Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

BRIGADA LABE


(Botuar në gazetën “Shqip” në 1 nëntor 2014)

Në të vërtetë bëhet fjalë për Brigadën VIII Sulmuese, njësi partizane e përuruar në 25 prill 1944 në Sheper të Zagorisë. Veç nazistët, ndërsa përgatitnin Operacionin e Qershorit, të koduar “Kaprolli”, në dokumentet e tyre ushtarake e emërtuan drejtpërsëdrejti “Brigada Labe”. Diku tjetër, por më tepër se nëpër harta operative, në korespondecën e ndërsjellë mes strukturave të Wermachtit, ajo gjendet e identifikuar në formën Brigada e Parë e Re. Gjermanët as ja shkruan ndonjëherë emrin sipas logjikës retorike të PKSH-së, vetëm me numra (Brigada e Parë Sulmuese, Brigada e Dytë Sulmuese, Brigada e Tretë Sulmuese, Brigada e Katërt Sulmuese etj., etj),. Atyre u duhej përmbajtja dhe jo propaganda.
Gjermanët janë njerëz konkretë, precizë, që rrinë tek thelbi i gjërave. Kundërshtarët politikë si edhe armatën që ata kishin nga pas, i përcaktonin prej karakteristikave kryesore të qëndresës para furisë së tyre, “blickrigut” (“luftës rrufe”). Përveç territorit prej kishte zonën e veprimit, cilësori “labe” donte të thoshte se njerëzit e saj zotëronin aftësi të madhe qëndrese dhe nuk mundeshin lehtë, kryenin veprime mësymëse me ritëm të lartë.
Këto ishin tre tiparet më kryesore që kishin edhe vetë trupat ushtarake gjermane. Në një farë mënyre, përgatitja e tyre e lartë profesionale dhe disiplina e hekurt, relativisht më të ultë tek brigada partizane e pagëzuar në Sheper të Zagorisë, nuk peshonin aq sa t’u dukej se njësia shqiptare qe e shpërfillshme.
Edhe emërtimi tjetër, Brigada e Parë e Re, tek gjermanët kishte funksionuar me të njëjtën logjikë. Pati ndodhur që kishin kujtuar se nëpërmjet Operacionit të Dimrit gjithë lëvizjes partizane i patën dhënë një goditje fatale, pothuaj e kishin zhdukur nga faqja e dheut. Në të vërtetë Brigada e Dytë (Sulmuese?!) qe shpartalluar, e Para, e famshmja me komandant Mehmet Shehun dhe komisar Tuk Jakovën, duke marrë frymë me zor nga taktika e tërheqjes, kapërcente maja e gryka malesh me shpresë të shpëtonte nga dara e hekurt.
Lajmi se lëvizja partizane shqiptare qe shfarosur përfshiu si alarm edhe komandat aleate përtej detit, ngurosi dhe u hoqi patosin edhe emisioneve informative të shumëdëgjuarës Radio BBC, por me të buisur pranvera ato që dukej se qenë bërë një hiç, sikur të mbinin nga dheu dolën mbi tokë. Jo vetëm u shfaqën të pashkatërruara, por edhe nisën të shumoheshin.
Në rigjenerimin e tyre të habitshëm i ndihmonte jo vetëm shpirti mosdurimit më i një pushtuesi të huaj, por edhe kthesa që kishte marrë e tërë lufta botërore, ku antifashizmi triumfonte në të gjitha frontet e kontinentit dhe të globit. Nazistët, edhe pse të organizuar mjaft mirë, ishin në një zbythje të plotë, të parikthyeshme.
Brigada e Tetë Sulmuese qe e para njësi e re që u krijua pas Operacionit të Qershorit. Ishte Labe dhe e Re njëkohësisht. Vetë gjermanët e kishin vlerësuar me epitete më shprehëse dhe më lavdëruese se ato të tipit standard të Partisë Komuniste Shqiptare, e cila jo vetëm në këtë rast, por edhe në gjysmëshekullin e sistemit të saj politik, edhe pse donte t’i ngrinte lart, për shkak të gjuhës së rëndomtë propagandistike dhe shpërdorimit të madh politik, në vend ta shquante e ka ulur prestigjin e vërtetë të rezistencës së armatosur dhe civile kundërfashiste.
Ajo e dëmtoi rëndë trashëgiminë e saj edhe sidomos duke e komunistizuar, bolshevizuar, stalinizuar.
Kështu në prill 1944, kur njësisë partizane me numrin tetë ushtarakët nazistë ia koduan emrin “Brigada Labe” patën parasysh një të ngjashme me veten, një sinonim. Lebër përballë gjermanëve ishte e barabartë sikur të qenë vetë gjermanët tek ndesheshin me gjermanët.
Ka një libër të ish-partizanit Naxhi Zhupa, pjesëtar i kësaj njësie, atëherë vetëm një pesëmbëdhjetëvjeçar, i cili ka shkruar një libër si edhe një broshurë. Që të dyja panë dritën e botimit pas vitit 2000. Para 1990-tës, duke qenë se autori nuk pranonte të censuroheshin emrat e atyre partizanëve, të cilët pas lufte ishin shpallur “armiq të Partisë e të Popullit”, libri mbeti i papublikuar.
Që prej një dekade tashmë “Brigadën Labe” mund ta njohësh më mirë. Nga përurimi deri në 14 shkurt 1945 në Bosnjën Jugore, në 338 ditëlufte, ajo kreu një marshim prej 3700 kilometrash. Bëri 113 lloje luftimesh e veprimesh në shkallë taktike si edhe tre operacione taktiko-operative, mori pjesë në çlirimin e 5 qyteteve dhe i kaloi 14 herë, me mjete rrethanore, lumenjtë kryesorë të vendit e jashtë tij.
Kur Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, i pari komisar dhe i dyti komandant i Shtabit të Përgjithshëm, bashkë me porosinë për të ruajtur fshehtësinë e vendit dhe të ditës së themelimit, urdhëronin nga çfarë trupash të zgjedhura do të bëhej brigada, citohesin: “Një pjesë të merret nga batalioni “Çamëria”, një batalion të merret nga Vlora, duke pasur brenda një pjesë të mirë të batalionit “Perlat Rexhepi”. Të merren dy kompani minoritar “Thanas Ziko”. Të merret krejt batalioni “Koto Hoxhi”...”
Kur në 25 prill, në prani edhe të oficerit të zbulimit ushtarak britanik H. W. Tillman, u themelua, përveç të mësipërmve njësisë labe iu bashkuan edhe 75 vetë nga Grupi i Parë i Kurveleshit dhe 50 prej Grupit të Tretë të Mallakastrës.
Kështu u bënë 915 partizanë (66 qenë shoqe, 46 ishin pionierë, 107 komunistë të mbajtur fshehur, në ilegalitet).
Armatimi ishte kryesisht i lehtë, 10 mitraloza të rëndë, 4 mortaja 81m/m dhe 2 armë kundërtank.
Në 1-28 maj 1944 Brigada Labe mbrojti në pesë drejtimet më të afërta dhe më të rrezikshme Kongresin e Përmetit, në 30 gusht deri në 11 shtator, nëpërmjet një marshimi shumë të shpejtë që nga Konispoli shkoi në Berat, duke marrë pjesë në çlirimin e qytetit dhe sidomos në mbrojtjen e Qeverisë së krijuar nga PKSH. Pasi qe ndër njësitë shpëtuese të Lushnjës, hyri në luftime edhe për çlirimin e Tiranës. Në vijim luftoi në Shkodër dhe në 8 dhjetor Brigada Labe kaloi kufirin, duke depërtuar në territorin e Jugosllavisë, në Malin e Zi (çliroi fshatrat Momçe, Kërzhanjë, Ubli, Berskut dhe goditi autokolonat gjermane në tërheqje përgjatë xhades Podgoricë-Ljeva-Rijeka-Mateshevo). Në 1 janar 1945 nisi marshimin drejt Bosnjës Jugore, duke kaluar nëpër Kollashin, Plevlje Rudo dhe më 27 janar u përhap në formacion luftimi në pjesën jugore të Vishegradit. Operacioni për çlirimin e qytetit nisi në 5 shkurt 1945 dhe përfundoi pas dhjetë ditë beteje. Nga luftimet jashtë kufirit, në zbatim të thirrjes së Aleatëve për të shkuar deri në strofkën e fashizmit, Berlin, Brigada Labe pati 15 të vrarë dhe 32 të plagosur.
Pas kësaj, sipas urdhrit nga lart, u rikthye në atdhe.
Kur Enver Hoxha në prill 1944 i kishte vënë detyrën qe përcaktuar si objektiv hyrjen menjëherë në veprim “duke i treguar grushtin armikut dhe tradhëtarëve”.
Kështu u pleks, i imponuar, fati i saj i shkëlqyer ushtarak me politikën e Partisë Komuniste. Për pasojë edhe me fajet e ardhshme dhe dështimin e saj.
Gjermanët në 1944 nuk i morën si shenjë identifikuese togun e fjalëve propagandistike “Brigada e Tetë Sulmuese”. Edhe ne, tek kujtojmë këtë 70-vjetor, të gëzuar për disa dhe të trishtuar për mjaft të tjerë, por gjithsesi pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë, mund të veprojmë njëlloj: Në kujtesë ta ruajmë si BRIGADA LABE.

Ylli Polovina

Tiranë, më 31 tetor 2014


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com