Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

OPERACIONI GJERMAN I QERSHORIT DHE SKËNDERBEU SI ANTIKOMUNIST


(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 2 korrik 2014)

(Vijon nga numri i kaluar)

Çështja nëse nga janari 1944 e më tej armiku më kryesor i fatit dhe i të ardhmes së Shqipërisë, deri në çlirim të saj territorial, qenë komunizmi dhe Ushtria e Kuqe apo përkohësisht nazistët gjermanë, vazhdon të diskutohet edhe sot. Ndarja mes palëve mbetet ende e thellë, çfarë dëshmon jo aq fort për ende një mungesë të ndjeshme të dhënash të reja, por edhe sepse në zonat e kuqërremta paskomuniste të opinionit tonë publik dhe në ato gri të pasballistëve faktet janë përmbytur nga komentet dhe idetë personale dhe këto të fundit prej ideologjive të kundërta.
Një nga pikat orientuese më të sigurta për një interpretim sa më objektiv të kësaj teme është qëndrimi i mbajtur ndaj një zbarkimi të mundshëm anglo-amerikan në Ballkan e sidomos në Shqipëri.
Në periudhën janar-maj 1944, kur u veselit dhe pastaj u tha projekti i Mit’hat Frashërit për një shtet dualist greko-shqiptar, ku ne do të merrnim Kosovën, por në këmbim ushtrinë, ekonominë dhe diplomacinë do të na i drejtonte Athina, çështja e zbarkimit anglo-amerikan në kontinent ishte bërë realitet që gjashtë muaj më parë. Ai kishte ndodhur realisht fare afër, në Itali, në korrik të vitit 1943. Armata e përbashkët e amerikanëve dhe e britanikëve në janar 1944 qe në një marrshim po aq të pandalur sa edhe në lindje Ushtria e Kuqe.
Jo vetëm në prill-maj 1944, por që në krye të vitit, gjeografikisht armata bolshevike ndodhej më larg Tiranës se ajo anglo-amerikane. Madje kjo epërsi, e vënë re edhe nga Enver Hoxha që në fillimvjeshtë 1943, më 9 shtator, e kishte bërë atë t’u jepte direktivë organeve partiake vartëse, por edhe njësive partizane, që ta kishin fort vëmendjen në këtë rrethanë. Sipas tij “Zbarkimi i aleatëve në Ballkan, ose edhe në Shqipëri, nuk është më një perspektivë shumë e largët. Prandaj organizatat tona duhet të punojnë për ta përballuar këtë një situatë të tillë. Duhet që në rastin e zbarkimit të aleatëve, këshillat nacionalçlirimtarë të jenë me të vërtetë pushteti i popullit, të mobilizojnë të gjithë popullin rreth tyre dhe të mos lejojnë që forcat e tjera si Balli Kombëtar, të kenë influencë në popull. Duhet që Ushtria Nacionalçlirimtare të jetë për shembull të Ballit Kombëtar. Duhet të dini se fuqitë aleate të zbarkimit do të përkrahin të gjitha forcat shqiptare që do të gjejnë përpara, pa preferencë për ato të lëvizjes nacionalçlirimtare dhe, bile, ....me preferencë për ato reaksionaret”. Që të mund të evitohet një gjë e tillë, forcat nacionalçlirimtare duhet të fillojnë të imponohen që tani kudo dhe në rastin e zbarkimit t’u paraqiten aleatëve me anën e këshillave dhe Ushtrisë nacionalçlirimtare si i vetmi pushtet i popullit shqiptar. Aleatët duhet të jenë në Shqipëri me ushtritë e tyre vetëm për të thyer Gjermaninë dhe këlyshët e saj, por qeverimi i Shqipërisë duhet të jetë plotësisht në duart e lëvizjes nacionalçlirimtare, dhe këtë gjë aleatët duhet ta njohin”.
Ndërsa PKSH, e frymëzuar prej ideologjisë komuniste dhe modelit stalinist të një shoqërie socialiste, nuk e dëshironte aspak një zbarkim anglo-amerikan në Shqipëri, por e pranonte, për hir të Aleancës Antifashiste, të përfundonte me kushtin që vendin do ta qeverisnin vetëm ata, Balli Kombëtar shfaqet i mëdyshtë. Ata e pëlqejnë një rrjedhë të tillë të ngjarjeve, sepse doemos që me zbarkim të anglo-amerikanëve e zgjidhnin përfundimisht merakun e tyre të parë: bllokimin e hyrjes së komunizmit në Shqipëri.
Sipas një arsyetimi tepër të thjeshtë udhëheqja e BK dhe lideri i saj Mit’hat Frashëri, për të realizuar antikomunizmin e tyre, duhej që mes bashkëpunimit të hapët apo të maskuar me gjermanët dhe atij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, përparësinë t’ia jepnin këtij të fundit.
Por si, realisht, u veprua? Le të ndjekim rrethanat ndërkombëtare.
Sipas Martin Gilbert dhe librit të tij “Churchill”, kryeministri anglez që më 9 nëntor 1942 në një komunikim me shefat e shtatmadhorisë së tij më rastin e suksesit të zbarkimit antigjerman në Afrikë, kërkoi të rishikohej plotësisht gjatë vitit 1943 mundësia e sulmit të drejtpërdrejtë kundër Hitlerit. Sipas tij kjo duhej kryer duke i filluar sulmet në Evropë, por jo nga sipër kontinentit, nga poshtë tij: prej Mesdheut.
Çërçilli përmendi si pikë kryesore zbarkimi Italinë, por la të kuptojë se në atë hapësirë mund të kishte edhe një drejtim tjetër: siujdhesën e Ballkanit.
Ndërsa më në fund, në 10 korrik 1943, pati ngjarë zbarkimi anglo-amerikan në Itali (Sicili) me objektiv të parë Romën, kryeministri britanik, ngulëkëmbës se të paktën për interesat e Anglisë një zbarkim i dytë në gadishullin përtej Adriatikut do të qe shumë i domosdoshëm, përgatiti udhëtimin e tij të katërt matanë Atlantikut.
I duhej për këtë gjë të bindte amerikanët dhe presidenti Ruzvelt.
Sipas Martin Gilbert platforma e tij për një sulm të ushtrisë anglo-amerikane në siujdhesën ballkanase mbështetej në tezën se “partizanët jugosllavë, grekë dhe shqiptarë, me anë të operacioneve ajrore, të armëve dhe zbarkimeve në bregdet me njësi të vogla sulmi, duheshin ndihmuar në luftën për çlirimin e Ballkanit”.
Gjithnjë sipas Gilbert, njërit prej njohësve më të mirë të Luftës së Dytë Botërore si edhe të jetës së Uinston Çërçillit, gjermanët mbanin në këtë gadishull 15 divizione dhe një luftë partizane e nxitur më fort dhe “e orkestruar mirë do t’i detyronte ata të sillnin dhe angazhonin aty edhe më shumë se kaq”.
Ky qe interesi kryesor strategjik i aleancës antifashiste, i anglezëve, i sovjetikëve dhe i amerikanëve. Kjo donte të thoshte, në Ballkan, jo vetëm angazhim luftarak ndaj italo-gjermanëve e veçanërisht këtyre të fundit, por edhe shkallë të lartë intensiteti veprimi ushtarak. As që mund të mendohej pritmëni, duar të kryqëzuara, platformë për ta shtyrë sa më tej çastin e rrokjes së armëve. Logjika e situatës qe fare e thjeshtë: në fund të çdo dite duhej të numëroheshin nazistët e vrarë dhe sa më shumë kufoma prej tyre aq më lehtë dhe më shpejt do të shpëtonte njerëzimi nga ajo e keqe.
Kjo logjikë dhe forcë dhune të domosdoshme në jo pak raste i kaloi edhe limitet më të tejskajshme. I kujtojmë lexuesit vetëm dy fakte. Në fund të korrikut 1943 nga bombardimi anglo-amerikan i qytetit gjerman të Hamburgut vdiqën 42.000 banorë të saj dhe u shkatërruan një e treta e banesave. Fakti i dytë janë dy bombat atomike që amerikanët përdorën për të gjunjëzuar kokëndezurin e fundit të boshtit fashist, Japoninë. Të dy bombat e dobishme strategjikisht, por kobzeza për jetën e njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm, shfarosën popullsinë civile të dy qyteteve të mëdhenj Hiroshima dhe Nagasaki.
Në këtë mënyrë të ashpër veprimi nuk bëhej fjala aq fort për rrezikshmërinë e ideologjisë fashiste, sepse ajo në vitin 1943 e kishte konsumuar veten, por në Evropë për makinën ushtarake naziste, për organizimin e përsosur të saj, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë psikologjike.
Anglo-amerikanët po ashtu ato çaste beteje finale ushtarake në Evropë me Gjermaninë hitleriane nuk e kishin shqetësim të parë ideologjinë komuniste, edhe pse kjo nuk dukej ende aq fort e shpërdorur si ajo fashiste. Lufta e përballtë kundër saj ishte një çështje për nesër. Sigurisht ata bënin kujdes edhe gjatë periudhës së luftës të gjenin një masë për të mos e inkurajuar stalinizmin dhe revanshin e rendit të tij shoqëror në kontinent, mes tij edhe në Ballkan. Gjithsesi përmasë vlerësuese ato çaste ishte pjesëmarrja në veprime ushtarake të fuqishme dhe të papushuara ditë-natë, të pamëshirshme, kundër gjermanëve.
Duke qenë se aleatët e sidomos Çërçilli i kishin vënë detyrë të rëndë rezistencës antifashiste jugosllave për të mbajtur të gozhduar në atë vend më shumë se 15 divizione gjermane dhe në këtë punë armata partizane e Titos shkëlqente, ky i fundit, dinak siç qe, nëpërmjet emisarëve të tij të shumëfuqishëm pranë PKSH dhe Shtabit të Përgjithshëm të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, i bënte trysni palës shqiptare që të kryenin veprime luftarake përherë në rritje. Kjo do të bënte që prej barrës së rëndë të divizioneve hitleriane në territorin e tyre një pjesë të zhvendosej në Shqipëri.
Rezultatin e kësaj manovre do ta shohim të vërtetuar edhe gjatë operacionit të qershorit 1944.
Me pak fjalë anglo-sovjeto-amerikanët i kërkonin shqiptarëve luftë e vetëm luftë. Kjo doemos që shkaktonte pasoja, të vrarë dhe ekonomi të shkatërruar. Plus mbi këtë ngarkesë dhe peshtë u vunë edhe jugosllavët. Bëhet fjalë gjithnjë për komunistët e Josif Bros Titos, pranë të cilit Çërçilli pati bërë gjestin më shprehës: si kryeoficer ndërlidhës nuk pati çuar, si në Shqipëri, ndonjë gjeneral me emrin Dejvis apo kapitenë, majorë dhe kolonelë me emrat Maklin, Emeri apo Tom Stefan e Peter Lukas.
Kishte ngarkuar vetë djalin e tij, Randolfin.
Si pasojë e kësaj strategjie, ndërsa rezistencës antifashiste italiane dhe ushtrisë anglo-amerikane të zbarkuar në gadishullin Apenin i ra të përlesheshin me 23 divizione gjermane, njësitë partizane jugosllave të arrinin të kacafyteshin me pothuaj dyfishin e fillimit të luftës, me plot 25 divizione.
Një luftë e përndezur antigjemane në Ballkan e lehtësonte projektin këmbëngulës së kryeministrit britanik për një zbarkim anglo-amerikan në këtë siujdhesë. Por, siç thamë më sipër, duhej t’i mbushte mendjen Uashingtonit, interesat e të cilit nuk qenë të “qëronte arët” e llogarive të britanikëve në hapësirën që shkonte prej poshtë Danubit në Greqi e deri në Afrikën e Veriut, në të gjithë botën arabe.
Ja pse, duke iu rikthyer kronikës së ngjarjeve të vitit 1943 dhe datës 4 gusht të tij, shënojmë se sipas Martin Gilbert dhe librit të tij “Churchill” kryeministri anglez në mesnatë, bashkë me të shoqen, Klementinën, mori një tren nga Londra për në Skoci. Kishte me vete edhe treqind pjesëmarrës anglezë të Konferencës që do të mbahej në Kebek (Quebec). Pasditen e 5 gushtit e gjithë kjo gjindje e madhe hipi në vaporin “Queen Mary” dhe në datën nëntë anija mbërriti në portin kanadez Halifax. Prej aty përdori trenin për Kebek, ku, sapo mbërriti, Çërçilli gjeti telegramin e Stalinit, i cili e uronte për fitoren në Sicili. Atje, në atë ishull, që prej një muaji po zhvilloheshin luftime dhe një javë më pas nga dita e telegramit urues të Josif Visarinoviçit, më 17 gusht, e tërë Sicilia ra në duart e aleatëve.
Për bisedën me palën amerikane kryeministri britanik qe përgatitur, në rastin më të pafat për projektin e tij të një zbarkimi klasik, të paraqiste platformën e formuluar pak a shumë kështu: “Në Ballkan operacionet për partizanët mund të kufizohen me dërgim të furnizimeve nga deti dhe ajri dhe në përdorimin e “reparteve të sulmit me njësi të vogla”.
Për veprimet luftarake nëpër gadishullin Apenin ai qe i mendimit se armata anglo-amerikane duhej të përparonte deri në vijën Piza-Ankona dhe të mos ngutej të shtyhej më në veri për të dalë, në njërin krah, në jug të Austrisë, dhe në tjetrin përtej Adriatikut. Depërtimi deri këtu, gjykonte kryeministri britanik, mund të kryhej nëpërmjet një zbarkimi në veri të kontinentit.
Konferenca e Kebekut, e nisur në 17 gusht përfundoi më 24. Atje u fiksuan përfundimisht elementët themelorë të hapjes së Frontit të Dytë (operacioni “Overlord”). Në parim ai u la për në 1 maj 1944. Përfaqësuesit amerikanë e kundërshtuan fort propozimin e Uinston Çërçillit për një ofensivë të madhe në Ballkan. Sipas Martin Gilbert ata e konsideruan utopik dhe teknikisht të parealizueshëm. Madje u gjykua që prej frontit italian, pra atij të Mesdheut dhe Adriatikut, për llogari të përforcimit të “Overlord”, të tërhiqeshin prej andej shtatë divizione anglo-amerikane nga më të mirat.
Disa ditë pas mbylljes së Konferencës së Kebekut, shkruan Gilbert, kryeministri britanik u nis për në Uashington. Presidentin Ruzvelt e takoi në 9 shtator. Sipas këtij autori “të dy mendonin që në do të ndodhte që forcat e tyre anglo-amerikane do të kishin sukses në Itali, mund t’u jepej formacioneve partizane në Ballkan një ndihmë e madhe me municione dhe furnizime. Çërçilli foli për 75.000 e më shumë njerëz të ushtrisë polake, të zellshëm, që mezi prisnin të luftonin gjermanët. Këta mund të hynin në bregdetin dalmat. Të zbarkuar ata do të ndihmoheshin me ndonjë kolonë të lëvizshme anglo-amerikane. Ruzvelti qe dakord dhe pohoi se në Ballkan duhej të ishin të gatshëm të përfitonin nga çdo zhvillim dhe prej çdo rasti të favorshëm që do të paraqitej”.
Martin Gilbert tek libri i tij thotë po ashtu se në 12 shtator Çërçilli kishte përvjetorin e martesës dhe Ruzvelti ngriti një dolli për çiftin britanik.
Kryeministri anglez, me t’u kthyer në vendin e vet, në një konferencë shtypi nguli këmbë për prishjen e të gjithë strukturës së Gjermanisë fashiste në Evropë, duke theksuar se kjo duhej kryer, nëpërmjet aviacionit, me goditje të vazhdueshme të të gjitha strukturave vitale të saj. Ai sërish doli tek projekti i vet që në Kebek nuk u mbështet dhe që presidenti amerikan në Uashington ia inkurajoi në përmasa mjaft të kufizuara. Çërçilli tha publikisht se goditjet e ardhme Adolf Hitlerit dhe makinës së tij ushtarake mund t’i vinin nga shumë drejtime, veçanërisht prej Francës dhe Ballkanit.
Por, siç vumë në dukje më sipër, në Shqipëri Enver Hoxha, i kishte marrë masat për ta përballur dhe përfituar, që në 9 shtator, saktësisht ditën kur në Uashington u takuan Ruzvelt dhe Çërçill.
Lajmin e deklaratës së kryeministrit britanik e kishin marrë, doemos, edhe italianët, të cilët dëshironin, nëpërmjet detit, të riktheheshin në vendin e tyre. Një zbarkim anglo-amerikan këto çaste të vështira për ta, do t’i ndihmonte vërtet, sepse armata gjermane, e hyrë me shpejtësi të rrufeshme në Shqipëri, po i detyronte të rreshtoheshin në frontet kundër aleatëve antifashistë, ose në të kundërt, për mosbindje, i niste për në kampet e përqendrimit apo oficerët i pushkatonte në vend.
Në 27 nëntor Uinston Çërçilli mori avionin dhe u nis për në Teheran. Martin Gilbert është i mendimit se në këtë konferencë të tre të më mëdhenjve, nisur më 28 nëntor dhe përfunduar më 1 dhjetor, mes Stalinit, Ruzveltit dhe kryeministrit britanik nuk u fol për një zbarkim të mundshëm në Ballkan. Megjithatë ai vë theksin në faktin se presidenti i SHBA ishte për depërtimin e shpejtë të trupave anglo-amerikane në veri të Italisë deri lart mbi Adriatik, me drejtim daljen në Istria dhe objektiv Danubin. Kjo, pak Evropë Qendrore dhe pak Ballkan, në një farë mënyre qe rrugë kompromisi mes interesave të Uashingtonit dhe të Londrës.
Ndërkaq burime të tjera informimi mbi Konferencën e Teheranit thonë më drejtpërdrejtë se “propozimi i Çërçillit për të hyrë në Ballkan nëpërmjet Italisë së veriut nuk u pranua”. Me këtë rast vihet në dukje se qëllimi i fshehtë i kryeministrit britanik për të ndalur, me këtë veprim, depërtimin e ndikimit sovjetik në këtë gadishull, nuk kishte pengesë vetëm Stalinin. Në Uashington e dinin fare mirë që kjo tezë ishte edhe një maskë për më të vërtetën: qe Anglia që nuk donte të humbiste asnjë centimetër territor ndikimi në gadishull, zonë tradicionalisht prej shumë dekadash e influencës së saj.
Një nga shpjegimet më të hollësishme të asaj çfarë ngjau brenda konferencës së Teheranit (“Wikipedia”) shkruan se “Çërçilli iu rikthye paraqitjes së variantit të tij ballkanik për “frontin e dytë”, duke nxitur përforcimin dhe zgjerimin e operacioneve aleate në Itali dhe në Mesdhe (edhe me presion të një shtyrjeje të re ose heqje të operacionit Overlord”. Sipas po këtij burimi Stalini pati reagim të dhunshëm ndaj këtyre përpjekjeve britanike dhe qe mbështetur energjikisht nga Ruzvelti. Gjeneralët amerikanë, po ashtu, e hodhën poshtë propozimin britanik. Në Teheran, shënojnë shumica e historishkruesve të Luftës së Dytë Botërore, lindi edhe simpatia reciproke mes Ruzveltit dhe Stalinit.
Siç duket, mendojmë ne, me atë që u vendos në Konferencën e Teheranit, në ndarjen e re të rendit botëror pas lufte, që këtë çast, të paktën, në gadishullin tonë qe parashikuar t’i lëshohej një hapësirë e madhe interesave të Moskës.
Në këtë atmosferë diskutimesh, zbarkim në Ballkan ose jo, vijoi edhe pjesa e mbetur e vitit 1943, po ashtu nisi edhe 1944-ta. Historianët perëndimorë vënë në dukje se kur u planifikua dhe nisi operacioni gjerman në Ancio (“Shingle”) Çërçilli pati parasysh që ky drejtim i ri i sulmit kundër gjermanëve do t’i jepte mjaft favore “një përparimi ballkanik”.
Pikërisht kur mundësia e një zbarkimi anglo-amerikan në siujdhesën tonë, edhe pse për të akoma nuk vendoset, përbën lajm që vërtitet kudo nëpër Ballkan, mes të gjitha palëve protagoniste, Balli Kombëtar dhe drejtuesit shqiptarë nën pushtimin gjerman (kabineti i Rexhep Mitrovicës dhe në Regjencë Mehdi Frashëri) ndërmorën operacionin e tyre politiko-diplomatik për një shtet dualist me Greqinë dhe një bosht kundërkomunist Tiranë-Athinë-Stamboll.
Në shkrimin e mëparshëm vumë në duke se ai, utopik dhe jo realist, pjesërisht edhe demagogjik, dështoi që në fazën e bisedimeve të para. Nuk qenë vetëm rrethanat ndërkombëtare që e falimentuan. Fatin e trishtë të tij e kishte vetë ideja e Mit’hat Frashërit.
Kur në vitet 1941 dhe 1942 krerët kryesorë e Ballit Kombëtar patën rënë dakord mes tyre që të bëheshin gati, në ilegalitet, për të shpërthyer një kryengritje të armatosur sapo të ndodhte zbarkimi anglo-amerikan dhe ndërsa ai nuk po ngjante, të manovronin me lëvizje diplomatike që të mos komprometoheshin me pushtuesin, por njëkohësisht t’i bënin ballë kërcënimit komunist, ndodhën ngjarje që nuk u hapnin këtë shteg. Madje që i shtynin larg aleatëve antifashistë, veçanërisht SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, të cilët për shumë nga krerët ballistë qenë pika orientimi pozitiv.
Kur në gjysmën e parë të vitit 1943 Radio BBC njoftoi për krijimin e BK në komunikatë thuhej “Kjo Organizatë Kombëtare e popullit heroik Shqiptar është pritur me gëzim në qarqet politike t’Amerikës dhe në ata të Londrës”.
Kur në fillim të gjysmës së dytë të vitit, në prag të Mbledhjes së Mukjes, në 25 korrik 1943, ndërsa Mit’hat Frashëri me të vetët u nis për në Tapizë, sipas eksponentit ballist pjesëmarrës Hasan Dosti (libri “Një jetë për çështjen shqiptare”, Tiranë 2008) “BK shqyrtoi mundësinë që Komanda Aleate e Mesdheut mund të zbarkonte në bregdetin shqiptar. Gjenerali Mihailoviç dhe Mareshalli Tito do t’i mirëprisnin dhe do t’i ndihmofshin trupat aleate të avancojnë. Boshllëkun e lënë në Shqipëni dhe Tokat e Çliruara të Kosovës e Maqedonisë mbas mbarimit të pushtimit italian, do ta zejshin, simbas shumë mundësirave, çetat e armatosura të Gjeneralit Mihajlloviç dhe ato të Titos. Gjermanët atëherë do të ndërhyjshin me mbrojtë Kontinentin, dhe tokët tona do të bëheshin shesh lufte”.
Siç dihet në tekstin e Proklamatës së Marrëveshjes së Mukjes, ku u njoftua publikisht edhe krijimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, pika e parë e programit të saj bën të ditur si objektiv “Luftë e përbashkët dhe e menjëhershme, përbri Aleatëve të Mëdhenj, Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si edhe popujvet të shtypun kundra pushtuesit barbar”.
Këto tre pika e konfirmojnë se Balli Kombëtar në mendësinë e prijësve të tij nuk qe as antiamerikan dhe as kundërbritanik. Ata e kishin konstante shpresën për t’u aktivizuar me veprime ushtarake kur të ndodhte zbarkimi në Ballkan.
Ne, thjesht, pyesim: A qe e mjaftueshme vetëm kaq?
Aleatët nuk donin të priteshin me një mënyrë të tillë veprimi, për ta qe e nevojshme të luftohej kundër pushtuesve fashistë më përpara, përherë, zbarkonin apo nuk zbarkonin, vinin tua lehtësonin antikomunistëve problemin e marrjes së pushtetit ose jo.
E theksojmë edhe njëherë: për anglo-amerikanët këto çaste, vitet e përleshjes kundër gjermane 1943-1945, nuk kishte përparësi kundërkomunizmi, por antifashizmi. Çdo ngatërrim i ndërgjegjshëm apo i paqëllimshëm i këtyre dy objektivave shkaktonte pasoja të mëdha rrënuese në fitoren ushtarake mbi Hitlerin.
Mit’hat Frashëri në 20 nëntor 1943 shpërndau për organet vartëse një Qarkore no. 6, ku rreshton 24 episode të veprimeve luftarake të çetave të Ballit kundër italianëve dhe më pas ndaj gjermanëve. Më i voni i tyre është i datuar në 2 tetor 1943 (luftime ballisto-gjermane në Humelicë, Kolonjë).
Dihet se në fillim të tetorit PKSH u dha porosi organeve të veta partiake si edhe njësiteve të armatosura të varura prej saj për të goditur ushtarakisht Ballin Kombëtar dhe ngarkuar atë me përgjegjësinë e shkaktarit kryesor të vëllavrasjes.
Më 7 tetor, brenda të njëjtës ditë, nga duart e Mit’hat Frashërit dolën dy qarkore, gjashta dhe shtata. Tek e para shkruante “Gjithë Komiteteve Krahinore. Me qenë se vendi ynë sot ka nevojë më të ngutshme për rregull dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen qi me t’arrijt kjo qarkore, të pezullojnë çdo operacion luftarak kundra forcave gjermane tash për tash. Ma vonë do t’u dërgohen edhe direktiva të tjera”.
Në qarkoren e dytë të 7 shtatorit, mes të tjerash, tërhiqte vëmendjen e Komiteteve Krahinore të BK me udhëzimin ”...porositeni që çdo sulmi e çdo atentati komunist t’i përgjigjeni menjëherë dhe me po atë mënyrë”.
Pas kësaj mund të thuhet se nis një trajektore tjetër e dinamikës së veprimit të Ballit Kombëtar, duke e larguar realisht nga aleanca antifashiste, mes saj edhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

(Vijon)

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com