Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MOS NA SHISNI SI POPULL INTOLERANT!


(Botuar në gazetën “Shqip” më 20 shtator 2014)

Nuk u bë kurrë e qartë se prej cilit burim, ndonjë diplomati të huaj apo një vëzhguesi vendas që ruante lidhje klandestine me Perëndimin, por përtej kufijve fakti ra në duart e një televizioni: gjatë ceremonisë funebre të përcjelljes së Enver Hoxhës në Tiranë, mes turmës së madhe që po shprehte pikëllimin për vdekjen e tij, ishte parë një plakë, e cila në atë përmortje kishte belbëzuar një lutje duke bërë kryqin.
Por do të qe fundvjeshta 1990, kohë kur diktatura në ikje do të lejonte rihapjen e institucioneve fetare, për të qenë dëshmitar i një të vërtete befasuese. Shumë shqiptarë deri atëherë kishin bërë sikur qenë ateistë të thekur, por në thellësi të shpirtit të tyre e kishin ruajtur besimin tek Zoti. Madje tashmë po ndodhte sikur nuk kishte ngjarë asgjë, sikur kishat e xhamitë të qenë mbyllur dhe prishur vetëm një ditë më parë. Ata që kishin besuar dhe ushtruar fenë e tyre dy e më tepër dekada më parë, iu rikthyen atyre besnikërisht.
Ndërkohë këtë ngjarje e shoqëroi edhe një pamje e dytë, e cila u shfaq e njëllojtë pothuaj gjithandej. Ishte bashkëpunimi i ndërsjellë i besimtarëve. Në vendlindjen e autorit të këtyre radhëve, teksa hapej kisha e lagjes Goricë, pamjet e Krishtit i kishte prodhuar në letër dhe i shpërndante gratis një fotograf prej një familjeje të njohur myslimane. Kur u rihap xhamia e qendrës së qytetit, shndërruar në magazinë, mes atyre që punonin me pasion për ta çliruar mjedisin nga rrokopuja, qenë shumë të krishterë ortodoksë.
Jo vetëm në Berat, por edhe në disa qytete të tjera, duke shfletuar për periudhën e Luftës së Dytë Botërore nëpër arkiva e biseduar me mjaft dëshmitarë, jemi ndeshur me të njëjtin fakt: SIM-i, zbulimi ushtarak italian, nyja më e fortë agjenturore e pushtuesve, është përpjekur, sipas një plani të projektuar e komanduar nga qendra në Romë, të provokojë jo vetëm përçarje fetare, por edhe një përplasje lufte civile mes besimtarëve të ndryshëm. Për t’ia dalë kësaj, skemat e përdorura qenë nga më dinaket dhe më agresivet: vritej (mbytej me duar, goditej me thikë, varej në litar) në të njëjtën kohë një klerik (prift apo hoxhë) e përdhunohej paralelisht një faltore e besimit tjetër.
Në të gjitha rastet e kryera intriga nuk funksionoi. Agjentët fashistë të përtej detit nuk mund ta kuptonin dot se shqiptarët që në pamje të parë duken të vrazhdë dhe bërtitësa, të potershëm publikisht gjer në bezdi dhe ndërkohë me një minimum problematik aftësie marrëveshëse, brenda vetes janë me shpirt tolerues. Por një italian tërësisht i krishterë katolik, vend ku gjer një shekull e gjysmë më parë kjo fe ka qenë vetë shteti dhe Papa kryeministri i vendit, popull që kryqin e vendos deri në muret e shkollave apo ka një traditë të thellë të Krishterimit si fe zyrtare, nuk arrin dot të kuptojë se si fare pranë tij ekziston një etni tjetër, me një zhvillim më të pakët, e cila beson në tre-katër fe të ndryshme.
Të njëjtën ndjesi përjeton edhe një grek, i cili besimin e tij fetar ortodoks e ka në themel të çdo veprimtarie publike dhe shtetërore, të të gjithë identitetit të vet. Ortodoksi dhe greku kanë qenë dhe akoma mbeten aq identikë sa që në mendësinë e tyre vazhdon të barazohet me të qenit etnikisht helen çdo besimtar i krishterë i kishës së tyre. Dihet tashmë se si me këtë logjikë kanë bërë grekë edhe tërë shqiptarët ortodoksë (pastaj kanë kërkuar tokat tona).
Ka ndodhur kjo edhe me turqit, edhe pse jo me kaq pamje radikale. Gjithsesi në fillim të shekullit të shkuar kushdo që ishte besimtar mysliman regjistrohej nga perandoria osmane si turk. Sot në Kosovë gjen ende “turq” të tillë.
Të jesh një popull shumëfetar nuk e kupton dot edhe një sllav. Një mjeke, profesore e Institutit dhe njëkohësisht e Fakultetit të Terapisë (antireumatizmale) e Universitetit të Malit të Zi, pak kohë më parë, tek na ekzaminonte njëri pas tjetrit, u bënte të gjithë ne shqiptarëve të njëjtën pyetje: “Je mysliman?” I përgjigjesh “Jo”. “Atëherë je i krishterë?” Sërish ia mohon, siç ndodhi me mua. Ndërkohë dijetarja “shqyen” sytë dhe të vëzhgon mos po i fsheh të vërtetën. Duhet durim t’i shpjegosh se në Shqipëri ka shumë fe, mund të jesh besimtar islam dhe bektashi, i krishterë ortodoks, katolik, madje edhe protestant e mbi të gjitha të ndihesh edhe laik. “Laik?” habitet ajo, e mësuara që malazez do të thotë vetëm i krishterë dhe ngul këmbë ta kuptojë këtë term. Me sa mundem ia interpretoj një fakt, të cilin edhe ne shqiptarët e kapërcejmë dhe e hedhim nga harrimi në harrim. I them se vendi prej të cilit vijmë aty për t’u kuruar në ato ujëra të mira termale dhe mes atij qyteti me popull zemërngrohtë e mjaft të edukuar, mes besimtarëve vërtet ka më shumë myslimanë, por mes gjithë popullit ekziston një shumicë që respekton besimin fetar të bashkëkombësve të tij, por vetë është mendjendarë nga të besuarit tek Zoti. Është e kotë t’i vë në dukje se laikët dhe jo fetarët në Shqipëri, sipas një statistike të shpërndarë një vit më parë, janë të paktën 17 për qind.
Shumëfetarizmi ynë ka rënë në sy të botës jo një apo dy dekada më parë, një gjysmë apo një shekull më herët, as dy apo tre njëqindvjeçarë të shkuar, por të paktën që kur pushtimi osman e mbylli vënien nën kontroll të trojeve tona. Janë numerikisht me dhjetëra udhëtarë, shkrimtarë e konsuj të huaj, të cilët e pohojnë këtë që prej shekullit të pesëmbëdhjetë. Këto prova nuk lyp t’i kërkosh patjetër nëpër rafte të thella arkivash, por janë botuar me kohë nëpër libra. Një ndër të fundit ka për autor një ambasador të dikurshëm shqiptar në Strazburg, studiuesin Fotaq Andrea.
Pluralizmi ynë fetar, i mosbegenisur prej nesh ndoshta edhe prej shqetësimit se i rënë në duart e disa pushtetushtruesve të jetës publike, të cilët nuk janë patjetër politikanë, është ekzagjeruar dhe fryrë me propagandë të padurueshme, madje bërë mburravece, është individualizuar si vlerë sërish (si përherë) nga mjedise të rëndësishme demokratike të kontinentit tonë dhe më tej. Ata po e citojnë këtë shembull, i cili nuk është i rrallë vetëm në Ballkan, gjithnjë me të drejtën e ligjshme e të domosdoshme për t’ia kundërvënë një dukurie shumë të rrezikshme të dy dekadave të fundit: shndërrimit të fesë në urë zjarri lufte globale. Tashmë është e ditur që motivet ideologjike të Luftës së Dytë Botërore po zëvendësohen nga ato ekstremiste islamike. Për pasojë në Evropë janë shumuar edhe radikalët e krishterë, të cilët, edhe pse ende numërohen të paktë, përfaqësojnë një mendësi tipike fondamentaliste. Shpesh këta individë ultra të krishterë janë tepër të rëndësishëm dhe me ndikim publik shumëkontinental, si për shembull kanë qenë e mbeten dy shkrimtarë të zëshëm. Këtë frymë të eksportuar prej andej, nga Perëndimi, të ndjekur por edhe të kopjuar edhe si një mënyrë për të bërë me çdo kusht e me çdo çmim protagonizëm vetiak, e gjen të gjallëruar edhe në trojet tona. Thirrjet e përsëritura edhe në ditët e para të kësaj vjeshte 2014 për të neveritur myslimanët apo për të ndërmarrë një operacion purge të tyre e rikthyer mes shqiptarëve fenë e krishterë të mijëvjeçarit të parë, këtë natyrë kanë: fundamentalizmin.
Ato nuk do të hedhin asnjëherë rrënjë mes nesh dhe kurrë lëshojnë degë. Shqiptarët nuk i ka edukuar ndonjë qytetërim i lartë për të qenë tolerantë, sepse të tillë civilizim nuk e kanë pasur ndonjëherë. “Jeta është shkolla më e madhe” thotë një urtësi e popullit tonë. Tolerancën fetare dhe jo vetëm atë ilirët, prej të cilëve dolën arbrit e pas tyre u formatuan shqiptarët e kohëve të reja, e kanë përvetësuar prej nevojës së thjeshtë për të mbijetuar. Qenë pak dhe të përçarë, siç edhe sot nuk janë aspak të bashkuar e të zotë për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Nuk kishin rrugë tjetër për t’i shpëtuar prishjes etnike veç t’i hapnin rrugë ekzistencës së njëri-tjetrit.
Shqipëria nuk është vendi i harmonisë, kjo është profkë e madhe. Megjithatë është i tolerancës. Për këtë dhunti qe erdhi prej rrethanave historike dhe jo nga ndonjë kultivim i posaçëm qytetërues, nuk kemi pse rrahim gjoksin dhe bëhemi mburravecë.
Ta pohojmë, thjesht, duke njohur veten dhe e pranuar atë me të mirat dhe të metat tona.
Përderisa njerëz dhe mjedise më të zhvilluara dhe më largpamëse nga ne, duan ta spikatin këtë shembull para popujve të tjerë, qoftë edhe për nevoja dite, pozitive patjetër, ne duhet t’u jemi mirënjohës.
Kush ndërmjet nesh na paraqet si popull intolerant sepse, për shembull, Enver Hoxha dhe komunizmi real që pushtoi gjysmën e botës, u soll dhunshëm ndaj mendimit dhe besimit ndryshe, kjo nuk përbën asnjë argument jo vetëm historik, por as logjik. Më e pakta është shpirtngushtës.
Ose edhe fundamentalizëm i llojit të vet.

Ylli Polovina

Tiranë, më 18 shtator 2014




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com