|
EDI RAMA NË BEOGRAD, FLAMURI YNË I RINGRITUR
(Botuar në gazetën Shqip më 18 tetor 2014)
Në siujdhesën e Ballkanit Serbia dhe Shqipëria janë në pozicione të ndryshme gjeografike, por mbi të gjitha strategjike. Janë fqinj me kontakt të drejtpërdrejt tokësorë po ashtu. Kjo ndodh që prej më shumë se një mijëvjeçari.
Për pasojë gjer në këtë fillim të mijëvjeçarit të tretë në Beograd sondazhet për të njëmijtën herë do të regjistrojnë se tek vendasit midis proevropianëve dhe prorusëve distanca e ndarjes është sa një fill fare i hollë: 3-4 për qind. Natyrshëm balanca lëkundet njëherë në një krah dhe herën tjetër në të kundërtën, ndonjëherë edhe duke kapërcyer fort. Në prag të vizitës disa orëshe në Beograd të presidentit Vladimir Putin, që u krye në 16 tetor ose diçka më tepër se 72 orë pas ndeshjes së futbollit në stadiumin Partizani, një anketë e kishte regjistruar pëlqimin e serbëve për këtë prani deri në 71 për qind.
Por kjo nuk do të thotë që patjetër kjo është edhe përmasa e prorusëve.
Ajo është e fryrë përkohësisht nga disa rrethana.
Po ashtu nuk është zëri i të gjithë Serbisë në deklaratën e presidentit autokton Tomisllav Nikoliç se Rusia është aleatja më e madhe e atdheut të tyre (apo edhe më besnikja). Historia e raporteve mes dy vendeve dëshmon paqëndrueshmëri të madhe, deri edhe kundërvënie të forta. Ndërkohë në Beograd dhe në të tërë Serbinë janë të shumtë ata që mendojnë se është Bashkimi Evropian orientimi dhe aleati i madh kryesor.
Sepse Serbia ka këto dy shpirtra dhe këtë baraspeshim mjaft të brishtë qeveria vendase vërtet nuk u bashkua me sanksionet e BE ndaj Moskës për çështjen e Ukrainës, por vazhdimisht ka pohuar se inspiron të hyjë në këtë bashkësi.
Shqipëria nga ana e vet pozicionin e saj gjeostrategjik dhe bashkë me të edhe historinë e saj, e ka çështje pa asnjë lëkundje dhe mëdyshje: ajo është vetëm me BE-në. Doemos pro edhe çdo veprimi të saj politik, siç është ai i sanksioneve. Është historia jonë që e ka ngulitur njëherë e përgjithmonë faktin se nuk kemi shumë përqindje për Rusinë, ndërkohë që me popullin e saj ruajmë dashurinë më të çiltër e më të ngrohtë se çdo komb tjetër ballkanik.
Prej përvojës së tyre të hidhur shqiptarët bëjnë kujdes nga politika e Moskës, por pa i lënduar kurrë marrëdhëniet korrekte me të, siç nuk druhen fare që në një mbrëmje miqsh apo në çdo festë e takim ish-studentësh, madje sa herë që jepet rasti, tia marrin këngëve ruse.
Ajo që ndodhi në qytetin më proevropian të Serbisë, Beograd, me futbollistët e përfaqësueses tonë dhe me vetë prestigjin e Shqipërisë, nuk është gjë tjetër, përveç arrogancës, veç një dhuratë e stisur për Putinin, një shenjë besnikërie për të.
Jo i sinqertë.
Është çështje e Moskës zyrtare të bëjë llogaritë nëse, krahas raporteve normale e të ngushta me shtetin sllav të Ballkanit, ndërtimit të gazsjellësit South Stream apo, siç tha ministri rus i Zhvillimit Ekonomik Sergej Karaulov se i patën pëlqyer shumë kumbullat serbe të blera në Moskë, i intereson të shkatërrojë marrëdhëniet me shqiptarët. Dihet që në Kremlin njehsimet diplomatike bëhen disa herë më mirë se në ndonjë zyrë kalimtare të Beogradit. Cenimi i dinjitetit të shqiptarëve, trajtimi i tyre aspak dashamirësisht që disa ditë më parë se të ndodhte ndeshja, përgatitja e një atmosfere të tërë propagandistike kundër tyre duke i përshkruar qëllimisht si destabilizues të Ballkanit (Dreqi e mori, por asnjë nuk e beson këtë profkë!), kontrollet tendencioze policore, gjuha e hidhur e një pjese të shtypit dhe çdo gjë tjetër çfarë ndodhi të dielën, gjatë ndeshjes, provon se prishësit kryesorë të saj nuk ishin tifozët ultras.
Ishte qeveria aktuale, madje jo të gjithë njerëzit e kabinetit. Patjetër nuk ka munguar edhe presidenti Nikoliç pikëpamjet radikale të të cilit njihen. Me frymë fillimisht, me organizim patjetër, të paktën nga zyra të veçanta, të cilat i kontrollojnë ekstremistët serbë pasionantë të përleshjes ndëretnike, tërë ai shfrim antishqiptar duhet të jetë prirë prej shërbimeve të fshehta zyrtare ose ato të devijuara.
Duke qenë se me këtë mendësi e sjellje nuk ka dhuratë më të pashije dhe më të dyshimtë për Vladimir Putinin, në thelb më shumë se ti dëshmonin shpirtin e adhurimit për aleatin më të madh, në Beograd me manipulimin e të vërtetës dhe fyerjen e shqiptarëve, u krye një larje hesapesh e radikalëve me liberalët, e prolindorëve me properëndimorët.
Mirë dhe kaq!Një dekadë të shkuar kjo ndeshje e përfundoi një nga seancat e saj me vrasjen e vetë kryeministrit, Zoran Xhinçiç.
Me çfarë do ideologjie apo autoriteti të çdo shteti tjetër të vishen, çdo marifet propagandistik të bëjnë, duke sajuar incidente me shpërndarje të hartës së Shqipërisë së Madhe në ndonjë qoshe të Mitrovicës apo në ndonjë fshat të vogël serb, radikalët serbë kanë dështuar përherë. Duke i sjellë dëme të mëdha vendit të tyre, i cili ka pasur një rast, par exellencë, me Josif Bros Titon, i cili mundi për katër dekada të realizojë një baraspeshim brilant mes interesave të Perëndimit dhe Lindjes, Moskës dhe Evropës, madje edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të marrësh hak ndaj një skuadre futbolli, e cila luajti profesionalisht me shumë aftësi e në etikën e sjelljes qe mjaft qytetare, paqedashëse dhe me shpirt proballkanas, sepse nuk e ke Kosovën më në kufijtë e shtetit tënd, ku padrejtësisht ishte bashkëngjitur, do të thotë të mos kuptosh gjënë më të thjeshtë të historisë së vitit 1999, kur NATO dhe bashkësia ndërkombëtare ndërhyri për ti dhënë fund politikës egërsisht diskriminuese të Sllobodan Millosheviçit: atë vit u çliruan njëherësh dy popuj, ai i shqiptarëve të Kosovës dhe vetë serbët.
Nuk është mundësia e autorit të këtyre radhëve të shkojë përtej kësaj analize politike të asaj që ndodhi, por nisur prej saj ai mendon se fluturimi i atij flamuri me në mes jo aq shumë shqiponjën tonë apo siluetat e bukura të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, por me hartën e Shqipërisë Etnike (siç disa e quajnë mes nesh), është vepër e shtyrë jo nga nacionalistë të sinqertë shqiptarë, madje as prej ndonjë ekstremisti të tyre.
I ka të gjitha shenjat e një vepre spiunazhi diversionist.
Duke bërë si autor të vëllanë e kryeministrit Rama u duk i qepur me pe të bardhë skema ala KGB apo UDB. Fare amatore dhe anakronike.
Sigurisht ai flamur që u zhubros qëllimisht me mllef antishqiptar prej një futbollisti serb do të mbrohej me atdhetari edhe nga shpirtbukuri Lorik Cana e të tjerët.
Megjithatë gjest i sinqertë do të qe vetëm ulja e një flamuri të thjeshtë shqiptar, që i mbushur me dritë në fushën e tij kuq e zi, do të qe spektakli më i bukur dhe më paqësor në atë stadium të nxehur prej tifozllëkut sportiv dhe inatit antishqiptar. Prania e një harte thjesht etnike, ku edhe popujt e tjerë të kontinentit apo edhe të gadishullit tonë, përdorin gjatë komentimit të historisë, duke u interpretuar menjëherë dhe qëllimisht si hartë politike, ndërsa dihet që në historinë njëshekullore të shtetit tonë asnjë qeveri (përveç atyre që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë italianë dhe gjermanë) nuk kanë paraqitur kurrë në programet e tyre ndonjë pretendim të tillë. Pas vitit nëntëdhjetë të gjitha ato kabinete që kemi përjetuar kanë deklaruar dhe mbetur korrekt me parimin se shqiptarët (si edhe serbët apo çdo popull tjetër në këtë siujdhesë), do të rrinë pa kufij pranë njëri-tjetrit vetëm nëpërmjet Bashkimit Evropian.
Po të ndodhte që në stadiumin e Beogradit, si një përgjigje ironike, por mirëdashëse, për pamundësinë që iu krijua shqiptarëve të valëvitnin flamurin e tyre, droni i çuditshëm për të cilin ka shpërthyer një adhurim i madh sa ti puthin helikat apo duart atij ende enigmatikut që e nisi në çastin me shpërthyes të tensionit, do të qemë kursyer këto ditë nga një potere e madhe e ca patriotëve të pilafit.
Ja pse, duke qenë edhe kjo një nga shumë arsyet, shkuarja e kryeministrit shqiptar në Beograd, një politikan i qartë për çfarë duhet të bëjë, është ngritja e vërtetë e një flamuri kuq e zi në kryeqytetin serb.
Ylli Polovina
Tiranë, më 17 tetor 2014
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|