|
Foto: .jpg | SHQIPTARËT, JA PSE JANË DIAMANTË TË PAGDHENDUR
(Pjesa e parë e bisedës me Ylli Polovinën, autorin e librit të tij të fundit “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”)
Admirina Peçi
-E ngacmuar prej titullit pyetja ime e parë është: përse sipas jush jemi diamantë dhe përse qenkemi të pagdhendur?
-Cilësimin “diamantë” për shqiptarët e ka bërë për herë të parë Faik Konica. Unë vetë për mjaft kohë, ndërsa e shkruaja, isha shumë për titullin “Shqiptarët, populli stërprapthi”.
-Pse e shmangët?
-Ishte më i saktë dhe më i vërtetë ai i Konicës. Dhe tani të vijmë tek përgjigja e pyetjes tuaj të parë “përse diamantë” dhe “përse të pagdhendur”.
Shqiptari është një identitet etnik i formatuar fort në periudhën parailire dhe atë ilire, kohë kur ajo që ne sot quajmë Evropë e zhvilluar ndodhej këtu, në gadishullin tonë, në Haemus, siç atëherë quhej. Paraardhësit tanë u rritën pranë dy qytetërimeve themeluese të vetë kësaj Evrope të tanishme dhe të krejt botës moderne, asaj helene dhe romake. Nëse këta dy popuj bashkëjetues me ne për shkallën e tyre të civilizimit qenë zmeraldë, pra si teknikisht quhen diamantët e përpunuar (gurçmuarët), ne patjetër, edhe pse të pagdhendur nga ndonjë qytetërim identik shqiptar, gjithsesi diamantë mbetemi. Kur përshkruaj dhe interpretoj trembëdhjetë karakteristikat kryesore të shqiptarit, në 275 faqet e asaj të kam shkruar, mbetem me përshtypjen se ia kam dalë sadopak të provoj epitetin e Faik Konicës.
-Duket si histori disi e koklavitur kjo e fillesës së këtij libri. Ndërlikimi niska që nga titulli.
-Ishte një punë e vështirë. Kam shkruar dy libra për një. Po ta shpjegoj. Për herë të parë e kam përfunduar dhe bërë gati për botim në dhjetor 2002. Kush e lexoi privatisht qe optimist, por unë befas ktheva mendje. Arsyeja qe e thjeshtë: analiza e një populli mund të bëhet më e mirë sa më shumë kohë ke ta vëzhgosh. Kisha edhe një merak tjetër, për të cilën u bëra disa herë dëshmitar se qe i drejtë. Disa prej të njohurve të mi, midis tyre edhe autorë librash, ma vunë në dyshim nismën thjesht duke thënë se një sipërmarrje të tillë nuk e kishte marrë as Ismail Kadare.
-Dhe pas kësaj u tërhoqët?
-Jo. Vendimin e tërheqjes e pata marrë vetë. Arsyetimin e mësipërm e dëgjova shumë vite më pas nga dhjetori 2002. Kështu i dhashë kohë vetes t’i njihja bashkëkombësit edhe për pothuaj dymbëdhjetë vite të tjerë. Erdhi një çast kur në arkivin tim për këtë temë u bënë afro treqind dosje (elektronike, në kompjuter) dhe duke përfituar prej nxitjes së një sipërmarrësi në fushën e energjetikës, kushëririt tim, Tajar Bregasi dhe bashkëshortes së tij Doloreza, të cilët më afruan ndihmën financiare për të botuar pesëqind kopje, i rihyra punës.
Por këtu ndodhi edhe e papritura. Iu riktheva variantit të parë të librit për ta plotësuar dhe mbeta i pagojë. Për aq sa tashmë dija dhe kisha parë në një dyzinë vitesh shtesë, çfarë pata shkruar nuk vlente më. Kështu nisa një libër tjetër që nga fillimi. Prej të parit mora vetëm lëndë informative sa për dy faqe. Po të mendosh se edhe prej variantit të tanishëm, pas redaktimit të parë dhe të dytë, i hoqa 23 për qind të lëndës, nuk e di saktë tani nëse për “diamantët e pagdhendur” kam shkruar dy apo tre libra për një.
-Shoh se në hyrje keni vendosur këto fjalë: “Më tepër se temë e natyrshme shkëmbimi opinionesh me bashkëkombësit apo lëndë për kuriozët që duan të zbulojnë se çfarë mendësie kanë shqiptarët, cilat karakteristika kryesore të identitetit shfaqin, natyre psikologjike, temperamenti apo të dhënash antropologjike, ky libër dëshiron të ofrojë ndihmën e vet në njohjen e tij edhe për të gjithë ata të huaj që merren me popullin tonë, shtete qofshin apo bashkësi të tyre, parlamentarë ose drejtues të Bashkimit Evropian, të dhjetëra institucioneve të tjera të kontinentit dhe të botës, organizata joqeveritare, fondacione apo firma biznesi, sipërmarrës të politikës dhe të ekonomisë, gazetarë, artistë ose studiues, nëpunës apo udhëtarë, turistë për pak kohë ose prej atyre që duan të vendosen në Shqipëri, shkrues të historisë tonë, të mbarë në qëllime apo të mbrapsht. Që të kërkojnë prej nesh atë që dimë, që duam dhe ka gjasë e shpresë ta bëjmë, jo çfarë për shqiptarët është një model standard zyrash larg tyre dhe për pasojë gjë e pamundur”.
-Ndryshe nga varianti i parë i pabotuar ky qe edhe qëllimi kryesor i këtij që tashmë ndodhet në duart e lexuesve. Më shumë se libër për ta shfletuar bashkëkombësit synoj që atë ta njohin të huajt, konkretisht fqinjët tanë. Gjatë çdo jave hap pak vend edhe për përgatitjen e një libërthi me përmasa sa gjysma e të tanishmit, me titullin e përkohshëm “Shqiptarët, a doni t’i njihni?”. Jam pra në fillim të përpjekjeve të mia që ai të përkthehet në italisht, greqisht dhe serbëkroatisht.
-Jo në anglisht?
-Do të ishte pretendim i madh të gjesh botues për mjedise anglishtfolëse në Britaninë e Madhe apo në SHBA. Po ashtu edhe në frengjisht. Ndërkohë besoj se për një temë të tillë në këto mjedise nuk ka ndonjë interes. Ndryshe është me tri fqinjët tanë. Ata janë tërë sy e vesh për ne, tërë kërshëri të na kuptojnë. Të mos harrojmë se vetëm mes italianëve dhe grekëve, jo vetëm prej diasporës së pas vitit 1990, por të ikur edhe shekuj më parë, jetojnë së paku një milion e gjysmë bashkëkombës. Ndërkohë në ish-Jugosllavi gjenden dyfish me shumë dhe atje ka disa vatra shumë aktive djallëzimi të imazhit tonë. Të mos harrojmë se në Serbi, referuar prej studiuesit boshnjak Ekrem Avdiç, ka pasur një dijetar si dr. Vlladan Gjorgjeviç, ndërruar jetë në vitin 1930, “prefekt i Beogradit, kryetar qeverie dhe ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, kryeshef sanitar i ushtrisë serbe, shkrimtar, themelues i Shoqërisë së Mjekëve të Serbisë, anëtar i Akadenisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve”, i cili ka deklaruar se sipas matjes së kafkave të shqiptarëve ato janë më të vogla dhe i përkasin racës së ulët. Kjo që ka thënë Gjorgjeviç, sot është vërtetë një profkë për t’u besuar edhe nga vetë mjaft serbë, por të siguroj se prej kontakteve të vazhdueshme me bashkëballkanas të kësaj etnie, pasi ata e shohin për herë të parë Shqipërinë, mbeten të shtangur. U duket shumë moderne, mjaft e përparuar. Kjo ndodh jo sepse ne jemi më të zhvilluar se ata, por sepse e kanë doktrinuar vazhdimisht popullin e tyre me imazhin e shqiptarit si njeri mjaft i prapambetur.
-Po shoh se megjithatë në një nga kapitujt paskeni përdorur edhe ju ca fjalë jo të këndshme.
-Po, kam një kapitull me titullin “Shqipëri të kam dhjerë, s’të kuptova asnjëherë!”
-Mos kjo është më e rëndë se ajo që ka shprehur Vlladan Gjorgjeviçi?
-Kjo është njëmijë herë më e mirë, sepse është vetëqortim, autokritikë. Sipas atij që i ka shqiptuar apo shkruar këto fjalë, Faik Konicës (jo e provuar), Shqipëria është mjaft e vështirë për t’u marrë vesh. Në të vërtetë nuk është ajo, por vetë shqiptari i tillë. Ai punon si një orë e vendosur përmbys. Të ka rënë rasti të shohësh ndonjë të tillë? E vë në këmbë, siç e ka prodhuar fabrika dhe akrepat, pasi lëvizin ca kohë, ndalen. E kthen përmbys, pra i vë kokën nga këmbët, ajo nis e punon sikur të fluturojë. Shqiptari nuk dëshiron ta njohë veten. Nuk ja ka ngenë kësaj pune. Po ju them një fakt nga shumë që ka: Kur Akademia e Shkencave e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në vitin 1985 botoi njëvëllimëshin “Fjalorin enciklopedik shqiptar”, nuk kishte zë me emrin “shqiptar”. Qe vetëm zëri “Shqipëria”. Tek “shqiptar” ka 6 radhë nën shënimin “Antropologjia”. Fjalët janë këto: “Nga pikëpamja antropologjike shqiptarët mbizotërojnë tiparet adriatike, si koka e shkurtër dhe e gjerë, me pjesën e pasme të sheshuar, fytyra e lartë dhe e gjerë në pjesën e sipërme, hunda e spikatur me shpinë të mysët, shtati mbi mezataren etj”. Çuditërisht i njëjti qëndrim u mbajt prej kësaj Akademie kur në vitin 2008 publikoi trevëllimëshin shumë të vlefshëm të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”. Ndërkohë kjo Akademi, edhe pse i ka të gjitha forcat intelektuale të afta ta bëjnë këtë studim, nuk e ka marrë përsipër. Posaçërisht për këtë temë libri “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur” është i pari në historinë tonë. Nga ana ime ky ishte një guxim, por jo patjetër jam emri më i përshtatshëm.
-Përse jini i bindur se ne nuk jemi të gatshëm për të njohur vetveten? Unë për shembull kam mendim të kundërt. Shqiptarët duan ta njohin vetveten, por nuk u jepet kjo mundësi. Në çështje të tilla i takon elitës së tij intelektuale, universiteteve veçanërisht, pse jo edhe klasës politike e shtetit që të kujdesen për botime, dokumentarë shpjegues, video apo mbajtje bisedash e leksionesh.
-Të lumtë goja! Uroj që e ardhmja të jetë me ty Admirina! Në rast se një lëndë të tillë e fut nëpër shkolla nxënësit do ta mësojnë patjetër. Duke i njohur cilësitë e tyre, të mira e të këqija, do t’u lindë dëshira dhe rritet vetëdija për t’u vetëpërsosur. Veç deri tani punët nuk ecin kështu. Zelli ynë për të mosnjohur veten apo për t’i bërë bisht kësaj pune, shpesh ndodh sepse ne nuk kemi qejf t’i ekspozojmë defektet tona. Për ta bindur sadopak në të metat e tij (si edhe në vlerat), në libër kam cituar afro 120 autorë vendas dhe të huaj, duke filluar nga kolosët tanë Konica, Fan Noli, Eqrem Çabej, Ismail Kadare, Eqrem Vlora, e duke përfunduar me diplomatë, udhëtarë dhe albanologë francezë, gjermanë dhe britanikë, me studiues arbëreshë dhe intelektualë të gjeneratës së re shqiptare brenda vendit dhe jashtë tij. Po ashtu në libër, për të lehtësuar procesin e vetëkuptimit, ka kapituj të veçantë në njohje të popujve të tjerë si “Me ata që kemi marrë e dhënë: latino-italianët, heleno-grekët, osmano-turqit, thrakët, sllavët dhe vllehët” apo “Serbët, grekët, italianët dhe turqit: disa fjalë për identitetet e tyre”. Po ashtu edhe “Gjermanët, francezët, anglezët dhe rusët”.
-Mbase, me që mbërritëm deri këtu; për lexuesin do të ishte mirë edhe një përmbledhje e lëndës kryesore të librit.
-Atëherë po citoj disa: “(Mos)njohja e vetvetes”, “Si nga Tirana na sheh një ambasador i huaj”, “Pse nga arbër u bëmë shqiptarë”, “Histori e trazuar imazhi”, “Kur putha dorën e italianes Rosela Luçiano” e kështu me rradhë.
-Në karakteristikat e shqiptarëve paskeni rreshtuar plot trembëdhjetë. As katërmbëdhjetë dhe as dymbëdhjetë. Duket si shenjë tersi.
-Skedimi mund të përfshihej edhe në njëzetë karakteristika, në mos edhe më shumë. Trembëdhjetën e zgjodha posaçërisht jo për të ndjellë ters, por që lexuesi ta mbajë mend lehtë dhe të ngacmohet për të debatuar, qoftë edhe me autorin e librit. Gjithesi, në mirëkuptim me ndjekësit e gazetës tuaj po i rreshtoj ato: “Individualizmi protagonist”, “Anarkizmi”, “Nacional-shqiptarizmi”, “Krenari-krekosja”, “Shumëfetarizmi”, “Mikpritja”, “Besa dhe sa besnik është shqiptari në të vërtetë”, “Trim apo edhe ca konformist?, “Konservator, jo reformist”, “Temperament i vrazhdë”, “Vitalë apo edhe vetshkatërruesë?”, “I politizuar, por përcipërisht i doktrinueshëm”, “I zgjuar?”
(Vijon numrin e ardhshëm)
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|