|
TRINOMI PROTESTË-REVOLTË-REVOLUCION
(Botuar nè gazetèn “Shqip” mè 22 dhjetor 2014)
Nuk është sekret për askënd karakteristika jonë e besimit tek gënjeshtra dhe për rrjedhojë tek thashethemi. Këtë cen na e njohin edhe të huajt, madje nga disa shenja dhe pasoja mbi fatin e shumë ngjarjeve të ndodhura “befasisht” tek ne, këta të fundit përveç njohjes dëshmojnë mjeshtëri për ta përdorur në favor të tyre e jo në të mirën tonë.
Viti 1997 ishte më kulmori “thashethemaxhi” diversionist i Shqipërisë pluraliste. Mbi bazën e tyre, siç qe edhe misioni prej nga ku përhapeshin, u krijuan qëllimisht psikoza të tëra shumë të rrezikshme. Mbi patinat e tyre pamë si rrëshqitën para syve tanë hata të tëra.
Me synim historishkrimi, për shembull, autori i këtij shkrimi ruan çdo hollësi të nisjes këtë kohë të dinamikës dhe të pasojave të një lajmi të përhapur nga teleteksti i Radiotelevizionit Italian (RAI), në të cilin thuhej se grupe të armatosura nga veriu i Shqipërisë po sulmonin jugun. Sigurisht fillesën ai lajm i vënë në lëvizje për të shkaktuar një përplasje civile në Shqipëri nuk e kishte kongjillin në Romë.
Kështu çapëlonte edhe një thashetheme tjetër, tepër kërcënues për qëndrueshmërinë e vendit, sipas të cilit drejt Tiranës, për ta çliruar atë nga qeveria e atyre çasteve, qenë nisur nga jugu njësi të shumta të ushtrisë dhe grupe të mëdha vullnetarësh. Ishte dredhi, sepse askush nuk lëvizi.
Por Shqipëria nuk u nda më dysh as ato kohë, as njëqind vite më parë, në të turbulltin 1913, dhe kjo nuk do t’i ndodhë edhe tani, Po ashtu edhe më vonë. Është një çështje pa të ardhme.
Duke ia njohur shqiptarëve pasionin e përhapjes nga goja në gojë e çdo gjëje që ndodh rreth e rrotull, në çdo pallat dhe kthesë semafori, në përdorimin e gënjeshtrës dhe të fjalënajës për qëllime të luftës për pushtet marrin pjesë edhe një grup nga politikanët tanë.
Për fat jo të gjithë. Por këmbëngulja e palës së parë nuk është zbehur dhe nuk gjykon të heqë dorë.
Një dekadë më parë mjetet për ta nisur thashethemen e telekomanduar, “dronin” e tyre, lajmin fluturak e fals, dizinformimin destabilizues, qenë më të pakta. Tani mjafton një aparat telefonik i lidhur me internet dhe mund ta lëshosh silurën në twitter ose në face book. Shumë media ndihen tepër komode ta rrëmbejnë këtu grumbullin e shpejtë të shkronjave dhe t’ia paketojnë publikut si lajm.
Hetuesit shqiptarë të Policisë apo të Prokurorisë ende nuk e kanë informuar opinionin publik me hollësi se si funksionoi mekanizmi i grumbullimit në Vlorë të afro 600 bashkëkombësve për të emigruar në Gjermani dhe kërkuar atje statusin e azilantit ekonomik. Në kohën e vet, pra në motet 1991-2000, ai funksiononte me anë të korrierëve në çdo qytet të madh.
Por duket që ishte një veprim spontan, një gjest me logjikë turme, një dëshmi tjetër e zakonshme e mendësisë sonë të besimit tek përfitimet e lehta dhe mashtrimi nëpërmjet thashethemit. Megjithatë kjo ngjarje e radhës për Vlorën u quajt prag revolucioni nga opozita e tanishme. Në të kaluarën e saj, kur ishte në qeverisje, me pa të drejtë ajo u gjend para një tentative (verbale) të opozitës së shkuar për të nxitur largime masive të shqiptarëve jashtë vendit. Këtë herë, edhe pse e përdori ngjarjen për të përhapur psikozën e një revolucioni popullor për të rrëzuar qeverinë e sotme, ajo sidoqoftë qe e një mendjeje me këtë të fundit që ikësit të mos lejoheshin të kalonin kufirin.
Disa ngjarje të ashpra të betejës së brendshme për ta përshpejtuar ciklin e natyrshëm të ndërrimit të ekipeve apo edhe të partive në qeverisje (duke e denatyruar kështu demokracinë) kanë provuar se janë projektuar dhe realizuar si goditje reciproke, kompensuese, shpaguese.
Viti 1997 pati 1998-tën. Ku qëlluan edhe armët.
Armët shtinë edhe në 21 janar 2011. Jo nga Policia, por prej një strukture gjithaq profesioniste, të njohur për shërbimin vetëmohues ndaj institucioneve të shtetit, Gardës së Republikës. Katër të vrarë të pafajshëm në mes të Tiranës dhe syve të kamerave të botës, e cila kishte tashmë disa vite që e pati harruar Shqipërinë e trazirave ciklike, janë një trashëgimi shumë e rëndë. Disa gardistë atëherë nuk e kuptuan dot se ata protestues agresivë të shkëputur nga masa e demonstratës paqësore të opozitës kishin për qëllim provokimin e nervave të tyre dhe donin patjetër që mbrojtësit e Kryeministrisë të gabonin me masën e përdorimit të armëve.
Grackë funksionoi.
Dhe në të ra Shqipëria, emri i saj në përmirësim.
Mbi të gjitha ra në grackë vetë riti i mëparshëm i luftës së ndërsjellë politike, i cili kishte rastin fatlum që ato çaste të konsiderohej i mbyllur përfundimisht dhe në kujtesën kombëtare ta linte të vetmuar “pingpongun” dramatik 97-98.
Tani, ndërsa po hyn 2015-ta, ka shumë gjasë, nga sa nënkuptohet prej titujve të faqeve të para të disa të përditshmeve shumë afër opozitës aktuale, se 21 janari duhet shlyer. Sipas “ligjit të kompensimit” katër të vrarët e pafajshëm, për fatin tragjik të të cilëve ata që ato çaste qenë në pushtet nuk dëshironin aspak t’u ndodhte ashtu, mund t’ua shpëtojnë në mos ndërgjegjen, imazhin, riprovokimi i një situate të njëjtë ose të ngjashme.
Këto manifestime politike me marrshim dhe përqendrim të masave të mëdha njerëzore para selisë së Kryeministrisë do të qe mirë të merrnin fund njëherë e përgjithmonë. Janë, më e pakta, shantazhe. Me një thërrime dinakëri mund të keqpërdoren nga të tjerë kundër organizatorëve. Edhe më tej.
Sheshe ku të shkarkohet domosdoshmërisht mllefi i të pakënaqurve dhe ai ta vërë para përgjegjësisë çdo qeveri (për këtë arsye manifestimi i paradokohshëm i opozitës qe mjaft i dobishëm), Tirana dhe tërë vendi ynë ka plot.
Veçanërisht kjo, përdorimi i të pakënaqurit nga rruga, është e nevojshme të mos kapërcejë masën, sepse kurrsesi nuk baraspeshon dot braktisjen e gjatë dhe të përsëritur, rozë-blu, të vendit më strategjik për të ushtruar luftë të kualifikuar politike, parlamentit.
E shprehim këtë shqetësim, pra mundësinë e një shpagimi të 21 janarit 2011 me një veprim analog, jo aq sepse që në fillim të qeverisjes aktuale u nxitën veprime (greva urie) me rrezik pasoje vetëhumbjeje jete, por edhe prej një dëshmie tjetër: prej udhëheqjes blu po alternohen vazhdimisht, të paktën që prej fillimit të kësaj vjeshte, formulimet thirrëse “protesté” dhe “revoltë”.
Kush i ndjek nga afër si kombinohet ky proces influencimi mbi ndjekësit e partisë e kupton se ka aq shumë harmoni në të sa nuk e përjashton dot mungesën e një projekti të paramenduar. Sidomos kur bashkë me dy katet “protestë-revoltë” ngrihet me ngut edhe i treti, “revolucioni”.
Si popull që i kemi dhënë shumë fatkeqësi vetes, ndjejmë mjaft nevojë që modelin 97-98 ta arkivojmë njëherë e përgjithmonë. Madje është mënyra më e mirë për t’iu gëzuar ndonjë rezultati ata që pëlqejnë të përshpejtojnë ciklet e alternimit në pushtet.
Ylli Polovina
Tiranë, më 20 dhjetor 2014
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|