|
OPERACIONI GJERMAN “KAPROLLI” DHE ANTIKOMUNIZMI I MIT’HAT FRASHËRIT
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” më 1 korrik 2014)
Në fillim të qershorit 1944 ndodhën dy ngjarje që nuk mund të mbeten të veçuara edhe pse u ekzekutuan larg njëra-tjetrës.
E para ngjau në brigjet franceze të Normandisë dhe kishte si ditë fillimi datën gjashtë. Ajo shënon nisjen e superzbarkimit anglo-amerikan (operacioni “Overlord”).
Objektivi i tij ishte futja në darën përfundimtare të shtypjes dhe të asgjësimit total të Gjermanisë hitleriane, agresorin pushtues më të fuqishëm dhe më çmendurak që kishte parë Evropa deri atëherë, një shtet përgjakës ndaj dhjetëra kombeve të kontinentit dhe më tej, deri në Afrikë; një diktature të brendshme mizore, e cila po asgjësonte në atë kasaphanë jo vetëm popullin e vet (ato çaste qenë mobilizuar për luftë edhe 16-vjeçarët), por në mënyrë genocidiale (asgjësim i drejtpërdrejtë me gaz helmues) edhe të një populli të tërë martir, hebrenjve.
Ngjarja e dytë ndodhi në Shqipërinë e Jugut. Pati marrë formë të plotë njëzetë e katër orë më parë, më 5 qershor 1944.
Autorë të saj qenë trupat pushtuese gjermane në vendin tonë (operacioni “Gemsbock”).
Ndërkohë sapo ishte mbyllur një aksion tjetër, por ky qe fillimisht diplomatik, për të përfunduar më pas, po të vihej në jetë, në një veprim politik. Ai ishte nismuar nga Balli Kombëtar Shqiptar dhe qe drejtuar personalisht, deri në detajet më të vogla, nga vetë kreu i saj, Mit’hat Frashëri.
Ky operacion i tretë, pothuaj paralel me të parët, kishte për qëllim realizimin e një aleance greko-shqiptaro-turke për t’i bërë pritë penguese depërtimit të Ushtrisë së Kuqe në këto tri vende.
Ky “mur” do të ishte edhe antikomunist, pra do të përpiqej të ndalonte ardhjen e sistemit shoqëror bolshevik stalinist në Ballkan.
Tani le t’i ndjekim më hollësisht si pleksen me njëra-tjetrën, në hartën e kohës, “shigjetat” e këtyre tre operacioneve.
Burime informacioni, përveç të dhënave të mbledhura prej autorit të këtij cikli, i cili do të jetë në tre shkrime, ka edhe katër emra të tjerë. Këta janë Martin Gilbert dhe libri i tij “Churchill” (botuar në Britaninë e Madhe në 1991); Stavri Dajo, historian në Universitetin “Aristotelis” të Selanikut; Sonila Boçe, studiuese në Institutin e Historisë në Tiranë dhe Naxhi Zhupa, ish-partizan dhe oficer i lartë, analizues dhe interpretues ushtarak.
Më së pari, për nevoja të mirinformimit paraprak të lexuesit, po bëjmë një pasqyrë të shpejtë të zhvillimit të ngjarjeve më kryesore të ecurisë së Luftës së Dytë Botërore, përgjithësisht për vitet 1943-1944.
Në janar 1944 Ushtria e Kuqe, duke kryer një marrshim të vrullshëm dhe të pandalshëm, pati çliruar Ukrainën, Krimenë dhe Poloninë. Kjo donte të thoshte se në drejtimin e saj më kryesor për në Berlin i qe avitur rrezikshëm kufijve gjermanë.
Në 22 të këtij muaji perandorisë fashiste në Evropë të Adolf Hitlerit u tentua t’i jepej edhe një goditje tjetër, këtë herë nga poshtë kontinentit. Armata e Gjashtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbarkoi në brigjet e qytetit italian Ancio (Anzio). Ky quhej edhe operacioni “Shingle”.
Nuk ja doli dot. Armata e Katërmbëdhjetë gjermane i gozhdoi të 50.000 marinsit që zunë rripin e tokës, për muaj të tërë, duke i penguar të depërtojnë më tej.
Gjatë muajve mars-prill 1944 Ushtria e Kuqe me ofensivën e saj agresive jo vetëm pati kapërcyer kufirin çekosllovak, por iu afrua edhe Ballkanit.
Vetëm më 23 maj ushtria amerikane e zbarkuar në Ancio mundi të shpërthejë pengesën gjermane dhe si lumë i rrëmbyer të nxitojë drejt Romës. Këtë qytet e çliroi, bashkë me vendasit, në 4 qershor. E vijoi, më pas, marshimin çlirimtar drejt veriut të Italisë. Ndërkaq një vit më parë, në 10 korrik 1943, trupat anglo-amerikane, nëpërmjet operacionit “Husky”, patën zbarkuar në brigjet jugore të Sicilisë. Çlirimin e ishullit ato e përfunduan pas 38 ditësh luftime, në 17 gusht. Në 3 shtator Armata e Tetë e Britanisë së Madhe zbarkoi në Kalabri. Ky qe operacioni “Baytown”. Në 8 shtator 1943 Italia kapitulloi. Të nesërmen, më 9 shtator, Aleatët, me anë të operacionit “Avalanche”, zbarkuan paralelisht në Salerno dhe me operacionin “Slapstick” në Taranto. Njësitë e ndodhura në Sicili dhe dy të tjerat e zbarkuara në jug të Kalabrisë, filluan depërtimin në brendësi të territorit italian. Në 4 qershor kryeqytetin italian do të çlirohej prej bashkëpunimit mes tre kolonave anglo-amerikane.
Me pak fjalë kjo është situata e përgjithshme para 6 qershorit 1944, operacionit “Overlord”, çast kur u hap tërësisht Fronti i Dytë, ai i Perëndimit.
Tashmë boshti fashist ROBERT (Romë-Berlin-Tokio) qe në thërrmim total. Në Evropë Italia kishte kapitulluar, kurse Gjermania e rrethuar në vetëmbrojtje të dëshpëruar në një hapësirë të vogël në qendër të kontinentit. Ishte në prag të falimentimit dhe tashmë këtë gjë e dinin të gjithë, nëpër glob, i madh dhe i vogël.
Pikërisht në këto rrethana fare të qarta për këdo mori jetë operacioni politiko-diplomatik, të cilin po e përkufizojmë formalisht me emrin e protagonistit të saj kryesor: “Mit’hat Frashëri, pranverë 1944”.
Sipas pedagogut në Universitetin “Aristotelis” në Selanik dhe njëkohësisht studiuesit Stavri Dajo “Në 2 shkurt 1944 Mit’hat Frashëri dërgoi në Selanik Sekretarin e Përgjithshëm të Ballit Kombëtar Dhimitër Fallon, gazetar, intelektual nga Korça, njohës i gjuhës dhe i kulturës greke për të nxitur bisedimet paraprake njohëse. Fallo u paraqit si i akredituar i qeverisë shqiptare i cili kërkoi të hynte në kontakt me autoritetet e pushtetit vendor në Selanik për t’u përcjellë atyre propozimin shqiptar për themelimin e një shteti dualist shqiptaro-grek, sipas modelit të mëparshëm italo-shqiptar.
Në bisedimet e para, zhvilluar me ndërmjetësimin e gazetarit nga Korça të vendosur në Greqi Aleksandër Orolloga, me kolonelin Athanasios Chrysochoou, ky i fundit, pasi i tha se nuk kishte asnjë tagër për të ndërmarrë një hap të tillë, i përmendi gjendjen e vështirë të minoritetit grek, ndjekjet dhe reprezaljet, vrasjet e krerëve nacionalistë lokalë, plaçkitjen dhe kusarinë. Fallo iu përgjigj se akuzat e palës greke ishin pa baza, kishin doza hiperbolizimi dhe jepte garanci se minoritetit grek në Shqipëri do t’i siguroheshin të gjitha të drejtat e tij kombëtare. Fallo tha se në Shqipëri sundonte vërtet një urrejtje fisnore, por kjo urrejtje ishte mes nacionalistëve të Ballit dhe komunistëve të Frontit”.
Pak më pas historiani Dajo shënon: “Në bisedat paraprake Fallo-Chrysochoou u pa qartë se pala shqiptare demonstronte një ngutje për një bashkim të tillë dhe konstatimi fillestar grek ishte se kjo bëhej për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej nga nderi i humbur i Ballit, i cili nuk kishte asnjë perspektivë politike. Ky konstatim në thelb ishte i saktë dhe çdo përpjekje i ngjante një tentative mirëfilli të dështuar.
Fallo i propozoi Chrysochoou-t që pala greke, nëse miratonte në parim këtë ide, të formonte një komision ndërpartiak, sikundër kishte bërë pala shqiptare, për të biseduar hollësitë. Koncepti ballist përqendrohej në këto akse: Shqipëria nuk kishte mundësinë e një shteti vetekzistues, nuk i përballonte dot shpenzimet e veta publike, ishte një vend i varfër, nuk mund të ekzistonte si shtet i pavarur dhe, më së pari, nuk e përballonte vet rrezikun komunist dhe ekspansionin sllav. Bashkimi me Greqinë, përkundrazi, do të shtonte potencialin e të dy vendeve. Grekë dhe shqiptarë i takonin një race, ndërsa me serbët nuk kanë asnjë lidhje fisnore, madje të dy vendet i ndan një urrejtje e pashuar për shkak të shtypjes së 600.000 shqiptarëve të Kosovës. Thelbi i këtij bashkimi, kumtoi Fallo, do të jetë krijimi i një barriere kundër ekspansionit sllav në Ballkan, rrezik real dhe potencial për të dy vendet”.
Për të njëjtën ngjarje, sipërmarrjen e mësipërme të prijësit të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri, historiania Sonila Boçi në librin e saj “Minoritetet në Shqipëri midis identitetit dhe integrimit, 1939-1949” thotë: “Në fillim të vitit 1944, Balli Kombëtar ndryshoi politikën në lidhje me rezistencën ndaj pushtuesit. Pas Kongresit të Beratit, më 3 janar 1944, ai vlerësoi komunizmin si një rrezik real dhe të madh për kombin dhe çështjen kombëtare. Nacionalistët mendonin se komunistët shqiptarë, për shkak të lidhjeve të tyre me komunistët jugosllavë, nuk do të mbështesnin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për të parandaluar këtë gjë, Balli Kombëtar zbuti qëndrimin edhe ndaj grupeve politike jokomuniste greke dhe u përpoq të vendoste kontakte dhe të arrinte një marrëveshje me forcat e djathta politike greke. Në fillim të vitit 1944, kryetari i Ballit Kombëtar, Mit\'hat Frashëri dërgoi në Greqi gazetarin Dhimitër Fallo për t\'i propozuar palës greke një marrëveshje. Dokumentacioni dhe literatura e deritanishme japin të dhëna të fragmentarizuara për këtë marrëveshje. Ka një mospërputhje midis dokumentacionit dhe literaturës në lidhje me iniciatorët e marrëveshjes. Ministri i Jashtëm i qeverisë shqiptare në kohën e pushtimit gjerman, Bahri Omari, pohon se qeveria e tij i ishte përgjigjur një propozimi të palës greke për krijimin e një federate greko-shqiptare.
Në kujtimet e Athanasios Krisohut, përfaqësuesit të qeverisë së Athinës në Maqedoninë greke, jepen të dhëna më të plota për bisedimet midis tij dhe Dhimitër Fallos, por është e vështirë të vërtetohet autenticiteti i të gjitha pohimeve të tij. Sipas Krisohut, propozimi për një marrëveshje shqiptaro-greke ishte bërë nga pala shqiptare. Nacionalistët shqiptarë, sipas tij, ishin më të interesuar për të. Krijimi i një federate apo konfederate greko-turko-shqiptare, në këndvështrimin e tyre, do ta parandalonte rrezikun komunist apo pansllavizmin në Ballkan. Kjo vërtetohet dhe nga fakti që në të njëjtën kohë kur Dhimitër Fallo raportohet të ketë marrë kontaktet e para me personalitetet lokale greke, Ragip Frashëri, djali i Mehdi Frashërit, u dërgua në Turqi me një propozim të ngjashëm”.
Pak më tej Sonila Boçi vazhdon të interpretojë tezën e saj: “Në javën e parë të shkurtit të vitit 1944, u zhvillua takimi i parë jozyrtar mes Krisohut dhe Fallos. Ky i fundit i paraqiti A. Krisohut një dokument të hartuar në shqip dhe të përkthyer në frëngjisht, sipas të cilit Dhimitër Falloja paraqitej si i dërguari zyrtar i qeverisë shqiptare”.
Më tej studiuesja Boçi, libri i të cilës është mjaft interesant, shkruan kështu: “Në mënyrën se si po rridhnin punët, dukej se fronti pansllav në Ballkan po rritej, i vetmi shpëtim ishte që Greqia, Shqipëria dhe Turqia, si shtetet josllave të Ballkanit, duhet të bashkoheshin. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë ato të 1939-ës, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës dhe tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të Pasluftës. Në lidhje me çështjen e minoriteteve në projekt parashikohej që ato të shiheshin \"si mjet afrimi mes dy palëve dhe jo mjet largimi\". \"Ta kini ndërmend, - thuhej midis të tjerave në projekt, - se minoritetet duhen t\'i këqyrin mirë të dyja palët dhe të kenë të drejtat e tyre\". Për Krisohun, pala shqiptare duhet të plotësonte dy kushte paraprake, në mënyrë që ai t\'ia paraqiste këtë propozim qeverisë së tij. Kushti i parë ishte që pala shqiptare të pranonte \"dorëzimin e Vorio Epirit\". Kushti i dytë lidhej me ndalimin, sipas Krisohut, të persekutimit të minoritetit grek. Për kushtin e parë, Falloja premtoi se do ta diskutonte çështjen me anëtarë të komitetit shqiptaro-grek dhe qeverinë shqiptare. Në lidhje me çështjen e persekutimit të minoritetit grek, ai sqaroi se minoriteti grek në Shqipëri nuk pësonte asnjë persekutim. I dërguari shqiptar i sqaroi gjerë e gjatë Krisohut situatën politike në Shqipërinë e Jugut. Lufta civile midis komunistëve dhe nacionalistëve e kishte përfshirë jugun e vendit dhe popullsia po pësonte dëme të shumta për shkak të saj”.
Sipas historianes Sonila Boçi “Më 7 shkurt 1944, ish-kryeministri shqiptar i mbretit Zog, Koço Kota, shkoi në Selanik nga Athina, ku ishte vendosur pas pushtimit italian të Shqipërisë. Sipas kujtimeve të Krisohut, ai ishte caktuar nga qeveria shqiptare si kryetar i komitetit greko-shqiptar dhe një nga negociuesit e bashkimit shqiptaro-grek. Në deponimet e tij në gjyqin special, Koço Kota, nuk pranoi të ketë qenë kryetar i delegacionit, por një pjesëmarrës në bisedime si person privat, madje ai ka mohuar të ketë përfaqësuar në bisedime Partinë e Legalitetit. Më 8 shkurt 1944, Koço Kota, Dhimitër Fallo, Kostandin Godi, Selim Mborja u takuan në shtëpinë e këtij të fundit, me Krisohun dhe Aleksandër Orolloganë. Të nesërmen Athanasios Krisohu, përpiloi një raport të hollësishëm për bisedimet e zhvilluara dhe ia dërgoi atë qeverisë kuislinge greke të kryesuar nga Joan Ralisi. Ai njoftonte qeverinë e tij se kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë ishin: \"Kombi shqiptar mund të drejtohej drejt këtij bashkimi për sa kohë që dinjiteti dhe krenaria e tij nuk prekeshin. Në këtë mënyrë, dispozitat e mundshme për bashkimin ishin këto: a) Një komb i unifikuar me pavarësi lokale në lidhje me administratën, drejtësinë, edukimin dhe autoritetin politik. b) Politikë të jashtme të unifikuar me atë të Greqisë. c) Mbrojtje kombëtare të unifikuar me një ushtri nën Ministrinë e Luftës së Athinës. d) Një politikë ekonomike të unifikuar me atë të Greqisë dhe heqjen e tatimeve doganore midis dy vendeve\".
Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim gjerman dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarrin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”.
Me gjithë këtë projekt-ide të fundit, pra një fronti greko-shqiptaro-turk kundër nazistëve, shefi i Ballit Kombëtar Shqiptar, Mit’hat Frashëri, siç mund të shihet, në emër të strategjisë antikomuniste të organizatës që udhëhiqte, duke u mbajtur i paepur në disa binarë të interesit kombëtar, jepet e lëshon pe në disa të tjera. Vendin e vet ai e rreshton në vasalitet ushtarak dhe ekonomik me Greqinë, pa llogaritur edhe atë diplomatik.
Dy varësitë e para qenë fatale dhe nuk ishin më të vogla se rezultatet e një pushtimi.
Madje fashistët italianë dhe ata gjermanë gjeste të tilla patën kryer me shpalljen e qeverisë apo edhe të xhandarmërisë shqiptare. Nazistët humbjen zyrtare të mëvetësisë nga italianët (për katër vjet ishim pjesë e territorit të mbretërisë perandorake fqinje), kur erdhën vetë e njoftuan të zhbërë këtë status dhe shpallën se po i rikthenin pavarësinë Shqipërisë.
Në fakt në të dy rastet ishim të pushtuar, pra, për rrjedhojë, pa asnjë autoritet të rëndësishëm mëvetësie shtetërore.
Asgjë ndryshe nuk ka platforma e Mit’hat Frashërit për bashkimin me Greqinë nga ajo që realizuan pjesërisht edhe jugosllavët me komunistët shqiptarë pas lufte. Po vraponim drejt humbjes së pavarësisë kur ajo u prish, por vetëm për rrethana të jashtme.
Një pyetje, me këtë rast, nuk mund të anashkalohet: Kaq i rëndë duhej të qe çmimi i atij vendimi që ballistët morën në Berat, më 3-4 janar 1944, kur në kongresin e tyre të parë gjykuan se midis kërcënimit fashist gjerman dhe atij komunist sllav, ishte më rrezikshëm ky i dyti, sa trokitën në derën jo fort mikpritëse nacionaliste greke?
Mos këtu, edhe pse ka mjaft rrethana shtrënguese që i detyrojnë njerëzit e Ballit Kombëtar t’u qëndrojnë me armë njësiteve partizane, PKSH-së, Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe Frontit të saj, kishte ende dukshëm hapësirë për të futur në mes pyetjen tjetër të pashmangshme: mos ata në këtë përzgjedhje taktike u gabuan rëndë?
Mos një vendim tjetër, delikat dhe me dy tehe për ta, por strategjikisht i përputhshëm me atë të fuqive antifashiste e veçanërisht dy kështjellave në botë të demokracive perëndimore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, do të qe më i drejtë?
Operacioni diplomatik dhe njëkohësisht politik i Mit’hat Frashërit, siç rrodhën ngjarjet, edhe me ato lëshime të mëdha të sovranitetit kombëtar në favor të Greqisë, ngeci në vend. Kjo u kuptua njëherësh në mes të majit. Ndërsa në Stamboll për të kryer misionin paralel me atë helen të Dhimitër Fallos u dërgua nga Tirana Ragib Frashëri dhe doli duarbosh, në datën dhjetë shefi i Ballit Kombëtar i nisi një letër përgëzuese, për takimet e Selanikut, të ngarkuarit të tij special, Fallos. I konfirmonte po atë vijë të mëparshme dhe nuk linte të kuptohej se qe tërhequr sadopak apo e kishte korrigjuar shënjestrën e platformës së tij. Studiuesi i vëmendshëm dhe shumë i in formuar me materiale të arkivave greke dhe shqiptare, Dajo, vë në dukje, se ndërkaq bisedimet e nisura “kokë më kokë”, fshehur opinionit publik të të dy vendeve, një muaj më parë, në prill, qenë çsekretuar nga pala greke dhe patën marrë dheun. Me të rënë në dijeni, për këto takime, silogjet vorioepirote, iu kundërvunë ashpërsisht kryeministrit të tyre bashkëpunues me pushtimin gjerman, Ioannis Ralis.
Kështu gjithçka, si në një godinë që po shembej, u braktis me shpejtësinë më të madhe. Në të vërtetë ai dialog i sforcuar nuk kishte dhënë asnjë shenjë se mund të përfundonte me një marrëveshje.
Për ta bërë më të dobishëm për diskutim çështjen nëse në kongresin e Beratit Balli Kombëtar gjykoi në kohë apo parakohshëm, tepër në sinkron me zhvillimet ndërkombëtare apo shumë ngutshëm dhe në kundërshtim me to, nëse vendosën pasi e analizuan gjendjen me kokë të ftohtë dhe pragmatizëm apo me kaptinë të nxehtë ideologjike, do të ndjekim më tej dy çështje.
E para: dinamika e mundësisë së një zbarkimi anglo-amerikan në Ballkan dhe saktësisht në Shqipëri. Kjo zgjidhte problemin që, siç thoshin, e kishin ballistët: pengimin e sovjetikëve në Ballkan e në vendin tonë, sidomos të rendit shoqëror komunist.
E dyta: Operacioni gjerman i qershorit 1944. Si do të mbante qëndrim Balli Kombëtar ndaj kësaj ngjarjeje, e cila qe strategjikisht veprimtari luftarake kundër aleancës antifashiste dhe veçanërisht anglo-amerikanëve.
Mit’hat Frashëri në këta muaj gjendet në një pozicion delikat dhe mjaft të vështirë.
Pra, kë shteg do të marrë?
(Vijon)
Ylli Polovina.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|