Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PASARDHËS TË MËNJANUAR TË ISMAIL QEMALIT


Pjesa e parë

(Botuar nè gazetèn “Shqip” nè 26,27 dhe 28 nentor 2014)

Kur në mëngjezin e 28 nëntorit 1944 gjashtë avionë bombardues anglo-amerikanë “Halifax” fluturuan në qiellin e Tiranës për të përshendetur festën e çlirimit dhe Enver Hoxha me bashkëpunëtorët e vet si edhe misionet e huaja ushtarake patën hipur në tribunë, mes shumë të ftuarve të veçantë të vendosur në të dy anët e saj mungonte një përfaqësues i familjes së Ismail Qemalit.
Kjo mosprani në raste jubilare nuk kishte ndodhur gjatë republikës së parë dhe monarkisë, madje edhe pushtuesit qenë kujdesur që ta përdornin atë simbol. I biri i themeluesit të shtetit shqiptar, Qamili, do të ishte jo vetëm deputet, por edhe anëtar i Këshillit të Shtetit.
Çfarë pati ngjarë që jo vetëm lart në tribunë apo në skajet poshtë saj, por edhe mes turmës së madhe të mbledhur për të parë e duartrokitur qeverisësit e rinj si edhe paradën e ushtrisë nacionalçlirimtare, nuk ndodhej asnjë prej trashëgimtarëve gjenealogjikë të atij burri të shquar që ngriti flamurin kombëtar në 28 nëntor 1912?
Arsyeja e kësaj mungese qe fare e thjeshtë: tre prej gjashtë djemve të themeluesit të Pavarësisë kishin vdekur para vitit 1944. Njëri prej tyre, Qazimi, jetën e pati ndërruar më vonë në Strugë, në Maqedoni.
Ndërkohë nga të gjithë djemtë e Ismail Qemalit vetëm dy prej tyre kishin lënë pasardhës.
Për një rastësi krijuesit e brezit të trashëgimtarëve të shtetthemeluesit shqiptar i dhanë djali i madh dhe më i vogli i tij: Mahmud bej Vlora dhe Qamil bej Vlora.
Kur në 1920, vetëm një vit pas ndërrimit të jetës së të atit, Mahmudi vdiq, bashkëshortja dhe tre fëmijët, Aleksandër, Suzan dhe Blanche, u vendosën në Bari të Italisë. I lindur në 1914 Aleksandër Vlora, profesor i njohur i universitetit të qytetit, do të pasonte me një pasardhës të gjeneratës së tretë, Nedimit, i cili aktualisht vazhdon në Bari traditën profesorale të familjes.
I biri i vogël i Ismail Qemalit, Qamil Vlora, pas vdekjes së të atit, më 1919, u vendos në Shqipëri, duke u bërë kështu i vetmi i trashëgimtarëve të tij që jetoi në atdhe deri në fund të jetës.
Pasi kishte vënë kurorë në 1919 me Ylvije Dyrmishin çifti lindi dy djem: Ismailin dhe Xhevdetin.
Edhe këta nuk u larguan. Jetuan në Tiranë.
Sipas rregullit trashëgimor të pemës gjenealogjike pasuesi i Ismail Qemalit duhej të qe Aleksandri, veç ky në 1944 jo vetëm nuk ndodhej në kryeqytetin shqiptar dhe as në Shqipëri, por ende pa nënshtetësi italiane do të niste procedurat e pranimit si qytetar i shtetit fqinj.
Kështu që e drejta e përfaqësimit të parë i takonte Qamilit. Në vijim të tij djalit të parë, Ismailit, i cili pati lindur në 1920.
Të dy këta, at e bir, në 28 nëntor 1944 ndodheshin në Tiranë, duke mos qenë asnjëri i ftuar në ngjarjen që po ndodhte e ku prej pushtetushtruesve të rinj premtohej krijimi i një shoqërie dhe shteti demokratik. Garantë për këtë dukeshin se nuk qenë vetëm misionet anglo-amerikane në vende të dukshme të tribunës festive, por edhe flamujt e mëdhenj të vendeve të tyre gjithkund të valvitur nëpër sheshin manifestues.
Nga e drejta e tyre e ligjshme për të qenë në atë përvjetor Enver Hoxha dhe kolegët e tij i patën censuruar, sepse as Qamili dhe as i biri i vet, Ismaili, nuk patën qënë në vitet e luftës simpatizantë të lëvizjes së rezistencës antifashiste të drejtuar nga PKSH. Madje këtë qëndrim e patën mbajtur vërtet aspak aktivisht dhe me ndonjë agresivitet të veçantë, por megjithatë dukshëm refuzues.
U kishin qendruar komunistëve përkarshi.
Ndonjë si Eqrem Vlora, nipi i Ismail Qemalit, edhe u ishte kundërvënë me fuqinë e qeverisë që rrinte në krah të pushtuesve, sidomos gjermanëve.

PKSH dhe çèshtja e trashègimtarève tè shtetthemeluesit shqiptar

Mungesa e një përfaqësuesi të familjes së Ismail Qemalit në 28 nëntor 1944, kur çlirimi i vendit po përshëndetej nga aleatët e mëdhenj SHBA, Britani e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, si edhe sytë e vëzhguesve të huaj nëpër Tiranë ishin gjithkund, përbënte një problem të mprehtë për imazhin e ardhësve në pushtet. Gjatë tërë luftës ata kishin bërë çmos të futnin nën ndikimin e tyre sa më shumë nacionalistë. Patën dëshiruar që edhe prej familjes së Ismail Qemalit të bashkoheshin me ta e në mos të mbërrinin deri këtu, t’u shprehnin ndonjë fjalë simpatie. Do të ishte një ngjarje e madhe për njerëzit e PKSH-së të ndodhte pikërisht kështu.
E patën ëndërruar kaq fort!
E anasjella që ndodhi, jo vetëm i dëshpëroi, por i mbushi e zemërim. Një nga eksponentët më aktivë kundër tyre, Eqrem Vlora, kishte ikur përtej kufirit ende pa filluar e rreptë lufta e Tiranës, duke ua lehtësuar mundësinë për t’u shpjeguar të huajve si edhe opinionit publik përse nuk do të kishte në atë manifestim të 28 nëntorit 1944 asnjë pasardhës të historibërësit të asaj dite.
Edhe Qamili, i biri i vogël i Plakut të Pavarësisë, duke mos qenë me PKSH, pra në thelb duke qenë kundër, e kishte mbushur kupën e sjelljes antikomuniste të familjes Vlora dhe sikur të kishte pasur lidhje të drejtpërdrejtë me Ismail Qemalin, do ta kryqëzonin me një fushatë denoncuese të papushuar.
Në mos, siç e kishin bërë rrugë të këshillonin Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, edhe do t’u fishkëllenin pranë ndonjë plumb atentati.
Por Enver Hoxha ecte me kujdes. Më mirë të heshtnin e të shtrëngonin dhembët për sfidën që u kishin bërë ata që duhej të ishin në krah të tyre dhe jo të gjermanëve. PKSH nuk dëshironte ta bënte të dukshme distancimin që u patën bërë trashëgimtarët e shtetthemeluesit të famshëm kombëtar.
Ja pse, tani që Shqipëria pothuaj qe çliruar mungesa e tyre në 28 nëntor për komunistët ishte një veprim i detyruar.
Ndërkohë bir dhe nip i Ismail Qemalit nuk qenë njerës dosido, plëngprishës të zakonshëm të kapitalit politik të tij. Qamil Vlora ishte shkolluar në Stamboll dhe pjesën tjetër të arsimimit universitar e pati përfunduar në Nice të Francës. Në vitin 1923 ishte Sekretar i rangut të III-të në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, në 1925 Sekretar i Parë. Në 13 nëntor 1926 nga Presidenti i Republikës Franceze qe nderuar me urdhrin e lartë “Chavalier de la Légion d’Honneur” (“Kavaljer i Legjionit të Nderit”) dhe në shkurtin e dy viteve më pas prej Ahmet Zogut me titullin “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”,
Inteligjent dhe i pajisur me mprehtësi veprimi Qamili ishte një trashëgimtar i denjë. Më pas, në “Kujtimet” e tij Eqrem Vlora do të shkruante “Qamil beu ka qënë me gjithë kuptimin e fjalës një pasardhës “i hairit”. Fati, koha edhe rrethanat nuk e kanë ndihmuar mjerisht”.
I biri, Ismaili, nëntëmbëdhjetë vjeç kur ndodhi pushtimi fashist italian dhe njëzetë e tre kur vendin e tij e zuri ai gjerman, pas një shkollimi në Francë, ndodhej në universitetin e Vjenës për mjekësi. Në vjeshtë të vitit 1944 do t’i ndërpriste përkohësisht studimet, në pritje të përfundimit të shpejtë të Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj të rikthimit në kryeqytetin austriak.

Njè pushkatim …

Kur Qamil Vlora gjendej në postin honorifik të anëtarit të Këshillit të Shtetit në familjen e tij ndodhi një gëzim.
Qe 5 tetor 1944.
I biri, Ismaili, u fejua me Esma Hurshitin.
Vajza që pati zgjedhur, ishte fëmija e parë e Mehmet Hurshitit, i cili kryente funksionin e kryesekretarit të prefekturës së Tiranës. Njëzetë e katërvjeçari nip i Ismail Qemalit kishte tashmë në krahë, si shoqe jete, një tetëmbëdhjetë vjeçare që të ngazëllonte me buzëqeshjen e saj.
Në 5 tetor 1944 qenë të rrallë ata që në Shqipëri nuk e dinin se nazistët gjermanë patën falimentuar përfundimisht dhe po tërhiqeshin drejt strofkës së fundit, Wermachtit të tyre në Berlin. Lufta e Dytë Botërore qe e fituar prej aleancës SHBA, BRSS dhe Britani e Madhe.
Me një Shqipëri tashmë pothuaj të rënë në duart e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe të Partisë Komuniste kjo lidhje jete, për këdo që bënte mirë llogarinë e fatit të vet, qe një nonsens. Sigurisht ato çaste prej edhe më të diturve nuk përfytyrohej dot ajo gjendje e skajshme që ndodhi më pas, por gjithsesi vendin do ta drejtonin komunistët. Përveç ideologjisë së tyre të ashpër ndaj të drejtave të njeriut dhe tërësisht kolektiviste, me ta familja Vlora qe shpallur mospajtuese dhe nuk mund t’i parandalonte dot pasojat.
Ishte megjithatë akoma më tepër kundërshtare ajo Hurshiti. Qe antikomuniste e përbetuar.
Kështu në 5 tetor, ku është bërë edhe ajo fotografi e Ismailit me Esmanë, të cilin po e paraqisim bashkëngjitur me shkrimin (Shihni sa shumë të qeshur dhe të lumtur janë!) për çdo njeri që e merrte vesh ngjarjen nuk kishte si të mos i shkonte ndërmend se në mënyrë të vetëdijshme po krijohej një familje tjetër kundërshtare e komunizmit.
Nipi i shtetthemeluesit të famshëm shqiptar, Ismail Vlora, një të fejuar të hijshme dhe me atë buzëqeshje diellore mbi buzë mund të gjente gjithkund. Ishte pasardhës i një dere të shquar. Mund ta kërkonte dhe gjente nëpër dyer familjesh patriotike që nuk i qenë kundërvënë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, pse jo, për arsye patriotike, sa për të dëbuar pushtuesin e huaj, edhe ndihmuar atë materialisht.
Mirëpo në mes, si frymëzues i kësaj lidhjeje jete, qe edhe vetë Qamili. I biri i Ismail Qemalit e çmonte shumë për atdhetari krushkun e tij të ri, Javer Hurshiti, i cili që nga janari 1944 përveç se inspektor i përgjithshëm kryeministror qe edhe prefekt në Shkodër. Mehmeti ishte djali i tij.
Të dy, Qamili dhe Javeri, patën qenë gjatë pushtimit me të njëjtin status politik: anëtarë të Këshillit të Shtetit.
Sipas bashkëkombësit tonë me banim në Nju Jork, mjek në profesion, aktualisht në moshën e 93 viteve, Fejzi Domni: “Javer Hurshitin e kam pa për së afërmi. Ai ka qenë Prefekt në Shkodër. Ka qenë pak si esmer dhe nji burrë i pashim dhe serioz. Nuk qeshte kurrë dhe detyrën e vet e ka ushtru me nji rigorozitet të përshtatëshim për detyrën që i ishte ngarkue. Populli i Shkodrës kishte nji respekt për kundrejt këtij burri seriooz. I le në Gjinokastër kishte ba studimet e Nalta në Turqi dhe thuhesh se kishte mbarue studimet në HUKUK-un e Stambollit qi asht i njoftun për avokaturë. Hurshiti nuk ka qenë antizogist dhe dalngadale asht çdukë nga punët shtetnore për arësy të moshës”.
Shënojmë se doktor Fejzi Domni është larguar nga Shqipëria në fillim të vjeshtës 1944 dhe, duke mos ditur çfarë saktësisht i ka ndodhur Javer Hurshitit pak muaj pas çlirimit, dëshmon vetëm dinamikën e karierës së tij si edhe të rolit publik që luante, i cili ka qenë në zbehje.
Javeri pati lindur në Kaukaz më 1880 dhe qe rritur, i adoptuar, prej Maliq Pashë Libohovës, një personalitet gjirokastrit i njohur. Studimet e larta në shkencat politike dhe administrative i pati kryer në Stamboll. Në atdheun e vet u kthye pak çaste para se të shpallej pavarësia dhe hyri menjëherë në rrjedhën e ngjarjeve. Spikatja e tij u bë shpejt: iu kundërvu përpjekjeve të qeverisë së Athinës për marrjen e Shqipërisë së Jugut dhe për këtë arsye autoritetet greke e arrestuan dhe e burgosën në ishullin e Korfuzit.
Javer Hurshiti u regjistrua në kronikën e Shqipërisë edhe në një çast tjetër të veçantë. Ndërsa në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 presidenti i SHBA Udrou Uillson u shpall kundër copëtimit dhe ndarjes së Shqipërisë prej shteteve fqinj, për ta parë gjendjen nga afër u dërgua prej delegacionit përfaqësues amerikan konsulli i tyre në Torino të Italisë, Josef Haven. Pas pritjes entuziaste në Vlorë e më pas në Tepelenë, në Gjirokastër kryetari i bashkisë, Javer Hurshiti, i shoqëruar edhe nga atdhetarë shumë të njohur si Thoma Papapano e Jorgji Meksi, i dhuruan të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë kostume kombëtare, madje nga më të shtrenjtat.
Në Luftën e Vlorës, në 1920, Javer Hurshiti, duke qenë edhe kryetar i bashkisë së Gjirokastrës, ishte njëkohësisht edhe komandant i forcave ushtarake e vullnetare të këtij qyteti të ardhura për ndihmë. Prefekt në 1924 një vit më pas ai u zgjodh deputet. E ngulitur në historinë kombëtare qe përkujdesja e tij për të kërkuar dhe më në fund gjetur, në 1936, eshtrat e patriotëve Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli si edhe mbartjen e tyre për t’i vendosur në Gjirokastër.
Por për një gjysmë shekulli gjatë periudhës së qeverisjes komuniste (më saktë: enveriste) ky gjest i Javer Hurshitit u mbajt i fshehur jo vetëm sepse qe kundërshtar i komunizmit dhe se pati bërë pjesë në strukturat bashkëpunuese me pushtimin fashist, por edhe sepse me këtë histori u pleks me një pjesëmarrje reale edhe vetë Enver Hoxha. Ky, duke zbuar Javerin, e përvetësoi pothuaj të gjithë imazhin atdhetar të asaj që ndodhi me eshtrat e dy atdhetarëve gjirokastritë.
Në librin e vet me kujtime “Vite të rinisë”, 1988, në faqen 242, Hoxha shkruan: “S’shkuan as disa ditë e, nën përshtypjen e madhe që la ceremonia për Bajon, u vendos të krijonim një grup me patriotë e elementë të tjerë përparimtarë për të shkuar në Shkodër, të gjenim vendin ku ishin varrosur, diku në Shtoj, patriotët Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli dhe eshtrat e tyre t’i sillnim të preheshin në Gjirokastër, në po atë kodër, në hyrje të qytetit, ku tashmë preheshin eshtrat e Bajos. Në grupin iniciator isha dhe unë. U përgatitëm, shkuam në Shkodër dhe nuk mund të harroj atë pritje aq të ngrohtë e atë frymë të ndezur patriotike që gjetëm te populli trim e patriot shkodran. Pata nderin e madh që edhe atje të flas unë në emër të delegacionit gjirokastrit e të të gjithë popullit të Gjirokastrës, në ceremoninë që organizoi populli i Shkodrës për të përcjellë eshtrat e Çerçizit e të Muço Qullit.
Të gjitha këto veprimtari që koincidonin në momentet kur sa isha kthyer nga jashtë, i pushuar nga puna me një motivacion tepër të rrezikshëm për ato kohë, vërtet më jepnin kënaqësi e më shtonin vendosmërinë për të vazhduar më tej, por rrezikun e shtonin më tepër; afishohesha hapur në sytë e regjimit për prirjet e pikëpamjet e mia”.
Gjatë pushtimit italian, edhe pse si një figurë e paanshme qe zgjedhur në një pozicion të lartë të piramidës së shtetit, Javerit i tërhiqej vëmendja për pjesëmarrjen e vazhduar të mbesave të tij, motrave të Esmasë, nëpër demonstratat e rinisë antifashiste.
“Ato kanë të drejtë të bëjnë si të duan” e jepte përgjigjen.
Në 14 prill 1944 në Arkivin e Shtetit Shqiptar gjen dokumente se si Javer Hurshiti ndërhyri për pengimin e një force të armatosur çetnikësh malazezë (400 apo 500 vetë), të cilët ishin grumbulluar në Vermosh dhe në rrethin e Tuzit dhe popullsia vendase shqiptare qe e shqetësuar prej ndonjë represioni etnik. Në 25 prill më në fund ata qenë tërhequr dhe larguar, duke rihyrë në kufirin malazez.
Edhe pse nuk përfaqësonte aspak grupin kryesor që bashkëqeverisi me pushtuesin dhe pa iu gjetur asnjë krim, Javer Hurshiti u dënua me vdekje bashkë me 16 të tjerë. Ky nga pushtetardhësit e rinj u quajt Gjyqi Special.
Ekzekutimi me pushkatim, në Kodrën e Priftit në Tiranë, ndërsa njëqind apo dyqind metra më larg vrasjen shtetërore e ndiqte një turmë e madhe kuriozësh, u krye në 14 prill 1945.

... dhe katèr burgime politike kundèr njè dashurie

Deri sa ndërroi jetë në 2012 e mbesa e Javer Hurshitit, Esmaja, e cila e thërriste për respekt dhe adhurim “baba”, do të përsëriste herë pas here, me brengë të thellë, që, edhe pse po pohonte një ndjenjë e mendim të pikëllueshëm, më mirë që për gjyshin e saj ndodhi ashtu. Në një farë mënyre u kishte shpëtuar vuajtjeve të burgjeve dhe internimeve, një kalvar i gjatë dhe i pafund, për një gjysmë shekulli të tërë.
Dyzetë ditë më pas nga pushkatimi i Javerit, i biri, Mehmeti, i cili qe arrestuar bashkë me të atin, u dënua nga Gjykata Ushtarake e Korpusit I-rë me 15 vite.
U akuzua se “kishte raportuar lëvizjet e partizanëve”!?
Kryeinspektorin e prefekturës së Tiranës nuk e shpëtuan dot shumë dëshmi të qytetarëve, ku vërtetohej se ai i kishte ndihmuar gjatë pushtimit.
Në 15 maj 1945 Maliq Gega në një faqe të tërë të daktilografuar ngjeshur ngulte këmbë se “ky në kohën e reaksionit dhe kur unë ishje i arrestue dhe referue për gjykim gjykatës ahere ushtarake për faje politike, ka ndërmjetësue në gjykatën në fjalë dhe më ka shpëtuar jetën, sepse me ndërmjetësimin e tij ndëshkimi i jem do t’ishte i madh u përkufizue me tetë muej burgim. Gjatë kohës që ishje në burg duke vuejt ndëshkimin më ka ndihmuar duke më dhënë lehtësina që të shihesha me familjen”.
Më poshtë lutësi ngulmonte edhe më se me Mehmet Hurshitin ai dhe disa shokë të luftës antifashiste patën koordinuar gjatë pushtimit italian daljen klandestine nga burgu të disa shokëve të rezistencës, për të cilët pritej nga gjykata dënimi me vdekje.
Në 28 maj 1945 qytetari tjetër, Bibi Mosko, i lëshonte deklaratë Gjykatës Ushtarake të Korpusit I-rë se Mehmet Hurshiti kishte ndërhyrë dhe liruar të vëllanë e tij. Sërish ky qe pranguar e përsëri kryeinspektori i prefekturës së Tiranës pati ndërhyrë dhe shpëtuar. Më pas i vëllai qe rreshtuar në Brigadën VIII Sulmuese.
Nuk ndikuan mbi trupën gjykuese të Korpusit të Parë as një deklaratë e tretë, këtë herë me nëntë nënshkrues, lëshuar më 4 qershor. Sipas saj ata pohonin me ndërgjegje të plotë “se i pandehuri Mehmet Hurshiti, ka patur dijeni të plotë për qëndrimin t’onë politik, për veprimtarin që ne zhvillonim në favor të Lëvizjes N.Ç. Për të pandehurin s’kemi asnjë qarje; ay, në bisedimet që kemi patur, është shprehur gjithmonë në favor të luftës popullit. Kur i kemi lypur ndihma na i ka dhënë menjëherë”.
Që nga 23 qershori 1945, kur u dënua, jetën e qelisë Mehmeti do ta kalonte në famëkeqin burg të Burrelit, duke kryer, deri sa u lirua, dymbëdhjetë mote të plota dhe atë pak kohë që ia kurseu jetës së tij, e kishte fituar duke punuar me krahë e tejkaluar normën e rëndë ditore.

Post ambasadori nè kèmbim tè njè divorci

Duke qenë se familja e Ismail Qemalit kishte bërë krushqi me atë të Javer dhe Mehmet Hurshitit, mos vallë egërsia ndaj tyre qe në një farë mënyre edhe shantazh ndaj pasardhësve të shtetthemeluesit shqiptar?
Një mënyrë e justifikuar për t’i mbajtur larg?
Për të krijuar një përshtypje të parë se në pushtetin e lartë komunist ishte hartuar taktika e një qëndrimi të caktuar ndaj familjes së Ismail Qemalit, rirrëfejmë një episod mjaft kuptimplotë.
Kur Javeri qe pushkatuar dhe i biri, Mehmeti, dënuar, pra kur represioni në njërin krah ishte kryer, me porosi të Enver Hoxhës Qamil Vlora u thirr në një takim nga Mehmet Shehu. Djalit të vogël dhe shumë të zgjuar të Ismail Qemalit Shehu i afroi një marrëveshje. I tha se do ta bënin diplomat, pse jo edhe ambasador në ndonjë prej vendeve të kampit socialist, por kishin një kusht. Pushteti i ri mund ta hidhte këtë hap në nderim të flamurngritësit të shquar kombëtar vetëm në rast se, përputhur me politikën që ai kishte, të distancohej prej familjes Hurshiti. Për të bërë këtë gjë ende kishte kohë, përderisa edhe nipi i tij, Ismaili, si edhe mbesa e Javerit e vajza e Mehmetit, Esmaja, akoma qenë të fejuar.
Mehmet Shehu propozoi ndarjen e çiftit.
(Një i tillë labirinth dhe njëkohësisht grackë, ku do të ngatërrohej e binte, duke lënë kokën, do t’i ndodhte edhe vetë atij në vjeshtën e thellë të vitit 1981).
Qamil Vlora e dëgjoi qetësisht dhe premtoi se do të mendohej.
Por as u mendua dhe as i ktheu formalisht një përgjigje.
Pas kësaj mund të thuhej se qe armiqësuar përfundimisht me një pushtet të shumëfuqishëm.

(Vijon)

Ylli Polovina






PASARDHËS TË MËNJANUAR TË ISMAIL QEMALIT

(Vijon)

Pjesa e dytë

Pèrgjimi i lidhjeve me Misionin Anglez

Për Enver Hoxhën dhe njerëzit rreth tij, por ca më shumë për një tip si Koçi Xoxe, pati mbërritur rasti i shkëlqyer që me një gur të vrisnin dy zogj.
Filloi ndjekja nga Ministria e Punève tè Brendshme.
Në 29 janar 1946, pasdite, “në zyrën e Robinsonit ka shkuar Qamil Vlora (i nipi i Ismail Qemalit). Kur ky ka hyrë brënda ësht pritur shumë mirë. Pa humbur kohë Qamili nxjerr nga xhepi disa letra dhe ja dorëzojë Robinsonit, ky i fundit i merr dhe me një herë duke u ngrit, mbylli grilat e dritareve. Qamili qëndroi këtu 1 orë. Kur doli futi me të shpejtë disa letra në xhep dhe shikonte sa majtas djathtas, gjithashtu edhe kur shkonte kthente kokën mbrapa.
Qamili në kohën e Zogut ka qenë Sekretar në Ministrin P. Jashtme, mbas një abuzimi që bëri arratiset në Jugosllavi dhe prej andej në Francë. U kthye në Shqipëri me ardhjen e Fashizmit. Esht kushëriri i Sara Blloshmit”.
Sipas dosjes së hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme për Vandelaur Robinson, ky ishte major. Në vendin e vet qe bir i një koloneli pensionist dhe familja e tyre jetonte vetëm me rrogat e shtetit, duke mos qenë aspak i pasur. Pas pushtimit gjerman të Italisë ishte marrë nën armë dhe qe ngarkuar për të drejtuar gazetën “Mundimi”, të destinuar për Shqipërinë. Më pas nga Radio-Bari drejtonte transmentimet në gjuhën shqipe. Në Shqipëri, pranë Misionit Britanik pati ardhur menjëherë “pas formimit të Qeverisë së parë të Republikës Popullore në Berat, edhe më von së bashku me misjonin, erdhi këtu në Tiranë.
Detyra e tij në Misjon ishte ajo që të drejtonte zyrën e shtypit dhe të propagandës për kulturën angleze në Shqipëri. Punonte shumë dhe kishte një inteligjencë shum të mirë me gjith se edhe pak avdall, po për misjonin q’i kishin ngarkuar ishte shumë i zoti....Me gjithë se ishte laburist dhe tregohesh shum a pak në favor të Pushtetit t’onë, nga raportet e tija viheshe re e kundërta, shante dhe qortonte Pushtetin t’onë në një mënyrë të hapur dhe krejt të reme”.
Pasi në materialin e skeduar reshtoheshin emrat e shumë shqiptarëve, të cilëve Robinson u shpërndante raportet e tij të dërguara për në Londër, por edhe një pjesë e atyre që i vinin prej andej, vihej në dukje se mes tyre ishte edhe Qamil Vlora.
Ismaili nuk përmendej.
Për drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas shënimeve të ruajtura në dosjen për atasheun e shtypit të Misionit Britanik në Tiranë, ai realisht me këtë funksion qe i maskuar. Duhej të ishte, bashkë me gruan e tij Sara Blloshmi, njeri i punëve të fshehta.
Ndërsa qenë shumë të sigurt për këtë gjë, edhe pse në kartelat shënimmbajtëse nuk ndodhet asnjë provë e kësaj veprimtarie agjenturore të Robinson, në 6 shkurt 1946, në orën 2.10 pasdite, përgjuesit e shtetit komunist shqiptar shënuan se “Sara Blloshmi së bashku me V. Robinson...hynë në Misjonin Anglez dhe qëndruan deri në orën 3.10. Kur dolën ishin me një maqinë të cilën e dirizhonte Majori Maxvell Arnot”.
Ndërkohë në 2 mars u bë martesa e Ismail Vlorës me Esma Hurshitin.
Me gjysh të pushkatuar dhe baba të futur në sgafellat e thella të një burgimi të gjatë politik, Esmaja nuk e fiku buzagazin e saj ngazëllues dhe veshi fustan të bardhë.
Ishte sfidë.
E saj, por mbi të gjitha e bashkëshortit, Ismail Vlorës.
Dhe e vjehrrit, Qamilit, nipit të shtetthemeluesit.
Në atë 2 mars për të marrë nusen kishin shkuar edhe disa përfaqësues të misionit anglez, mes tyre edhe majori Vandelaur Robinson bashkë me të shoqen Sara Blloshmi.
Në 16 mars, dy javë më pas nga dasma, përgjuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbajtën shënim këtë herë jo për Qamilin, por për Ismailin.
At e bir tashmë qenë vënë në shënjestër.
Raporti i shkruar me dorë thoshte se “dolli nga shtëpia e Sara Blloshmit Ismail Qemali nga Vlora, ka marrë për grua të mbesën e Javer Rushitit, bashkë me gruan e tij, me Sarën e Majorin Robinson dhe një grua tjetër e pa njohur. Shkuan drejt Misionit Anglez. Avni Abazi dhendri i Javer Rushitit bën shumë takime me Ismail Qemalin që rri në apartamentet e Moskatit në Tiranën e re”.
Përgjimi i dy pasardhësve të shpallësit të pavarësisë kombëtare, Ismail Qemal Vlorës, u zgjat deri në fillim të dhjetorit.
Ia hodhën prangat në kyçet e duarve, duke ja vënë ato pas shpine, në datën dhjetë. Urdhri ishte i Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Në të thuhej “Qamil Vlora, i biri i Ismailit dhe i Kleoniqit, vjeç 51, nga Vlora, me profesion nëpunës...akuzohet se ka mbajtë armë pa leje në kundërshtim me urdhëresën e Ministris P. Brendëshme. Me qenë se faji i tij parashikohet nga Neni 1 të ligjës Nr.21 datë 13 dhjetor 1945 si sabotator i pushtetit...”
Në të vërtetë në dosjen e përgjimit të tij mendimi qe: \\\"Simpatizant i imperializmit anglez\\\".
U dënua me dy vite burgim.
I biri, Ismaili, i cili këto kohë kishte nisur shërbimin ushtarak, dy herë në muaj, aq shpejt sa atë kohë funksiononte posta, i dërgonte letra. Edhe i ati i përgjigjej me po këtë ritëm.
“Nga letra që më dërgove, i thoshte të birit në një prej tyre, të shoh të mërzitur, por duhet të bësh durim se jeta është e vështirë dhe se njerëzit janë shtyrë edhe nga dëshpërimi”.
Në vitin 1947 nëpërmjet një vendimi të marrë nga “Komisioni për Kontrollin e Rregjistrave”, familjes së Qamil Vlorës iu hoq mbiemri. Në një farë mënyre iu ndalua ta përdorte. Arbitrarisht iu vu “Ismaili”.
Në gjendje të rëndë fizike, dalë më në fund nga burgu, Qamil Vlora i regjistruar nga shteti komunist si Qamil Ismaili, ndërroi jetë në vitin 1950.
I biri, Ismaili, u arrestua në 1951.
Akuzohej për “humbje armësh” gjatë kohës që pati kryer shërbimin ushtarak në Korçë. U dënua me disa muaj burgim.
Më në fund pasardhësi i drejtpërdrejtë në Shqipëri i shtetthemeluesit tonë, u rikthye në shtëpi, pranë buzagazit të tij, Esma Hurshitit.
Lindën njëri pas tjetrit pesë fëmijë.
Për fat dhe forcë mbijetimi edhe djali tjetër i Qamilit, Xhevdet Vlora, u martua me Fatushe Kripën, me të cilën krijoi dy fëmijë: Ada (1965) dhe Qemali (1966).
Kur për arsye rutinë në vitin 1967 mori në dorë librezën e tij ushtarake, lëshuar nga Dega përkatëse e Tiranës, Ismaili (i riu) lexoi çfarë shkruhej në të: Quhej Ismail Ismaili; kishte lindur në 1920; me shtatlartësi 1.68; zotëronte gjuhët frënge, serbo-kroate dhe italiane; qe i paparti; me profesion ishte tornitor.
Një vit më vonë, në 1 mars 1968, kur për nevoja personale u hartua një dëshmi-trashëgimie, çdo gjë u bë edhe më e qartë. Prej të gjithë pasardhësve të Ismail Qemalit, brenda dhe jashtë, për aq sa në Shqipëri ruheshin dokumente, mbiemri Vlora i ishte hequr nga shteti “socialist” vetëm Qamilit dhe të birit të tij, Ismailit.
Dora e rëndë e Enver Hoxhës do të rishfaqej ciklikisht në fatin e familjes. Kur bija e tyre, Ariana ra në dashuri, djali që donte ishte plot shpirt të mirë dhe mendje të hapët, çfarë nuk e kishte e ëma e tij, sekretare partie. Ajo nuk e donte këtë lidhje martesore.
Por dashuria triumfoi, siç di ajo t’i thyejë të gjitha pengesat që i dalin përpara. U lind edhe një vajzë e dlirë, tani është nënë. Një ditë vjehrra, pra sekretarja e partisë, e cila kurrë nuk e pati pranuar nusen me “biografi të keqe”, vjen në shtëpi me librin e porsabotuar të Enver Hoxhës “Vite të vegjëlisë”. E tundi në ajër dhe kërcënoi të birin: “Je me ke je martuar ti!”
Në libër thuhej “Bej ishte edhe prefekti i Gjirokastrës, Javer Hurshiti, shtëpinë e të cilit e kishin blerë agallarët. Ky rridhte nga bejlerët e rënë të Gjirokastrës...”.
Kjo ishte goditja fatale. Familja e re nuk mundi ta përballojë dhe, për t’u vetëmbrojtur, u nda.

Kushèrira Nermin Falaski

Deri sa ndërroi jetë, për pesë vitet e para të pasçlirimit pa u ftuar asnjëherë në përvjetorët e shpalljes së pavarësisë kombëtare, jo vetëm Qamil Vlora, por mohimin publik për plot dyzetë e gjashtë mote, deri sa ndërroi jetë në ditët e para të Lëvizjes së Dhjetorit 1990, e përjetoi edhe i biri, Ismaili.
Nuk u përfill për t’u nderuar me këtë pjesëmarrje simbolike as edhe djali tjetër i tij, Xhevdeti.
Për ta mbuluar këtë diskriminim kombëtar për arsye ideologjike hierarkia staliniste e kohës pati gjetur një “gjethe fiku”.
Ftonte kushërirën Nermin Falaski.
Për të bërë edukatë dhe dëshmuar të sjellshëm hartuesit e “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, vëllimi i tretë, botim i vitit 2009, në zërin për të mes të tjerash kanë shkruar: “Lindi në Tiranë në një familje me lidhje të afërta me Ismail Qemal Vlorën...Në fund të luftës u vendos në Itali...”.
Nuk ishte vetëm mospërputhja e Falaskit me të drejtën e ligjshme të trashëgimisë sipas pemës gjenealogjike për të qenë me statusin e pasardhëses së parë (madje as të dytë, as të tretë, as të katërt dhe as të pestë), por mbi të gjitha ajo ishte edhe qytetare italiane. Për vetëm këtë arsye të dytë autoritetet komuniste të Tiranës i vunë censurë trashëgimtarit të parë ligjor, profesorit në universitetin e Barit, Aleksandër Vlorës.
Historia si e ka përjetuar Ismail Qamil Vlora dhe familja e tij këtë gjendje të vazhdueshme mënjanimi dhe harrimi të qëllimshëm do të jetë subjekti i vazhdimit të këtij shkrimi.

Dy Ismailè qè nuk u takuan kurrè

Ismail Qamil Vlora dhe Ismail (Qemali) Vlora, gjysh e nip, nuk janë takuar kurrë në këtë jetë. Nuk u panë dot vetëm për një fill kohe. I ndau hapësira e ngushtë 1919-1920. Në të parin vit ndërroi jetë burrështeti ynë i shquar i 28 nëntorit 1912 dhe në të dytin lindi pasardhësi i brezit të dytë të tij.
Ja pse edhe mund, për një apo dy vite më tepër të Ismail Qemalit, ky ta shihte e t’i gëzohej nipit të vet. Patjetër do të ngazëllohej shumë. Kishte të njëjtin emër: Ismail. Sigurisht edhe po atë mbiemër: Vlora.
Ishte një ringjallje e tij në pemën gjenealogjike të familjes së tyre numërmadhe, sepse në pemën e veprës historike kombëtare Ngritësi i Flamurit ishte i papërsëritshëm dhe i patrashëgueshëm.
Dy Ismail Vlora-t nuk u panë kurrë e megjithatë ngjashmëria intime mes tyre, e brendshme, ishte tepër e madhe. Nuk shfaqet në siluetën e përgjithshme fizike të trupit, as aq fort në disa tipare të fytyrës (përveç syve që i shkëlqejnë si të gjyshit), por mbi të gjitha në karakteristikat kryesore të formimit si individualitet dhe identitet social, në ndjenjën dhe vetëdijën e kombëtarizmit, në dhuntitë e sjelljes publike, në marrëdhëniet e ngushta me kulturën, jo pak edhe në temperament.
Ismaili pasardhës, nipi, ishte natyrë e qetë dhe mendje e matur. Në çdo bisedë, edhe më të tensionuarën, nuk nxehej dhe për ta zgjidhur nuk kërkonte kurrë shtegun e sherrit. Nuk e ngrinte asnjëherë zërin për t’u imponuar dhe për të mosha e bashkëbiseduesit nuk kishte rëndësinë që ndaj një të moshuari të sillej ndryshe dhe ndaj një të riu apo edhe fëmije krejt në tjetër mënyrë.
Ismail Vlora i riu mund të ndryshonte formën e komunikimit për ta bërë sa më të frytshme shkëmbimin e mendimeve, por asnjëherë përmbajtjen dhe të drejtën e secilit për të qenë i barabartë që nga fillimi deri në fund të bisedës.
Kjo cilësi ka qenë vënë re tek Ismaili, i vjetri, një komunikues virtuoz.
Ismaili nip nuk krekosej. Edhe këtë karakteristikë e kishte të ardhur, nëpërmjet adn-së, nga Ismaili gjysh.
Të pesë fëmijët e Ismailit të ri dëshmojnë se babai i tyre nuk u ka bërtitur kurrë. Nuk i ka goditur as edhe me vetëm një gisht. Për shqiptim fjalësh banale apo skërmitje të sharash as që bëhet fjalë.
Edhe Ismaili i vjetër kështu regjistrohet nga kronikat e kohës: asnjëherë i vrazhdë, shpesh fjalëbutë. Gojëëmbël.
Ismail Qamil Vlora duke mos qenë lajkatar, qe përkëdhelës, po ashtu si gjyshi.
I lindur në Francë dhe kaluar atje vitet e fillimjetës, fjalët e huaja më të përdorura, kur ato nuk mund të shmangeshin, i zgjidhte nga kjo gjuhë. Ato turke, ende të shumta në fjalorin e disa të tjerëve, qenë për të mjaft të rralla. I mbante larg. Bënte përjashtim dhe qe mjaft e privilegjuar në të folurën e tij fjala “xhan”.
Fëmijëve të vet u thoshte përherë “Xhan, xhan i babait!”
Në marrjen e vendimeve të rëndësishme Ismaili nuk ngutej. Të gjitha ato që mori gjatë jetës së vet u provuan nga koha se qenë të drejta.
A nuk ishte një shembull i tillë Ismail Qemali i 1912-tës?
Ismaili nip nuk e rrezikoi asnjëherë integritetin e tij dhe të familjes në favor të ndonjë përfitimi politik. Për t’u ulur (apo gremisur) në rehatin e një të privilegjuari ai fare lehtë mund të tjetërsohej, të ndryshonte cipën morale, të kameleonte. Mbeti tërë jetën tornitori me katër gjuhë të huaja dhe kryefamiljari i gjashtë frymëve të tjerë me vetëm një rrogë të vogël.
Nuk i hapi kurrë rrugë të gënjyerit edhe në rastet kur fshehja e të vërtetës së madhe mund t’i shpëtonte kokën. I biri Darling tregon se, kur qe nxënës shkolle në klasën e shtatë, një ditë i dërguan kolektivisht për të vizituar shtëpinë në të cilën ishte themeluar Partia Komuniste Shqiptare. Atje ai lexoi se me rastin e asaj ngjarjeje Tirana qe mbushur me trakte dhe lajmi i krijimit të PKSH ishte përhapur kudo nëpër popull.
Kur këtë Darling ia tha të atit, pa dëshiruar patjetër prej tij një mendim, ky nuk u skrupullos brenda heshtjes dhe as u tut, por i shpjegoi se Partia Komuniste vërtet qe themeluar në atë shtëpi, saktësisht në tetë nëntor 1941, por lajmi nuk u mor vesh. Po ashtu shtoi se as trakte nuk kishte nëpër rrugë: “Isha njëzetë e një vjeç dhe as unë dhe as shokët e mi nuk pamë në vende të dukshme ndonjë të tillë”.
Duke pasur kulturë të brendshme pedagogjike, pra art të sjelluri, cilësitë e mira dhe çdo vlerë njerëzore Ismail Vlora i riu nuk i përcillte tek fëmijët e vet me anë të dhënies së këshillave, mënyrë kaq fort e përhapur tek shumë prej nesh që mendojnë se ashtu e edukojnë një bir, vajzë, nip apo mbesë. Ai e bënte këtë nëpërmjet shembullit të tij të mënyrës së të jetuarit. Për të nxjerrë në pah një veprim të gabuar të fëmijëve Ismailit pasardhës nuk i duhej të përdorte asnjë lloj ndëshkimi. Me këtë rast dilte nga goja e tij vetëm fjalia e shkurtër “Këtë gjë unë babait tim nuk do t’ja kisha bërë”.
Nuk fliste për jetën e vet, por kjo nuk qe mbyllje në vetvete, tërheqje për t’u shkëputur nga realiteti, heshtje. Ishte e kundërta. Ismail Vlora i riu merrte pjesë në jetë duke folur pak. Duke u hapur aq sa duhej për ta thënë në të njëjtën kohë të vërtetën dhe për të mbrojtur familjen.
Ishte dhunti diplomatike si e të gjyshit?
Patjetër. Por mbi të gjitha ishte edukatë. Kjo ka një fuqi të jashtzakonshme për të mbrojtur fatet e njerëzve, veçanërisht në kohë të vështira. Në gjysmëshekullin e jetës së tij në realkomunizëm dhe mes hungërimit të luftës së klasave qe edukata ajo që e pati bërë përherë e më pak të cënueshëm nga egërsia e sistemit politik. Brutaliteti i diktaturës kriste e thërmohej para mirësjelljes qytetare dhe kombëtare të Ismail Qamil Vlorës.
Stalinizmi afro pesëdhjetëvjeçar shqiptar më shumë se individin mospajtues godiste familjen e tij, këtë qelizë të brishtë dhe njëkohësisht gur të fortë themeli të shoqërisë. Bolshevizmi e dinte se po të denatyrohej familja, të shrregullohej jeta e saj, e humbiste fuqinë e rezistencës dhe të kundërshtimit të së keqes i gjithë trupi i popullit. Kështu, të sëmurë, mund ta sundoje mjaft më lehtë.
Gjyshi Ismail jo vetëm nuk e përjetoi, por as e pati shkuar ndonjëherë në mendje se pasardhës të tij do të kalonin një ditë nëpër këtë ferr e purgator. Përvoja e nipit me të njëjtin emër, në pemën gjenealogjike të Vlorajve, do të qe unike. Prandaj edhe Ismaili i ri u kap fort pas rrënjëve të veta, virtuteve të edukatës dhe të familjes.
Ismail Vlora nip nuk shprehu asnjë ndjenjë pikëllimi se nga jeta e vet, ajo e vetëm një punëtori, ndihej i penduar, i bërë pishman. Nuk vuajti kurrë nga ky kompleks, i cili mund t’ia ndërlikonte jetën edhe më në një kohë kaq shumë të ngatërruar siç ishte diktatura staliniste.
Ai asnjëherë nuk ra viktimë e dëshpërimit. Pesimizmi për Ismailin e ri ishte një grackë, ku mund të binin dhe humbnin fatet e tre vajzave dhe dy djemve, këta të fundit gjenerata që bashkë me dy fëmijtë e të vëllait, Xhevdetit, qenë mes Vlorajve pasuesit në familje të kryetarit të parë të shtetit shqiptar.
I duhej t’i ruante, jo t’i rrezikonte.
Bashkë me Esma Hurshitin ai u komunikoi vetëm optimizëm. Filozofia e tij e durimit për një ditë më të mirë, e cila do të vinte në një të nesërme, ishte përherë e shprehur prej tij në fjalët “ka edhe më keq”.
Sipas të bijve Ismail Vlora i riu, optimisti në kohë pesimizmi, dëgjonte përherë muzikë. Të vendit të vet, doemos, por edhe franceze. Edit Piaf, Sharl Aznavur apo Zhilber Beko qenë tingujt e ngrohtë për të.
Esmaja adhuronte muzikën klasike italiane, tenorët e saj, veçanërisht Luçiano Pavarotin.
Ndërkohë Ismaili i ri dëgjonte edhe radion “Zëri i Amerikës”, të cilin veprim para nëntëdhjetës e bënin fshehurazi shumë pak shqiptarë.
Lajmet e Radio Rait po ashtu i ndiqte. Më pas edhe të televizionit publik italian. Këto të fundit i shihnin nëpërmjet antenave legale dhe të fshehura shumë prej bashkëkombësve të tij.
Ismail Qamil Vlora, ndërsa u moshua, humbi dëgjimin nga njëri vesh. Vuri një kufje mono. Për të dëgjuar zhvillimet përtej kufijve, ku rrinte shpresa e shpëtimit, aparatin e thjeshtë e vendoste sa më afër altoparlantit të radios apo të tv-së. Ashtu, i menduar dhe i pafjalë, humbiste në dëgjimin e gjatë.
Çdokush në shtëpinë e tyre e dinte që për këtë çfarë po shihte, babanë me veshin tek “Zëri i Amerikës”, nuk duhej të fliste jashtë. Këtë porosi i ati asnjëherë nuk ua pati dhënë. Ajo kuptohej. Ishte bërë vetvetiu ligj i jetës së brendshme të familjes. Një nga maturitë e nipit të Ismail Qemalit shtetthemelues dhe të bashkëshortes së tij me gjysh të pushkatuar dhe baba të burgosur e të persekutuar politikisht, qe dhuntia për t’i bërë të aftë fëmijtë të dallonin e ndanin mirë çfarë duhej thënë brenda shtëpisë e çfarë mes njerëzve të tjerë, në rrugë.
I biri i Ismailit të ri, i cili ka marrë emrin e gjyshit, Qamili, dëshmon se në mbrëmjen e 18 dhjetorit 1981, kur pas lajmit të vetëvrasjes së Mehmet Shehut televizioni shtetëror nisi të transmentonte muzikë të zakonshme, pra si të mos kishte ndodhur asgjë, i ati pati thënë menjëherë: “E paskan vrarë”. Batuta e rrezikshme nuk e kapërceu kurrë pragun e shtëpisë.
Ismail Vlora i riu pëlqente të lëvizte në këmbë dhe rrugën për në punë, në fabrikën e bukës, e bënte duke ecur. Ndonjëherë merrte me vete edhe një prej djemve. Gjithë kohën, derisa mbërrihej në kangjellën e hekurt të vendpunës, ai tregonte histori nga lufta e Trojës apo shumë episode prej mitologjisë së lashtë greke. Qe mjeshtër i njohjes së saj.
Pastaj futej në torneri e ngrinte në krahë rule dhe masa të mëdha hekuri, gize apo çeliku. Kur në raste të tilla ndodhte ta shihnin fëmijët e tij, ata shtangeshin. Ku e gjente tërë atë fuqi babai i tyre?
Ndërkohë punëtori me katër gjuhë të huaja në bibliotekën e tij të mpakur prej sekuestrimit pësuar nga i ati, mes rreth pesëdhjetë librave të çmuar, ku shumica qenë në frëngjisht dhe që të gjithë të blerë në Paris, ndodheshin enciklopedi historike, fjalori “Petit Larousse”, letërsi artistike nga Hygo (“Të mjerët”), “Lulet e së Keqes” prej Baudelaire, vëllime nga Anatol Franse. Nuk mungonin edhe dy-tri libra shkollorë të fundviteve tridhjetë. Nostalgjia për Francën i ngazëllehej Ismailit të ri vetëm ashtu, prej kujtimit të bangave të shkollës. Atje kishte njohur shumë prej elitës së botës. Në vendet e tyre një ishte bërë nënsekretar shteti dhe një i dytë ministër i oborrit mbretëror të Tunizisë.
Një detaj që nuk duhet harruar: Ismaili dhe Esmaja prej fëmijve të tyre mbahen mend me libër në dorë. Tek lexonin përditë.
Madje mbesa e Javer Hurshitit pas vitit 1990 dhe hapjes së kufijve, birit Darling të emigruar në Itali nuk i kërkoi asnjë rrobë, madje qoftë edhe gjë të vogël e të dëshiruar për një grua: një shall. Porosiste vetëm libra. I kishte titujt gati, dëgjuar për botimet e reja nga televizioni italian. Por edhe nga librat e vjetër, çfarë mbante mend nga jeta e saj e rinisë, sidomos kur studjonte tek shkolla “Nëna Mbretëreshë”.
Ndërkaq tornitori shumëgjuhësh, përpunuesi i çelikut dhe i hekurit, zotëronte talent për punime druri.
Kolltuqet e shtëpisë i pati bërë vetë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Fotot shoqèruese:
























PASARDHËS TË MËNJANUAR TË ISMAIL QEMALIT


(Vijon)

Pjesa e tretë

“Mos më harro. Ismail”.

Forca e brendshme shpirtërore, qendrueshmëria psikologjike dhe edukata, tërë kjo lëndë që sëbashku e përzjerë harmonishëm u jepte optimizëm për të përballuar jetën e vështirë, nuk ia doli për katërmbëdhjetë vite t’u përtërinte familjen.
Nuk lindnin dot.
Çifti Vlora-Hurshiti, i fejuar në 5 tetor 1944 dhe të martuar në 2 mars 1946, në vitet e përmbysjes së gjithçkaje, pas traumës së një pushkatimi dhe katër burgimeve politike, me siguri ka përjetuar një gjendje stresi mjaft të rëndë.
Nuk përdorën kurime mjekësore. Nuk besonin as tek ilaçet dhe as tek “nuskat” e fallxhoreve.
I dhanë kurajë njëri-tjetrit në të gjitha vitet që pasuan. U deshën me shpirt dhe bënë dashuri, i puthën duart njëri-tjetrit dhe faqet me lotë, i bënë të gjitha dhelat e mundshme, dëgjuan muzikë bashkarisht dhe ëndërruan, gëzuan kur hiç nuk kishte arsye për haré, nuk e ndanë buzëqeshjen nga buzët dhe mirësinë prej vështrimit, ndriçimin e bukur të jetëdashjes nga mollëzat dhe ngrohtësinë e fjalëve e të gjesteve, por qe e pamundur.
Ishte një vjeshtë e rëndë që vit pas viti po shtyhej pa kthim drejt dimrit. Po të hynin në akullimën e tij familja e zemër dhe mendjebukurit Ismail dhe e shumë të hijshmes, si princeshë përrallash, Esma, do të ngrinte përfundimisht në vetëm dy shpirtra.
Katërmbëdhjetë vite kështu, betejë me stresin më të tmerrshëm që mund të ketë në faqe të dheut, atë të luftës së klasës, të shpikur nga dogma e komunizmit.
Më në fund në 1959 ndodhi lindja e parë, në 1961 e dyta, në 1964 e treta, në 1965 e katërta, në 1967 e pesta.
Erdhën në jetë si të mbledhur në një tufë lulesh Kleoniqi, Ariana, Qamili, Elvinda, Darlingu.
Blokimi biologjik pati përfunduar. Rrethimi i tij qe thyer.
Kur lindi fëmija i parë Ismaili (i riu) ishte plot dyzetë vjeç. Kur lindi i pesti, Darlingu, distanca midis atit dhe të birit qe dyzetë e shtatë vite. “Gati si ta kisha gjysh”, bën shaka ky i fundit.
Në tetë mote të shpejta shtëpia u mbush me zëra jete të një familjeje numerikisht të madhe. Kështu e pati të vetën, me shumë fëmijë, edhe Ismail Qemali i 28 Nëntorit.
Javer Hurshiti, kur u martua, po ashtu i tha të shoqes “Ti vetëm ma mbush shtëpinë me zogj, mbajtjen e tyre e marr përsipër unë”.
Bënë një djalë, Mehmetin dhe dy vajza.
Vlorajt ishin më pjellorë.
Dhe shumë të shëndetshëm. Mjaft të dallueshëm nga pamja.
Të pesë fëmijtë e çiftit Ismail-Esma janë tipikë Vlora. Kurse i fundit, më i vogli, Darlingu, është përsosmërisht stërgjyshi i tij, Ismail Qemali. Për fat jo vetëm në pamje, por edhe më thellë. Me dhunti intelektuale ai është edhe një studiues i jetës dhe veprës së paraardhësit të tij të shquar, ndërkohë edhe i vlerave kombëtare të familjes së rëndësishme Vlora.
Baba i malluar pas krijesave të tij dhe i dashur shumë prej fëmijëve, në kujtim të këtij virtuti, Darlingu në apartamentin e vet ka vendosur në kornizë këtë letër, dërguar nga i ati kur bënte shërbimin ushtarak: “I dashur djal, shoku yt më dha gëzim duke më thënë që je mirë me shendet. Uroj të jesh gjithmon. Mos më harro. Ismail”.
Kështu firmoste përherë: Ismail.
Kishte të fortë ndjenjën e përkatësisë së pasardhësit të një shqiptari të madh. Jo më kot fëmijës së vet të parë pas pritjes katërmbëdhjetëvjeçare, i vuri emrin e gjyshes, bashkëshortes së Ismail Qemalit: Kleoniqi.

Policè dhe lule tek varri i gjyshit

Ismail Vlora i riu nuk e harronte kurrë një skenë nga vitet e tij të shkollimit në Paris. Mësuesi i historisë së Francës ishte një invalid i Luftës së Parë Botërore. Sa herë që hynte në klasë thërriste me zë të lartë “Rroftë Franca!”
“Rroftë Shqipëria!” qe kushtrimi i brendshëm edhe i Ismailit të ri.
Atdheun e tij e adhuronte dhe nuk e ndërronte me asnjë vend tjetër në botë. Kjo ishte përgjigja për këdo që e pyeste, sidomos pasi pati lënë Parisin apo Vjenën dhe qe kthyer. Asnjëherë nuk u shfaq i penduar për këtë zgjedhje të tij as në kohën kur Shqipëria e viteve tetëdhjetë, përpos luftës dhe diferencimit klasor, ishte edhe në gjysmëuri, në regjimin ushqimor me triska.
Ismaili i ri i ngjasonte gjyshit kur shpjegonte se kombin ia kishin copëtuar fqinjët. I quante ujqër të veriut dhe të jugut. Me italianët kursehej, me grekët qe i prerë, me serbët gjëmonte zemërim.
Ndërkohë ishte më i përmbajtur ndaj qeverisësve bashkëkombës. Për ta bënte analizë e tregonte durim. Nuk ua falte mbylljen e vendit dhe diskriminimin me anë të biografive politike. Ishte qortues pse i patën hequr mbiemrin e vërtetë atij dhe pesë fëmijëve.
Me urdhër nga lart i regjistruar me mbiemrin Ismaili, ai nuk deshi të mësohej kurrë me këtë gjendje. Zyrat e shtetit ia dërgonin të gjitha njoftimet, letrat dhe faturat me emrin Ismail Ismaili. Në shkolla tre vajzat dhe dy djemtë e tij nuk ishin tjetër veç Kleoniqi Ismaili, Ariana Ismaili, Qamil Ismaili, Elvinda Ismaili dhe Darling Ismaili.
Por kur u shkruante letra që të pestë, kudo që të ndodheshin, ishin Vlora: Kleoniqi Vlora, Ariana Vlora, Qamil Vlora, Elvinda Vlora, Darling Vlora.
Nuk tërhiqej nga ky rregull i tij edhe kur dy të bijtë ishin në ushtri.
Me emrin Ismail Vlora ai i dërgonte letra në Bari përherë kushëririt të parë, profesor Alesandros. Njëlloj shkonte zarfi edhe në Romë, tek Nermin Falaski. Po ashtu edhe në Londër tek rrinte kushërira Sara Blloshmi.
Me në pasaportë emrin e dhunuar nga qeveria, Ismail Ismaili, në vitin 1962, kur regjimi bënte festimet jubilare të pesëdhjetë vjetorit të pavarësisë, hipi në tren dhe u nis për në Vlorë. Të mospranuar nga Protokolli i Shtetit dhe duke mos u pajtuar me këtë sjellje, kjo qe edhe përpjekja më e madhe e tij deri atëherë për ta bërë të dukshëm për opinionin se shtetthemeluesi i Shqipërisë i kishte gjallë pasardhësit e tij.
Udhëtoi që nga Tirana me një tufë me lule, sepse kishte merak mos në Vlorë do ta pengonin të blinte trëndafila. Shkoi tek monumenti i Ismail Qemalit një çerek ore para se të fillonte ceremonia zyrtare e orës dhjetë. Policët i dolën menjëhrë përpara për ta ndaluar. Ai u tha qetë e vendosmërisht: “Nuk mund të më pengoni të shkoj tek varri i gjyshit tim”.
Nën vështrimin e habitur të njerëzve me uniformën e shtetit që i kishte hequr të drejtën jo të shpallej publikisht, por as të shënohej në dokumentet i identitetit personal si nip i themeluesit të tij, shkoi dhe i vuri lulet.
Por sfidën e përhershme, duke mos pasur mundësi ta bënte në Qytetin e Flamurit jo vetëm sepse i nxirrnin mjaft vështirësi dhe gjer leje nga puna nuk i jepnin, ndërkohë edhe për të mos shkaktuar irritim në shkallët e larta të pushtetit e njëkohësisht dëshmuar modesti, e kryente pranë shtëpisë së tij, diku afër gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, sot sheshi Uillson.
Aty, në buzërrugë, ndodhej një tabelë dërrase, kënd i emulacionit socialist të lagjes. Çdo mëngjez të 28 nëntorit ngrihej herët dhe vendoste atje një copë kartoni të bardhë me urimin për Festën e Pavarësisë. Poshtë atyre pak shkronjave vinte emrin: Ismail Vlora.
Ky ishte një moment mjaft delikat në shtëpi. Kur fëmijtë ngriheshin nga gjumi dhe Esmaja tashmë rrinte me ankth mbi divan, në pritje të ndonjë të papriture, ata e shihnin në sy me pyetjen e heshtur “Ka ikur atje?”
Sytë e zinj e të bukur të nënës së tyre përgjigjeshin “Po, atje ka shkuar”.
Këmbëngulës për këtë identitet të tij familjar e kombëtar, me protestën e tij të qetë, me italishten e vet të përsosur dhe shkrimin si të gjyshit e të të atit (germë imët, shkronjë e drejtë dhe e rregullt), i thoshte vazhdimisht Nermin Falaskit për çfarë po i ndodhte në vendin e tij: “Jam në Vlorë për Festën tonë Kombëtare të 28 Nëntorit, me Darlingun. Përpara Varrit të Gjyshit Tonë; ishit edhe ju pranë nesh. Si zakonisht, kam ardhur privatisht, sepse komendiantët nuk dëshirojnë që të bëhet e ditur që Ismail Qemali ka pasardhës të drejtpërdrejtë. Mendoj për ju me mall...”
Guximi qe tepër i madh dhe ato letra ishin si thika me dy presa. Hapeshin patjetër, por “komediantët” duket e patën vendosur ta linin në harrim. Në vitet shtatëdhjetë apo tetëdhjetë ta arrestoje ishte njëlloj sikur të bëje të kundërtën e qëllimit që kishte pushteti komunist: ta kujtoje opinionin publik që Ismail Qemali, kaq shumë i nderuar edhe prej vetë regjimit komunist, kishte pasardhës dhe se ndaj tyre zbatohej censurë të hekurt.
Në vitin 1987 më në fund Ismail Vlora i ri i dërgoi një telegram Ramiz Alisë. I uronte gëzuar festën e atdheut. Poshtë nënshkruante “Nga Familja Vlora”.
Por pushteti i ashpër stalinist nuk donte as për një çast të ndërronte mendim. Familja Vlora ishte shpallur prej tij familje e madhe feudale dhe shtypëse e popullit, bashkëpunuese me pushtuesit, armike. Për të nuk kishte asnjë fjalë në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985. Qe shfarrosur nga tërë historia.
Për të gjetur të dhënat e zërit Ismail Qemal Vlora duhej të drejtoheshe vetëm tek germa “Q”.

Tè vdesèsh nè prag tè gèzimit

Ismaili i ri e ndjeu se kohët po ndryshonin që me rënien e Murit të Berlinit dhe shembjes së ortekshme të diktaturave në Evropën Lindore. U bë plot shpresë në verën e vitit 1990, kur stalinizmi shqiptar u thye me hyrjen e mbi pesëmijë njerëzve në teritoret e ambasadave të huaja dhe kur më në fund të gjithë protestuesit u lejuan të emigronin, me statusin e refugjatit, në Perëndim.
Një ditë të fillimdhjetorit oshëtima e protestave në Qytetin Studenti mbërriti deri në apartamentin e tyre pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasit”. Ismaili i tha Darlingut, të shkonte atje ku po gjëmonte, e të shihte çfarë po ndodhte.
I biri fluturoi dhe, si të qe zog qielli, po aq shpejt u kthye. Gjithçka e rrëfeu me emocion.
Në ditët e tjera u bënë protesta edhe më të fuqishme. Ismail Vlora shtatëdhjetë vjeçar i ndiqte ngjarjet me shumë gëzim, por pa e ngutur entuziazmin.
Një çast tha se diktatura do të binte vetëm kur të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës.
Nuk e arriti dot këtë çast sublim.
Një hemoragji cerebrale e papritur e goditi në 27 dhjetor 1990.
Në 20 shkurt 1991 i biri i tij Darling qe mes protestuesve. Rrëzimin e monumentit të diktatorit e pa nga shumë afër. Në fillim ajo masë e stërmadhe bronxi rezistoi, por kur i hodhën një kavo në qafë, sikur në fundin e tij lidhur me bazamentin të mos kishte fare asnjë bullon, ra menjëherë.
Njëzetë e Tetë Nëntorët e rinj tashmë qenë më të çliruar. Ftesa e parë në një përvjetor u erdhi në vitin 1996. Në të vërtetë si shumëve, pa e shprehur se ishin pasardhës gjenealogjikë të Ismail Qemal Vlorës.
Gjithçka vazhdoi kështu, në një rutinë. Gjithsesi për ta e gëzuar. Ndërsa po mbyllej dhjetëvjetëshi i parë i mijëvjeçarit të tretë Darling kreu një aksion: i kërkoi Akademisë së Shkencave që zëri i Ismail Qemalit të ikte nga Q e të vendosej tek germa V.
Ai ishte Vlora, pjesëtar i kësaj familjeje.
Akademia koregjoi menjëherë.
Tashmë po i afroheshin rehabilitimit të plotë kombëtar.
Esma Hurshiti ndërroi jetë duke u gdhirë 17 nëntori 2012, kur ishte 86 vjeç.
Njëmbëdhjetë ditë më vonë Shqipëria do të festonte 100-vjetorin e shtetit të vet të pavarur, pra edhe të gjestit flamurngritës të Ismail Qemalit.
Nuk e arriti dot këtë ditë të shenjtë, siç edhe shoku i saj i mirë i jetës, Ismaili, i cili dha shpirt vetëm dy muaj para se të binte monumenti i Enver Hoxhës dhe bashkë me të, përfundimisht edhe tirania e tij.
Esmaja, por të jetonte edhe disa ditë (të paktën), do ta gëzonte me gjithë shpirt festën gjithëpopullore të 100-vjetorit, sepse për herë të parë pas treçerek shekulli pasardhësit e shtetthemeluesit kombëtar, të cilët qenë edhe fëmijtë e saj, do të ftoheshin nga Protokolli i Shtetit, nga Presidenca, Qeveria dhe bashkia e Vlorës.
Po ashtu nga Kosova dhe bashkëkombësit në Maqedoni.
Si simfoni bethoviane kaloi jeta e Ismail Vlorës dhe e Esma Hurshitit. E pazakonshme, edhe pse e kaluar pa e ndjerë pothuaj asnjë njeri.
Sepse qe e tillë, modeste në madhështinë e saj, e bëmë këtë shkrim. Për t’i njohur sadopak.
Tani, në këtë përvjetor të 102-të të Ditës së Flamurit, të pestë fëmijtë e tyre bënë publik një letër intime të të atit të tyre për nënës. Një fragment i saj thotë: “E mban mend kur dilnim bashkë, në rrugica fusja dorën nër tela për të këputur trandafil të bukur, të kuq si gjaku? Kisha një dëshirë të përhershme që të vendosja këtë lule në flokët e tua, doré, doré, për të dhënë atë nur akoma më hyjnor...”


Një ngjarje në fund, por pa koment


Pasardhësit stërnipër e stërmbesa të Ismail Qemalit janë njerës të thjeshtë, që jetojnë me djersën e ballit. Kleoniqi bashkë me familjen e saj ndodhet afër Firenze-s, në Itali. Është shtëpiake. Qamili, një njeri me ndjenjë të lartë ndershmërie dhe drejtësie, pas një periudhe në emigracion, sot punon në Tiranë shofer në një firmë farmaceutike private. Elvinda është nënpunëse në një ndërmarrje private në qytetin Italian Modena. Darling punon në një ndërmarrje private afër Milanos. Ada është nënpunëse në një zyrë private avokatie në Bologna, ndërsa Qemali inxhinier në Tiranë.
Vajza e dytë e Ismail Vlorës, Ariana, punonjëse e thjeshtë në një nga pikat e shërbimit të Postës Shqiptare në kryeqytet, me vendimin nr. 294 të datës 19.9.2014, marrë prej filialit të Tiranës, është larguar nga puna.
Arsyeja e kësaj mase të rëndë është formuluar në këtë tekst, të cilin po e publikojmë të plotë: “Punonjësja e Zyrës Postare Tiranë 9, Arjana Shkurti, ka shkaktuar vonesë për abonentin Raimonda Koca numër telefoni....(për etikë publike nuk po e japim, shënim i autorit të shkrimit). Klienti pretendon që e ka bërë pagesën në muajin qershor, por nuk është paraqitur në sportelet tona për të verifikuar datën e saktë të pagesës, kurse likujdimi është bërë nga vetë punonjësja në datën 24. 07. 2014”.
Komentin se si për kaq, në vend të një vërejtjeje, i është dhënë pushim nga puna, secili lexues ta bëjë vetë.
Në këtë shkrim në tre numra të “Shqip”, në nderim të 28 Nëntorit, qëllimi kryesor ishte për të treguar fakte shumë më të rëndë se ky për të vërtetën tronditëse se si pushteti i disa politikanëve tanë shpesh, duke e dashur Ismail Qemalin vetëm për imazh sfondi, ku në plan të parë të duken vetë, është kaq shumë shpërfillës, cinik dhe i paedukuar me rregullin më elementar të respektit shtetëror.

Ylli Polovina

Tiranë, më 19 nëntor 2014
Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com