Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KUR TITO NË 1975 DHE 1979 VIZITONTE KOSOVËN


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 4 nëntor 2014)

(Pjesa e dytë)

E përditshmja italiane “La Stampa” e ditës së tetëmbëdhjetë të prillit 1976 shënonte se në Shqipëri, për rrjedhojë të prishjes me Kinën, benda vendit po ndodhte një spastrim i madh politik. Ajo shkruante: “Në rast se Pekini dhe Tirana e kanë prishur aleancën Shqipëria jo vetëm bëhet më e izoluar se kurrë, por duke humbur miqësinë me Kinën nuk ka mundur dot të rifitojë atë me Bashkimin Sovjetik. Madje as të Jugosllavisë dhe të Perëndimit”.
Në të përditshmen gjermane “Ostpreussenblatt” më 8 maj 1976 Strobinger Rudolf botonte shkrimin e “Lufta për pushtet në vendin e shqiptarëve”. Sipas tij në Tiranë zhvillohej betejë e brendshme mes dy palëve, nacionalkomunistëve, atyre që ishin për mbrojtjen me çdo kusht e çmim të tërësisë tokësore dhe të së drejtës për të mbajtur në marrëdhëniet ndërkombëtare qëndrim të pavarur, si edhe prosovjetikëve, njerëzit që ishin për mbështetje ekonomike dhe varësi mbrojtëse nga Bashkimi Sovjetik.
Rudolf mendonte se “Sidoqoftë, nacionalkomunistët shqiptarë duket se po kërcënohen gjithnjë e më shumë nga grupi rival prosovjetik, i cili vijon ta ushtrojë me ç’duket aktivitetin e tij akoma nën sipërfaqe. Se kush konkretisht po punon për një afrim me rusët në kryesinë e Partisë, ndoshta nuk është e qartë akoma as për vetë policinë sekrete, besnike ndaj Hoxhës”.
Më pas Strobinger Rudolf vazhdonte: “Moska në Shqipëri gjithsesi, po vepron si një nëndetëse. Por “lufta punon për ne”, thuhet në Moskë dhe në kryeqytetet e tjera eurolindore. Maksimumi, kur në Jugosllavi, Mareshalli Tito të çelë rrugën për pasuesit, atëherë “shokët e sovjetikëve” duan të bëhen aktivë në “vendin e skipëtarëve”. Që fitorja është e sigurt pastaj për ta, ata janë tashmë të bindur. Qysh sot madje!”
Në vijim, duke përfunduar, Rudolf spikat: “Mbështetja nga Pekini e Shqipërisë nuk duhej llogaritur, pasi Moska ka 43 divizione që ruajnë kufirin me Kinën. Atëherë ç’të bëjmë? Të lutemi ndoshta që Titoja të jetojë një mijë vjet”.
Kështu mendonte që nga “Ostpreussenblatt” Strobinger Rudolf, por në Tiranë Enver Hoxhës nuk i dridheshin duart dhe frenat i mbante fort. Çdo gjë brenda vendit, të cilin e kontrollonte centimetër për centimetër, zhvillohej sipas një skeme të tij të sprovuar edhe dy herë të tjera: kur u prish me jugosllavët dhe sovjetikët.
Ishte një çast i favorshëm që me rastin e këputjes së pritshme totale me Republikën Popullore të Kinës të eliminonte rivalët ose të shfaroste komplotuesit e mundshëm, ata që mezi po prisnin të mos qe sërish mirë me shëndet dhe me këtë rast të lëngonte gjatë apo t’i ndodhte të vdiste papritur. Infarkti i rëndë i zemrës në fund të vitit 1973 e kishte bërë “me bombë në xhep”.
Sipas direktivës së tij ambasadat Shqiptare kudo ku ndodheshin, nëpërmjet punonjësve të shërbimit civil apo zbuluesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (këta të fundit të maskuar me statusin e të parëve, pra si diplomatë), mblidhnin ditë-natë të dhëna ushtarake dhe politike. Në Beograd, pikë shumë e ndjeshme për të kuptuar si po frynin korentet e Perëndimit dhe të Lindjes dhe ku fati i shqiptarëve deshifrohej më lehtësisht, që nga fundshtatori 1975 ishte vendosur me detyrën e ambasadorit njëri prej specialistëve më të mirë të diplomacisë së vendit: Sokrat Plaka.
Mes të tjerash ky raportoi se në 8 qershor (1977) krahu i djathtë i Josip Broz Titos, Eduard Kardel, kishte mbajtur para aktivit ekonomik të Kosovës një fjalim, i cili shkonte këmbëngulshëm në zbatim të vijës zbutëse të shefit të vet. Pra miqësi e domosdoshme me Shqipërinë.

Tito hyn në mes të Moskës, Pekinit dhe Tiranës

Ndërkohë që në mënyrë të tërthortë linte të kuptohej se i druhej një agresioni sovjetik dhe pikërisht për këtë arsye edhe po shtrëngonte radhët me Shqipërinë e Enver Hoxhës, në 15 gusht Tito mbërriti në Moskë. Vizita këtu qe faza e parë e një turi të tij që do të vazhdonte edhe në Korenë e Veriut. Më pas nga Pnompeni do të shkonte në Pekin. Në Kinë shefi i Jugosllavisë vinte për herë të parë, ca me tepër nëpërmjet linjës ajrore të Moskës, aspak të pëlqyer nga Mao Ce Duni. Prania e mysafirit nga Ballkani, shef edhe i lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, çfarë rivalizonte me grupin e vendeve të Botës së Tretë, që ishte tutelë e Pekinit, kryhej për të dëshmuar ulje të grindshmërisë së mëparshme. Pritja zyrtare Josip Broz Titos nga udhëheqësit kinezë i qe premtuar madhështore.
Ndërkaq në kryeqytetin sovjetik, në Kremlin, Leonid Brezhnjevi, që e priti më parë, përfitoi nga tetëdhjetëe pesë vjetori i Mareshallit dhe e dekoroi me Urdhrin e Revolucionit të Tetorit.
Shumë qarqe diplomatike dhe analistë të raporteve ndërkombëtare në këtë tur të Titos dalluan rrezikun se një sjellje e tillë nuk mund të shkonte paralel dhe në përputhje me kursin e ëmbëlsimit me Shqipërinë. Ata kujtonin njëri-tjetrin se vendi i vogël i Ballkanit ishte prishur me Bashkimin Sovjetik pas pajtimit të Nikita Hrushovit me Josip Brozin. Ndërsa po ndahej me Kinën vizita në Pekin e presidentit jugosllav mund t’i rëndonte raportet e Tiranës edhe me vetë Beogradin. Analistët patën vënë re se, duke e njohur këtë taktikë të Hoxhës dhe për ta provokuar atë, qenë kinezët që e patën përshpejtuar vizitën e Mareshallit. Loja se “humbëm Enverin, por fituam Titon” do ta nervozonte të shumëfuqishmin e vetmuar të Tiranës.
Vëzhguesit e marrëdhënieve ndërkombëtare i vijonin arsyetimet e tyre edhe me gjendjen shëndetësore të presidentit jugosllav. Duke ia çmuar gjallërinë e veprimit politik brenda dhe jashtë vendit, edhe pse qe tetëdhjetë e pesë vjeçar, nuk harronin të shtonin se muajt e fundit trupi i tij i mbajtur mirë kishte dhënë shenja se mund të rrënohej shumë rrufeshëm. Kjo situatë shtronte si çështje të dorës së parë “periudhën pas Tito”. Ata nënvizonin se “Megjithë afrimin e dëshiruar prej Hrushovit, raportet mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë kanë mbetur shumë të tensionuara: më shumë se në një rast hija e Moskës është shfaqur kërcënuese në horizontin e Beogradit”.
Për vëzhguesit e huaj për ta bërë të paqëndrueshme vendin e sllavëve të jugut do të mjaftonte një trazim etnik i gjashtë republikave apo edhe i dy krahinave autonome që formojnë federatën. Për këtë arsye vizita e Titos në Moskë u interpretua si “një pranim i heshtur i qeverisë sovjetike për platformën e presidentit jugosllav që periudha e zëvendësimit të tij pas vdekjes të bëhet pa trauma të brendshme dhe sidomos pa ndërhyrje të jashtme. Në të njëjtën kohë shefi i moshuar i shtetit kërkon t’u dëshmojë sovjetikëve se Jugosllavia në formën e saj politike aktuale është një element i stabilitetit në Evropë dhe kjo gjë BRSS-së i leverdis”
Analistët e Perëndimit, duke e cilësuar Josip Broz Titon si të parin politikan të vendeve komuniste të pavarur prej Bashkimit Sovjetik, vinin në dukje se në të tërë kampin socialist sundonte prirja filosovjetike ku mes tetë partive evropiane pesë qenë tërësisht besnike të Moskës. Në shifra anëtarësh ky raport ishte 6.907.353 përballë 3.792.446. Midis tre partive komuniste rebele, përveç Jugosllavisë dhe Rumanisë, numërohej edhe Shqipëria.

Rrëmbimi në Paris i një antitisti tjetër që ishte strehuar në Shqipëri

Në 13 prill 1978 në Beograd, nën drejtimin e gjyqtarit Ilija Simiç, u zhvillua procesi kundër Mileta Peroviç, liderit të të gjithë stalinistëve jugosllavë. Akuza qe për komplot kundër shtetit. U dënua me 20 vjet. . Sipas vendimit gjithçka pesëdhjetë e katër vjeçari e kishte organizuar “me ndihmën e të huajve”. Cilët qenë këta nuk u tha.
Peroviç kur Stalini u prish me Titon krijoi një parti ilegale komuniste në mbështetje të Moskës, por menjëherë u arrestua. I dënuar me 18 vite burg u lirua më përpara, në vitin 1956. I dalë në liri ai u arratis në Shqipëri, ku ndenji deri në 1960. Këtë kohë shkoi në Moskë ku qëndroi deri në vitin 1975. Në vazhdim pëlqeu të vendosej në Paris.
U arrestua në korrik të dy viteve më pas, 1977. U tha se prangimi i qe kryer në Jugosllavi, por avokati i tij u deklaroi gazetarëve se kjo nuk qe aspak e vërtetë. Klienti ishte ndjekur dhe kapur në Zvicër, qe droguar me injeksion dhe fshehurazi autoriteteve vendase ishte rrëmbyer e sjellë në burgun special të Beogradit.
Viti 1978 qe i mbushur plot me vrojtime të shtypit evropian rreth një presioni këmbëngulës sovjetik për ta futur Shqipërinë në orbitën e vet. E përditshmja italiane “La Stampa” shkruante “Për shkak të vetizolimit të gjatë dhe kokëfortë Shqipëria në kontinent konsiderohej si një vend evropian më pak. Madje dukej sikur vetë Tirana ishte përpjekur ta harronin në kontinent...Tani gjithçka po ndryshon. Shkëputja e papritur me Kinën e detyron Shqipërinë t’i afrohet Evropës...Perëndimi përherë ka qenë i kënaqur për largimin e bazave sovjetike në bregdetin adriatik. Jugosllavia po ashtu që nuk kishte më në shpatulla një trampolin të Moskës. Por gropa që kanë lënë kinezët natyrshëm shtron pyetjen se cili shtet do ta mbushë atë...I pari që e hodhi hapin ishte shefi bullgar Zhivkov, i cili në një fjalë të mbajtur Bllagojevgrad, ku ka rihapur kontradiktat që ka me Jugosllavinë, bëri ftesë drejt Tiranës, duke ofruar normalizim të marrëdhënieve dhe një bashkëpunim aktiv. Çekosllovakët, të cilët kanë bërë tregti me Shqipërinë, sigurisht me porosi të sovjetikëve, kanë ofruar edhe ata marrëveshje të gjera. Organi zyrtar i Vietnamit të Veriut, “Nan Dan” ka publikuar një thirrje bërë vendeve socialiste për ta ndihmuar Shqipërinë. Më në fund agjencia kubaneze e lajmeve në një koment të saj ka lënë të nënkuptohet një afrim i mundshëm i Havanës me Tiranën. Moska, me çdo mënyrë, po përdor kanalet e saj...Disa burime që nuk dëshiruan të identifikoheshin folën për një ftesë sovjetike të drejtpërdrejtë Tiranës me qëllim që të rivendosen marrëdhëniet normale diplomatike. Është për t’u vënë në dukje se Moska mund të presë shumë kohë për të tërhequr në anën e saj Shqipërinë, por për të është një çast që nuk duhet humbur. Me këtë rast ajo do të rikthehet në bazat e saj Adriatik....Sot, me flotën e fuqishme ruse në Mesdhe ato baza fitojnë një rëndësi strategjike vendimtare. Këto presione kryer Tiranës mund të bëhen aq fort ndërhyrëse sa të nxitin luftën e brendshme mes fraksioneve. Loja që po kryhet është e përmasave të mëdha dhe jo pak ekspertë besojnë në një dorëzim të Enver Hoxhës. Rënia e tij do të jetë vepër e fraksioneve filosovjetike...Por edhe fuqitë e Perëndimit po lëvizin, ndryshe boshllëkun gjeostrategjik të lënë nga Kina do ta zënë sovjetikë. Sipas disa informacioneve në Konferencën e të Shtatëve në Bon do të diskutohet edhe për Shqipërinë. Gjermania ka deklaruar që të ndihmojë ekonomikisht...Më me rezultat duken Franca dhe Italia...Për momenti Enver Hoxha synon afrimin me Greqinë (Ministri Panajatopulos ishte në Tiranë me fluturimin e parë të “Olympic”) dhe Turqinë (pas manifestimit të organizuar nga Stambolli të kthimit të eshtrave të “babait të Shqipërisë moderne” Frashëri)... Një diplomaci ping-pongu po zhvillohet. Po të zënë bazat në Adriatikun shqiptar sovjetikët do të realizojnë më në fund ëndrrën e Pjetrit të Madh për të dalë më n fund në detrat e ngrohtë...Kjo do ta vinte në rrezik Jugosllavinë, e cila me sovjetikët në passhpinë, që nga Shqipëria proruse, do të pësonte presione të mëdha...”

Vizita e fundit e Titos në Kosovë

Në 15-18 shtator 1979 Josip Broz Tito e vizitoi për të pestën herë Kosovën. Kishte marrë me vete tërë udhëheqjen e Serbisë, kryeministrin federativ, sekretarin e Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë po ashtu.
Burime diplomatike perëndimore ato kohë gumëzhinin se problemi kryesor i 20 viteve të ardhshme do të qe Kosova dhe se Federata Socialiste mund të binte në gravitacionin e saj, duke u bërë copë e thërrime. Me një rritje demografike sa trefishi i vendit si edhe pakënaqësinë etnike në rritje, shtuar edhe gjendjen ekonomike mjaft të prapambetur krahasuar me republikat (531 dollarë në vit për frymë kur Sllovenia e kishte 4500 apo 3 për qind rritje nga 7 që e kishte federata), në Prishtinë po ndodhnin gjeste që paralajmëronin shkëputjen e saj: kolonët serbë po iknin, kosovarët po tentonin të ngrinin në Prishtinë deri edhe një Shkollë të Oficerëve, në kumtesat e mbajtura me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nga disa folës u la të kuptohej se çështja e çlirimit të tokave shqiptare ende nuk pati përfunduar. Sikur të mos mjaftonte kjo mes krerëve të Serbisë për problemin e Kosovës shfaqej paqartësi dhe konfuzion të madh. Kishte mes tyre që pohonin se në shtetin jugosllav ajo qe trup i huaj. .
Ndërkohë krahina po kërkonte pozicion tjetër juridik: në Federatë donte statusin e republikës. Duke u miqësuar me Shqipërinë dhe duke i rritur investimet ekonomike në Kosovë Josip Broz Tito qe i sigurt se vetëm kështu ajo mund të veçohej nga ndikimi i Shqipërisë. Sepse kjo influencë, për pasojë e politikës së kundërt, nervoze dhe armiqësore, plot tension nacionalist, kohët e fundit qe shtuar shumë.
Ambasadori Sokrat Plaka informonte nga Beogradi se “Kosovarët jetojnë me frymën e Shqipërisë, duke dëgjuar radiot, parë televizionin”. Sipas atij ata vazhdimisht pyesnin “Ne do të luftojmë për çlirimin e Kosovës, por Shqipëria vetë çfarë do të bëjë për ne?”
Tito e mbajti fjalimin e tij për miqësi të qëndrueshme me Shqipërinë në 16 shtator 1979, por sa qe gjallë ai nuk u botua si broshurë me vete. Në një libërth të tillë e futi miku i tij Eduard Kardel.
Ishte qershor 1981, kur bota qe befasuar nga demonstratat e studentëve të Kosovës në muajin mars dhe në kundërveprim për ta fashitur protestën, por jo qetësuar, qenë përdorur jo çfarë pati këshilluar në dy vizitat e fundit Josip Broz Tito, por dhuna.
Eduard Kardel për të dëshmuar gabimin e bërë e kishte botuar posaçërisht fjalën e Titos, i cili tashmë nuk jetonte.
Viti kyç 1981 nuk hyn nën rreshtat e këtij shkrimi, sepse do të ketë në të ardhmen vëmendjen e vet, por me këtë rast shënojmë për lexuesin se në arkivin e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme ka një radiogram sekret të ardhur nga Bukureshti.
Mban numrin 1243 dhe datën 16 tetor 1981.
Sipas tij një diplomat japonez me gradën e këshilltarit nga biseda me kolegë të tij jugosllavë pati mësuar se gjendjen në Kosovë përveç shqiptarëve e kishte trazuar edhe një faktor tjetër. Sipas diplomatëve të Beogradit “Është rritur shumë veprimtaria e rusëve të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë këtë situatë me anë të elementit prorus në Jugosllavi, ta afrojnë sa më shumë atë me Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës. Del se ka diskutime në qarqet e europerëndimit mos futja e Spanjës në NATO i shtyn rusët të hyjnë në Rumani dhe të bëjnë sa të mundin ta fusin Jugosllavinë në anën e tyre”.


Ylli Polovina

Tiranë, më 26 tetor 2014

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com