ekspozimeve të saj një bienale e artit figurativ bashkëkohor. Ishte pikërisht kjo gjetja e mençur që e bëri të vizitueshëm topbunkerin dhe nxiti shpenzimet për ta mirëmbajtur.
Kështu filloi interesimi për supertunelin, si edhe projekti për ta shndërruar në pikë turistike. Vendasit dhe të huajt vinin të parë ekspozitat ballkanike dhe ndërkombëtare të çelura aty, por edhe për të vështruar një dëshmi të jashtëzakonshme nga Lufta e Ftohtë dhe e shkuara komuniste e Jugosllavisë.
Shumë mbërrinin në D-0 edhe për Josip Broz Titon. Qenë nostalgjikë të tij, por edhe thjesht kuriozë.
Veç Ushtria nuk e lëshoi perin deri sa të lejonte hyrje-daljen e lirë në toptunelin antiatomik. Kujtdo që dëshiron ta vizitojë i duhet në Sarajevë, në komandën përkatëse, të sigurojë një leje me shkrim. Kjo i ka pakësuar kuriozët si edhe çdo tjetër dëshirues për ta parë.
Por në këtë rrallim njerëzor dhe zbehje të funksionit turistik të supertunelit të Konjiçit ka peshuar edhe pozicioni ku ndodhet. Të qe më afër Sarajevës ndoshta do të kishte shumë më tepër miq dhe vizitorë.

Tiranë, tuneli i fshehtë i Enver Hoxhës

Kodi i tij, pra emri sekret, siç tani po thuhet, është “Objekti 03”.
Përgjegjësi për Muzeumet i Ministrisë së Mbrojtjes, Asllan Zemani, thotë se në arkivin e institucionit të tyre nuk është gjetur asnjë dëshmi filmimi dhe çdo regjistrimi tjetër që të bëjë të ditur ekzistencën e superbunkerit shqiptar. U kanë rënë në dorë vetëm pak foto, njëra prej të cilave është edhe e ekspozuar në mjediset e tij. Janë pamje nga vizita e Enver Hoxhës ditën e përurimit, më 24 qershor 1978.
Ndërtimi i tij pati nisur nëntë vite më herët: 1969.
Mbase nuk është patjetër rrjedhojë e ruajtjes së rreptë të sekretit apo sepse organizatorëve që përfaqësojnë Ushtrinë, u duhet edhe më tepër kohë kërkimi, porse deri tani nuk është gjetur ende sa ka kushtuar ndërtimi i tij. Por edhe pse nuk ka pamjen cilësore dhe moderne të topbunkerit të Titos, ky i Hoxhës është shumë më i ndërlikuar si ndërtim. Mjaft më i madh.
Përbën për projektuesit dhe realizuesit e tij një kryevepër xheniere.
Në një nga kodrat buzë malit të Dajtit, dikur pranë ndonjë shtëpie shumë të rrallë dhe tani në mes të një lagjeje periferike, por të dendur, të Tiranës, në brendësi dhe në thellësi të nëntokës gjendet jo një tunel me një nivel si në Konjiç, por me pesë të tilla.
Pra është një pallat pesëkatësh brenda dheut të një mali.
Janë 106 dhoma aspak të vogla, përfshi edhe dy apartamente të bollshëm me tre pjesë, duke nisur nga mjedisi i sekretarisë, zyra e punës dhe ambienti i fjetjes. Njëri ndodhet në nivelin e parë (më afër daljes në sipërfaqe) dhe është për Enver Hoxhën, atëherë komandanti i përgjithshëm i ushtrisë. I dyti i ka takuar Mehmet Shehut, kryeministër i vendit.
Topbunkeri shqiptar ka edhe një sallë të gjerë operative për mbledhjet e Shtabit (në Konjiç ajo quhej “e planifikimit strategjik”). Sepse (dhe kjo duhet theksuar) ai nuk është vendstrehim i Hoxhës apo i Shehut, si edhe i familjeve të tyre. Është vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore para vitit 1990 dhe pas rënies së regjimit i mbetur me të njëjtin funksion, madje formalisht deri në ditët e sotme. Edhe pse në 1997, në turbullirën e përgjithshme të trazirave politike dhe të rendit publik, superobjekti i mbrojtur prej një njësie të tërë ushtarake, të quajtur “Batalioni i Sigurimit”, u sulmua nga turma plaçkitësish.
Kështu pothuaj u zhvesh prej çdo orendie apo pajisjeje. Sidomos prej cilësisë së domosdoshme për të mbetur sekret.
Përmasa e superbunkerit të Tiranës e tejkalon atë të ish-Federatës së Jugosllavisë edhe në një element tjetër: salla e mbledhjeve. Ndërsa në Konjiç ajo është për konferenca shtypi dhe ka 72 vende, në vendkomandën shqiptare të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, sasia e tyre është e dyfishtë. Dhe nuk është për takime me shtypin, por tërësisht salla e mbledhjeve të parlamentit monist, Kuvendit Popullor siç quhej atëherë.
Vendstrehimi operativ i komandës supreme shqiptare dhe i dy krerëve të saj Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, duke qenë edhe ai antibërthamor (në hyrjen dhe daljen kryesore si edhe në ato sekrete janë vendosur njëra pas tjetrës pesë dyer të blinduara shumë të trasha), teknologjia e ajrimit si edhe e ajo e filtrimit të tij apo e “dusheve” pastrues (çaktivizues) nga mbetjet radioaktive mbi njerëzit, në Konjiç është mjaft më e lartë. Po ashtu edhe ajo e komunikimit me mjediset jashtë, në mbitokë. Në superbunkerin e Titos salla e telefakseve është e markës shumë cilësore Siemens.
Arjan Rusi, kolonel në rezervë, gjer në vitin 1995 drejtues i rëndësishëm ushtarak i topbunkerit të Tiranës, dëshmon se në të ekziston një sallë e posaçme lidhjeje telefonike me Postën Qendrore dhe se në 1994, me rastin e vizitës aty të komandantit të krahut lindor të NATO-s, kur ky mori vesh këtë gjë, krejt papritur i vuri në provë. Kërkoi të lidhej me një zyrë të kryeqytetit.
Iu krye në çast.
Ndërkohë në Konjiç epërsia teknologjike e komunikimit vërehet edhe tek një element tjetër: “Telefoni i Kuq”. Është një pajisje elektronike e prodhuar në Slloveni prej firmës së specializuar “Iskra”. Ai atëherë pëlqehej shumë edhe nëpër botë, madje deri në e larta në Moskë dhe në Uashington.
Megjithatë Shqipëria me pesëkatëshin e saj nën mal ka superbunkerin më të madh të Ballkanit, në mos kampion edhe në një hapësirë më të madhe se gadishulli.
Një episod: Pak më shumë se dy vite më parë në Sarajevë u bë një takim i ministrave të Brendshëm të Ballkanit dhe prej Serbisë qe i pranishëm vetë kryeministri Ivica Daçiç Nga Shqipëria, për shkak se ministri i porsaemëruar Flamur Noka ende nuk qe dekretuar nga Presidenti, u ngarkua të merrte pjesë ambasadori ynë në Bosnjë-Hercegovinë, Flamur Gashi.
Kur me të gjithë pjesëmarrësit u bë vizita në supertunelin e Konjiç në një moment Daçiç iu drejtua Gashit dhe i tha me humor shpotitës: “Ky është bunker dhe jo ata tuajt, si furriqet e pulave kur bëjnë vezë”.
Ambasadori shqiptar buzagaz iu përgjigj: “Kur të vini në Tiranë për vizitë dhe t’ju tregojmë bunkerin tonë, ju siguroj, zoti kryeministër, se pas kësaj do t’ju duket furrik pule ky juaji”.

Tre sfiduesit e topbunkerit të Tiranës: Karlo Bolino, Sonila Boçi, Admirina Peçi

Epërsia teknologjike e sekretbunkerit të ish-Jugosllavisë, e konkuruar dhe e tejkaluar prej atij shqiptar vetëm në madhësinë dhe kompleksitetin ndërtimor të pesë kateve të nëndheshëm, duke filluar prej mesnëntorit të këtij viti, i duhet të përballojë edhe një konkurrim tjetër, triumfues: volumi dhe cilësia e bunkerartizimit.
Në këtë profil ai mund të jetë më i pazakonshmi në kontinent, të paktën në pjesën eurolindore të tij.
Ky proces, bunkerartizimi, këtu është kryer me një guxim krijues dhe origjinalitet që të befason. Nëntokë është realizuar një vepër historike që ende në mbitokë nuk ka marrë trajtë të sigurt, të argumentuar e të plotë, në asnjë prej muzeve kombëtarë apo lokalë.
Në superbunkerin e nëndheshëm të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nuk është nderur ndonjë ekspozitë pikturash nga autorë të vendit dhe të botës, siç ndodh në Konjiç të Bosnjë-Hercegovinës (megjithatë mikroekspozita ka, madje disa llojesh).
Atje ka marrë jetë paraqitja inteligjente dhe thelbësore e tërë historisë së vendit tonë që nga momenti i agresionit fashist italian deri në 1990.
Është dokumentuar dhe interpretuar në mënyrë mjaft shkencore e njëkohësisht të baraspeshuar politikisht, elementë që jo gjithnjë një mendje ka fuqi t’i harmonizojë, e tërë periudha e diktaturës.
Veçanërisht më e shumëdebatuara: ajo e rezistencës kundër pushtimit, 1939-1944.
Koka e diamantë e projektit dhe e këtij realizimi shqiptar të modelit eurolindor Bunk’Art, është italiani Karlo Bolino. Drejtor (kryeredaktor) për disa vite i të përditshmes së njohur të vendit të vet “La gazzetta del Mezzogiorno”, për mjaft kohë gazetar i Ansa, Agjencisë Italiane të Lajmeve, në Shqipëri për mbi dy dekada sipërmarrës medie të shkruar dhe televizive, ishte ai që i propozoi kryeministrit Edi Rama idenë se si mund të kujtohej në një mënyrë ndryshe nga rutina e tip festimeve të shkuara, një ngjarje mjaft e ndjeshme dhe delikate për opinionin publik, shkaktuese tensionesh të acarta publike: 70-vjetori i Çlirimit.
Datë historike që nderohej nga një pjesë dhe shpërfillej deri në urrejtje prej tjetrës, një 29 nëntor që ua sillte shqiptarëve ditëçlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë, por që duke mbartur kobin e një robërie të re, nuk ua plotësonte vlerën kryesore, atë të ardhjes së lirisë shoqërore, superbunkeri i ndërtuar në diktaturë jepte mundësi për ta kthyer në një veprimtari pozitivisht ndikuese kundër saj.
Një mit force ta shndërronte në një shembull çmitizimi dhe demaskimi të dhunës politike mbi mendimin ndryshe.
Projekti i Karlo Bolinos në një farë mënyre do ta rrëfente, por edhe do ta ndëshkonte diktaturën. Do ta pranonte për aq sa kishte pasur ndonjë meritë dhe po ashtu denonconte për fajet e saj të rënda.
Për paraqitjen e lëndës historike, kaq fort të ndërlikuar, publicisti dhe mediabërësi italian me më shumë se gjysmën e jetës përkushtuar Shqipërisë, pëlqeu të kishte si bashkëpunëtorë dy intelektuale në moshë rreth të tridhjetave, gjeneratë krejt e re: historianen Sonila Boçi, autore libri të suksesshëm dhe Admirina Peçi, gazetare-kryeradaktore i dy shtojcave historiko-kulturore të shtypit tonë të shkruar: “Milosao” (“Gazeta Shqiptare”) dhe vitet e fundit të “Rilindasi” (“Shqiptarja.com).
Për të dëshmuar se që të tre ja dolën këtij misioni të vështirë, duke na sjellë një risi të mahnitshme rinovuese, përveç mbi gjashtëdhjetë mijë vizitorëve që deri tani top-bunkeri pesëkatësh i Tiranës ka pasur, jehonës masive në median vendase dhe depërtimin deri në atë të huaj, për të mos e zgjatur shumë këtë shkrim paraqitës, po përqendrohemi në vetëm disa befasi të tij dokumentare.

Balli Kombëtar paksa ndryshe

Në librin e tij me kujtime “Vite të rinisë” (1988) Enver Hoxha paraqet si provë për atdhedashurinë e tij e sidomos për pjesëmarrjen aktive në luftën antifashiste një shkresë të datës 13 dhjetor 1939, të hartuar prej zv.ministrit të arsimit. Në të njoftohej drejtoria e gjimnazit të Korçës për pushimin nga puna të profesorit Enver Hoxha. Shkaku ishte pjesëmarrja e tij, bashkë me shumë studentë, në një manifestim nderues për 28 Nëntorin dhe po aq protestues ndaj pushtimit.
Nga historianët profesionistë të pasdiktaturës, por edhe prej studiuesve të tjerë, ky fakt nuk ka qenë kurrë i vënë në pikëpyetje. Por me të drejtë është përfolur për mundësinë e një manipulimi. Është dyshuar se prej ministrisë urdhri i pushimit të mësuesve të Liceut të Korçës ka qenë një masë e gjeneralizuar, ku, kishin apo jo faj, largoheshin nga puna që të gjithë. Kjo e errësonte sadopak rolin e propaganduar si të spikatur të Enver Hoxhës.
Ndërkohë në Arkivin e Shtetit ka ekzistuar i mirëruajtur edhe një dokument tjetër, ai bazë, më i hershmi, i prefektit të Korçës dërguar Ministrisë së Brendshme. Daton 7 dhjetor 1939 dhe ka hyrë në institucionin e mësipërm në 11 dhjetor. Aty thuhet se prefektura për çfarë ndodhi e pati vënë në dijeni Ministrinë e Brendshme që në 29 nëntor. Ndërkohë pohonte se deri në 11 dhjetor, ditënisje e shkresës për në Tiranë, në Liceun e Korçës qenë bërë hetime dhe se prej tyre “Shkaktarët e manifestimevet të datës 28 Nëntor 939 janë (profesorët) Mazar Shehu, Selman Riza, Foto Bala, Enver Hoxha, Stavri Skendi, Loni Kristo, Abaz Ermenji.
Këtu, në këtë shkresë të mbajtur fshehur, është fare e qartë se Hoxha ka një rol të dorës së parë në nxitjen e manifestimeve antifashiste të fundnëntorit 1939, por ai këtë dokument nuk mund të lejonte të bëhej publik. Arsyeja qe tërësisht politike: atë që do të fitonte sadopak me pjesëmarrjen e dukshme në një demonstratë, do ta humbiste mijrafish me dëshminë se në themel të asaj proteste antifashiste qenë nacionalistët, eksponentët ballistë të mëpasshëm, çfarë përmbyste platformën ideologjike kundër tyre të thurur prej tij për afro një gjysmë shekulli.
Historiania Sonila Boçi dhe gazetarja e kulturës dhe e historishkrimit Admirina Peçi në një nga dhomat e shumta, ku rrëfehet rezistenca kundër pushtimit dhe diktatura realkomuniste, kanë ekspozuar edhe një tjetër top-dokument: traktin e parë të Ballit Kombëtar.
Eksponentët kryesorë të tij, duke filluar nga Mithat Frashëri, kanë këmbëngulur se organizata e tyre në parim u themelua menjëherë pas agresionit italian, por ata ngjarjen e mbajtën sekret. Ali Këlcyra vazhdimisht, që nga mërgimi ku jetoi deri sa vdiq, ka pohuar se “nga mesi i vjeshtës së dytë (pra, tetor) u themelua Komiteti i organizatës së rezistencës \"Balli Kombëtar\" i cili nxori traktin me titull Nacionalizma Shqiptare \"Balli Kombëtar”.
Ky trakt që habitshmërisht, edhe për pothuaj një çerek shekulli të pasdiktaturës, nuk është paraqitur ta shohin të gjithë, i madh dhe i vogël, por edhe që nuk është debatuar në është real apo nga krerët e BK i falsifikuar në vitin 1941 apo një mot më pas, e gjen këtë ekspozim të lirë në mes të superbunkerit të diktaturës dhe të vetë Enver Hoxhës. Në krye të tij ndodhen saktësisht fjalët e pohuara që para vitit 1964 nga Ali Këlcyra: “Nacionalizma Shqiptare” dhe poshtë tij formulimi “Balli Kombëtar”.
Kur BK do të kryente daljen nga fshehtësia dhe do të hidhej në aktivitet të plotë për të konkurruar Partinë Komuniste, fundnëntor 1942, do të paraqiste para shqiptarëve një Dekalog (dhjetëpikësh), por dy vite të shkuara, siç tentohet prej traktit ekskluziv të paraqitur në Bunk’Art, ato qenë vetëm tetë.
Surpriza të tilla dokumentare në favor të një të vërtete më të dobishme për shqiptarët e ideve të ndryshme, supertuneli ushtarak i Tiranës ka shumë. Disa prej këtyre po i paraqitim thjesht shoqëruar këtij shkrimi. Kumtojnë me pamjet e tyre pa qenë nevoja të shpjegohen me fjalë: “Gjyqet Komuniste, një i dënuar me vdekje në momentin e shoqërimit për t’u ekzekutuar”; pamje të shumta nga votimet e para të regjimit të ri, 1945, ku nëpërmjet dy kutive dhe goglave për t’u hedhur në to, dallohet qartë imponimi që të përkrahej vetëm ai me foto (i cili qe kandidati i PKSH); salla e Kuvendit në tunelin pesëkatësh, ku në njërën anë janë pamjet e fjalimeve dhe të premtimeve të bujshme të regjimit dhe në tjetrën foto nga radhët e gjata të popullit për të blerë bukë apo vajguri; librat “Vepra” të Enver Hoxhës, të grisura, të bërë si abazhur.

Nostalgjia për Josip Broz Titon dhe Enver Hoxhën

Klubi i topbunkerit Vendkomandë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë është i vendosur në mbyllje të tij, pra në përfundim të vizitës. Natasha, banakierja e tij, e punësuar aty që në vitin 1985, është personi i vetëm që ka bashkëjetuar pa pushim me këtë grehinë të paimagjinueshme për nga origjinaliteti dhe karakteristikat e saj kampione. Ajo thotë se një fundjavë nga turma e madhe e ardhësve parkuan pothuaj një mijë makina. Po ashtu pohon se përditë vijnë mjaft individë si edhe familje të tëra, ka pafund ardhës nga Kosova dhe Maqedonia. Nuk mungojnë studentë të shumtë, sidomos të degëve inxhinierike, kuriozë prej këtij ndërtimi të jashtëzakonshëm.
Ajo që asaj i duket e veçantë ka të bëjë me një fakt domethënës të efektit të Bunk’Artit mbi vizitorin. Pasi kanë parë me qindra e qindra foto, lexuar tekste, vështruar objekte, projeksione apo fragmente filmash për periudhën më nxehtësisht të debatueshme dhe sherrshkaktuese të historisë tonë, pra pas më e pakta dy orë vizite nëpër pesë nivelet e supertunelit, asnjë nuk mbetet i irrituar.
Dalin e largohen krejtësisht të qetë. Dëshira e vetme është të gjejnë një rast të menjëhershëm për të shprehur habinë.
“Mes të artë” nuk ka. Ka vetëm të vërtetë. Karlo Bolino, Sonila Boçi dhe Admirina Peçi nuk kanë pëlqyer trukun e parë, por ndershmërinë profesionale të së dytës, kthjelltësinë e një shërbimi të devotshëm kombëtar.
Sigurisht ata që në mbitokë (deri edhe një ambasador i huaj) e kanë merakun mos Bunk’Arti i Tiranës ngjall nostalgjinë për Enver Hoxhën, duhet të bëjnë një vizitë atje, në nëntokë. Në Konjiç të Bosnjë-Hercegovinës dukuria e ngjashme për Josip Broz Titon u vu re dhe ende ekziston, por arsyet janë krejt të ndryshme. Edhe kërkesa popullore si edhe prirja e organizatorëve për ta mbajtur si pikë aktive vizitash janë ndryshe nga Tirana. Bustet e Titos dhe fotoportretet e tij zyrtare në topbunkerin e Konjiçit ishin të shumta, në çdo dhomë. Kur u përshtat për vizitorët, ato u rralluan, por ndërkohë atje u organizua një ekspozitë e tërë fotografike kushtuar atij, Presidentit dhe Gjeneralisimit.
Synonte joshjen, gjallërimin e ndjenjës së nostalgjisë për të.
Caku i këtij qëllimi kapërceu aq shumë sa që një gazetë e huaj e quajti Bunk’Artin e Bosnjë-Hercegovinës dhe të të gjithë ish-Jugosllavisë, “Monumenti i ri i Titos”.
Një e tillë për Enver Hoxhën, në nëntokën shqiptare apo mbi faqe të dheut të saj, as që shkohet nëpër mend. Jo vetëm prej të djathtëve, por as prej të majtëve në qeverisje, prej asnjërit kryeministër, prej kurrkujt parlamenti apo Presidence.
Në supertunelin shqiptar të Tiranës ka vetëm dy-tre foto të tij zyrtare, të tjera mjaft të kursyera nëpër pamje të ndryshme nga lufta si edhe e quajtura “periudha e ndërtimit socialist”. Në apartamentin e tij ndodhet realisht një kapelë borsalinë dhe një pardesy e tij.
Ka edhe një çudi: ndërsa në Konjiç dhoma e gjumit e Titos është shumë më e thjeshtë se e Enver Hoxhës në supertunelin e Tiranës, në këtë të fundit apartamenti i Mehmet Shehut duket më cilësor dhe më “luksoz” se ai i Hoxhës.

Ylli Polovina

Tiranë, më 23 dhjetor 2014


Fotot shoqëruese:

01.Pamje të topbunkerit në Konjiç dhe në Tiranë.
02. Shtrati i Enver Hoxhës dhe i Josip Bros Titos.
03. “Gjyqet Komuniste, një i dënuar me vdekje në momentin e shoqërimit për t’u ekzekutuar”.
04.Salla e Kuvendit (vendi i tribunës).
05. Salla e Kuvendit.
06. “Vepër” e grisur e Enver Hoxhës, bërë si abazhur.
07. Shkresa e Ministrisë së Arsimit, dhjetor 1939, për pushimin nga puna të profesor Enver Hoxhës.
08. Trakti i parë i Ballit Kombëtar, 1939.
09. Karlo Bolino dhe Sonila Boçi.
10. Admirina Peçi dhe Sonila Boçi.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com