|
E MOS HARRUARA ELENI
(Botuar në gazetën “Shqip” më 25 gusht 2014)
Vetëm pak ditë më parë ndërroi jetë. Duke hyrë dita e 23 korrikut rënkoi lehtë dhe i mbylli sytë për të mos i hapur më. Eleni Stefa qe 102 vjeçe. Në 15 qershorin e dy viteve të shkuara fëmijët e saj i përkujtuan mbushjen e shekullit. Atëherë, sigurisht, nuk i mbërriti nga shteti i vet ndonjë mesazh urimi, siç ndodh për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku secilit që mbush njëqind vite jetë çifti presidencial i dërgon një letër përshendetëse.
Eleni Stefa ishte Mësuese e Popullit. Po ashtu edhe Martire e Demokracisë. Është një rast jo aq i shpeshtë tek ne, ku të dy nderimet përputhen plotësisht me personalitetin e meritat e saj. Edhe pas një shekulli tjetër ajo do të thirret po ashtu.
Eleni Stefa është e cituar në një libër të huaj, të shumëlexuar: “Albanian Escape. The true story of U.S. Army Nurses behind enemy lines” (“Ikje nga Shqipëria. Historia e vërtetë në prapavijat armike të infermiereve të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara”. Ka autore njërën prej tyre, Agnes Jensen Mangerich.
Ndërkohë protagonist i rëndësishëm i këtij botimi është bashkëshorti i Elenit, Kostaqi. Në një pabesi të rëndë dhe me po aq mister, e pushkatuan në Berat në 3 mars 1948, bashkë me tre bashkëkombës të tjerë. Mezi iu gjetën eshtrat në vitin 1993, falë një dëshmitari, i cili rrëfeu për herë të parë sa sjellje barbare kishte pasur, pas vrasjes shtetërore, edhe me vetë katër kufomat para se t’i mbulonin, duke u zgërdhirë, me dhe.
Në librin e saj me kujtime, botuar një dekadë më parë, pasi thotë se pas një fëmije të moslindur dot, shtatzanë sërish, për ta kuruar gjendjen bashkë me të shoqin shkoi në Bari të Italisë, tregon se në hotelin ku qenë strehuar, jetonte edhe Bahri Omari me bashkëshorten, Fahrijen. Ato ditë qëndrimi në Bari Eleni ishte miqësuar shumë me këtë të fundit dhe kujtonte me respekt përkujdesjen e saj të veçantë. Këtë çast shkruan edhe këto rradhë: “Aty pata rastin ta njoh nga afër dhe Enver Hoxhën, i cili erdhi tek i kunati dhe e motra. Them nga afër, sepse unë nga larg e njihja që në Korçë, kur vazhdoja Normalen dhe ai Liceun, bashkë me Vedat Kokonën, Nonda Bulkën e të tjerë. Sa herë që kujtoja këtë gjë në vitet që erdhën më pas, thosha me vete si them edhe tani: “Eh si qenka jeta! Sikur dikush të na thoshte atëherë në Bari, që nga ky djalë aq i pashëm, aq i sjellshëm dhe i dashur, do të na vinte tragjedia e jetës tonë, si mua edhe motrës së tij, Fahrijes, do të vinte tragjedia e një populli të tërë, me siguri do ta quanim të çmendur apo kushedi çfarë epiteti tjetër tjetër do të vinim!”
Eleni tre vëllezërit e saj si edhe i kunati u bënë partizanë.
Kostaq Stefa, kur u pushkatua nga shteti i vet, qe një drejtues i këshillit nacionalçlirimtar të lagjes dhe njihej si një mbështetës i pakursyer i rezistencës antifashiste, veçanërisht pas ripushtimit nga gjermanët. Nip i Gjergj Stefës, tregtarit beratas që shumëherë i veshur me kostum kombëtar udhëtonte për në Korfuz, Venecie dhe Trieste, stërnipit të Kostandin Kristoforidhit (xhaxhai i tij, Kozmai, qe martuar me të motrën e rilindasit të shquar, Marien), nip po ashtu i Telemakut, xhaxhait tjetër, emigruar në SHBA, ku punoi edhe si sekretar i Fan Nolit dhe, kur u rikthye në Shqipëri për të qëndruar këtu gjithmonë, mbreti Zog e internoi në Gramsh, duke e detyruar të largohej sërish nga atdheu i vet, në mes të vitit 1942 pati edhe një ngjarje tjetër: i bujti dy ditë dhe dy netë, në ilegalitet të plotë, Mehmet Shehu. Atë kohë, i shoqëruar prej Fiqirete Sanxhaktarit, e cila qe beratase, kryeministri i ardhshëm i besoi bazës që sapo zgjodhi vetë: “Shko ku të duash, i tha bashkëluftëtares, unë e gjeta strehën time tek profesori im”.
Kishin kryer të dy Shkollën Teknike të Fulcit, po ku Kostaqi për disa vjet pati qenë edhe mësues. Shehun e kishte pasur nxënës. Por duket qe ky raport i ngushtë e sidomos respekti personal që ruante për Harri Fulcin si edhe vlerësimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ato që u bënë shkak për likujdimin e tij fizik. Po ashtu edhe shoqërimi që ai, si përkthyes i caktuar nga Lëvizja Nacionalçlirimtare (Kahreman Ylli), u bëri trembëdhjetë infermiereve amerikane si edhe kolegëve të tyre mjekë, të cilat, ndërsa qenë ngritur me avion nga Bari për të shkuar në një drejtim tjetër operativ, për shkak të mjegullës së dendur ngatërruan korridor fluturimi dhe u gjetën në Shqipëri, mbi Kuçovë e Berat, ku artileria gjermane i qëlloi duke i detyruar, me aeroplan të dëmtuar, të uleshin në një lëndinë. Qe veprimi energjik i partizanëve vendas që, me mbërritje vetëm pak minuta më përpara, i shpëtoi nga hitlerianët. Më pas, ndërsa i strehuan në qytetin e Beratit, disa edhe në banesën e Stefajve, Kostaqi për dy muaj, në kushte shumë të vështira terreni dhe moti, si edhe ndjekjeje prej njësive të specializuara gjermane dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, i shoqëroi amerikanët deri në bregdet, ku për në Itali megjithatë, nuk u larguan dot shpejt. Madje kur patën kaluar afër Gjirokastrës në ndeshje për ta shpëtuar apo kapur grupin mjekësor amerikan, qenë përleshur në qiell dhe pastaj bombarduar mbi tokë, dy avionë luftarakë të SHBA dhe dyfishi i tyre gjermanë të ardhur me ngut nga aeroporti i Tiranës.
Shumë më përpara 8 shtatorit 1947, kur tek dera e shtëpisë së tij u shfaqën dy persona dhe me zë të rëndë e pyetën “Ti je Kostaq Stefa?” dhe ky, pasi e pohoi, dëgjoi i befasuar vendimin “Në emër të popullit je i arrestuar!”, plot katër ditë pas 30 janarit 1944, kur pas përcjelljes së ushtarakëve amerikanë u rikthye, ja mbërritën tek porta të dërguar të Kadri Cakranit. E morën dhe e futën në një birucë të tmerrshme, ku nisën ta rrihnin për vdekje. I thanë edhe se do ta pushkatonin. Ia shpëtoi vetëm ndërhyrja e një njeriu të vet, i ardhur nga Tirana. Pas dy ditësh, duke u thënë se gjithsesi prej Kadri Cakranit dhe pasuesve të tij e kishin familjarisht jetën në rrezik (Kostaqi njërin sy e kishte të nxirë prej rrahjeve në qeli), kushëriri i mori të gjithë me vete në kryeqytet, ku përjetuan çlirimin e tij dhe të të gjithë Shqipërisë. Eleni në librin e saj të kujtimeve ka dy faqe të gëzueshme, tek përshkruan se si i erdhi në banesën që patën zënë me qera, njëri nga vëllezërit partizan bashke me nëntë shokë të tij dhe se si gatuan për ta dhe vunë në mes të oborrit kazanë të mëdhenj që ata të bënin banjë e të ndërroheshin.
Në 1 mars 1948, tek qenë rikthyer në vendlindje dhe Kostaqi ishte arrestuar, pas gjashtë muajsh hetimi dhe sjelljeje të dhunshme, por edhe vendimit të gjykatës se qe dënuar me pushkatim, Elenin e thirrën në degën e Punëve të Brendshme dhe i thanë se të shoqit i qe falur jeta. Do të rrinte në burg 101 vjet, pra përjetësisht. E megjithatë në shtëpinë e Stefajve u gëzuan. Me llokume urimi në duar i erdhën edhe të afërmit e fqinjët.
Krejt papritur, dy ditë më pas, Kostaqit ia morën jetën nëpër natë, fshehurazi, në periferinë lindore të qytetit.
Tani prej shumë vitesh eshtrat e tij dhe të tre bashkëkombësve të tjerë, ish deputetit paqësor Hamit Myftiu, Tajfur Haznedarit dhe Baba Bedri Carkanjit, ndodhen në varrezat e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Beratit. U vendosën aty në vitin 1993, menjëherë pas çvarrimit, fillimisht si një lloj sfide politike ndaj partizanëve të rënë. Më pas nën kujdesin e bashkisë së drejtuar nga rozët varret e tyre u rregulluan hijshëm.
Ky është rasti i vetëm në Shqipëri ku bashkëkombës të ideve të ndryshme, atdhetarë që të gjithë, rrinë bashkë. Në mirëkuptim kombëtar.
Secila qeveri e parti që vjen e ikën ka të drejtë të mbajë një qëndrim të saj të lirë, por në Berat prej vitesh ka një mesazh.
Ka ardhur koha dhe mbase çasti i duhur është ky 70 vjetor i çlirimit prej pushtimit fashist (i cili nuk e solli dot lirinë), që të krijohen në çdo qytet Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Të rrinë bashkë atje të tërë të rënët për atdhe, të çdo ideje dhe kohe. Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për ndonjë shpenzim të posaçëm, sepse emërtimi i varrezave të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare duhet të zëvëndësohet nga i riu. Me këtë rast mund të shmanget prej tyre ylli i kuq, për të cilin kur luftuan dëshmorët dinin vetëm se qe simbol i bashkimit të pesë kontinenteve. Të rënëve të Luftës Nacionalçlirimtare t’u shkruhet fjala e bukur dhe kuptimplote “Partizan”.
Tashmë Eleni Stefa, kjo mësuese e popullit dhe martire lirie, nuk jeton më. Shkoi tek Kostaqi, me të cilin qëndruan bashkë vetëm 16 vite. Që kur në 1932 u martuan dhe pas lindjes së pesë fëmijëve, i ndanë dhunshëm. Ajo jetime (i ati, një psalltës me zë të bukur vdiq kur Eleni qe fare e vogël), mbase tani gjendet më afër se kurrë me shokun e saj të jetës, i cili në 28 korrik 1928, katër mote para se të lidhnin kurorë, i thuri vjershën “Nji kujtim” (“Prano kët’burbuqe trandafili/Me dorën t’eme e kam këputë/Me urdhnin e zemrës së butë/Që për ty digjet si fitili/Lulen e bukur që po të çojë/Po e dërgoj me shumë kujtim/Me dashurië po e lotoj/Pse ti për mua je shpirti im”.
Atëherë pranë letrës Kostaq Stefa pati vendosur edhe një lule “Pansé” (Mendomë!). Eleni e ruajti këtë letër-lule tërë jetën.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|