|
FESTIMET E 28 NËNTORIT 1944, NJË BALLO ME MASKA
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 30 gusht 2014)
Pjesa e parë
Çfarë ndodhi realisht në Tiranë në 28 dhe 29 nëntor 1944 do të qe një mundësi më tepër për të kuptuar nëse e vlen të vijojë edhe më, në formën e propagandës dhe jo të analizës historike, çështja rreth përkujtimit apo jo të ditës së çlirimit nga pushtimi fashist.
Tirana e çliruar që në 17 nëntor dhe tërheqja e gjermanëve për të dalë sa më shpejt në Jugosllavi, për të mos mbetur as këtu të kapur në grackën e rrethimit nga Ushtria e Kuqe që vraponte të merrte Beogradin dhe asaj anglo-amerikane, e cila në të njëjtin drejtim vinte prej gadishullit italian, garantuan çlirimin e sigurt të territorit të të gjithë Shqipërisë. Kjo qe thjesht çështje ditësh. Për këtë arsye Enver Hoxha, që nga Berati, ku tashmë qe shpallur kryeministër i vendit, urdhëroi organizimin e festimit të 28 nëntorit, përvjetorit të 32-të të shpalljes së pavarësisë ose independencës, siç thuhej zakonisht atë kohë.
Kjo do të ishte, në mënyrë simbolike, edhe vetë festa e çlirimit të vendit. Të paktën për atë vit, 1944. Largimi edhe i gjermanit të fundit jashtë kufirit shqiptar formalisht mund të ndodhte më 29 apo në 30 nëntor, pse jo edhe më 1 dhjetor. Kjo gjë, ditëçlirimi kalendarik, siç e konfirmojnë mjaft dëshmi, qe çështje e dorës së tretë. Grupi udhëheqës i PKSH-së pati ëndërruar që nxjerrja përfundimtare e nazistëve jashtë kufirit të ndodhte më 28 nëntor. Aq e dëshiruar ishte kjo saqë, edhe pse programi festiv ishte hartuar për ditëshpalljen e pavarësisë, në katërmbëdhjetë pikat e tij të para fjala kryesore shprehëse e kësaj ngjarjeje, independenca kombëtare, nuk përmendej fare. Ajo shfaqet vetëm tek pika e fundit, e pesëmbëdhjeta. Shiheni çfarë formulimi ka: “..ditës së madhe të 28 Nëndorit që përkujton fitimin e Indipendencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet koincidon me festën e çlirimit të Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë…”.
Asnjë rastësi nuk kishte sepse kryeqyteti qe çliruar një duzinë ditësh më parë dhe tërësisht vendi akoma jo. Në rast se do të organizohej, siç thotë pika pesëmbëdhjetë e programit, festa e çlirimit të Tiranës dhe e të gjithë Shqipërisë, mund të përzgjidhej një ditë tjetër e nëntorit, po njëlloj edhe e fillim dhjetorit, nëse ikja përfundimtare e nazistëve ngjante këtë kohë. Ditëçlirimi shqiptar mund të ishte fare mirë 17 nëntori 1944, ai i marrjes së Shkodrës apo edhe momenti kur do ta kapërcente kufirin ushtari i fundit gjerman. Zgjedhja e 28 nëntorit për t’i kryer këto festime ka qenë e paramenduar dhe e paracaktuar që të mundej PKSH të përfitonte nga prestigji i ngjarjes më të madhe dhe më të panjollosur kombëtare.
Ky do të qe rasti i parë, i përsëritshëm deri në nëntor 1990, ku lufta nacionalçlirimtare, më pas edhe nëpërmjet simbolit të saj të caktuar më vonë, 29 nëntorit, do ta rivalizonte njëzetë e tetën dhe do t’ia dilte që brenda atij çifti ngjarjesh të mëdha nacionale, të merrte epërsinë. Jo më kot në tekstin zyrtar “Historia e Shqipërisë”, pjesa III, Tiranë 1984, shkruhet “Dita e 29 nëntorit 1944, dita e Çlirimit, është dita e fitores më të madhe, që ka arritur populli shqiptar në të gjithë historinë e vet”. Por është vetë Enver Hoxha që tek “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ndërsa për çfarë ndodhi në 28 nëntor ka vetëm shtatë rreshta, po ashtu ngul këmbë se 29 nëntori “ishte fitorja më e madhe në historinë e popullit shqiptar”.
Prirje për ta ngritur njëzetë e nëntën mbi njëzetë e tetën janë vënë re dukshëm edhe në dekadën e parë e të dytë të pluralizmit të tanishëm.
Gjithsesi ideja e Hoxhës për t’i bashkuar të dyja, 1912 dhe 1944, qe një gjetje politike dinake, por edhe mjaft inteligjente, për t’i dhënë qeverisë së re të drejtuar prej tij një imazh, siç edhe ja pati bërë të ditur opinionit publik vendas dhe të huaj që në Berat: plotësisht demokratike.
Kështu të gjithë ata bashkëkombës, sidomos qytetarë tiranas dhe pjesëtarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, partizanë të armatosur apo në shërbimet civile të saj, në atë që ndodhi më 28 nëntor në kryeqytet ishin të vetëdijshëm dhe krejt të qetë se nuk po shkonin drejt një shoqërie diktatoriale. Për t’ua fshehur këtë të vërtetë PKSH, fillimisht nën udhëzimet e Internacionales Komuniste dhe më pas të të ngarkuarës së saj për Shqipërinë, Partisë Komuniste Jugosllave dhe të Titos, kishte punuar posaçërisht.
Ja një provë për ta ilustruar këtë: Nexhmije Hoxha në vëllimin e parë të kujtimeve të saj për të shoqin shkruan se “Me rastin e festës së 28 Nëntorit, me rastin e Çlirimit të Tiranës, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë bënë amnisti të përgjithshme për të gjithë pjesëtarët e Ballit Kombëtar, të Legalitetit dhe të organizatave të tjera që bashkëpunonin me okupatorin: përjashtohen nga kjo amnisti të gjithë kriminelët e luftës, ata që kanë vrarë, djegur, çnderuar dhe plaçkitur pasurinë e popullit”. (Dihet se çfarë fryme antiamnistie pati lufta e klasave).
Por për maskën e “pafajësisë” që vuri në fytyrë regjimi totalitar, shumë detaje të tjera do t’i paraqesim më poshtë.
Komisioni për Organizimin e Festës së 28 Nëntorit (e përsërisim, jo të çlirimit, sepse kjo nuk pati ndodhur), qe përbërë nga eksponentët më të lartë të Qeverisë, të Shtabit të Përgjithshëm, të Kryesisë së Këshillit Nacional-Çlirimtar, të organizatës së rinisë prokomuniste (BRASH, drejtuar nga Nako Spiru) dhe asaj të gruas (BGASH, me në krye Nexhmije Hoxhën). Programi përfshinte veprimtari në tre pjesë kohore të ditës: paradite, pasdreke dhe pasdarke.
Ky organizim tresh shkonte edhe më tej. Festimet nuk do të nisnin e mbylleshin më 28 nëntor, por do të kryheshin edhe më 29 dhe datën 30.
Sipas programit të komisionit të lartë në pjesën e paradites do të qenë dy aktivitete: prezantimi i kabinetit të ri qeveritar dhe më pas, menjëherë, parakalimi i ushtrisë. Prej disa ditësh në mjedise të hapura apo edhe nëpër kapanone të kazermave, qenë stërvitur për të bërë paradën tre brigadat që e patën çliruar Tiranën (e Para, e Katërta dhe e Teta), si edhe brigadat numër Dhjetë e Dymbëdhjetë, të ardhura posaçërisht nga Shijaku dhe Durrësi. Kuadratet parakalues do të qenë njëqindëshe.
Por ndërkohë komisioni qendror pati pranuar të futej në program, madje e rreshtoi të parën në radhën e veprimtarive, edhe një që nuk vinte e propozuar prej strukturave të tij. Në 25 nëntor famullitari Don Shtjefën Kurti, drejtues i Kishës Famullitare Katolike – Shëtitorja e Madhe në Tiranë, i drejtonte një ftesë Komandës Ushtarake Nacional Çlirimtare të kryeqytetit: “Të martën, më 28 nanduer, me rastin e përvjetorit të Pamvarsise Shqiptare, n’orën 9, do të këndohet një “Te Deum” në Kishën Famullitare Katolike – Shëtitorja e Madhe. Kemi nderin me grishë auktoritetet ushtarake t’asaj Komande me marrë pjesë në ceremoninë e rastit”. Siç dihet “Te Deum” (“Te Deum Laudamus”) është një këngë liturgjike e krishterë, e kompozuar në shekullin e katërtë prej iliro-arbërit Shën Niketë Dardani.
Komisioni vendosi orën e kryerjes së ritit katolik, jo siç qe propozuar, por në 7.30 të mëngjesit. Kështu “Programi për kremtimin e 28 nëndorit” i qeverisë së Partisë Komuniste Shqiptare niste me nderimin e Zotit. Më pas Dom Shtjefën Kurti do të dënohej dy herë. Në të parin vetëm me burgim, në të dytin, më 1971, me pushkatim. Për t’ia marrë jetën patën mjaftuar vetëm disa pagëzime fëmijësh, sigurisht fshehurazi përderisa ushtrimi i fesë qe ndaluar. Kur Dom Shtjefën Kurtit i ranë plumbat shtetërorë mbi trup qe 74 vjeç.
Por në fund nëntor 1944 qeveria dhe sidomos kryeministri i saj që gjithçka çfarë do të ndodhte në të vërtetë, e mbajti mbuluar, çdo gjë zhvillohej si të qe në Londër apo Nju Jork. Në datën njëzetë e shtatë Ali Bakiu, i cili qe kryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar të Tiranës, i drejtonte Dom Shtjefën Kurtit shkresën e mëposhtme: “Simbas programit këtu bashkëngjitur, jeni të ftuem të merrni pjesë në vendin e caktuem në zhvillimin e festës të 28 Nandorit”.
Ditën e njëzetë e shtatë, në orën 12.00, nëpër sheshet dhe rrugët e kryeqytetit, nga para hotel Dajtit e deri në spital, ku ndodheshin shumë partizanë të plagosur, nga altoparlantët e porsamontuar, u dëgjua Radio Tirana. Qe rivënë në punë. Zëri i folësit ishte i ri.
Ndërkohë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha, me autoritetin e tij si “Komandanti i Përgjithëshëm”, i kishte dhënë një Urdhër Dite “Ushtërisë Nac.-Cli. Shqiptare”. Në dyzetë radhët e saj, të shtypur në tipografi dhe të ngjitur që në mëngjezin e 28 nëntorit nëpër shtylla dhe faqe muresh, thoshte se i përshendeste me rastin e kësaj dite, se kjo ushtri kishte qenë heroike në luftën “kundra Fashizmit dhe tradhëtorëve”. Po ashtu Hoxha theksonte: “Detyrat që keni përpara janë të mëdha, qyteti i Shkodrës ndodhet ende në duart e okupatorit, ne duhet ta çlirojmë dhe të mos lëmë asnjë gjerman të dalë i gjallë nga tokat t’ona, duhet t\'i çfarosim. Besnikë të aleancës së madhe antifashiste dhe për solidaritetin e vëllezërimin e math që na lith me popujt e Jugosllavisë, t’a ndjekim armikun në tokat e Malit-të-Zi dhe krahas me ushtërinë Jugosllave t’a shpartallojmë rezistencën në atë vend”.
Paragrafi i tretë i atij urdhri dite komunikonte se “Ushtëria e jonë të bëhet një ushtëri modele dhe e zonja të mbrojë popullin, të mbrojë pushtetin për të cilin ajo derdhi kaq gjak. Ushtëria jonë duhet të modernizohet dhe të pajoset me të gjitha kualitetet ushtarake dhe armët moderne, ajo duhet të bëhet një ushtëri politike, pse në këtë mënyrë ajo do të dijë t\'i mbrojë si duhet interesat e popullit Shqipëtar”.
Ishte fare e qartë çfarë nënkuptonte Enver Hoxha me termin dhe konceptin “ushtri politike”. Pra ajo do të kryente detyra partiake. Me pak fjalë do të qe edhe Polici Politike, siç më parë saktësisht me këtë emër kishin pasur pushtuesit fashistë italianë një institucion përndjekës të kundërshtarëve dhe si rregull ka çdo diktaturë. Regjimi që po kërkonte konsensus popullor sa më të madh atë fund nëntori 1944, më pas do t’i ndërtonte më të plota mekanizmat e veta të mbajtjes së pushtetit, mes tyre edhe Sigurimin e Shtetit, i cili do të realizonte, përveç të tjerash, edhe rolin e policisë së brendshme politike.
Deri sa diktatura të plotësohej me strukturat e saj këtë mision do ta kryente Ushtria Nacionalçlirimtare, pra brigadat partizane. Madje drejtpërsëdrejti prej tyre qeveria e re me në krye Enver Hoxhën tashmë kishte nisur të krijonte njësi me një emër shumë hijerëndë: Brigada të Mbrojtjes Popullore.
Më 19 nëntor që nga selia e përkohshme e qeverisë në Berat Hoxha, sipas librit të tij “Gjithmonë vigjilencë”, Për organet e Punëve të Brendshme, vëllimi i parë, 1986, do t’i niste një urdhër dhe një udhëzim shtabit të Korparmatës I të UNÇSH-së. Në urdhër do të komunikonte: “Do të organizohen tri brigada të Mbrojtjes Popullore në baza ushtarake. Këto do të jenë për sigurimin publik të qytetarëve dhe të krahinave. Do të dalin nga ushtria me partizanët më të vjetër, më të sprovuar, më besnikë, më rezistentë fizikisht dhe moralisht. Këto do të ruajnë autoritetin e pushtetit NÇl, zyrat, urat, aerodromet, depot me rëndësi. Do të kontrollojnë aktivitetin e reaksionarëve, të sigurojnë rregullin dhe qetësinë. Këto do të vishen dhe do të armatosen më mirë nga të gjithë. Duhet të jenë gati të gjithë me armë automatike. Më 28 Nëntor duhet të jenë gati në Tiranë Brigada I e Mbrojtjes Popullore; të ketë 800 partizanë. Nga 150 prej Brigadave I, IV, VIII dhe XV. Të ketë tri batalione. Kjo çështje ka një rëndësi shumë të madhe. Të veprohet menjëherë dhe mirë”.
Në udhëzimin e 19 nëntorit Enver Hoxha do ta porosiste shtabin e Korparmatës I se “Qeveria do të hyjë në Tiranë më 28 Nëntor. Duhet të sigurohet qyteti dhe të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë. Partia dhe organizata të mobilizohen për sigurimin e qytetit, veçanërisht rinia. Qyteti të jetë i pastruar nga shenjat e luftës, rrugët të jenë të hapura. Të sigurohen banimet dhe ushqimet për Qeverinë, Këshillin, Shtetin, Rininë, Gruan dhe të gjithë personelin e tyre, rreth 250 veta, përveç 300 vetave të Batalionit të Shtabit. Të rregullohen zyrat. Për 28 Nëntor të thirren delegacione nga 10-15 veta nga Durrësi, Kavaja, Shijaku, Elbasani, Peqini, Shkodra, Kruja, Peza, krahina e Peshkopisë dhe e Kukësit. Për Jugun lajmërojmë ne. Të thërriten delegatë nga fshatrat afër Tiranës. Të sigurohet buka përgjithësisht në qytet dhe veçanërisht për 28 Nëntor, që të mos bëhen çrregullime atë ditë. Të organizohet një paradë e madhe për 28 Nëntorin me Brigadën I, IV, VIII, XV. Nëse ndonjëra prej këtyre gjendet larg, të zëvendësohet. Të organizohen manifestime të mëdha për këtë ditë, ku të marrë pjesë në mënyrë të organizuar i gjithë populli. T’u jepen udhëzime edhe organizatave të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut për këtë festë. Ardhja e Qeverisë të mbahet konspirative”:
Të gjitha çfarë u urdhëruan nga Enver Hoxha më 19 nëntor, me një bindje dhe aftësi organizative të jashtëzakonshme, u zbatuan pikë për pikë, që nga pastrimi i qytetit dhe furnizimi i tij, deri tek arrestimet e shpejta dhe izolimet e të dyshimtëve. Zhurma e festës që pritej nga shumica me kuriozitet e ngazëllim e bëri magjinë e saj, e mbuloi me heshtje goditjen politike. Jo më kot Hoxha nuk e kishte përcaktuar qartë kategorinë e kundërshtarëve që do të paralizoheshin, çfarë e pati bërë në tekstin e amnistisë, ku përjashtoheshin “të gjithë kriminelët e luftës, ata që kanë vrarë, djegur, çnderuar dhe plaçkitur pasurinë e popullit”.
Formulimi enkas “të arrestohen elementët me të vërtetë të dyshimtë” mjaftonte që të përfshiheshin nën goditje të gjithë ata që nuk i pëlqenin pushtetit të ri.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|