Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PAPA VJEN, NE RRIMË DHE E PRESIM


(Botuar në gazetën “Shqip” më 15 shtator 2014)

Inteligjenca e një elite kombëtare, veçanërisht klase politike apo grupi qeverisjeje është të ndërtojë, duke përdorur rrethanat e brendshme, fatin e mirë të vendit e të popullit të vet. Kur nuk e ka të spikatur këtë aftësi, të paktën të zotërojë intuitën për të parandjerë kur, për shkak të rrethanave ndërkombëtare, ky fat vjen nga mjedise dashamirëse matanë kufirit. Modeli ynë më i shpeshtë i veprimit në raste të tilla, ai që mund të quhet tipik shqiptar, është më i keqi i mundshëm: prishim nga brenda çdo mbarësi që na vjen prej tanëve si edhe pothuaj çdo fat që na vjen nga jashtë.
Kjo po përsëritet. Saktësisht në prag të vizitës së Papa Françeskut.
Ka nisur që kur u bë i ditur lajmi i kësaj pranie. Njoftimi u përhap njëherësh nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë dhe nga vetë udhëheqësi i saj. Ai mbarte, që në këtë çast, pra në gjendje thjesht lajmi, energji të madhe pozitive për kombin tonë. Që prej atij momenti, pa e shpërdorur dhe pa e futur nëpër formate propagandistike, ne duhej ta kishim përvetësuar dhe sendërtuar si një ngjarje tepër të madhe frymëzuese. Sigurisht lexuesit i kujtohet se lajmi u bë publik në momentin më të nevojshëm: ndërsa pritej nga BE miratimi i kërkesës sonë për të qenë në të ardhmen kandidat për hyrjen në këtë bashkësi. I bërë këtë kohë posaçërisht apo thjesht për një rastësi, ndikues pozitiv në vendimin inkurajues që u mor në Bruksel apo jo, secili ka të drejtë të ruajë gjykimin e vet. Shumë veprime të mëpasshme të Papës lënë të mendosh se gjithçka ai e ka përgatitur me një paramendim strategjik dhe mirësi të jashtëzakonshme për shqiptarët.
Duke shpallur para gazetarëve, vetëm pak kohë më parë, arsyet përse po shkonte në Tiranë, Papa Françesku u shpreh për ne me termin “popull fisnik”. Ai nuk dallohet aspak për ndonjë pëlqim ndaj mjeteve standarte të propagandës, por vetëm për thënien e drejtpërdrejtë dhe të sinqertë të të vërtetave. Shumë i besueshëm për gjithë botën, duke na quajtur njerës fisnikë, ai na ka dhënë një ndihmë të madhe për imazhin tonë. Mbi të gjitha ka vënë në vështirësi të madhe ata që mendojnë se shqiptarët përfaqësojnë tërë prapësinat e Ballkanit.
Papa, në këtë shpirtmadhësi të tij dhe gjithnjë duke e besuar se e ka pasur mision mirësisht të projektuar që më parë, kreu edhe një gjest tjetër të veçantë: doli në foto me një flamur shqiptar.
Rezervë e madhe pozitive për inkurajimin tonë drejt zhvillimit e sidomos ndaj çdo përpjekjeje për ripërtëritje morale, njoftimi i vizitës edhe si lajm, për fat të keq, qëndroi në periferi. E zhvendosi atje jo ndonjë ligësi ndaj Papa Françeskut, i cili është shumë i mirëpritur prej të gjithë shqiptarëve të çdo besimi fetar, ideje partiake apo krahine, shtrese sociale apo moshe. Madje na vagullin shpresa se edhe bashkëkombësit tanë nga Prishtina, Shkupi apo Ulqini, pra nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, pse jo edhe nga diaspora, do të vijnë me shumicë për ta përshëndetur.
Pesha e madhe ndikuese e lajmit të vizitës u shty në periferi për shkak të një vesi që vërtitet gjallërisht mes nesh: mënyra si zhvillohet lufta e brendshme për pushtet tek ne: brutale, energjimpirëse, jo shpresëdhënëse.
Paralelisht me njoftimin e vizitës së Papa Françeskut çfarë nuk na ka ndodhur ndërkohë? Nuk do të mjaftonte ajo çfarë po ngjan me sistemin bankar, i cili realisht është sistemi i vërtetë i sigurisë kombëtare (1997-ta me shembjen e fondacioneve huamarrëse dhe pasojat që dha, e provoi këtë), por edhe me rishpallje idesh për mospëlqim të myslimanëve apo të bashkëkombësve që jetojnë në veri të vendit, bash atje ku edhe janë vatrat, të cilat kanë mbajtur gjallë këtë thesar të madh të traditës sonë historike: besimin fetar të krishterë katolik.
Habitesh se si për të shprehur ide të tilla nuk priten nja dy javë, të paktën, sapo vizita e çmuar të kryhet.
Duke qenë se çfarë ndodhën brenda nesh lexuesi i di të gjitha po e çojmë më tej këtë temë me rrëfimin e një pamjeje tjetër. Me siguri ju ka rënë në sy se dinamika e çvlerësimit të ngjarjes së madhe të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri që prej çastit të shpalljes ka ardhur duke u rritur, tashmë edhe nga jashtë. Nuk ka rëndësi nëse me këtë rast paraqitet apo jo një strategji e harmonizuar e disa mjediseve të caktuara jashtë kufirit me elementë të brendshëm, por gjithsesi pasojat janë dëmtuese si të ketë realisht një organizim.
Jo vetëm prej andej ku po tentohet të ngrihet barbarisht një shtet islamik (ISIS), madje edhe me kontribut të disa bashkëkombësve tanë, por nga fare afër u vu në lëvizje lajmi famëkeq se jeta e udhëheqësit të Kishës Katolike do të qe në rrezik gjatë vizitës së tij në Tiranë. Vetë Papa Françesku e përgënjeshtroi një kanosje të tillë. E sfidoi. Po ashtu shqiptarët e sfidojnë, sepse edhe i kërcënuari tjetër, presidenti amerikan Xhorxh Bush u ndje gjithkund, deri edhe në Fushë Krujë, më i sigurt se në viset e veta.
Diversioni se Shqipëria është një vend, popull dhe shtet i rrezikshëm mysliman, shkrishtërues i Evropës, po ashtu është intensifikuar, ka marrë revansh. Njollosja e shqiptarëve dhe e trojeve të tyre si bartës së terrorizmit fetar islamik këto ditë është në lulëzim të plotë. Po bëhet gjithçka, veçanërisht në fshehtësi, që në të kundërt të imazhit mjaft pozitiv që po i jep vendit tonë vizita e Papës, ai të djallëzohet. Po ngulmohet t’i paragjykohet çdo marrëdhënie e natyrshme që Shqipëria ka me shtete e popuj të vijnë prej besimit të denjë e të sinqertë mysliman. Në Serbi, falë një tradite të hershme marrëdhëniesh të ngushta me vende islamike si edhe aftësisë së qeverisësve të saj për të përfituar ndihma, pikërisht prej Arabisë Saudite i ka ardhur një investim prej 3.1 miliard dollarësh për ndërtimin e një qyteti të tërë (si Hong Kongu) mbi lumin Sava. Për të ngritur një stacion të madh ata kanë siguruar nga i njëjti burim 700.000 dollarë. Madje mbahen mend se vite më parë u është dhënë për buxhetin e shtetit, pra për paga dhe kanceleri të ndryshme, pa asnjë detyrim shlyerjeje, një ndihmë prej një miliard dollarësh.
Për buxhetin tonë të shkatërruar të pas trazirave të vitit 1997 një ministri ynë i jashtëm, me gjithë shkathtësinë e tij mjaft të mirë diplomatike, nuk siguroi dot, prej ndonjë vendi mysliman si në rastin e mësipërm, as një minimum jetik prej 5 milion dollarësh.
Vizita e Papa Françeskut, si edhe ajo e Vojtilës në 1993, do të jetë një ngazëllim i madh i shqiptarëve dhe triumf i imazhit të tyre pluralist fetar. Ajo do të prodhojë, për shkak të prestigjit të tij të shquar personal, si njeri dhe si klerik, për arsye po ashtu të ndikimit të fortë ndërkombëtar të Selisë së Shenjtë, jo pak edhe fuqisë së jashtëzakonshme mediatike të lajmit që në të gjithë rruzullin do të përhapet, një fat tjetër për ne.
Por këtë herë, në 21 shtator, le të jemi të qetë. Nuk ka nevojë të bëjmë sikur ja dolëm ta mirëpërdorim. Gjithçka do të jetë meritë e mikut të madh.

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 shtator 2014

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com