Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KUR TITO NË 1975 DHE 1979 VIZITONTE KOSOVËN


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 3 nëntor 2014)

(Pjesa e parë)

Në Beograd e sidomos në mentalitetin e vjetër serb ka hedhur rrënjë dhe nuk dëshiron jo të ikë, por as të paktën të rishikojë veten e të reflektojë, teoria sipas të cilës një Shqipëri e dobët e favorizon një Jugosllavi të fortë. Për pasojë qeveritë e federatës fqinje deri sa ajo u prish, harrxhonin mjete të shumta financiare dhe angazhim të kapitalit të vetë njerëzor e shtetëror për ta na mbajtur në gjendje paqëndrueshmërie politike, ekonomike, ushtarake dhe sociale. Minonin ku të qe më e mundshme.
Ideatorët e kësaj doktrine justifikoheshin me domosdoshmërinë për ta mbajtur nën kontroll të plotë Kosovën dhe penguar shkëputjen e saj. Ajo duhej të ishte në jetë të jetëve brenda Serbisë dhe Jugosllavisë.
Mirëpo kjo platformë, edhe pse në periudha të caktuara arriti nëpërmjet njerëzve të saj të infiltruar në Tiranë, t’i sjellë dëme jo të vogla Shqipërisë, gjithsesi në fund të fundit nuk ia doli dot. Nuk iu imponua dot rregullave më të thjeshta të historisë. Dështoi.
Jo vetëm nuk e shkatërroi dot vendin fqinj, por para se të lëshonte Kosovën u prish vetë.
Në vitin 2000 mund të thuhet se në Beograd që prej 1913-tës, kur pabesisht e përdhunisht rrëmbyen pothuaj gjysmën e trojeve shqiptare, me dogmën “Një Jugosllavi e fortë vetëm me një Shqipëri të dobët” u duk qartë se patën shkaktuar një bumerang. I kishin dhënë vetes një autogoditje, një burim vetëshkatërrim.
Kaq herë analistë të huaj të çështjeve ballkanase i patën paralajmëruar jugo-serbët: Shkatërrimi juaj do të fillojë nga Kosova.
Duke qenë se pas ngjarjeve të tetorit 2014 në stadiumin “Partizani” të Beogradit dhe nxehtësisë së disa kokave ultranacionaliste në këtë qytet të madh proevropian, në vend të nxirrej nga inventari si vjetërsisë, kjo mendësi e dështuar është rigjallëruar. Kështu është kryer një kthim i madh prapa.
Për argumentim të pikëpamjes se një Serbie të fortë (demokratike dhe të zhvilluar ekonomikisht) i duhet vetëm një Shqipëri e fortë (demokratike po ashtu dhe e përparuar ekonomikisht), nuk iu drejtuam historisë një çerekshekullore të pas rrëzimit të komunizmit, por Jugosllavisë së viteve 1974-1980, kur federatën e qeveriste më i suksesshmi udhëheqës i saj, marksisti Josip Broz Tito.

Projekti për pushtimin e Jugosllavisë

Në 1974 ishte Enver Hoxha që bashkë me Mehmet Shehun kombinuan rrufeshëm një gjest të fortë. Shpallën se në rast të ndonjë sulmi ushtarak të Bashkimit Sovjetik kundër Jugosllavisë, Shqipëria do të rreshtohej në mbrojtje të saj.
Deklarata nuk jehoi vetëm në Beograd, në Zagreb. Lubjanë, Sarajevë, Shkup dhe në Prishtinë, por në mes të Parisit e deri në Uashington. Qe një lajm “bombë”.
Të mësuar me tensionin e vazhdueshëm dhe gërricës mes dy vendeve ballkanike zyrat e specializuara për marrëdhëniet ndërkombëtare, deri ato çaste zakonisht më të interesuara për gjestet e Jugosllavisë, e cila nëpërmjet doktrinës së “Vendeve të Paangazhuara” pati fituar prestigj planetar, i kthyen sytë me habi tek Shqipëria. Ky shtet i vogël ishte vërtet i mbushur me mistere.
Në Tiranë që prej një viti kishte shpërthyer e ethshme një luftë e brendshme, shpjegimi i parë i të cilës qe spastrimi i shpejtë që, pas infarktit të tij në zemër, Enver Hoxha po u bënte jo vetëm mospajtuesve me pushtetin e tij, por edhe gjithkujt tjetër për besnikërinë e të cilit kishte edhe dyshimin më të vogël. Ndërkohë në Tiranë qe duke përfunduar progromi kundër njerëzve të kulturës, të cilët Hoxha i përshkroi para popullit të vet dhe opinionit publik ndërkombëtar si agjentë të Perëndimit dhe posaçërisht të anglo-amerikanëve.
Në nëntor diku një ambasador i Tiranës dhe diku tjetër një zëvendësministër, në rrethe të ngushta me diplomatë të huaj patën bërë pyetjen e qëllimshme se si do të vepronte NATO në rast se Jugosllavia kërcënohej nga Traktati i Varshavës dhe po ashtu nëse Moska sulmonte Shqipërinë.
Pas daljes “de facto” në 1962 nga Traktati i Varshavës dhe në 1968 edhe me largim “de jure”, kur ndërkohë pati ndodhur edhe agresioni sovjetik ndaj Çekosllovakisë, udhëheqjen e Shqipërisë e kishte kapur ankthi i mbiekzistencës. Pesha e saj gjeostrategjike, përherë e posaçme dhe shumë e lakmueshme për ta zotëruar, këtë herë pati mbërritur kulmin e rëndësisë për të qenë faktor baraspeshimi, por edhe prishjeje ekuilibri midis tre fuqive të mëdha të botës: SHBA, BRSS dhe Kinës Popullore.
Midis armiqësisë së të treve kërcënimi sovjetik ishte parësori. Në 1975, kur në Shqipëri pati shpërthyer faza e tretë e spastrimeve të brendshme, këtë herë duke përfshirë edhe “armiqtë” në ekonomi, burime të ndryshme informacioni sollën në Tiranë të dhënën se amerikanët patën grumbulluar prova të mjaftueshme se projekti i një sulmi të Traktatit të Varshavës kundër Jugosllavisë qe shpluhurosur dhe bërë gati për veprim. Me këtë rast i tërë arsenali ushtarak i Moskës që do të përdorej për të marrë vendin e Titos, do të konsumohej edhe për pushtimin e Shqipërisë. Dalja e rusëve ne detrat Adriatik dhe Jon parashikohej të bëhej njëherësh.

Tito në vizitën e katërt në Kosovë

I pari që lëvizi energjikisht ishte Tito. Platforma e përhershme serbe, e Jugosllavisë monarkiste, por edhe e federatës së tij komuniste, sipas të cilës Shqipëria duhej mbajtur përherë në gjendje dobësimi, nuk ishte më funksionale. Krijonte ngërç në vetë gjymtyrët e shtetit titist. Vendi fqinj i shqiptarëve, ku federata e sllavëve të jugut pati mbështetur shpatullat, duhej të qe i aftë t’u rezistonte sovjetikëve dhe mundësisht, në rast të një agresioni, të kishte mundësi të gozhdonte në luftime sa më shumë trupa ushtarake të Traktatit të Varshavës.
Vetëm kjo do të lehtësonte frontin e qendresës në Jugosllavi, ku Beogradi nuk duhej të binte në duart as të trupave këmbësore tankiste të sovjetikëve dhe as të zbarkuesve masivë nga ajri.
Taktikën për ta përdorur Shqipërinë si një territor ku mund të shkarkohej një pjesë e peshës ushtarake të pushtuesve Josif Broz Tito e pati konsumuar me mjaft sukses gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit e tij të dërguar pranë PKSH-së, që nga Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha e deri tek Vukmanoviç Tempo dhe Velimir Stojniçi, e patën nxitur ashpërsimin sa më të madh të rezistencës antifashiste shqiptare për të mundësuar heqjen nga trojet e tyre dhe dërgimin në Shqipëri të sa më tepër divizioneve italiane dhe gjermane.
Ja pse marrëdhëniet me Tiranën zyrtare duheshin patjetër përmirësuar.
Mjeti më i efektshëm për afrim dhe ngrohje raportesh qe Kosova.
Kështu gjatë javës së parë të prillit 1975 Mareshalli, siç thirrej më shpesh Tito, kreu këtu një vizitë dyditore. Ishte e katërta ose e dyta e tij në katër vitet e fundit.
Pak para se të shkonte në Prishtinë ai vizitoi Maqedoninë, prej ku u shpreh ashpër ndaj Bullgarisë, të cilën e kritikoi sepse kohët e fundit krerët e saj si edhe shtypi i Sofjes, për hatër të mbivlerësimit të kontributit të Ushtrisë së Kuqe, e kishin minimizuar rolin e rezistencës antifashiste të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa me Bullgarinë nga Shkupi qe i rreptë, nga Prishtina me Shqipërinë u shfaq miqësor. Gazetari analist i radios “Evropa e lirë” Louis Zanga do të gjykonte: “Është bërë e qartë prej disa kohësh se Jugosllavia është e shqetësuar për të “normalizuar” marrëdhëniet me Shqipërinë. Një rol kyç në këtë proces duket se ka zënë Kosova, një provincë autonome, që zyrtarisht është pjesë e Serbisë e që ka një shumicë të banuar nga shqiptarët....Këto sfida, të kombinuara me afrimin që po ndjehet në të dy vendet, si në Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri, përballë lëvizjeve sovjetike në Ballkan, e kanë bërë provincën në fjalë një përzgjedhje të efektshme, duke e trajtuar si katalizator për shkrirjen e akujve të mosbesimit me bazë të kaluarën dhe inkurajimin e afrimit”.
Fjalimin kryesor të vizitës dyditore Josip Broz Tito e mbajti gjatë një mbledhjeje të aktivistëve partiakë të Kosovës dhe i parapriu komenteve për gjallërim të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave me një paralajmërim rreth një mundësie të sulmimit të krahinës nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. “Ka që kanë zgjedhur pikërisht Kosovën si një pikë fokale për përpjekjet e tyre për të minuar gjithë vendin”, theksoi posaçërisht ai.
Pasi Mareshalli u rikthye në Beograd parlamenti diskutoi menjëherë dhe mori masa të zbatoheshin ndihma ekonomike për Kosovën, ku të ardhurat për frymë qenë 30 për qind e mezatares së federatës. Tito foli edhe vetë në parlament, duke e cilësuar krahinën e banuar me shumicë nga shqiptarët si urë lidhëse. Nuk harroi të vinte në dukje se “armiqtë e Jugosllavisë po bëjnë përpjekje të ethshme për të hartuar e zbatuar të gjitha llojet e skenarëve për të minuar suksesin në Kosovë dhe marrëdhëniet tona me Shqipërinë”.
Qe një ndër rastet e rralla ku vinte në dukje se një Kosovë në mirëqënie do të ishte shenjë miqësie me shtetin e tyre amë dhe jo e kundërta, kur e përdorte këtë krahinë për ta përbuzur, xhelozuar dhe armiqësuar Tiranën.
Në parlament, ndërsa deputetë, ambasadorë të huaj dhe gazetarë po e dëgjonin me vëmendje, ai u bëri surprizë me deklaratën se “Ajo ç’ka i bashkon të dyja vendet është më e rëndësishme se sa ajo që i ndan”.
Josip Broz Tito tha po ashtu se përmirësimi i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave vinte si rezultat i një dëshire të përbashkët për të ruajtur pavarësinë kombëtare.
Edhe ky mesazh qe risi, gjuhë e qëndrim i harruar prej tre dekadash, që kur Shqipëria dhe Jugosllavia e pas luftës, të dy vende komuniste të orientimit stalinist, po i afronin fatet deri në një bashkim territorial të plotë.
Duke e përfunduar fjalën e vet mbi rëndësinë e miqësisë Beograd-Tiranë si garanci për sovranitetin e të dy shteteve, Mareshalli nguli këmbë edhe në një ide tjetër. Vuri në dukje se përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë duhej të konsiderohej një faktor kyç edhe për vetë paqen në rajonin e Ballkanit.
“Nëse të dy vendet do të konfliktoheshin me njeri-tjetrin, nënvizoi dukshëm Tito, shumëkush nga jashtë do të mundohej të përfshihej në konflikt”.
“Shumëkush nga jashtë”! Ky formulim është tepër kuptimplotë, për specialistët e marrëdhënieve ndërkombëtare shumë i qartë.
Nga Radio “Evropa e lirë”, në shpjegim të asaj që po ndodhte, Louis Zanka do të spikaste këtë interpretim: “Përveç çdo lloj armiku jashtë vendit, Tito mund të ketë pasur në mend elementë të veçantë në Beograd e Serbi, të cilët mund t’i shihnin me skepticizëm dhe përçmim kontaktet mes Prishtinës dhe Tiranës”.
Për ta bërë edhe më të qartë çfarë duhej të kishte në kokë Josip Broz Tito, Zanka do të shtonte: “Të dy vendet po tregojnë shenja afrimi e zbutjeje rreth kërcënimeve reale apo imagjinare) që mund t’i vinin nga eurolindja e kontinentit”.
Pra nga Traktati i Varshavës.
Shigjeta e sulmit që do të kishte si bazë nisjeje bazat e shumta të saj, mund të nisej nga Hungaria dhe Bullgaria, duke shmangur Rumaninë, shtet komunist që pëlqente pavarësinë nga Moska dhe që priste e përcillte jo vetëm francezë dhe arabë të pasur me dollarë nafte, por mbi të gjitha edhe zyrtarë të lartë amerikanë.



Rrëmbimi në Bukuresht i një antitisti që kishte qenë në Shqipëri

Ndërsa ndiheshin të shumëkontrolluar në Hungari dhe fare të mosdashur në Bullgari, shërbimi i fshehtë jugosllav, UDB, kreu në Bukuresht, me lejen e autoriteteve vendase, një operacion special.
Rrëmbeu në 10 gusht 1975 Vladimir Dapçeviçin dhe e solli sekretisht në Beograd, duke i bërë gati edhe një proces gjyqësor. Familja e tij në Beograd nuk dinte asgjë dhe mbi rrëmbimin e njeriut të vet e mori vesh lajmin nga avokati i familjes. Qe 26 dhjetor 1975.
Dapçeciç pas rrëmbimit të stilit “kartë postale”, për plot pesë muaj qe mbajtur në fshehtësi të plotë në një nga burgjet e sigurisë së lartë të kryeqytetit jugosllav.
Ai kishte rihyrë në qelitë e vendit të vet. Kjo po i ndodhte për të dytën herë. Në fund të motit 1948 ky partizan i njohur dhe oficer i lartë i rezistencës antifashiste jugosllave, ishte prangosur si njeri i Stalinit dhe pas tetë viteve burg (qe dënuar me njëzetë), menjëherë sa doli u arratis në Shqipëri. Këtu erdhi bashkë me një grup shokësh të tij, që të gjithë stalinistë.
Kur e ndjeu se Enver Hoxha po prishej me sovjetikët edhe pse qe stalinist dhe tashmë Hrushovi i pati shpallur denigrim Josipit tjetër, jo atij të Beogradit, por të Moskës, Vladimir Dapçeviç shkoi në BRSS dhe u vendos në kryeqytet. Prej andej shpërtheu një fushatë agresive antitiste.
Pasi mes BRSS dhe Federatës Socialiste të Jugosllavisë herë pas here frynte edhe ndopak fllad afrimi, kundërshtari i përbetuar i Titos iku nga Moska dhe u vendos në Bruksel.
Në shkurt 1975 tashmë qe bërë qytetar belg dhe “për turizëm” apo edhe për çdo qëllim tjetër, çfarë ato kohë mbeti mister, shkoi në Rumani për disa ditë.
Kur në fund të dhjetorit familja Dapçeviç mori vesh lajmin e rrëmbimit të kryefamiljarit, e bëri menjëherë të ditur para shtypit ndërkombëtar. Më të interesuar për ta vendosur në krye të faqeve të para e cilësuar si një veprim të patolerueshëm dhe represiv, qenë disa nga gazetat më të mëdha franceze.
Gjithsesi në janar 1976 lajmi, bashkë me të dhënën se antitisti stalinist Vladimir Dapçeviç për disa vite rresht qe strehuar në Shqipëri, ishte përhapur edhe përtej Atlantikut.

Një konferencë ballkanike në Athinë

Në 24 janar 1976 në Athinë u mblodh “Konferenca e Ballkanit”. Qenë pjesëmarrëse, në nivel nënministrash, gjashtë vende. Ajo do të hidhte bazat e një tipi të ri bashkëpunimi ekonomik, teknologjik dhe ekologjik. E mbledhur me nismën e Greqisë, e cila pëlqente të bënte prijësen e Ballkanit, përveç këtij vendi në takim ishin edhe Jugosllavia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia.
Shqipëria përfaqësohej vetëm me vëzhgues.
Me këtë rast disa nga të përditshmet e pjesës perëndimore të kontinentit, ndërsa nëpër komunikatat e agjencive të lajmeve ia dëgjuan emrin, e cilësuan Shqipërinë si “Kina e Evropës”.
Para se Konferenca të niste punimet kryeministri grek me anë të një letre drejtuar të gjitha delegacioneve u vuri në dukje dobinë e eliminimit në gadishull të klimës së armiqësisë dhe të mosmarrëveshjes midis vendeve me sisteme të ndryshme politike. Ai qe i opinionit se kjo do të vinte duke dhënë si shenjë të vullnetit të mirë bashkëpunimin e ngushtë. Si rrezik për këtë klimë të re mirëkuptimi shefi i qeverisë helene vuri në dukje trazimin që vinte prej historisë së shkuar të Ballkanit si edhe të vesit për ta prishur herë pas here ekuilibrin e tij të brendshëm.
Kryeministri grek vuri në dukje se në Ballkan dy blloqet e mëdha ushtarakë, NATO dhe Traktati i Varshavës, ndodheshin shumë afër njëri-tjetrit. I ndanin pak qindra kilometra. Një përplasje e tyre nuk do të qe aspak ngjarje e pëlqyer.
Ai nxori në pah edhe pikëpamjen se ishte e pamundur të bashkëpajtoheshin, të përputheshin apo të bashkekzistonin kufijtë e shtetit me ato etnikë. U kuptua qartë se kryeministri grek, ndërsa qenë muaj të një acarimi të vendit të tij me Aleancën Atlantike, po përmbante të vetët me zellin për të provokuar e marrë “Vorio Epirin”, Shqipërinë e Jugut, si edhe vënë kushtin që në vendin fqinj të mos flitej fare për krahinën e Çamërisë.
Konferenca e Ballkanit përfundoi pa sjellë ndonjë gjë të re.
Ndërkohë në mes të muajit prill fjalët e përhapura edhe më parë, për një prishje të marrëdhënieve të ngushta mes Tiranës dhe Pekinit, duke dalë nga thashethemnaja, zunë vende të dukshme në mjaft prej gazetave të Uashingtonit, të Parisit dhe të Londrës. U pati kushtuar një artikull të tërë edhe e përjavshmja hungareze “Magjarorsza”.
Të gjitha ato ishin mjaft të sigurta se Kina i kishte përgjysmuar ndihmat ekonomike për Shqipërinë dhe kjo tashmë kishte riparë dhe shkurtuar shumë nga projektet dhe investimet e saj.
Kishte rrezik që nga dita në ditë, e izoluar, të binte në agoni.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com