Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
SHQIPTARËT: QË TË GJITHE SHEFA


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në 13 dhjetor 2014)

(Pjesa e dytë e bisedës me Ylli Polovinën, autorin e librit të tij të fundit “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”)

Admirina Peçi

-Njerëzit nuk mund të jenë njëlloj, po ashtu edhe shqiptarët. Gjithsesi një identikit të tij, një portret tipik ai e ka. A mund ta përshkruani?
-Ka dy kënde, nëpërmjet të cilëve mund ta vështrosh. Së pari, ato karakteristika që një i huaj i dallon menjëherë, sepse janë lehtësisht të shprehura: energjia që një shqiptar manifeston. Ato i vërshojnë. Ndërkohë i ka konfuze dhe shumica të harxhuara mëkot.
Tipari i dytë menjëherë i dukshëm për një të huaj: shqiptari është emotiv. Tek ai ndikojnë dhe janë shtysa për veprime më shumë ato që ndjen se ato që arsyeton.
Karakteristikë tjetër e dallueshme: është i zhurmshëm. Heshtur shqiptari nuk di të bëjë asgjë. Atij i ngjan vetja sikur është krijuar nga Zoti që ta dinë të gjithë në faqe të botës që ekziston.
Brenda vetëm një bisede me pothuaj çdo shqiptar një i huaj kupton pa mundim se përgjithësisht ai është natyrë e ngrohtë, ka për veten tepër vlerësim, në debat imponohet dhe lë përshtypjen e një temperamenti të sertë. Shqiptari thotë shumë rrallë “Faleminderit!” apo “Të lutem!” apo “Më fal!”
Vështruar nga këndi i dytë, tiparet, të cilat duan relativisht kohë për t’u dalluar janë të qënit shpërfillës ndaj publikes dhe shtetit, rrugëshkurtër në zgjidhjen e problemeve, mosprojektues i gjërave të rëndësishme. Po ashtu është mjaft nacionalist foklorik. Familjen e ka tempull ku falet dhe kështjellë ku mbrohet.
-Në librin tuaj është e qartë se, duke paraqitur njëkohësisht edhe karakteristikat e mbi dhjetë popujve të tjerë, dëshironi që nëpërmjet krahasimit t’ia bëni lexuesit më të kuptueshme tiparet e shqiptarit ose, siç i thoni herë pas here ju, të “homo albanicus”. Mund të bëni një pamje të shpejtë të tyre?
-Patjetër. Po e bëj fare shkurt dhe thjesht për ndonjë karakteristikë të jetës së përditshme. Gjermanëve nëse u dhuron lule ato nuk duhet të jenë me ngjyrë lejla, sepse këto përdoren vetëm për funerale. Kur je duke ngrënë me ta patjetër të duhet ta nisësh ushqimin vetëm kur të të thonë “Të bëftë mirë!” Gjithçka çfarë ka në pjatën që të kanë vënë përpara, duhet ta konsumosh. Për francezët lulet dhuratë duhet të jenë tek, kurrë me numrin 13 sepse e kanë shumë ters. Nuk duhet të jenë karafila të kuq, sepse shprehin keqdashje. Në shtëpinë e një anglezi nuk mund të shohësh mjediset e saj. I mbajnë dyert e dhomave të mbyllura. Këpucët duhet patjetër t’i kesh me lidhëza. Tek belgjianët nuk duhet të dhurosh zambakë të bardhë, sepse zakonisht përdoren për funerale. Po ashtu as me numrin 13. Në rast se i ftuari lë ushqim në pjatë, kjo konsiderohet fyese. Danezëve, kur u hyn në shtëpi, duhet të heqësh këpucët. Ata kanë qejf kur kërkon tu vizitosh ambientet e saj. Kur je duke ngrënë patjetër të hash çdo gjë që të kanë vënë në pjatë dhe të falënderosh vazhdimisht. Këpucët duhet t’i heqësh edhe kur hyn në shtëpinë e një çeku. Ata i kushtojnë shumë rëndësi këpucëve. Përdorin të tjera në zyrë dhe të tjera jashtë saj. Në shtëpinë e një hungarezi nëse je i ngopur mund të lësh pak ushqim në pjatë. Po qe se e ha të gjithë pjatën kjo do të thotë se dëshiron më. Për të kryer vizitë në shtëpinë e një rusi duhet të vishesh mjaft bukur. Kjo tregon respekt për të zotin e saj. Kur hyn duhet të heqësh këpucët si edhe, për të shtruar tryezën, t’i ofrosh ndihmë të zonjës së shtëpisë.
Ndër fqinjët tanë: Turqit kur hanë bëjnë shpesh pushime për të pirë cigare ose ndonjë pije. Grekët po të ftuan në shtëpi duhet t’u shkosh në kohë. Me këtë rast këpucët duhen hequr para se të hysh dhe patjetër duhen bërë komplimente për banesën. Mikun në shtëpi grekët e trajtojnë si mbret. Tek ta mund të hash gjithçka dhe të kërkosh të hash sërish. Italianët i japin rëndësi dukjes, veshjes. Rrobat janë të rëndësishme, tregojnë statusin. I ftuar për darkë mund të shkosh deri 15 minuta me vonesë dhe deri në 30 minuta po qe se je i ftuar në një mbrëmje. E zonja e shtëpisë është e para që ulet në tryezë, e para që ngre dollinë, e para që fillon të hajë dhe e fundit që ngrihet. Miku i ftuar duhet të lerë pak ushqim në pjatë.
-Zoti Polovina, përse si tiparin kryesor të shqiptarëve ju përcaktoni individualizmin. Di që këtë karakteristikë e kanë mjaft popuj, madje edhe sisteme shoqërore të tëra.
-Sepse individualizmi është disa llojësh. Ne shqiptarët e kemi në formën e një trinomi: individualizëm hiperprotagonist antipublik. Më lejo t’ia shpjegoj lexuesit. Vetëm individualizmi nuk përbën të metë të rëndësishme dhe në shoqëritë e hapura, duhet thënë, është mjaft i domosdoshëm dhe nëpërmjet frymës së konkurimit dhe në raport të drejtë me interesin publik, jep rezultate zhvillimi. Tek ne mbetet problem hiperprotagonizmi, protagonizmi i skajshëm, kur gjithçka e bën që të dukesh. Kjo të zbraz nga motivet e mira dhe prej qëllimeve pozitive. Ndërkohë shqiptari është edhe antipublik. Pikërisht individualizmi i tij skajshmërisht protagonist dhe shumë shpërfillës i interesave të shoqërisë, është edhe “thembra e Akilit” e shqiptarit. Aty ai rrëzohet lehtësisht. Por sidoqoftë çdo popull e ka një “thembër Akili” të tijën.
-Grekët cilën kanë pikën e tyre më të dobët?
-Përzjerjen e hiperdinakërisë me ndjenjën hedonistike, pra të shijimit sa më të madh të jetës së përditshme. Me disa fjalë popullore: i shtrijnë këmbët më tepër nga sa e kanë jorganin. Konsumojnë më shumë nga sa prodhojnë. Kështu dinakëria ndaj të tjerëve, duke qenë e ekzagjeruar, kthehet në një dredhi ndaj vetes së tyre. Pra bëjnë autogol. U duket sikur ua hedhin të tjerëve, por në fund të fundit del se ja kane hedhur vetes. Kriza e fundit financiare që po kalon Greqia është rezultat tipik i këtij defekti.
-Dhe serbët?
-Kanë tejpërdorim të mendësisë së imponimit dhe të ushtrimit të forcës. Po të qenë 1,3 miliard e kusur si kinezët edhe mund të të trëmbnin. Ose treqind e dyzetë milionë sa veças janë amerikanët apo njëqind e dyzetë sa numërohenj sot rusët. Por janë vetëm shtatë e gjysmë milionë.
-Po përse nuk është anarkizmi defekti ynë më i madh? Fan Noli ka shkruar posaçërisht për pesë anarkitë shqiptare. Ato ka veçuar.
-Anarkizmi ynë është e metë e madhe, por jo burimi. Është pasoja e individualizëm hiperprotagonizmit antipublik. Anarkia shqiptare prodhohet prej këtij trinomi, nuk është e kundërta. Një kuriozitet: ky cen e ka shndërruar vendin tonë deri edhe në një nga modelet e anarkisë botërore. Ka një libër-broshurë të titulluar “Shqipëria, laboratori i përmbysjes”. U botua në janar të vitit 1998 në të quajturën Shtypshkronja e Përgjithshme e Shatijonit mbi Senë, në Francë. U përkthye nga inisiatorët në disa gjuhë dhe u shpërnda nëpër Evropë e më tej. Në kapitullin “Rebelimi dhe kundërrebelimi në Shqipëri, kronikë janar-gusht 1997”, hartuar saktësisht më 11 mars 1997, tamam në kulmin e trazirave në vendin tonë, thuhet: “Njohja sa më shpejt që të jetë e mundur e natyrës dhe e përmbajtjes së kryengritjes së armatosur në Shqipëri, nisja e diskutimeve të thella që shërbejnë për të vlerësuar konkretisht mundësinë e një ndërhyrjeje teorike dhe praktike, revolucionare-ky është propozimi që u bëjmë të gjithë luftëtarëve për liri dhe të gjithë individëve, të cilët në revoltën kundër Shtetit dhe kapitalit vijojnë të shohin të vetmen rrugë që mund të ndjekin për një çlirim të vërtetë”. Manifesti mbyllet me fjalët “...duhen kërkuar në Shqipëri elementët e përbashkët...për një revoltë të mundshme botërore...”
-Në interpretimin e trembëdhjetë cilësive më kryesore të shqiptarit ju në librin tuaj këmbëngulni në një çmitizim të disave prej tyre. E vlerësoni besën, por keni paraqitur pikëpamje se megjithatë besnikëria jonë nuk është aq shkëlqimtare. Po ashtu këmbëngulni se shqiptari nuk është aq shumë trim sa rreh gjoksin. Përkundrazi luan si konformist.
-Neve na mungon trimëria kryesore, ajo sociale. Ndërkohë në libër shkruaj se shqiptari nuk është i pabesë ose shpinëkthyes. Kur e jep fjalën e mban më shumë se një grek apo italian. Ju e dini fare mirë, të paktën duke qenë një historiparaqitëse kryesore në BUNK’ART e viteve tona të Luftës së Dytë Botërore, se jo vetëm si fjalëmbajtje por edhe si fjalëdhënie, cilësia e besës u përdor shumë nga Partia Komuniste Shqiptare, Balli Kombëtar dhe Legaliteti për t’i joshur të anësoheshin në to. Masivisht ndodhte më pas të ndërronin mendje, por megjithatë ata nuk këmbenin parti.
-Keni një kapitull në të cilin vini në shqyrtim të rreptë vetinë nëse jemi të zgjuar apo jo. Shkruani se një vit më parë edhe një anketë e Bashkimit Evropian një vit më parë ne konsideroi si të zgjuar.
-Përveç kësaj në libër kam paraqitur edhe disa albanologë që shprehen pikërisht me këtë fjalë: i zgjuar. Vetë mendoj se kjo nuk është tamam e saktë. Shqiptari është natyrë e mprehtë, i kap shpejt gjërat. Ta jep përgjigjen në çast, hazerxhevap siç e thotë një fjalë turke ende e përdorur mes nesh.
-Gazeta jonë do ta shoqërojë këtë intervistë në dy numrat e mëpasshëm me fragmente nga kapitulli i fundit i librit tuaj, “Shqipëria bëhet apo nuk bëhet?”. Një pyetje e fundit: kemi pasur dhe kem qeverisjen që meritojmë?
-Duke ju falënderuar ju dhe redaksinë që më dhatë mundësinë të shpjegohesha për çfarë dëshiroj të përcjell nëpërmjet 275 faqeve të librit tim “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”, mendoj se ne meritojmë jo vetëm kaq. Ne meritojmë edhe këtë fat që kemi. Do ta ndryshojmë atë duke e bërë më të mirë që prej çastit kur t’i mbushim mendjen vetes se shkaku dhe pasoja jemi vetëm ne.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com