Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ÇFARË THA KËTO DITË NJË STUDIUES I GJENOCIDIT NË BALLKAN


(Botuar në gazetën “Shqip” më 9 nëntor 2014)

Quhet Smail Çekiç. Është akademik dhe profesor, pedagog në Universitetin e Sarajevës. Dy biseda me të janë fare pak për të krijuar qoftë edhe një ide të sipërfaqshme se çfarë di ky dijetar, i cili deri gjashtë muaj më parë, për njëzetë e dy vite rresht, në vendin e vet, Bosnjë-Hercegovinë, qe drejtori i Institutit për Hulumtime Kundër Krimeve të Gjenocidit.
Ajo që mund të kuptosh sadopak, më shumë se përvetësim të dhënash nëpërmjet mendjes, të ndodh emocionalisht me anë të ndjenjave.
Nënshtetasi boshnjak Çekiç ka qenë në vendin e krimit, jo vetëm kur Sarajeva nga ushtri serbe, ku nuk mungonin as njësi kroate apo malazeze, u martirizua për pesë vite rresht (1991-1996). Ai ka hetuar edhe masakrën e Srebrenicës dhe ishte në komisionin ndërkombëtar. Qe më i vendosuri në kërkesën që ngjarja të konsiderohej si shfarosje njerëzore me frymëzim gjenocidial. Kauza e tij fitoi. Më në fund edhe pesë serbët pjesëtarë të atij komisioni e pranuan dhe firmosën.
Siç dihet botërisht trupat ushtarake të Mlladiçit, kriminel i ndëshkuar prej Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në tetë ditë rresht u morën jetën mbi tetë mijë myslimanëve boshnjakë, të rinj, gra, pleq e fëmijë. Mbytnin rregullisht nga njëmijë në njëzetë e katër orë.
Gjithsesi të duhet ta vëzhgosh me kujdes Smail Çekiçin mos është një prej atyre shkencëtarëve që, në edhe pse nuk kryen shërbime për politikën, ka pika kontakti me të apo thjesht prej saj është i ndikueshëm. Në një Ballkan, i cili ka rigjetur rrugën e hapjes së kufijve dhe të vajtje-ardhjes tek njëri-tjetri, siujdhesë që nëpërmjet shkëmbimit të kulturave, njerëzve dhe mallrave, veçanërisht hyrjes në Bashkimin Evropian, kërkon të lërë pas një histori tronditëse përleshjeje mes vetes, çështja e lëndimit të plagëve të shkuara nëpërmjet ngacmimeve të sotme vlerësohet si përpjekje për kthim prapa. Të paktën duket sikur ka këto pasoja.
Kujdesi më i madh bëhet me rizgjimin e ngjarjeve të historisë së shkuar që shkaktojnë urrejtje etnike, mendësi e cila nuk i lëshon hapësirë dhe nuk u jep vëmendje atyre të bashkimit mes popujve.
Dhe të kujtosh sot, në fund të vitit 2014, jo armiqësitë ndëretnike, projektet shtetmëdha, diskriminimet e ndërsjella, por më të tmerrshmin krim kundër njerëzimit, gjenocidin, turbullon çdo mendje dhe destabilizon çdo projekt miqësimi. Politikanët e gadishullit herë pas here bëjnë thirrje të mos shohim nga e kaluara. Nuk gjenden këta vetëm në Tiranë, ku historikisht në marrëdhëniet ballkanike ata kanë qenë më konstruktivë, por edhe në Beograd, ku mpikset kontradiktore më shumë e anasjella.
Të duhet të jesh i kujdesshëm me çfarë për gjenocidin në Ballkan të thotë akademiku Çekiç dhe për një arsye tjetër: ai të zbulon sinqerisht se vërtet mbetet është një qytetar boshnjak, por etnikisht është shqiptar.
Prindërit e tij janë nga Plava dhe Gucia. Gjyshja i quhej Grisha dhe nëna Pasha. Fisi saj është Kukaj. Babai, të cilin ende e ka gjallë dhe bashkëjetojnë në një familje, me moshë mbi të nëntëdhjetat, quhet Ferit. Fisi i tij quhet Çekaj.
Plaku ka zanatin e bujkut dhe shqipen e flet kulluar. Ende tërë gjallëri ai në pesë vitet dramatike të vetëmbrojtjes së Sarajevës luftoi në llogore, madje mezi ia frenuan dëshirën të merrte pjesë në grupet komando të futjes për sabotime në prapavijë të armikut.
Nga mënyra se si e rrëfen të atin lë të kuptosh se në zgjedhjen që ka bërë për t’u marrë me krimin e gjenocidit në Ballkan (“të serbëve dhe malazezëve” saktëson herë pas here), ka ndikuar jeta e të atit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte partizan, pra me Lëvizjen Nacionalçlirimtare Jugosllave, me Josip Broz Titon. Në vjeshtë 1944 njësia e tij hyri në Kosovë. U vendosën në Pejë. Në një nga netët e para ishte kujdestar dhe, në roje të partizanëve të tjerë, doli në brezin mbrojtës së kazermës dhe ajo që pa, nëpër dritën e hënës, e la pa frymë. Vuri duart në kokë. Dyqind metra më tej kishte qindra shqiptarë të vrarë e të flakur mbi njëri-tjetrin. U kthye me nxitim në fjetinë dhe menjëherë zgjoi mikun e tij më të ngushtë, një boshnjak nga Cetinja. Ia tha çfarë sapo pati parë dhe i vendosur shqiptoi fjalët “Kjo nuk është më ushtria ime! Këta janë kriminelë”.
E ftoi shokun të iknin, sa më shpejt, që atë natë. Dhe ashtu bënë. U arratisën në Shqipëri. U vendosën në Kukës, tek një fis me të cilin kishin lidhje familjare. Aty kaluan edhe tërë vitin 1945 dhe kur mbërriti fundi i 1946-tës, autoritetet shqiptare ua dorëzuan të dy një dërgate të ardhur posaçërisht për ta nga Mali i Zi. I çuan në Cetinjë, i mbajtën dy muaj në burg dhe më pas i nisën për në Sarajevë. Këtu u bë gjyqi dhe për dezertim u dënuan me nga dy vite burgim.
E tërë jeta e mëpasshme në Jugosllavinë e para rënies së Murit të Berlinit, familja e tyre u pa shtrembër dhe Smaili nuk u inkurajua për asnjë nga pasionet e tij profesionale. Për rrjedhojë ai bëri shumë që të minimizonte pasojat, midis tyre edhe mos mësimi i gjuhës shqip.
Në të vërtetë gjuhën tonë ai kupton shumë mirë, por nuk e flet.
Gjithsesi në këtë vizitë të tij të parë në Tiranë Smail Çekiç ndihet mjaft i brengosur që nuk e ka bërë këtë gjë në vitet e mëpasshme. “Ky është problemi im” ngul këmbë si të thotë “është faji im”.
Brenga për shqipen i vinte nga dëshira t’i shprehte sa më mirë ato që kishte parë në tre ditët e qëndrimit. I tha në serbo-kroatisht. Autori i këtyre radhëve nuk mund t’i shkruajë ato jo vetëm sepse në këtë shkrim hapësira është e kufizuar, por edhe nga që në një rast tjetër të ngjashëm, kohë më parë, pikërisht në gazetën “Shqip”, disa blogjerë në komentet e tyre e sulmuan deri edhe më fyerje. Shkaku qe se ata nuk ishin dakord me çfarë një drejtues i shumënjohur forumi për nxitje të biznesit ndërnacional në Ballkan, me seli në Sarajevë, nënshtetas boshnjak, por me origjinë etnike serbe, i mahnitur nga ndryshimet pozitive që pa në Shqipërinë e pas vitit 1990, në një rast e krahasoi ritmin e tyre me zhvillimin amerikan.
Në gati dhjetë minutave entuziaste opinionesh për vendin tonë edhe Smail Çekiç na pohoi se mes Tiranës dhe Durrësit rrugët e gjëra i qenë dukur si në Uashington.
Sidoqoftë të mbërrijmë tek thelbi. Ai kishte ardhur në Shqipëri për të bashkërenduar një projekt studimor: të analizonin shkencërisht dhe jashtë ndikimit politik apo të grupeve të ndryshme të pushtetit që veprojnë në Ballkan, gjenocidin e kryer nga shteti malazez ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve në Plavë dhe Guci në vitet 1912-1913.
Për këtë pati takuar drejtues të instituteve historike në Tiranë, në Prishtinë, në Maqedoni, historianë profesionistë e deri shoqata boshnjakësh e shqiptarësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetëm teksti i metodologjisë së studimit ishte mbi treqind faqe. Përveç Ankarasë, në arkivat e të cilës tashmë patën mbledhur lëndë, kryeqytetet e mëdha të botës, ku do të kryenin të njëjtën gjë, qenë dhjetë.
Duhej maturi. Vetëm dëshmi reale, të pafryra nga asnjë ideologji apo interes etnik. Një punë shkencore, e cila duke qenë e vërtetë dhe rreptësishtë e argumentuar, nuk duhet mbajtur e mbyllur për opinionin publik ballkanik, kontinental e më tej.
Kthim prapa ka po të heshtësh.
Nuk ka aspak paradoks dhe ecje në të kundërt të proceseve eurointegruese në Ballkan: ajo që ka ndodhur duhet shkruar pikërisht për hir të së ardhmes bashkëpunuese dhe miqësore mes popujve të siujdhesës tonë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 7 nëntor 2014


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com