|
USHTRIA SHQIPTARE, GRUSHTE SHTETI NË TENTATIVË?
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 9 gusht 2014, me titullin “Ylli Polovina: Si e anuloi Greqia sulmin në Shqipëri më ‘63”
Në 387 faqe 73 gjeneralë. Duke filluar nga qeveria e parë, ajo e Ismail Vlorës (Qemalit), ishte ministri i Luftës apo, siç edhe e pati një emërtim paralel, i Ushtrisë dhe i Sigurisë Kombëtare, një bashkëkombës nga Kosova, Mehmet Dërralla (me dy akademi ushtarake të kryera në Stamboll). Libri më i fundit i studiuesit Vangjel Kasapi, Doktor i Shkencave Ushtarake, për periudhën 1912-1920 ka përshkruar dy prej tyre, për vitet 1920-1939 ka rreshtuar shtatëmbëdhjetë gjeneralë. Për afro një gjysmë shekulli, 1943-1990, janë rrëfyer dyzetë nga ata dhe për pas nëntëdhjetën, pra për pluralizmin, njëmbëdhjetë ushtarakë të tillë madhorë.
Libri “Yjet e gjeneralëve” u promovua kohët e fundit edhe në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ai ka si nëntitull “Historia drejtuesve më të shquar të ushtrisë, nga krijimi i shtetit shqiptar deri në ditët e sotme”. Në paskopertinë shënohet se në atë libër “përfshihet shumësia e gjeneralëve dhe e oficerëve madhorë shqiptarë të arsimuar, fillimisht në Turqi, në Evropë (Austri, Itali etj), disi më tepër në Bashkimin Sovjetik dhe më vonë në shkollat e akademitë ushtarake shqiptare. Nuk lihen në heshtje disa nga figurat e formacioneve ushtarake nacionaliste...”
Në ato 387 faqe po ashtu janë të pranishëm edhe tre ushtarakë madhorë shqiptarë që kanë shërbyer në Bashkimin Sovjetik (Jani Lufi-gjeneralmajor, shef i shtabit të korparmatës së 12-të me qendër në Krasnodar), në Kroaci (Ramiz Abdyli-gjeneral dhe shkencëtar) dhe në ish Jugosllavi (Xhemal Bajraktari-kundëradmiral i Federatës).
Veç prej gjeneralëve shqiptarë që kanë shërbyer në këtë shtet të fundit, tashmë i shpërbërë, në librin e studiuesit Vangjel Kasapi mungojnë disa emra, të cilët, për fat, ndodhen në faqet e një botimi të bashkëkombësit tonë Kujtim Halili (“Fjalori Biografik Ushtarak”).
Këta mungues janë: Fadil Hoxha, në trojet shqiptare edhe shemri politik i Enver Hoxhës. Që nga vjeshta e vitit 1942, kur nisi karrierën e lartë publike duke qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇl për Kosovën dhe përfunduar në postin e nënkryetarit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në Këshillin e Mbrojtjes së vendit qe me gradën gjeneralmajor. Rahim Ademi, i lindur në Kosovë. Pasi përfundoi Akademinë Ushtarake në Beograd, njëmbëdhjetë mote më vonë u dënua me një vit burg me akuzën se po rrënonte Federatën. Pas prishjes reale të këtij shteti shumetnik, më 1991, u rreshtua me popullin kroat. Me titullin Hero i luftës së tij atdhetare, në 2000 u gradua gjeneralkolonel. Ramiz Abdyli, nga Peja, doktor i shkencave teknike. Që në vitin 1952 u specializua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në 1959 në Suedi. Në ushtrinë kroate arriti gradën e gjeneralkolonelit. Fadil Çuranolli, edhe ky nga Peja. Komandant divizioni deri në ndihmëskomandant armate. Me gradën gjeneralmajor.
Mungon në librin e studiuesit Vangjel Kasapi edhe Halil Bicaj. Ky gjeneral është heroi i Sarajevës në vitet e rrethimit të saj të egër serb.
Por tek libri “Yjet e gjeneralëve” mungon edhe Esat Pashë Toptani, i mëkatuar rëndë si simbol i tradhëtarit të vendit. Megjithatë ky politikan gjakprishur, profesionalisht qe një ushtarak i talentuar.
Ndërkohë ka të ngjarë që lexuesit e vëmendshëm të zbulojnë se tek “Yjet e gjeneralëve” ndihet nevoja edhe për ndonjë emër tjetër, por çdo gjë rregullohet, për derisa ekzistojnë ripunimet dhe ribotimet. Rëndësi përfaqëson fakti që Vangjel Kasapi, autor i afro tridhjetë librave, ku përveç monografive për ushtarakë e politikanë ka edhe dy për diplomatë të shquar (Sokrat Plaka dhe Mihal Prifti), me publikimin e fundit ka kryer një punë të çmuar, në temën e vet ndër më të rrallët.
Ushtria e Zogut, që nga fanolistët, bjellorusët dhe komunistët
Nuk mund ta parashikojmë dot si do të silleshin komanduesit teknikë të armatës shqiptare me kryeministrin e parë dhe themeluesin e shtetit tonë të pavarur, sepse ai u largua (u hoq së jashtmi) shpejt. Ndërkaq dimë çfarë marrëdhëniesh patën ushtarakët me ata politikanë që drejtuan Shqipërinë për një shekull të tërë, deri kur ndodhi një ngjarje e habitshme: personi që në 1997 bënte thirrje për rrëzimin me forcë, pra me mjete ushtarake, të presidentit Berisha u bë, gjatë mandatit të dytë kryeministror, ministri i tij i Mbrojtjes.
Por hapësirat botuese të këtij shkrimi na këshillojnë të mbetemi tek dy më të zëshmit, deri tani, të historisë së qeverisjes sonë: Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës. Ushtria Kombëtare Shqiptare zyrtarisht e nisi jetën e vet më 4 dhjetor 1912 në projektin e Mehmet Dërrallës. Sipas tij ajo do të kishte 14 batalione me 7000-7500 veta. Divizioni i parë i rregullt i saj sidoqoftë u krijua në 10 janar 1921.
Shumë rrethana që kaloi Shqipëria e parë pluraliste (1921-1924) bënë që të formatohej sadopak një armatë dhe një klasë oficerësh me një prestigj jo të vogël, por mbi të gjitha me një ndjenjë të dukshme pavarësimi nga politikanët. Ushtri numerikisht e vogël dhe e pajisur varfërisht megjithatë rezultoi e vetëmjaftueshme t’i rezistonte presionit nga pushtetet e tjera. Në një farë mënyre u bë, për sa mundej, edhe vetë pushtet. Me Fan Nolin dhe revolucionin e tij të qershorit një pjesë e oficerëve të saj u bashkua jo vetëm për arsye të ideve liberale kundërçifligare, por edhe për shkak të një fryme antizogiste. Beu i Matit, që ishte bërë protagonist peshërëndë, pati hyrë në politikë më së pari për vlera individuale dhe kontribut atdhetar, por edhe për hir të një veprimi ilegal të tij: ushtrisë mercenare. Askush, deri tani, nuk është përqendruar në temën nëse në vitet 1921-1924 më shumë armë dhe njerëz kishte armata e shtetit, Ushtria Kombëtare, apo ajo personale e Ahmet Zogut.
Prania e kësaj armate paralele qe një ndër arsyet e zemërimit dhe e kundërveprimit të njësive ushtarake të rregullta, sidomos prej qendrave kryengritëse fanoliste, Shkodrës, Përmetit dhe Vlorës, të cilat morën pjesë në përmbysjen e tij të armatosur. Ky, kur kreu kundërpërmbysjen e vet në fund dhjetor 1924, po ashtu të armatosur, mes mercenarëve bashkëkombës nuk u druajt të rreshtonte edhe me qindra bjellogardistë rusë si edhe të paguar serbë.
Zogut një segment i ushtrisë së rregullt i tentoi një grusht shteti edhe në vitin 1936, këtë herë më shumë i nxitur prej agjenturës së huaj dhe shtysave të një celule komuniste mes tyre. Gjysmëshekulli “socialist” e ka zmadhuar rolin e këtij grupi ideologjik bolshevik në të quajturën kryengritje e Fierit dhe çfryrja nga kjo tollombaze komunistizuese do të qe një punë e dobishme për historinë tonë.
Ndërkohë monarku Ahmet, deri sa u largua (e hoqën edhe atë së jashtmi) pati iluzionin se e vuri më në fund plotësisht nën kontroll Ushtrinë Kombëtare E vërteta duhet të jetë ndryshe. Në mosrezistencën e saj të dukshme më 7-8 prill 1939 nuk ka vetëm sabotim paraprak italian apo paralizim dinakëror nga vetë kryetari i shtetit, po ashtu ndikim prej gjestit të tij të braktisjes së vendit, por edhe dëshirë të vetë jo pak ushtarakëve për ta hequr njëherë e mirë qafe Zogun, edhe pse jo ndershmërisht, por me anë të një pabesie fashiste.
Me Enver Hoxhën armata shqiptare ngjan ta ketë kaluar me më pak probleme, pra të ketë qenë plotësisht e nënshtruar prej tij. Të shohim mos kjo është vetëm sipërfaqe.
1963: sulmi grek i anuluar
Në motin 1993 Vangjel Kasapi, tashmë në pension, u gjend në Gjirokastër për një ngjarje familjare. Aty u ndodh edhe një oficer i lartë grek, edhe ai në të njëjtin status me kolegun shqiptar. Ushtaraku fqinj kishte qenë dikur komandanti i divizionit të Tetë të Janinës.
Historia që ai tregoi ishte kjo: Në vitin 1963 më erdhi urdhri nga qendra që ta nxirrja nga kazermat dhe ta hapja në formacion luftimi të gjithë njësinë. Kështu të dymbëdhjetë mijë forcat njerëzore bashkë me teknikën u shtrinë gjatë tërë kufirit me Shqipërinë, që prej gjirit të Prevezës deri në Malin e Thatë, buzë Korçës.
Pastaj më erdhi urdhri i dytë. Duhej të paraqitesha menjëherë tek presidenti. Kur shkova në Athinë dhe hyra në zyrën e tij gjeta edhe kryeministrin e ministrin e Mbrojtjes. Kryetari i Shtetit mu drejtua me afërsisht pyetjen “Në rast se do ta sulmojmë Shqipërinë, ke një mendim si duhet të veprojmë?” Komandanti i divizionit të Tetë të Janinës, siç e rrëfeu vetë, e kuptoi që ishte fjala për të përfituar nga dalja faktike e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe në ato momente, kur nuk kishte më mbështetjen ushtarake të kësaj aleance dhe të Bashkimit Sovjetik, të ndërhyhej sa më shpejt për të marrë Vorio Epirin. Presidentit, të cilit nuk i kuptohej nëse ideja që po shprehte kishte qenë nismë e tij apo presion i ndonjë lobi, se plani ishte real apo thjesht një blof politik i brendshëm, oficeri i lartë iu përgjigj pak a shumë me logjikën se “Nuk duhet të harrojmë 1949-tën, kur edhe pse pas shqiptarëve qëndronin moralisht sovjetikët, ushtria e tyre me vetëm forcat e veta na gjakosi. Ndërkohë tani është vend anëtar i OKB-së. Por më e rëndësishmja janë të dhënat që vijnë nga zbuluesit e mi, të cilët ndodhen deri në vetë shtabin e korpusit të Gjirokastrës. Ata më njoftojnë se kjo njësi me 24 mijë vetë, ushtarë të rregullt dhe rezervistë, si edhe trupa vullnetare me studentë, kanë një gatishmëri shumë të lartë kundërveprimi. Ata përhapen në të gjithë vijën e kufirit dhe bëhen gati për luftë brenda 24 orëve. Teknikën luftarake e kanë shumë të mirë. Të përplasemi me ta cili do të jetë fitimtar është e vështirë të thuhet”.
Kryeministri dhe ministri grek i Mbrojtjes gjatë këtij shpjegimi nuk ndërhynë. Atëherë presidenti i pyeti se çfarë mendonin. “Ta shtyjmë”, u përgjigj shefi i qeverisë helene. Të njëjtën përgjigje dha edhe ministri i Mbrojtjes. Komandanti i divizionit të Tetë, me t’u kthyer në Janinë, urdhëroi kthimin e njësisë në regjimin normal të kazermës.
Në vitin 2000, ndërsa qe ftuar në Selanik për të mbajtur një kumtesë me temë ushtarake, Vangjel Kasapi e pati ridëgjuar, këtë herë prej një admirali grek, që, si oficer i vjetër i armatës shqiptare, drejtues korpusi dhe i Akademisë Ushtarake, i jepte emocione krenarie: Ushtria Popullore kishte qenë një forcë luftarake shumë e fuqishme.
Sipas studiuesit Kasapi prej mjediseve të NATO-s, dekada më parë, kishte dalë e qarkulluar opinioni se prej armatave brenda asaj aleance të parat qenë ajo gjermane dhe turke, në vendet jashtë saj dhe Traktatit të Varshavës, pas ushtrisë serbe vinte, sidomos për nivelin e organizimit dhe vendosmërinë e reagimit, ajo shqiptare.
Sepse ndërsa Ahmet Zogu dhe shteti i tij antipluralist kishte një armatë me tre regjimente (në Tiranë, në Gjirokastër dhe në Shkodër), ajo e kohës së shtetit totalitar të Enver Hoxhës përfshinte 500 mijë vetë të armatosur mirë si edhe rezerva ushqimore dhe mjete lufte për pesë vite qëndrese. Ajo përbëhej nga tetë korpuse. Përveç atij të Tiranës dy ndodheshin në kufirin grek (Gjirokastër, Korçë), tre me atë jugosllav (Shkodër, Pukë, Burrel) dhe dy me atë italian (Durrës, Vlorë). Kërkues arkivash Vangjel Kasapi dëshmon se në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme ka lexuar një raport të ambasadorit shqiptar, atë kohë në Suedi, Izedin Hajdini, sipas të cilit, ditën e largimit të nëndetëseve sovjetike nga baza e Pasha Limanit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, nga çfarë kishte shkruar një buletin i saj i brendshëm, qe bërë festë e vërtetë.
Rreziku numër një: sovjetikët
Në planet stërvitore ushtria e regjimit komunist parashikonte edhe ndonjë sulm nga Italia, por realisht nuk e besonte këtë gjë. Krahu i NATO-s qe “i ngrohtë”. “Të ftohtët”, sipas Enver Hoxhës dhe gjeneralëve, vinte prej kufirit serb dhe atij grek. Të dy përbënin rrezik të barabartë. Por duke qenë se në këtë armatë qe krijuar bindja se veç e veç apo edhe së bashku, jugosllavët dhe grekët i përballonin, me sovjetikët rezistenca pa lënë territor qe e pamundur.
Ky qe edhe opinioni i Hoxhës, edhe pse publikisht i pashprehur asnjëherë. Ai e dinte mirë se “çelësat e Otrantos” i mbante fort në duart e tij dhe këtë, duke korrur duartrokitje, e thoshte edhe nëpër fjalime, por pikërisht për t’ja marrë ato çelësa ultrastrategjikë mund të sulmohej nga BRSS dhe Traktati i Varshavës.
Në librin “Yjet e gjeneralëve” Vangjel Kasapi rrëfen edhe për ushtarakun madhor Abaz Fejzo, të cilin e vlerëson si rast unikal, sepse Akademinë Ushtarake Sovjetike “Frunxe” si shumë rrallë ndonjë tjetër, e pati mbaruar me notat speciale “Në nivelin e profesorit”. Dekorimi iu bë në vetë sallën e famshme “Gjeorgjevskaja”. Strateg i përdorimit të mjeteve të blinduara, kur bëhej diskutimi nëse e përballonin dot apo jo një sulm desantues sovjetik, Fejzo, i cili qe i bindjes se, si popull numerikisht i vogël, kjo ishte e pamundur, parashtroi para Enver Hoxhës një rrugëzgjidhje. Sipas tij ndaj desantëve sovjetikë duheshin përdorur jo trupat këmbësore, por tanket. Duke qenë se ata kryesisht do të parashutoheshin në zona të ulëta si fusha e Tiranës apo e Cërrikut, atëherë të përdoreshin mjetet e blinduara për t’i shtypur. “Sa tanke duhen”, pati pyetur menjëherë Hoxha. “Edhe tetë brigada të tjera”, qe përgjigja. Në fakt deri atëherë ushtria komuniste kishte vetëm dy brigada me mjete të blinduara. Me kërkesë urgjente të Tiranës shumë shpejt erdhën nga Kina edhe aq sa propozoi Abaz Fejzo. Kështu në armatën shqiptare u bënë 320 tanke. Atë kohë aq nuk i ëndërronte as Italia.
Ndërkaq Enver Hoxha besonte se sovjetikët mund ta kishin një mundësi tjetër pushtimi: grushtin ushtarak nga brenda. Kur pas infarktit të fundvitit 1973 nisi pastrimin profilaktik prej atyre që mund t’ja rrezikonin pushtetin personal, kur filloi sulmin ndaj qarqeve të larta ushtarake, të pështjelluara në një luftë të brendshme të paprinciptë dhe një pjesë e tyre shndërruar në kastë, në kokë ende kishte fjalët e hierarkut ushtarak sovjetik që pas prishjes në Mbledhjen e 81 Partive Komuniste në Moskë, një dekadë e më shumë përpara, i pati pyetur në një mbrëmje festive disa ushtarakë shqiptarë “Gjeneralët me kë do të jenë?”
Një nga sekretarët e diktatorit disa vite më parë, në një libër të tij kujtimesh, tregon se kur gjyqi u dha dënimet me vdekje Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe të tjerëve, Hoxha, i cili deri ato çaste, nëpërmjet një lidhjeve televizive speciale i pati ndjekur që nga zyra seancat, u çua në këmbë dhe nisi të këndojë “Për ty, Atdhe”.
Çrregullim psikik? Shfrim i pakontrolluar paranoje?
Le t’i besojë këto kush të dojë. Enver Hoxha duhej të dinte, të zotëronte fakte, por edhe ta kishte kapur me intuitën e tij të mprehtë, se një grup ushtarakësh madhorë dhe jo patjetër të gjithë ata që kaloi në plumb apo syrgjynosi në burgje (shumica e këtyre të fundit edhe pas vitit nëntëdhjetë akoma flitnin me konsideratë për të), nuk pranonin vendosjen e kontrollit të Partisë mbi ushtrinë. Kjo mund të mos ishte patjetër plan aktual për rrëzimin e tij, por për nesër mund të qe një plasdarmë. Duke qenë se e gjithë klasa e lartë e ushtarakëve kishte studiuar në BRSS mundësia e përdorimit të tyre nga Moska qe shumë e përfytyrueshme.
Nuk do të shkojmë më tej, sesi planizoheshin rrethimet mbrojtëse, në të vërtetë izoluese, të Komiteteve të Partisë, si nga komandantët shpërfilleshin komisarët dhe kur më në fund këta të fundit u bënë njëlloj me fuqi ekzekutuese si komandantët dhe të mefshtë ndaj detyrës së kontrollit partiak ndaj armatës, Enver Hoxha shpiku mjetin tjetër të kontrollimit: Komitetet e Partisë nëpër njësi dhe sidomos Sekretarët e tyre. Këta jo rrallë qenë ish-marangozë, elektricistë apo tornitorë. Ata i vendosi mbi çiftin komandant-komisar. Për të larguar çdo rrezik ndaj pushtetit të tij përveç heqjes së ushtrisë nga kazermat (prej ku një puç mund të bëhej lehtësisht) kreu shpërndarjen e saj, shkoqjen nëpër pika, ngriti sistemin e Shkollave të Lira Ushtarake. Kështu fuqinë e armëve Hoxha e hoqi përfundimisht nga dora e gjeneralëve apo teknicienëve të ushtrisë.
Duke e shpëtuar veten në mënyrë të sigurt, por edhe kaq me siguri shkatërruar përfundimisht armatën.
Ky ishte çmimi i rëndë që, si në çdo rast pushtetmbajtësi me mjete jodemokratike, paguan një vend: Enver Hoxha ishte vetë i pari që kontribuoi për forcimin dhe po i pari në rrënimin e saj.
Pastaj dihet që ndodhi viti 1997, kur ushtrisë iu bastisën që nga armët e lehta e të rënda, nga kamionët e topat deri tek godinat e komandave dhe fjetinave. Kjo shumëve mund të mos i ngjajë si një histori tjetër e një grusht shteti në tentativë, formalisht rrotulluar në të anasjellën: kundër saj. Por të kryer gjithnjë mbi të njëjtin themel: ballafaqimi për pushtet mes politikës dhe ushtrisë.
Sidoqoftë tashmë, edhe pse me çfarë u tha më sipër shumëkush ka të drejtën të mendojë fare ndryshe, një gjë dihet: kemi në historinë tonë kaq shumë gjeneralë dhe tani kaq pak (sa fare pak!) ushtri.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|