|
NEXHMIJE HOXHA DHE ARDIAN FULLANI
(Botuar në gazetën “Shqip” më 7 shtator 2014)
Ngjashmëria mes tyre përkon vetëm në një pikë, prandaj çdo njëllojshmëri tjetër, nga që përbën padobi për temën që dëshiron të trajtojë ky shkrim, është i përjashtuar prej tij.
Aktualisht, në kohë të njëjtë, pothuaj në sinkron, Nexhmije Hoxha dhe Ardian Fullani kryen gjeste identike.
Zonja Hoxha nëpërmjet intervistës së fundit televizive me kohë të mjaftueshme të shprehte gjithçka që dëshironte, pyetjes nëse kishte bërë gabime në jetën e saj (dhe veprimtarinë politike), u përgjigj e vendosur dhe në mënyrë kategorike: Jo. Kur gazetari Roland Qafoku, i cili po e drejtonte bisedën, i bëri pyetjen tjetër “Po PKSH?”, ajo ofroi për të dhe për të gjithë opinionin publik përgjigjen “Ka bërë”. Çështjen e kuptimit të këtyre dy mesazheve të saj nuk po e shtrojmë se si është e mundur që një eksponente e rëndësishme e Partisë Komuniste Shqiptare (më pas PPSH), personalisht u ndjeka e çliruar nga brenga se për një gjysmë shekulli mund ta kishte kryer edhe ndonjë gabim, ndërsa partia moniste e drejtuar me dorë të hekurt prej bashkëshortit të saj, ku edhe ajo ushtronte pushtet jo të vogël, pati gabuar. Sigurisht që me gabime të kryera Nexhmije Hoxha e ka pasur fjalën për periudha në të cilat patën vepruar “armiqtë e popullit dhe të partisë”, që prej Sejfulla Malëshovës, Koçi Xoxes e deri tek Mehmet Shehu. Kur deklaroi e bindur se PKSH kishte bërë gabime ajo nuk ngarkonte me përgjegjësi Enver Hoxhën.
Por le ta lëmë mënjanë interpretimin e deklaratës së saj në këtë kah. Zonja Hoxha tashmë, me librat që ka shkruar dhe intervistat e dhëna herë pas here, ka lënë qartë të kuptohet se vazhdon të jetë ideologjikisht një ultrastaliniste e pa modifikuar për plot treçerek shekulli. Tani nuk ka më asnjë shpresë që ajo të mund të moderohet. Megjithatë këtu ajo është në të drejtën e vet. Pikëpamjet e saj politike nuk ushtrojnë asnjë ndikim në shoqërinë e sotme shqiptare, siç është edhe fakt që ajo vetë nuk kryen asnjë veprimtari dhe propagandë ndaj sistemit shoqëror pluralist. Kur ka folur e ka shkruar ajo thjesht është shpjeguar apo mbrojtur. Po ashtu Nexhmije Hoxha publikisht dhe pa demagogji është shprehur pozitivisht për aleancat e vendit tonë me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian. Këtë gjest e bën sepse ndihet dhe është patriote.
Të gjithë këtë identitet të saj ajo fare mirë mund ta ruante duke kryer të paktën dy gjeste.
I pari mbetet një pretendim maksimal: të kërkonte një thërrime ndjesë. Fare pak. Të paktën jo si shenjë reflektimi e korrigjimi politik, por thjesht dhimbjeje njerëzore, brenge humane. Le të mos shkonte deri tek vetëqortimi se si shoqëria komuniste, e cila shqiptarëve u qe premtuar si një e ardhme shumë e afërt, ku do të hahej me lugë të artë, në Shqipëri e mbylli përvojën e saj ekstreme dhe tronditëse me sistem triskash. Pse u kyç doktrina e tyre aq shumë sa ndërtoi një shtet dhe një popull të vetërrethuar. Pse sa më tepër vite shkonin e ashpërsonte më tej luftën e klasave, kur doktrina marksiste-leniniste thoshte se ndodhte vetëm e kundërta.
Regëtimën e ndjesës zonja Hoxha le ta shqiptonte për hatër të atyre që u burgosën, u internuan e sidomos për ata bashkëkombës të pakompromentuar me shërbime në favor të pushtuesve apo të shteteve me politikë agresive antishqiptare, të cilët u pushkatuan.
Ajo ka moshën e 94 viteve dhe kaq shumë mote mbase natyra ia ka dhënë edhe të ketë sa më tepër kohë për një rigjykim të së kaluarës. Një supermoshë e tillë mbase i vlen ende me fatin e ofruar që të mos largohet nga kjo jetë pa e shqiptuar atë “Më falni!”, çfarë i jep mundësinë ta formulojë edhe me shpjegimin se në të vërtetë patën luftuar me shpirt të sinqertë për një Shqipëri të begatë, por kauza politike që kishin dhe ai model shoqëror që huazuan nga Bashkimi Sovjetik, rezultoi i dështuar. Po të dojë, pas kësaj, le të thotë se tani, në ditët e sotme, kur shoqëria shqiptare është e hapët ndaj shumëpartitizmit dhe mjaft lirive të tjera, kur modeli shoqëror është i sprovuar si e keqja më e mirë, ngjajnë turpe jo të vogla dhe krime po ashtu.
Por në rast se një veprim të tillë kërkese ndjese nuk dëshiron ta bëjë, fare lehtë në intervistën e fundit mund të pohonte se gjatë jetës dhe veprimtarisë së saj e pati bërë ndonjë gabim. Ndërkaq Nexhmije Hoxha iku nga ekrani pa pranuar asnjë lloj të tillë, duke gjykuar, me siguri, se kështu do të pohonte dhe mbante edhe ndonjë përgjegjësi penale. Në fakt është fjala për thjesht përgjegjësi morale. Burgjet ajo i bëri dhe nuk kanë përse t’i rikthehen.
Zonja Hoxha na tha qetësisht se qe e pagabueshme, me këtë rast duke na bindur përfundimisht se hataja gjysmëshekullore që pati ngjarë, nuk ishte aq shumë pasojë e realkomunizmit, e modelit politik, se sa, mbi të gjitha, dëm personal e çiftit pushtetushtrues Hoxha. Këtyre dy bashkëkombësve që, me shkrim dhe me fjalë, nuk pranuan kurrë se qenë si të gjithë njerëzit, sadopak të gabueshëm. Ja pse gjëma na ka ndodhur nga kjo mendësi e tyre pagabueshmërie, e cila në thelb është shprehje e një deliri të plotë. Komunizmi si utopi e bashkuar me këtë patologji deliri qe lënda që gërreu Shqipërinë.
Ndërkaq guvernatori i Bankës Kombëtare i kishte të gjitha mundësitë dhe hapësirat manovruese të bënte me kohë një gjest: dorëheqjen. Qe veprim shumë i thjeshtë dhe mjaft efikas për të mbrojtur më së pari interesat e tij, sepse që kur në bankën pronë të të gjithë shqiptarëve u vodhën si në një kioskë të braktisur në anërrugë, miliona dollarë, interesave tona zoti Fullani u kishte kthyer shpinën.
Gjesti i qartë dhe i shpejtë i dorëheqjes nuk kishte përse të qe vetëturpërues, as destabilizues për sistemin monetar dhe zhvillimin e vendit. Ai mund të ishte mjaft qetësues për opinionin publik dhe konstruktiv për ekonominë. Pra pak a shumë “Nuk jam pjesëmarrës në këtë vjedhje, gjithçka ka ngjarë fshehurazi meje dhe në padijeninë time; i ofroj bashkëpunim drejtësisë si edhe e ftoj të më hetojë edhe mua personalisht; por përderisa kjo ndodhi ndërsa isha drejtuesi i bankës, pra përderisa disa nëpunës të mi ma hodhën, duke ndjerë vetëm përgjegjësi morale, dorëhiqem. Shpreh dëshirën dhe kam besimin se procedurat e zëvendësimit tim operativ do të jenë të tilla që nuk do të prekin sigurinë e bankës”.
(Dhe me këtë rast ai politikani ish-ministër i Financave në qeverinë e mëparshme nuk do të lëshonte deklaratën shumë të diskutueshme se pavarësia e Bankës Kombëtare qe më e rëndësishme se ajo e sigurisë së parave të ruajtura në të).
Kështu duke bërë një funksionar shteti të tejpavarur, të dalë prej çdo lloj kontrolli, as shtetëror dhe as parlamentar, pa begenisur të informonte dhe sqaronte sinqerisht dhe në mënyrë të shpeshtë opinionin e shqetësuar publik, i cili ka ca kohë që demonstron aq forcë sa të merr përpara dhe kushdo që të jesh, të bën të thyesh qafën, kjo “predhë e dalë jashtë kontrollit”, e cila tashmë po vërtitej nëpër shalët e shumë politikanëve dhe mund t’i godiste për vdekje, ngutën rrethanat që guvernatori të frenohej forcërisht: e ndaluan me urdhër prokurori. E mbyllën në një dhomë policie, në pritje nëse gjykata do ta fusë në birucë apo do ta lejojë të rrijë, nën kura mjekësore, në shtëpi.
Çfarë do të ndodhë në ditët e ardhme mbetet labirint, lojë dhe kundërlojë politike. Besojmë se do të na shohin sytë çuditë e zakonshme, të cilat do të ridëshmojnë se populli ynë është ende larg ndaj të drejtës së garantuar për të qenë sovrani i vërtetë i këtij vendi.
E megjithatë (çudi e madhe!), Ardian Fullani i kishte të gjitha mundësitë ta bënte më të zbutur pasojën mbi të dhe mbi të gjitha tmerrin që pamë: nxjerrjen e parave kesh, me tufa dhe me dengje, nëpër thasë, hedhur krahaqafë, si në filma ordinerë, nga ajo që besohej se ishte kështjella e sofistikuar e mbrojtjes së parasë dhe pasurisë kombëtare.
Kaq gjë të thjeshtë, këtë dorëheqje në kohën e duhur, këtë “dredhi” apo manovër, ai nuk e bëri.
Edhe njerëzit me rol dhe peshë të rëndësishme publike, sidomos kur vetëndihen të gjithëfuqishëm, e kanë përherë një pikë fatale të vetërrënimit, madje të shembjes së menjëhershme. Ky është çasti kur atyre u është mbushur mendja se ndryshe nga gjithë njerëzit e tjerë, janë të pagabueshëm.
Ylli Polovina
Igallo, 6 shtator 2014
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|